Jakobi në Egjipt
1 Izraeli bashkë me gjithçka kishte u ngrit e shkoi në Bershebë e aty i kushtoi fli Perëndisë së Isakut, atit të tij. 2 Atëherë Perëndia iu drejtua Izraelit natën në një vegim e i tha: «Jakob, Jakob!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam!». 3 Perëndia i tha: «Unë jam Perëndia, Perëndia i atit tënd. Mos ki frikë të shkosh në Egjipt, sepse atje do të të bëj një komb të madh. 4 Unë vetë do të shkoj bashkë me ty në Egjipt e po unë do të të kthej që andej. Jozefi do të t'i mbyllë sytë».
5 Atëherë Jakobi u ngrit nga Bersheba dhe bijtë e Izraelit e vunë Jakobin, atin e tyre, bashkë me fëmijët e gratë e tyre, në qerret që faraoni kishte dërguar për të. 6 I morën me vete bagëtitë e pasurinë që kishin mbledhur në tokën e Kanaanit dhe Jakobi me gjithë familjen e tij mbërritën në Egjipt. 7 Ai e solli në Egjipt gjithë familjen e tij, bijtë, nipërit, bijat e mbesat.
8 Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt: Jakobi e bijtë e tij. Rubeni, i parëlinduri i Jakobit. 9 Bijtë e Rubenit, Enoku, Palui, Hecroni e Harmiu. 10 Bijtë e Simeonit, Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Cohari e Sauli, biri i një kananiteje. 11 Bijtë e Levit, Gershoni, Kohati e Merari. 12 Bijtë e Judës, Eri, Onani, Shelahu, Pereci e Zerahu. Eri e Onani vdiqën në tokën e Kanaanit. Bijtë e Perecit ishin Hecroni e Hamuli. 13 Bijtë e Isaharit, Tolai, Puahu, Jobi e Shimroni. 14 Bijtë e Zabulonit, Seredi, Eloni e Jahleli. 15 Këta janë bijtë që Lea ia lindi Jakobit në Padan Aram. Ajo lindi edhe një vajzë, Dinën. Bij e bija, ishin gjithsej tridhjetë e tre veta. 16 Bijtë e Gadit: Cifioni, Hagiu, Shuniu, Ecboni, Eri, Arodi e Arieli.
17 Bijtë e Asherit, Imnahu, Ishvahu, Ishviu, Berjahu e Seraja, motra e tyre. Bijtë e Berjahut, Heberi e Malkieli. 18 Këta janë bijtë e Zilfës që Labani ia dha për shërbëtore Leas, të bijës. Ajo i lindi Jakobit gjithsej shtatëmbëdhjetë veta.
19 Bijtë e Rakelës, gruas së Jakobit, Jozefi e Benjamini. 20 Jozefit i lindën, në tokën e Egjiptit, Manaseu dhe Efraimi. Ia lindi Asenata, bija e Potiferait, priftit të Onit. 21 Bijtë e Benjaminit, Belai, Bekeri, Ashbeli, Gerai, Namani, Ehiu, Roshi, Mupimi, Hupimi e Aredi. 22 Këta janë bijtë e Rakelës që ia lindi Jakobit. Gjithsej dyzet veta. 23 Bijtë e Danit, Hushimi. 24 Bijtë e Neftaliut, Jahceli, Guniu, Jeceri e Shilemi. 25 Këta janë bijtë e Bilhës që Labani ia dha për shërbëtore Rakelës, të bijës. Ajo i lindi Jakobit gjithsej shtatë veta. 26 Të gjithë ata që erdhën në Egjipt me Jakobin, pasardhësit e tij, pa përfshirë gratë e të bijve, ishin gjithsej gjashtëdhjetë e gjashtë. 27 Ndërsa bijtë e Jozefit që i lindën në Egjipt ishin vetëm dy. Kështu, shtatëdhjetë anëtarë të familjes së Jakobit erdhën në Egjipt.
Jakobi në Goshen
28 Jakobi e kishte dërguar Judën te Jozefi që t'i dilte para në Goshen. Kur arritën në Goshen, 29 Jozefi bëri gati karrocën e shkoi atje për të takuar atin e tij, Izraelin. Sapo i doli përpara, Jozefi e përqafoi dhe qau për një kohë të gjatë mbi supin e të atit. 30 Atëherë Izraeli i tha Jozefit: «Tani le të vdes, sepse të pashë e ti qenke ende gjallë!». 31 Jozefi u tha vëllezërve dhe atyre të shtëpisë së të atit: «Do të shkoj ta njoftoj faraonin se më kanë ardhur vëllezërit dhe familja e tim eti që ishin në Kanaan. 32 Pastaj do t'i them që jeni barinj, se gjithmonë jeni marrë me blegtori e që keni sjellë me vete dhentë e qetë tuaja e gjithçka keni. 33 Kështu, kur faraoni t'ju thërrasë e t'ju pyesë me çfarë merreni, 34 thuajini: “Shërbëtorët e tu kanë qenë barinj që në moshë të re e deri tani, ashtu siç kanë qenë dhe etërit tanë”. Thoni kështu që të banoni në tokën e Goshenit, meqë egjiptianët kanë neveri për të gjithë barinjtë».
1 Edhe Israili si u ngrit bashkë me gjithë gjën’ e ti, erdhi ndë Beer-sheba, edhe i pruri kurban Perëndisë t’et Isaakut. 2 Edhe Perëndia i tha Israilit natënë nd’ëndërrë, tuke folë: Jakov, Jakov. Edhe ay tha: Ç’është? 3 Edhe tha: Unë (jam) Perëndia, Perëndia i tyt et, mos u frikëso të sbreç ndë Egjyptëri, sepse kam për të bërë ty atie komp të math, 4 unë do të sbres bashkë me ty ndë Egjyptëri, edhe unë me të vërtetë do të të ngjit prapë, edhe Josifi do të vërë duart’ e tia mbi syt të tu.
5 Edhe Jakovi u ngre nga Beer-shebaja, edhe të bijt’ e Israilit vunë Jakovinë, t’an’ e tyre, edhe djemt’ e tyre, edhe grat’ e tyre, mbi qerret që kishte dërguarë Faraoni për të ngritur’ atë. 6 Edhe ata muarrë bagëtit’ e tyre, edhe gjën’ e tyre që patnë fituarë ndë dhet të Hanaanit, edhe erdhë ndë Egjyptëri, Jakovi edhe gjithë fara e ati bashkë me atë, 7 bijt’ e ti, e bijt’ e bijet ti bashkë me atë, bilat’ e tia, e bilat e të bijet, e gjithë farën’ e ti e pru me vetëhe ndë Egjyptëri.
8 Këta (janë) emërat’ e të bijet Israilit që hynë ndë Egjyptëri: Jakovi edhe të bijt’ e ati: Ruvini i pari dial’ i Jakovit, 9 edhe të bijt’ e Ruvinit: Hanoku, e Fallu, e Hezroni, e Karmi.
10 Edhe të bijt’ e Simeonit: Jemuelli, e Jamini, e Ohadi, e Jaqini, e Zohari, e Shaulli i biri një gruaje Hanaanite.
11 Edhe të bijt’ e Leviut: Gershoni, (e) Kohathi, e Marari.
12 Edhe të bijt’ e Judhësë: Eri, e Onani, e Shellahu, e Farezi, e Zarahu, po Eri e Onani vdiqnë ndë dhet të Hanaanit. Edhe të bijt’ e Farezit ishinë Hezroni e Hamulli.
13 Edhe të bijt’ e Issaharit: Tolla, e Favahu, e Jobi, e Shimroni.
14 Edhe të bijt’ e Zabullunit: Seredi, e Elloni, e Jahleeli.
15 Këta (janë) të bijt’ e Leahësë, që ja polli Jakovit ndë Padan-aram, bashkë me Dinahënë të bilën’ e ati, gjithë shpirtëratë, të bijt’ e ati, e të bilat’ e ati (ishinë) tridhiet’ e tre.
16 Edhe të bijt’ e Gadit: Zifioni, e Haggi, (e) Shuni, (e) Ezvoni, (e) Eri, e Arodi, e Arelli.
17 Edhe të bijt’ e Asherit: Jimnahu, e Ishuahu, e Isui, e Beriahu, e Saraha e motëra atyre, edhe të bijt’ e Beriahut: Heveri, e Mallqieli.
18 Këta (janë) të bijt’ e Zillpahësë, që ja dha Llavani Leahësë së bilësë, edhe këta ja polli Jakovit, gjashtëmbëdhietë shpirt.
19 Të bijt’e Rahilësë së shoqesë Jakovit: Josifi e Veniamini.
20 Edhe Josifit i patnë lindurë ndë dhe të Egjyptërisë Manassehu e Efraimi, të cilëtë ja polli Asenatha e bila e Potiferahut priftit Onit.
21 Edhe të bijt’ e Veniaminit (ishinë) Bellahu, e Beqeri, e Ashbeli, (e) Gera, e Naamani, (e) Ehu, e Roshi, (e) Muppimi, e Huppimi, e Ardi.
22 Këta (janë) bijt’ e Rahilësë që ja polli Jakovit, të gjithë katrëmbëdhietë shpirt.
23 Edhe të bijt’ e Danit, Hushimi.
24 Edhe të bijt’ e Naftalit: Jahzeeli, e Guni, e Jezeri, e Shillemi.
25 Këta (janë) të bijt’ e Billhahësë, të cilënë Llavani ja pat dhënë Rahilësë së bilësë; edhe ajo i polli këta Jakovit, të gjith’ (ishinë) shtatë shpirt.
26 Gjithë shpirtëratë që hynë ndë Egjyptëri bashkë me Jakovinë, të cilëtë kishinë dalë nga zorrët’ e ati, përveç gravet të bijet Jakovit, të gjith’ (ishinë) gjashtëdhiet’ e gjashtë shpirt. 27 Edhe të bijt’ e Josifit që i patnë lindurë ndë Egjyptëri (ishinë) dy shpirt; gjithë shpirtërat’ e shtëpisë Jakovit, që hynë ndë Egjyptëri, ishinë shtatëdhietë.
28 Edhe (Jakovi) dërgoi Judhënë përpara ati te Josifi, që të sbriste përpara ati ndë Goshen, edhe erthnë ndë dhe të Goshenit. 29 Edhe Josifi zuri qerren’ e ti, edhe hipi t’i dilte përpara Israilit t’et ndë Goshen, edhe kur pa atë, ra mbi qafët t’ati, edhe klau shumë herë mbi qafët t’ati. 30 Edhe Israili i tha Josifit: Le të vdes tashi, që pashë syt’ e tu, sepse ti qënëke po gjall.
31 Edhe Josifi u tha të vëllezëret, edhe shtëpisë t’et: Unë do të ngjitem, e do t’i ap zë Faraonit, e t’i them: Tem vëllezër, edhe shtëpia e tim et, që (ishinë) ndë dhe të Hanaanit, erthnë tek unë, 32 edhe njerëzit (janë) bari, sepse (janë) njerës që ushqenjënë bagëti, edhe kanë prurë dhënt’ e tyre, e lopët’ e tyre, edhe gjithë ç’kanë. 33 Ndë u thirrtë juve pra Faraoni, t’u thotë: Cila është puna juaj? 34 Thojni: Shërbëtorët’ e tu jemi njerës që ushqejmë bagëti që nga dielmëria jonë gjer tashi, edhe neve edhe atëritë tanë, që të rrini ndë dhet të Goshenit, sepse Egjyptianët’ e kanë të ndyrë çdo bari dhënsh.