Jozefi dhe vëllezërit
1 Jakobi banoi në tokën e Kanaanit, aty ku kishte banuar edhe i ati. 2 Kjo është historia e Jakobit: Jozefi ishte shtatëmbëdhjetë vjeç e kulloste dhentë bashkë me vëllezërit. Ai ishte ndihmësi i bijve të Bilhës e Zilfës, dy grave të të atit. Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq të vëllezërve të vet. 3 Izraeli e donte Jozefin më shumë se bijtë e tjerë, se e kishte birin e pleqërisë. Ai i bëri Jozefit një tunikë shumëngjyrëshe . 4 Kur vëllezërit panë se ati i tyre e donte më shumë se ata, e urryen Jozefin e nuk i flisnin dot me të mirë.
5 Jozefi pa një ëndërr dhe, kur ua tregoi vëllezërve, ata e urryen edhe më shumë. 6 Ai u tha: «Dëgjoni ëndrrën që pashë. 7 Po mblidhnim dorëza gruri në mes të fushës. Kur ja, dorëza ime u ngrit e qëndroi drejt. Ndërsa dorëzat tuaja u mblodhën përreth e u përkulën me nderim para dorëzës sime». 8 Atëherë vëllezërit i thanë: «A thua do të bëhesh mbreti ynë e do të sundosh mbi ne?!». Kështu, ata e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave e fjalëve të tij.
9 Jozefi pa edhe një ëndërr tjetër e ua tregoi vëllezërve të vet: «Pashë një ëndërr tjetër. Dielli, hëna e njëmbëdhjetë yje po më përkuleshin me nderim». 10 Kur ia tregoi të atit e vëllezërve, i ati e qortoi e i tha: «Ç'është kjo ëndërr! A po thua që unë, jot ëmë e vëllezërit e tu do u përkulkemi gjer në tokë para teje?!». 11 Vëllezërit e patën zili, kurse i ati e mbajti në mend këtë gjë.
Vëllezërit shesin vëllanë
12 Vëllezërit shkuan në Shekem për të kullotur dhentë e atit të tyre. 13 Atëherë Izraeli i tha Jozefit: «Vëllezërit e tu po kullotin dhentë në Shekem. Ngrihu e shko tek ata!». Ai u përgjigj: «Gati jam!». 14 Izraeli i tha: «Shko, shih a janë mirë vëllezërit e dhentë e më kthe përgjigje». Kështu, e dërgoi Jozefin nga lugina e Hebronit dhe ai mbërriti në Shekem. 15 Atje gjeti një njeri që po sillej nëpër fushë, i cili e pyeti: «Çfarë po kërkon?». 16 Jozefi iu përgjigj: «Po kërkoj vëllezërit e mi. Më trego, ku po kullotin». 17 Njeriu i tha: «Kanë ikur që këtej, por unë i dëgjova që thoshin: “Të shkojmë në Dotan”». Atëherë Jozefi shkoi pas vëllezërve e i gjeti në Dotan. 18 Ata e panë Jozefin që larg dhe para se të afrohej kurdisën një plan për ta vrarë. 19 I thanë njëri-tjetrit: «Ja, po vjen ky ëndërrimtari! 20 Ejani tani, ta vrasim e ta hedhim në një gropë e të themi se e shqyen egërsirat. Atëherë do të shohim sa i vlejnë ëndrrat!». 21 Rubeni i dëgjoi dhe e shpëtoi Jozefin prej duarve të tyre, kur u tha: «Mos t'ia marrim jetën». 22 Ai shtoi: «Mos derdhni gjak! Hidheni në këtë gropë, në shkretëtirë, por mos vini dorë mbi të». Ai donte ta shpëtonte nga duart e tyre që t'ia kthente të atit. 23 Kur Jozefi mbërriti te vëllezërit, ata e zhveshën. Pasi ia zhveshën tunikën shumëngjyrëshe që mbante veshur, 24 e morën dhe e hodhën në një gropë. Gropa ishte bosh e pa ujë.
25 Pastaj u ulën të hanë bukë. Kur ngritën sytë, panë një karvan ishmaelitësh që po vinte nga Gileadi e po shkonte për në Egjipt me deve të ngarkuara me rrëshirë, balsam e mirrë. 26 Atëherë Juda u tha vëllezërve: «Çfarë përfitimi kemi nëse e vrasim vëllanë e ia fshehim kufomën . 27 Ejani, t'ua shesim ishmaelitëve e të mos vëmë dorë mbi të, se është vëllai e gjaku ynë». 28 Kur tregtarët midianitë kaluan andej, e nxorën Jozefin nga gropa e ua shitën ishmaelitëve për njëzet sikla argjendi. Ata e çuan Jozefin në Egjipt.
29 Rubeni u kthye te gropa, por Jozefi nuk ishte atje. Atëherë shqeu rrobat, 30 u kthye te vëllezërit e u tha: «Djali nuk është më atje! Kah t'ia mbaj unë tani?». 31 Pastaj morën tunikën e Jozefit dhe e zhytën në gjakun e një cjapi që therën. 32 Ia sollën tunikën shumëngjyrëshe të atit e i thanë: «Gjetëm këtë! Shikoje mirë! A është e djalit tënd apo jo?». 33 Ai e njohu tunikën e tha: «Është tunika e tim biri. E paskan ngrënë egërsirat. Copë-copë ma paskan bërë Jozefin!». 34 Atëherë Jakobi shqeu rrobat e veta, vuri një grathore rreth ijëve dhe e vajtoi të birin për një kohë të gjatë. 35 U ngritën për ta ngushëlluar të gjithë bijtë e bijat, por ai nuk donte të ngushëllohej e thoshte: «Duke vajtuar do të zbres në skëterrë, tek im bir». Kështu e vajtoi ati të birin. 36 Ndërkohë midianitët e shitën Jozefin në Egjipt. Ia shitën Potifarit, oborrtarit të faraonit, komandantit të rojave.
1 Edhe Jakovi ndenji nd’atë dhe që pat ndenjur’ i ati, ndë dhet të Hanaanit. 2 Këjo (është) gjeneallogjia e Jakovit. Josifi, kur ishte shtatëmbëdhietë vieç i ri, kulloste dhëntë bashkë me të vëllezërit’ e ti, të bijt’ e Bilhahësë, e të bijt’ e Zilpahësë, gravet t’et, edhe Josifi i zuri n’gojë t’et atyre zën’ e lik t’atyre. 3 Edhe Israili donte Josifnë më fort se gjithë të bijt’ e ti, sepse ishte biri pleqërisë ti, edhe i bëri një rrobe të larme. 4 Edhe të vëllezërit e ati, tuke parë se i ati atyreve donte më fort atë, se gjithë të vëllezërit’ e ati, e kishinë cmir, edhe nukë munt t’i flisninë me të mirë. 5 Edhe Josifi pa ëndërrë, edhe ua tregoi të vëllezëret, edhe (ata) i kishinë mëri ati më tepërë. 6 Edhe (ay) u tha atyreve: U lutem pa dëgjoni këtë ëndërrë që pashë: 7 Na tek po lidhim dorëza ndë mest të fushësë, edhe na tek u ngre dorëza ime edhe qëndroj dreitë, edhe na dorëzatë tuaja tek erthnë përqark, e iu falnë dorëzësë sime. 8 Edhe të vëllezërit’ i thanë ati: Mbëret do të bënesh mbi ne? Apo zot do të bënesh ndër ne? Edhe i kishinë mëri ati më tepërë për ëndërrat e ati, edhe për fialët e ati. 9 Pastaj (ay) pa edhe një tietër’ ëndërrë, e ua tregoi të vëllezëret, edhe tha: Na tek pashë një tietër’ ëndërrë, edhe na te m’u falnë dielli, edhe hëna, edhe dymbëdhiet’ yje. 10 Edhe (ja) tregoi t’et edhe të vëllezëret, edhe i ati e qërtoi atë, e i tha: Ç’(është) këjo ëndërrë që pe? Vallë mos do të vimë un’ e jot ëmë, edhe tët vëllezër, që të falemi ty gjer përdhe? 11 Edhe të vëllezërit’ i kishinë cmir ati, po i ati ruante fialënë. 12 Edhe të vëllezërit’ e ati vanë të kullotinë dhënt’ e t’et ndë Shehem. 13 Edhe Israili i tha Josifit: A nukë kullosënë (dhëntë) tët vëllezër ndë Shehem? Eja, të të dërgonj te ata. Edhe ay i tha: Na (ku jam) unë. 14 Edhe (ay) i tha ati: Shko pra, të shohç, ndë janë mirë tët vëllezër, edhe (ndë janë) mirë dhëntë, edhe biermë zë. Edhe e dërgoi atë nga groporeja e Hebronësë, edhe erdhi ndë Shehem. 15 Edhe një njeri gjeti atë tuke ardhurë tej e këtej ndëpër fushët, edhe njeriu e pyeti, edhe i tha: Ç’kërkon? 16 Edhe ay tha: Kërkonj tem vëllezër, të lutem, dëftemë, ku kullosënë. 17 Njeriu tha: U ngritnë së këtejmi, sepse dëgjova ata që thoshinë: Le të vemi ndë Dothan. Edhe Josifi vate prapa të vëllezëret, edhe i gjeti ata ndë Dothan. 18 Edhe ata kur panë atë së largu, që pa afruarë ndër ata, këshilluanë kundrë ati ta vrisinë. 19 Edhe i tha njëri jatrit: Na tek po vien mieshtri ëndërravet, 20 eni pra tashi, edhe le ta vrasëmë, edhe le ta hedhëmë mbë ndonjë gropë, edhe të themi (se): Bishë e keqe e hëngri; edhe do të shohëmë, ç’do të bënen’ ëndërrat’ e ati. 21 Edhe kur dëgjoi Ruvini, e shpëtoi atë nga duart’ e atyreve, edhe tha: Le të mos i bëjmë dëm ati ndë jetët. 22 Edhe Ruvini u tha atyre: Mos derthni gjak, hidheni atë ndë këtë gropë (që është) ndë shkretëtirët, edhe mos viri dorë mbi atë; që ta shpëtonte nga duart’ e atyreve, (edhe) t’ia epte prap t’et. 23 Kur erdh pra Josifi te të vëllezërit e ti, i sveshnë Josifit rrobenë, (atë) rroben’ e larme, që kish përsipërë, 24 edhe e muarrë, edhe e hodhë ndë gropët, edhe gropa ishte e thatë, s’kishte ujë. 25 Pastaj ndenjnë e hëngrë bukë, edhe kur shtinë syt’ e panë, na tek po vininë ca udhëtarë Ismailitë nga Gileada, me kamillet’ e atyre ngarkuarë me erëra të mira e me ballsam e me myrrë, edhe vijnë t’i shpijnë ndë Egjyptëri. 26 Edhe Judha u tha të vëllezëret: Ç’dobi (është), ndë vrafshim vëllanë tanë, edhe të fshehëmë gjakun’ e ati? 27 Eni edhe le t’ua shesëmë Ismailitëvet, edhe le të mos vëmë duartë tona mbi atë, sepse është vëllai ynë (edhe) mishi ynë. Edhe të vëllezërit’ e ati i dëgjuanë. 28 Edhe tek po shkonin (aty drejti) ca Midianitë tregjëtarë, (ata) hoqnë Josifnë edhe e nxuarrë nga gropa, edhe ua shitnë Ismailitëvet për njëzet argjënde, edhe ata prunë Josifnë ndë Egjyptëri. 29 Edhe Ruvini u kthye ndë gropët, edhe na tek nuk’ ishte Josifi ndë gropët, edhe (ay) çorri rrobet’ e tia, 30 edhe u kthye te të vëllezërit’ e ti, e tha: Diali nuk’ (është), po unë, ku të vete unë? 31 Atëhere muarrë rroben’ e Josifit, edhe thernë një keth nga dhitë, edhe ngjyenë rroben ndë gjakt, 32 edhe dërguanë rroben’ e larme, e ja prunë t’et, e thanë: Gjetëm këtë, njihe tashi ndë është rrobeja e tyt bir, apo jo. 33 Edhe ay e njohu atë, e tha: Rrobeja e tim bir (është), bishë e keqe e pasëka ngrënë, Josifi qënëka copëtuar’ i tërë. 34 Edhe Jakovi çorri rrobet’ e tia, edhe vuri thes ndë ijët të ti, edhe mbajti zi shumë dit për të birë. 35 Edhe u ngrenë gjithë të bijt’ e ati, e gjithë të bilat’ e ati, për të ngushëlluar’ atë, po nukë donte të ngushëllonej, e thoshte se: Tuke mbajturë zi do të sbres te im bir ndë varrt. Edhe i ati e klau atë. 36 Edhe Midianitëtë ja shitnë atë Potifarit ndë Egjyptëri (i cili ishte) i dredhuri Faraonit, i pari ruanjëset (mbëretit).