Ligësia e njeriut
1 Kur njeriu filloi të shumohet mbi faqen e tokës e i lindën bija, 2 bijtë e Perëndisë panë se bijat e njeriut ishin të bukura dhe morën për gra ato që zgjodhën. 3 Zoti tha: «Shpirti im nuk do të qëndrojë me njeriun përgjithmonë, sepse ai është mish dhe ditët e jetës së tij do të jenë njëqind e njëzet vjet». 4 Në ato kohë nefilimët jetonin në tokë, po ashtu edhe më vonë kur bijtë e Perëndisë morën për gra bijat e njeriut dhe ato u lindën fëmijë. Këta ishin kreshnikët e lashtësisë, njerëz me emër.
5 Zoti pa se ligësia e njeriut mbi tokë ishte e madhe dhe, tërë kohën, mendimet e zemrës së tij nuk synonin gjë tjetër veçse të keqen. 6 Zotit i erdhi keq që kishte bërë njeriun mbi tokë dhe u pikëllua në zemër. 7 Zoti tha: «Do ta shuaj nga faqja e dheut njeriun që krijova, njeriun bashkë me bagëtitë, zvarranikët e shpendët e qiellit, se u pendova që i krijova».
8 Por Noeu gjeti hir para Zotit.
Noeu dhe përmbytja
9 Kjo është historia e Noeut. Noeu ishte njeri i drejtë, i patëmetë ndër bashkëkohësit e tij dhe jetonte me Perëndinë. 10 Atij i lindën tre djem, Semi, Kami e Jafeti.
11 Toka ishte shthurur para syve të Perëndisë e ishte mbushur me dhunë. 12 Perëndia pa tokën dhe, ja, ajo ishte e prishur pasi çdo njeri mbi tokë bënte jetë të shthurur. 13 Perëndia i tha Noeut: «Kam vendosur t'i jap fund çdo njeriu, se e kanë mbushur tokën me dhunë. Ja, do t'i zhduk bashkë me tokën.
14 Bëj një arkë me dru goferi, bëje me dhoma e lyeje brenda e jashtë me zift. 15 Ja si do ta bësh: treqind kute të gjatë, pesëdhjetë kute të gjerë e tridhjetë kute të lartë. 16 Bëj një çati për arkën e ngrije një kut më lart. Derën e arkës vëre anash e bëj një kat përdhe, një të dytë e një të tretë.
17 Dhe ja, unë do të sjell përmbytjen mbi tokë që të mbytë çdo qenie të gjallë nën qiell. Çdo gjë që është mbi tokë do të marrë fund. 18 Por besëlidhjen time do ta bëj me ty e ti, bashkë me bijtë e tu, me gruan tënde e me gratë e bijve të tu, do të hysh në arkë. 19 Dhe nga çdo gjallesë e gjë e gjallë do të marrësh në arkë dy prej çdo lloji, që të mbeten gjallë bashkë me ty. Mashkull e femër do të jenë. 20 Prej shpendëve sipas llojit të tyre, prej bagëtive sipas llojit të tyre e prej çdo zvarraniku të tokës sipas llojit të tyre, dy prej çdo lloji do të vijnë te ti që të mbeten gjallë. 21 Merr e grumbullo për vete prej çdo lloji ushqimi që hahet. Do të jetë ushqim për ty e për kafshët».
22 Dhe Noeu kështu veproi. Bëri gjithçka siç e kishte urdhëruar Perëndia.
1 Edhe kur zunë njerëzitë të shumoheshinë mbi faqet të dheut, edhe bija u lintnë atyreve, 2 atëhere të bijt’ e Perëndisë, kur panë të bijat’ e njerëzet se ishinë të bukura, muarrë gra për vetëhen’ e tyre nga të gjitha sa sgjodhë. 3 Edhe Zoti tha: Nukë do të mbetetë përherë fryma ime bashkë me njerinë, sepse është mish; dit e ati do të jenë edhe një qint viet.
4 Nd’ato dit ishinë gjigantëtë mbi dhet, edhe pastaj si hynë të bijt’ e Perëndisë ndër të bijat e njerëzet, edhe ato u puallnë djem atyre; ata (ishinë) të fortëtë, burra me emër që moti.
5 Edhe Zoti pa se u shumua e liga e njeriut mbi dhet, edhe gjithë qëllimet’ e mëndimevet zemërës’ ati (ishinë) vetëmë të këqia përditë. 6 Edhe Zoti u pendua që bëri njerinë mbi dhet; edhe u hidhërua ndë zemërët të ti. 7 Edhe Zoti tha: Do të shuanj njerinë, që bëra, nga faqeja e dheut; që nga njeriu gjer mbë bagëti, e shtërpi, e shpes qielli; sepse u pendova që bëra ata.
8 Po Noeja gjeti hirë përpara Zotit.
9 Këjo (është) gjeneallogjia e Noesë. Noeja ishte një njeri i dreitë, (edhe) i tërë ndër shokët të kohësë ti; Noeja eci me Perëndinë. 10 Edhe Noesë i lintnë tre djem: Simi, (e) Hami, e Jafethi.
11 Edhe dheu u vduar përpara Perëndisë, edhe u mbush dheu me punë të paudha. 12 Edhe Perëndia pa dhenë, edhe na tek ishte vdierë, sepse çdo mish kish vdierë udhën’ e ti mbi dhet.
13 Edhe Perëndia i tha Noesë: Fundi i çdo mishi erdhi përpara meje, sepse dheu u mbush me punë të paudha prej atyre; edhe na tek do të shuanj ata edhe dhenë.
14 Bën për vetëhenë tënde një arkë prej drush Goferi; të bënjç dhoma nd’arkët, edhe t’e lyenjç atë me pisë, përbrënda e përjashta. 15 Edhe kështu ta bënjç atè: arka (të jetë) tre qint kut e gjatë, edhe pesëdhietë kut e gjerë, edhe tridhietë kut e lartë. 16 Të bënjç vënt për dritë nd’arkët, edhe ta ngreç një kut siprazi; edhe t’ia lësh derën’ arkësë për ijash; ta bënjç atë me një pat, e me dy pate, e me tre pate.
17 Edhe na unë vetë, tek bie përmbytëjen’ e ujëravet mbi dhet, që të vdier çdo mish, që ka frymë të gjallë ndë vetëhet të ti përposh qiellit; gjithë ç’ (është) mbi dhet do të vdesë. 18 Edhe do të vë dhiatënë time te ti; edhe do të hynjç nd’arkët, ti edhe bijt’ e tu, edhe gruaja jote, edhe grat’ e bijet tu bashkë me ty. 19 Edhe nga çdo shtëzë prej çdo mishi të këllaç brenda nd’arkët nga dy nga të gjitha, që të ruanjç jetën’ (e atyreve) bashkë me ty; të jenë mashkull e femërë. 20 Nga shpestë pas farës’ atyre, edhe nga bagëtitë pas farës’atyre, nga gjithë shtërpinjt’ e dheut pas farës’ atyre, nga dy nga të gjitha të hynjënë te ti, që t’u ruanjç jetënë. 21 Edhe ti merr me vetëhenë tënde nga çdo të ngrënë që hahetë, edhe ta mbëlethç (atë) afërë teje, që të jetë ushqim për ty, edhe për ato.
22 Edhe Noeja bëri gjith’ ato që e urdhëroi Perëndia; ashtu bëri.