1 Vera është përqeshëse, pija e potershme,
kush jepet pas tyre nuk është i urtë.
2 Tërbimi i mbretit është si ulërima e luanit,
kush e ngacmon rrezikon jetën.
3 Shmangia e ngatërresave është nder për njeriun;
çdo i marrë bën shamatë.
4 Përtaci nuk lëron në vjeshtë
e kur vijnë të korrat s'gjen gjë.
5 Shestimet e zemrës janë si ujë i thellë,
por njeriu i mençur i nxjerr ato.
6 Shumë vetë mbahen për njerëz të mirë,
por kush e gjen një njeri besnik?
7 I drejti jeton me ndershmëri,
lum fëmijët që lë pas.
8 Mbreti që rri ulur mbi fronin e gjykimit,
shpërhap tërë të keqen me një shikim.
9 Kush mund të thotë: «E kam zemrën të pastër,
jam i dëlirë nga mëkati»?
10 Një peshë kështu e një peshë ashtu,
një masë kështu e një masë ashtu,
që të dyja i neveriten Zotit.
11 Fëmija njihet nga çfarë bën,
në është e pastër dhe e drejtë vepra e tij.
12 Veshin që dëgjon e syrin që shikon,
që të dy i ka bërë Zoti.
13 Mos të të pëlqejë gjumi, se varfërohesh,
hap sytë e do të ngopesh me bukë.
14 «E keqe, e keqe!», thotë blerësi,
por kur largohet, krenohet me veten.
15 Le të ketë ar e stoli sa të duash,
gjëja më e çmuar janë buzët e ditura.
16 Kujt ka hyrë dorëzanë për të panjohurin, merrja petkun,
mbaje peng për të huajt.
17 Buka e fituar me mashtrim duket e shijshme,
por më pas goja është plot rërë.
18 Bëji planet duke u këshilluar,
hyr në luftë duke u menduar mirë.
19 Shpifësi përendet e zbulon të fshehtat,
mos u përziej me kë s'i mbyllet goja.
20 Kujt mallkon të atin e të ëmën,
do t'i shuhet drita në mes të territ.
21 Trashëgimia e fituar shpejt në fillim
nuk do të jetë e bekuar në fund.
22 Mos thuaj: «Do ta kthej të keqen me të keqe!».
Prit të të lirojë Zoti.
23 Një peshë kështu e një peshë ashtu i neveriten Zotit,
peshorja e rreme nuk është e mirë.
24 Hapat e njeriut i drejton Zoti,
si mundet njeriu ta kuptojë udhën e vet?
25 Njeriu bie në kurth kur ngutet e thotë: «Kjo është e kushtuar!»
e pastaj pendohet për kushtimet.
26 Mbreti i urtë i shpërhap të paudhët
e i shtyp me rrotë.
27 Shpirti i njeriut është llambë e Zotit
që shqyrton gjer në thellësi.
28 Mirësia dhe e vërteta e ruajnë mbretin,
froni i tij mbështetet mbi mirësinë.
29 Krenaria e të rinjve është forca e tyre,
flokët e thinjura janë stolia e pleqve.
30 Plagët që kullojnë lajnë të keqen,
të rrahurat zorrët e barkut.
1 Vera është përqeshëse, edhe të pirët’ e fortë bie qarta, edhe kush gënjehetë nga këto, nuk’ (ësht’) i urtë.
2 Kanosia e mbëretit ësht’ ulurimë leoni: kush nxen atë, fëlen kundrë jetësë ti.
3 Nderi i njeriu është të pushonjë nga qarta, po ç’do i marrë ngatërronetë (ndë këtë).
4 Kush purton nukë do të laronjë nga pun’ e dimërit, (përandaj) do të kërkonjë ndë verë, po nukë (do të gjenjë).
5 Këshilleja ndë zemërët të njeriut (është posi) ujëra të thella, po njeriu i mënçim do t’e nxierrë atë.
6 Shumë njerës leçisënë gjithësecili të mirën’ e ti, po kush do të gjenjë njeri besëtar?
7 I dreiti ecën ndë të tërët të ti, edhe të bijtë (janë) të lumurë pas ati.
8 Mbëreti kur rri mbë fron të gjyqit, përndan ç’do të keqe me syt e ti.
9 Kush munt të thotë: Qërova zemërënë t’ime, jam i qëruarë nga falet’ e mi?
10 Gjithë ç’farë zigjesh, gjithë ç’farë masash, (janë) të dy palëtë të ndohëta te Zoti.
11 Edhe dialli vetë njihetë nga punët’ e tia, ndë janë punët’ e ati të qëruara, edhe ndë janë të dreita.
12 Veshi dëgjon, e syri sheh, po Zoti i ka bërë të dy.
13 Mos duaj gjumënë, që të mos bënesh i vobek; hap syt’ e tu, edhe do të nginjesh me bukë.
14 E keqe, e keqe, thot’ ay që blen, po si të ikënjë mburretë.
15 Ka ar, edhe shumicë margaritarësh, po gol’ e urtë (ësht’) e paçimuarë.
16 Merr rrobën’ e dorë-dhënësit (për të huajë), edhe për penk nga ay, (si për) plaçka të huaja.
17 Buk’ e gënjeshtrësë (ësht’) e ëmblë te njeriu, po pastaj gol’ e ati do të mbushetë me haliqë.
18 Mendimetë forconenë me anë të këshillesë, edhe si të mendonesh mirë bën luftë.
19 Ay që silletë mb’-at’-anë e mbë-kët’-anë e përndan fialë, sbulon të fshehuratë, përandaj mos u përzie bashkë me atë që sgjëron buzët’ e tia.
20 Kandilej’ e ati që shan tanë e t’ëmënë do të shuhetë nd’ errësirë të thellë.
21 Ay trashëgim që është fituarë shpejt ndë kryet të herësë, nukë bekonetë ndë funt.
22 Mos thuash: Do të shpaguanj të keqenë, prit Zotinë, edhe do të të shpëtonjë.
23 Gjithë ç’farë zigjesh (janë) të ndohëta te Zoti, edhe kupat’ e zigjit rrem nukë (janë) të mira.
24 Çapat’ e njeriut (ndreqenë) prej Zotit, qysh do ta njihte pra njeriu udhën’ e ti?
25 Është dhokan për atë njeri që nxitonetë të flasë për gjë të shënjtëruarë, edhe të mendonetë pas së faluravet.
26 Mbëreti i urtë heth të paudhëtë (posi kashtën’ e grurit), edhe surrullat rrotovilenë mbi ata.
27 Kandilëj’ e Zotit (është) frym’ e njeriut, që shikon gjithë të thellat’ e zëmërësë.
28 Përdëllimi edhe e dreita ruanjënë mbëretinë, edhe froni i ati forconetë prej përdëllimit.
29 Mburrimi i të rivet (është) fuqia e atyreve; edhe lavdia e pleqet (janë) qimet’ e bardha.
30 Plagët’ e zeza të rrahurit (janë) miekësi tek i ligu; edhe të rrahuratë (qëronjënë) të thellat’ e zemërësë.