Kundër shoqërive të këqija
1 «Biri im, nëse i mirëpret fjalët e mia
dhe ruan brenda teje urdhërimet e mia,
2 duke i vënë vesh urtisë
e duke e prirë zemrën drejt mençurisë,
3 nëse do t'i thërrasësh mendjes
e do t'i bësh zë mençurisë,
4 nëse e kërkon atë si argjendin
dhe e gjurmon si thesarin,
5 atëherë do të kuptosh drojën e Zotit
e do të gjesh dijen e Perëndisë,
6 se Zoti dhuron urtinë
e prej gojës së tij del dija e mençuria.
7 Ai i jep mbrothësi të drejtit,
është mburojë për të ndershmin,
8 mbron shtigjet e drejtësisë
e bën rojë mbi udhën e besëtarëve të vet.
9 Atëherë do të kuptosh drejtësinë e gjykimin,
çiltërsinë e çdo udhë të mbarë.
10 Do të të hyjë në zemër dija
e njohja do të ta kënaqë shpirtin.
11 Përsiatja do të të ruajë
e mençuria do të të mbrojë,
12 për të të shpëtuar nga udha e keqe,
nga njerëzit që flasin prapësi,
13 nga ata që lënë shtigjet e drejta
për të ecur udhëve të errëta,
14 që kënaqen me të keqen
e ngazëllehen me prapësi të liga.
15 Shtigjet e tyre janë të shtrembra,
udhët e tyre me dredha.
16 Kështu do të shpëtosh nga gruaja e huaj,
nga e panjohura që të flet ëmbël,
17 që braktis të dashurin e rinisë
dhe harron besëlidhjen me Perëndinë e saj.
18 Shtëpia e saj shpie drejt vdekjes
e udhët e saj drejt hijeve.
19 Ata që shkojnë me të as nuk kthehen më,
as nuk gjejnë më shtegun e jetës.
20 Prandaj, ti ec udhës së mbarë
e mbaj shtigjet e të drejtëve,
21 se të drejtët do ta banojnë tokën
e të përsosurit do të mbeten në të.
22 Të paudhët do të zhbihen nga faqja e dheut
e të pabesët do të çrrënjosen».
1 Biri im, ndë priç fialët’ e mia, edhe ndë vlofsh porosit’ e mia ndë vetëhet tënde,
2 që t’i mbash vesh diturisë, edhe të unjç zemërënë tënde ndë urtësit,
3 ndë thërritç diturinë, edhe të gresh zënë tënt ndë urtësit,
4 ndë kërkofsh atë posi argjënt, edhe ndë kërkofsh atë posi thesarë të fshehurë,
5 atëherë do të kupëtonjç frikën’ e Zotit, edhe do të gjënjç të njohurit’ e Perëndisë.
6 Sepse Zoti ep dituri, prej golës’ ati del mëndëje e urtësi.
7 Vlon shpëtim për të dreitët, është mburonjë mb’ ata që ecënjënë dreitë,
8 tuke mbaruar’ udhët’ e dreitërisë, edhe tuke ruajtur’ udhën’ e të dreitëvet ti.
9 Atëhere do të kupëtonjç dreitëri, e gjyqë, e të dreitë, e ç’do udhë të mirë.
10 Ndë hyftë urtësia ndë zemërët tënde, edhe të kupëtuarëtë të kënaqnjë shpirtinë tënt,
11 këshillej’ e dreitë do të ruanjë, urtësia do të të mbanjë,
12 që të të shpëtonjë nga udh’ e ligë, nga njeriu që flet gaba,
13 të cilëtë lënë mbë-nj’-anë udhët’ e dreitërisë, që të ecënjënë nd’ udhët t’errësirësë,
14 të cilëvet u pëlqen të bënjënë keq, edhe gëzonenë, ndë shtrembërit të së keqesë,
15 udhët’ e atyreve janë të shtrembëta, edhe të ecurit’ e atyre të përthyerë,
16 që të të shpëtonjë nga gruaj’ e huajë, nga e huaja që të përkëdhel me fialët’ e saj,
17 e cila hoqi dorë nga i dashuri i vajzërisë saj, edhe harroi dhiatën’ e Perëndisë saj,
18 sepse shtëpia e asaj sbret ndë vdekëjet, edhe çapat’ e asaj ndër të vdekurit;
19 gjithë sa hynjënë tek ajo nukë kthenenë, as nukë marrënë më udhët’ e jetësë;
20 që të ecëjsh mb’ udhët të mirëvet, edhe të ruajsh rrugat’ e të dreitëvet.
21 Sepse të dreitëtë do të rrinë ndë dhet, edhe të sosuritë do të mbetenë nd’ atë.
22 Po të pabesëtë do të këputenë nga dheu, edhe të panomëtë do të shkulenë prej ati.