1 Më mirë një kafshatë e thatë me qetësi,
se një shtëpi plot gosti e grindje.
2 Shërbëtori i mençur e sundon birin që turpëron,
ai do të marrë trashëgiminë ndër vëllezër.
3 Për argjendin është shkritorja e për arin furra,
por zemrat i sprovon Zoti.
4 Keqbërësi u vë mend fjalëve të mbrapshta,
gënjeshtari i vë vesh gjuhës rrënimtare.
5 Kush tallet me skamnorin, fyen krijuesin e tij,
kush gëzohet me kobin nuk mbetet pa ndëshkuar.
6 Kurora e pleqve janë bijtë e bijve,
nderi i bijve janë prindërit e tyre.
7 Të pamendit s'i shkon e folmja e zgjedhur
e aq më pak të fismit gjuha gënjeshtare.
8 Dhurata është gur fati për të zotin,
ngado që të shkojë, përparon.
9 Kush e harron fajin, kërkon miqësi,
kush e ritregon, e përçan mikun.
10 Një qortim zë vend te një i mençur
më shumë se njëqind të rrahura te një i marrë.
11 I ligu kërkon vetëm grindje,
ndaj do t'i dërgohet një lajmës mizor.
12 Më mirë të hasësh arushën që i kanë rrëmbyer të vegjlit,
sesa të marrin në çartjen e tij.
13 Atij që e kthen të mirën me të keqe,
e keqja s'do t'i hiqet nga shtëpia.
14 Fillimi i grindjes është si e çara që hap uji,
lëre zënkën para se të shpërthejë.
15 Shfajësimi i të paudhit e dënimi i të drejtit,
të dyja këto i neveriten Zotit.
16 Ç'duhen paratë në dorën e të marrit?
Për të blerë urtinë kur nuk ka mend?
17 Miku është i dashur në çdo kohë;
vëllai ka lindur për kohë të vështirë.
18 Është i pamend kush shtrëngon dorën
e hyn dorëzanë te i afërti i vet.
19 Kush do grindjen, do mëkatin;
kush e mban veten për derë të madhe, kërkon rrënimin.
20 Kush është zemërlig, nuk do të gjejë mirë;
kush është gjuhëgjarpër, do ta zërë e keqja.
21 Kush lind një të marrë, e lind për të zezë të vet;
i ati i të shkalluarit nuk do të gëzojë.
22 Zemra e hareshme balsam për shëndetin,
shpirti i këputur than eshtrat.
23 I paudhi merr dhurata nën dorë
për të dredhuar shtigjet e drejtësisë.
24 Njeriu i mençur e mban parasysh urtinë,
por sytë e të marrit enden nëpër skajet e tokës.
25 Një djalë i marrë është brengë për të atin
e hidhërim për gruan që e lindi.
26 Nuk është mirë të gjobitësh të drejtin
apo të ndëshkosh të fismin kur është në të drejtë.
27 Kush flet pak, di shumë,
kush sundon veten, është i mençur.
28 Po të heshtte, edhe i marri do të dukej i urtë,
i mprehtë, po të mbante gojën.
1 Më mirë bukë thatë, e paqtim bashkë me atë, se plot shtëpinë me kurbane bashkë me zënëje.
2 Shërbëtori i urtë do t’urdhëronjë birin’ e turpëjesë, edhe do të ndanjë trashëgimnë bashkë ndë mest të vëllezëret.
3 Sqyreja që tret shprovon argjëndinë, furra arinë, po Zoti zemëratë.
4 Keq-bërësi dëgjon buzët’ e paudha, gënjeshtari i mba vesh gluhësë ligë.
5 Kush përqesh të vobegunë, shan Bërësin’ e ati; kush gëzonetë për të ligat, nukë do të mbesë pa munduarë.
6 Kurora e pleqvet janë djemt’ e djemvet, edhe lavdia e djemvet janë përint’ e atyre.
7 Buzë të larta nuk’ i vëlenjënë të marrit; shumë më pak buzë të rreme (nuk’) i vëlenjënë zotërisë.
8 Mita (është posi) gur i paçimuarë ndër sy të mitë-marrësit; atie tek duketë këjo, mbaron punë.
9 Kush fsheh falinë, kërkon miqësi, po kush e merr ndëpër golë punënë, ndan më të dashuritë miq.
10 Qërtimi rreh të urtinë më tepërë, se një qint frushkulla të marrinë.
11 I ligu kërkon vetëmë trubullime, përandaj do të dërgonetë zë-dhënës i keq kundrë ati.
12 Le të piqetë me njerinë harusha që i kanë marrë këlyshtë, e mos i marri ndë marrëzi të ti.
13 Kush shpaguanë të keqe, ndë vënt të së mirësë, e keqeja nukë do të ikënjë prej shtëpis’ ati.
14 Kush zë të bënjë qartë, (është posi) ay që çthur ujëra, përandaj pusho nga qarta përpara se të dhizetë.
15 Kush nxier pa fal të paudhinë, edhe dënon të dreitinë, të dy janë të ndohëtë te Zoti.
16 Ç’vëlen argjëndi ndë dorët të marrit, që të blenjë dituri, kur ay s’ka mënt?
17 Miku të do kurdo, po vëllaj lint ndë kohë të nevolësë.
18 Njeriu që s’ka mënt zë dorënë, (edhe) zihetë dorë-zënës për mikun’ e ti.
19 Kush do qarta, do fale; kush larton fort derën’ e ti, kërkon prishëje.
20 Kush ka zemërë të shtrëmbëtë, nukë gjen mirë, edhe kush ka gluhë të shtrëmbëtë bie ndë të keqe.
21 Kush piell të marrë, e bën për helmimin’ e ti; i ati i të marrit s’ka gëzim.
22 Zemër’ e gëzuarë të bën mirë (posi) miekësi, po shpirti i thyerë thanë eshtëratë.
23 I paudhi merr dhuratë nga gjiri, për të shtrëmbëruar’ udhët’ e gjyqit.
24 Ndë faqet të urtit (është) dituri, po syt’ e të marrit shohënë mb’ anë të dheut.
25 Bir’ i marrë (është) helmim te i ati, edhe hidhërim te ajo që e ka piellë.
26 Nuk’ (është) kurrë mirë t’i apënë mundim të dreitit, (a) t’u bienë të parëvet për dreitërin’ e atyre.
27 Ay që mba fialënë (ësht’) i mënçëm, zëmërë-gjëri ësht’ i urtë.
28 Edhe ay i marri, kur s’flet me golë, numëronetë për i urtë; edhe ay që mbyll golën’ e ti ësht’ i mënçim.