Shpërblim për besnikët
1 Iu përgjigja atyre që nuk më pyetën,
më gjetën ata që s'më kërkonin.
«Ja ku jam! Ja ku jam!», i thashë një kombi,
që emrin tim s'e kishte thirrur.
2 Gjithë ditën ia shtriva dorën
një populli të pabindur,
që ecën një udhe jo të mirë
dhe ndjek synimet e veta,
3 një populli që ma ndez zemërimin,
që përherë para syve të mi,
kushtojnë fli nëpër kopshte
e djegin temjan nëpër tjegulla.
4 Ata ulen nëpër varreza,
natën e kalojnë nëpër vende të fshehta,
e përlajnë mishin e derrit,
pjatat i kanë plot papastërti.
5 «Qëndro larg», thonë, «Mos u afro,
se jam më i shenjtë se ti».
Këta i kam tym në hundë,
zjarr që përvëlon tërë ditën.
6 Ja, e kam të shkruar përpara meje:
nuk kam për të heshtur,
por do të marr hak,
mu në gji të tyre do të marr shpagim,
7 për paudhësitë e tyre dhe të etërve të tyre,
thotë Zoti.
Kushtuan temjan nëpër male,
nëpër kodra më kanë fyer,
mu në gji do t'i peshoj veprat e tyre të hershme.
8 Se kështu thotë Zoti:
siç thuhet për vilen e rrushit,
kur është plot me lëng:
«Mos e prek, se është plot bekim!»,
ashtu do të veproj edhe unë,
për hir të shërbëtorëve të mi
e nuk do të shkatërroj gjithçka.
9 Prej Jakobit do të nxjerr një pinjoll,
prej Judës trashëgimtarin e maleve të mia.
Atë do të trashëgojnë të zgjedhurit e mi,
atje do të banojnë shërbëtorët e mi.
10 Kullotë për tufat do të bëhet Sharoni,
mriz për bagëtinë, lugina e Akorit,
për popullin tim që do të më kërkojë.
11 Ndërsa ju, që e braktisni Zotin,
që e harroni malin tim të shenjtë,
që Gadit ia shtroni tryezën,
që Meniut ia përzieni kupën,
12 ju do t'ju caktoj për shpatën,
të gjithë do të gjunjëzoheni prej kërdisë,
sepse ju thirra e s'u përgjigjët,
fola e nuk dëgjuat,
të keqen bëtë para syve të mi,
zgjodhët atë që s'më pëlqen.
13 Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti im:
ja, shërbëtorët e mi do të kenë të hanë,
ndërsa ju do të keni uri,
shërbëtorët e mi do të kenë të pinë,
ndërsa ju do të keni etje.
Ja, shërbëtorët e mi do të gëzojnë,
ndërsa ju do të turpëroheni.
14 Ja, shërbëtorët e mi do të brohorasin
prej gëzimit që kanë në zemër,
ndërsa ju do të vini kujën
prej dhimbjes që keni në zemër
e do të vajtoni
për shkak të shpirtit të dërrmuar.
15 Ju do të lini pas një emër,
me të cilin do të mallkojnë të zgjedhurit e mi:
«Të vraftë Zoti, Zoti im!».
Por vetë shërbëtorët e mi
me emër tjetër do të thirren.
16 Kush dëshiron të jetë i bekuar në këtë tokë,
do të dojë të bekohet prej Perëndisë së vërtetë.
Kush betohet në këtë tokë,
për Perëndinë e vërtetë do të betohet.
Se mundimet e së shkuarës do të harrohen,
prej syve të mi do të fashiten.

17 Se, ja, unë po krijoj një qiell të ri
e një tokë të re!
Gjërat e shkuara më nuk do të kujtohen,
në zemrën tënde vend më s'do të kenë.
18 Gëzohuni e ngazëllohuni përgjithmonë
me ato që unë po krijoj,
se, ja, Jerusalemin gëzim do ta bëj,
popullin tim ngazëllim.
19 Do të gëzoj për Jerusalemin,
do të ngazëllej për popullin tim.
Gjëmë në të nuk do të dëgjohet më
e as zë vajtimi.
20 Aty s'do të ketë më foshnjë,
që do të jetojë vetëm pak ditë,
e as ndonjë të moshuar,
që ditët e veta të mos i arrijë,
sepse djalosh do të quhet njëqindvjeçari
e kush të njëqindtat nuk i mbush
i mallkuar do të quhet.
21 Do të ndërtojnë shtëpi
e do të banojnë në to,
do të mbëltojnë vreshta
e frytet do t'u hanë.
22 S'do të ndërtojnë që të banojnë të tjerët,
s'do të mbjellin që të hanë të tjerët,
se populli im do të jetojë gjatë si pema
dhe të zgjedhurit e mi do t'i gëzojnë gjatë
frytet e punës së duarve të tyre.
23 Mundi nuk do t'u shkojë kot,
as do të lindin fëmijë që vdesin shpejt,
sepse fara e tyre do të bekohet prej Zotit
dhe pasardhësit e tyre do të rrinë bashkë me ta.
24 Para se të më thërrasin,
unë do t'u përgjigjem,
pa mbaruar së foluri,
unë do t'i dëgjoj.
25 Ujku e qengji do të kullotin bashkë,
luani do të hajë kashtë si demi
e dheu do të jetë ushqimi i gjarprit.
Dëm më nuk do të bëjnë e as do të vrasin
mbi mbarë malin tim të shenjtë, thotë Zoti.
1 U kërkuashë nga ata që nukë pyesënë (për mua); u gjënçë nga ata që nukë më kërkonjënë. Thashë: Na tek jam unë, na tek jam unë te një komp që nukë kluhetë mb’ emërit t’im.
2 Ndejta duart’ e mia gjithë ditënë te një gjëndëje që nukë bindetë, që nuk’ ecën mb’ udhë të mirë, pas mendimevet tyre;
3 një gjëndëje që më ndes kurdo përpara syvet mi, që bën kurban ndër qipështëra, edhe thimias mbi pëqisa,
4 tuke mbeturë ndër varre, e tuke shkuarë natënë ndër vënde të fshehurë; tuke ngrënë mish derri, edhe ndër enë të tia (ka) lënk (kafshësh) të ndyra;
5 tuke thënë: Lark meje, mos më piq, sepse jam më shënjt se ti. Këta (janë) tym ndër fejet të hundësë s’ime, zjarr që digjetë gjithë ditënë.
6 Na (tek është) shkruarë përpara meje: Nukë do të pushonj, po do t’ua shpaguanj, po do t’ua shpaguanj ndër gjinjt t’atyreve,
7 panomitë tuaja, edhe panomit’ e atërëvet tuaj bashkë, thotë Zoti, të cilëtë thimiasënë mbi malet, edhe më vlasfimisnë mbi kodrat, përandaj do t’ua lanj atyre punërat’ e para ndër gjinjt t’atyreve.
8 Kështu thotë Zoti: Sikundrë thonë, kur gjëndetë musht ndë rrusht: Mos e prish atë, sepse (është) bekim nd’ atë, kështu kam për të bërë për shërbëtorët’ e mi, që të mos i shuanj të gjithë.
9 Edhe do të nxier farë prej Jakovit, edhe trashëgimtar prej Judhësë nga malet’ e mi; edhe të sgjedhurit’ e mi do të trashëgonjën’ ato, edhe shërbëtorët’ e mi do të rrin’ atie.
10 Edhe Sharona do të jetë vath’ e tufavet, edhe vërria e Ahorit vënt për të prënjturë loparëtë për gjëndëjenë t’ime që më kërkon.
11 Po juve që keni hequrë dorë nga Zoti, që keni harruarë malinë t’im të shënjtëruarinë, që bëni gati truvezë për Gadinë, edhe i bëni kurban të spërkaturë Menit,
12 do t’u numëronj juve për thikë, edhe të gjithë do të kurrusi për të therë, sepse thërrisnjam, e nukë përgjigjeshitë, flisnjam, e nukë dëgjonitë, po bënitë të keqenë përpara meje, edhe sgjidhit’ atë që nukë më pëlqente.
13 Përandaj kështu thotë Zoti Perëndia: Na shërbëtorët’ e mi tek do të hanë, e ju do t’urëtoni; na shërbëtorët’ e mi tek do të pinë, e ju do të kini et; na shërbëtorët’ e mi tek do të gëzonenë, e ju do të turpërohi;
14 na shërbëtorët’ e mi tek do të brohorinjënë me gëzim, e ju do të klithni ndë të dhëmburit të zëmërësë, e do t’ulurini nga shtrëngimi i frymësë.
15 Edhe do t’u lini emërinë tuaj të sgjedhuret mi për mallëkim, sepse Zoti Perëndia do të vrasë, edhe do të kluanjë shërbëtorët’ e ti me tiatër’ emërë,
16 që të lumëronjë vetëhen’ e ti për Perëndin’ e së vërtetësë ay që lumëron vetëhen’ e ti mbi dhet; edhe të bënjë be mbë Perëndin’ e së vërtetësë ay që bën be mbi dhet, sepse shtrëngimet’ e parë u harruanë, edhe sepse u fshehnë nga syt’ e mi.
17 Sepse na tek po ndërtonj qieje të ri, edhe dhé të ri, edhe nukë do të përmëndenë të parëtë, as nukë do të bienë ndër mënt.
18 Po gëzohi e ngazullohi kurdo (për atë) që ndërtonj, sepse na tek po ndërtonj Jerusalimënë (për) gëzim, edhe gjëndëjen’ e asaj (për) gas.
19 Edhe do të gëzonem për Jerusalimënë, edhe do të ngazullonem për gjëndëjenë t’ime, edhe nukë do të dëgjonetë më zë të klari nd’ atë, edhe zë të klithuri.
20 Nukë do të jetë më atie foshnje e vogëlë, as plak që të mos ketë mbushurë (plot) dit e tia, sepse diali ka për të vdekurë një qint vieç, edhe kush është një qint vieç faltuar do të jet’ i mallëkuarë.
21 Edhe do të ndërtonjënë shtëpi, e do të rrinë, edhe do të vënë vëreshtë, edhe do të hanë pemën’ e atyreve.
22 Nukë do të ndërtonjën ata, e të rrijë tietërë; nukë do të mbëltonjën’ ata, e të hajë tietërë, sepse dit e gjëndëjesë s’ime (janë) posi dit e drurit, edhe të sgjedhurit’ e mi do të vietëronjënë punën’ e duaret tyre.
23 Nukë do të mundonenë kot, as nukë do të bënjënë djem për prishëje, sepse është far’ e të bekuaret Zotit, edhe djemt’ e djemvet atyre bashkë me ata.
24 Edhe përpara se të thërrasënë, unë do të përgjegjem; edhe ata kur flasënë, unë do të gjegjem.
25 Ulku edhe qëngji do të kullosënë bashkë, edhe leoni do të hajë kashtë posi kau, edhe buk’ e gjarpërit (do të jetë) dheu; mbë gjithë malinë t’im të shënjtëruarinë nukë do të bënjënë dëm as prishëje, thotë Zoti.