I dërguari i Zotit
1 Shpirti i Zotit, Zotit tim, është mbi mua,
se vetë Zoti më ka vajosur,
më ka dërguar t'u shpall lajmin e mirë të vobektëve,
t'u lidh plagët zemërthyerve,
t'u shpall çlirimin të robëruarve,
të burgosurve, daljen nga burgu,
2 të shpall vitin e hirit të Zotit
dhe ditën e hakmarrjes së Perëndisë tonë,
t'u jap ngushëllim të gjithë atyre që vajtojnë,
3 të ngushëlloj ata që vajtojnë në Sion,
t'u vë kësula mbi kokë në vend të hirit,
vajin e gëzimit, në vend të zisë,
petkun e lavdit, në vend të shpirtit të thyer,
që lisa drejtësie të quhen,
mbëltim i Zotit, për lavdi të tij.
4 Rrënojat e lashta do t'i ndërtojnë sërish,
gërmadhat e vjetra do t'i ngrenë,
do të përtërijnë qytetet e shkretuara,
të shkatërruara prej shumë breznish.
5 Të huaj do të vijnë për t'jua kullotur tufat,
bij të huajsh do të jenë bujqit e vreshtarët tuaj.
6 E ju do të quheni «priftërinj të Zotit».
«Shërbëtorë të Perëndisë tonë», do të thonë për ju.
Do të gëzoni të mirat e kombeve,
me pasurinë e tyre do të krenoheni.
7 Dyfish të turpëruar keni qenë,
«Çnderimi është fati i tyre!», për ju bërtitën,
prandaj tokën tuaj dyfish do ta trashëgoni
e gëzim të përhershëm do të keni.
8 Se unë, Zoti, që e dua drejtësinë
dhe e urrej plaçkitjen e paudhësinë,
unë do t'ju jap shpërblimin me besnikëri
e do të bëj me ju një besëlidhje të amshuar.
9 Fara juaj do të jetë e njohur mes kombeve,
pasardhësit tuaj mes popujve.
Kushdo që do t'i shohë, do t'i njohë,
ata janë fara e bekuar prej Zotit.
10 I madh është gëzimi im në Zotin,
shpirti im ngazëllen në Perëndinë tim,
se më veshi me rrobat e shpëtimit,
me petkun e drejtësisë më mbuloi,
si një dhëndër stolisur me kësulë,
si një nuse zbukuruar me stoli.
11 Siç bën toka të mbijë bimësia,
si kopshti që rrit farën e mbjellë,
ashtu do ta rritë Zoti, Zoti im, drejtësinë
dhe lavdërimin përpara gjithë kombeve.
1 Frym’ e Zotit Perëndisë (është) mbi mua, sepse Zoti më leu (me val) që t’u ap zën’ e mirë të vobegjet; më dërgoi të shëronj ata që kanë thyerë zemrënë, t’u leçit të liruarë skllefvet, edhe të hapurë burgu të lidhuret,
2 që të leçit vitin’ e pëlqyerë të Zotit, edhe ditën’ e të nxierrit zemërim të Perëndisë t’ënë; që të ngushullonj gjith’ ata që mbanë zi;
3 që të vë ndër ata që mbanë zi ndë Sionë, t’u ap atyre bukuri ndë vënt të hirit, val gëzimi ndë vënt të zisë, stoli lavdurimi ndë vënt të frymësë purtimit, që të kluhenë drunj dreitërie, bim’ e Zotit, për lavdi.
4 Edhe do të ndërtonjënë përsëri të shkretuarat’ e vietëra, do të ngrenë gërmadhat’ e vietëra, edhe do të përtërinjënë qytetet’ e shkretë, që kanë qënë shkretuarë breza pas brezash.
5 Edhe komba të huajë nukë do të rrinë, e të kullosënë tufatë tuaja, edhe të bijt’ e kombavet huajë (do të jenë) bujqitë tuaj, edhe vëreshtorëtë tuaj.
6 Po ju do të kluhi priftërit’ e Zotit, do t’u thonë Punëtorët’ e Perëndisë t’ënë, do të hani të mirat’ e kombavet, edhe do të mburri ndë lavdit t’atyreve.
7 Për turpëjenë tuaj (do të kini) dy piesë, edhe (ndë vënt) të turpëjesë do të kenë gëzim ndë trashëgim të tyre, andaj do të trashëgonjënë dy piesë ndë dhet të tyre; gëzimi i përjetëshim do të jetë ndër ata.
8 Sepse unë (jam) Zoti që dua dreitëri, që mërzit rrëmbim e të paudhë, edhe do t’ua shpaguanj punën’ atyre me besë, edhe do të bënj dhiatë të përjetëshime mb’ ata.
9 Edhe farës’ atyreve do t’i dalë zëri ndë mest të kombavet, edhe djemvet atyreve ndë mest të gjëndëjevet gjithëkush t’i shohë ata, do t’i njohë se janë fara që ka bekuarë Zoti.
10 Do të gëzonem fort për Zonë, do të më gëzonetë shpirti për Perëndinë t’im, sepse më veshi me rrobë shpëtimi, edhe më vuri sarkë dreitërie, posi dhëndërr të hieshim me mitrë, edhe posi nuse të stolisurë me stolit’ e saja shumë të nderëshimetë.
11 Sepse sikundrë dheu nxier barin’ e ti, edhe sikundrë kopështi nxier ato që janë mbiellë nd’ atë, kështu Zoti Perëndia do të bënjë dreitërinë edhe lavdurimnë të mbinjënë përpara gjithë kombavet.