1 Kush, pra, i besoi lajmit tonë?
Kujt iu zbulua krahu i fuqishëm i Zotit?
2 Para tij u rrit si filizi,
porsi rrënja prej tokës së thatë.
S'kishte as pamje, as bukuri,
që të na tërhiqte shikimin.
S'kishte as paraqitje,
që të na pëlqente.
3 I përçmuar, i përbuzur prej njerëzve,
njeri i vuajtur, i mësuar me dhimbjen,
si ai, para të cilit mbulohet fytyra,
i përçmuar e krejt pa vlerë prej nesh.
4 Por ja, ai mbajti vurratat tona,
dhimbjet tona i mbarti!
Për ne, ai ishte njeri i ndëshkuar,
i goditur prej Perëndisë, i poshtëruar!
5 E pra, ai u shporua për shkeljet tona,
u shtyp për paudhësitë tona.
Ndëshkimi që na dha paqen, ra mbi të,
prej vurratave të tij ne u shëruam.
6 Të gjithë endeshim si dele të humbura,
secili prej nesh ndiqte udhën e vet.
E Zoti ngarkoi mbi të
paudhësinë e ne të gjithëve.
7 I keqtrajtuar, duroi poshtërimin,
gojën nuk e hapi.
Porsi qengji, që e çojnë në thertore,
si shqerra, që s'bëzan para qethësit,
gojën ai nuk e hapi.
8 Me dhunë e me gjyq e mbërthyen,
për fatin e tij kush mendoi ?
Se e zhbinë nga toka e të gjallëve,
për shkeljet e popullit tim u godit.
9 Varrin ia vunë me të paudhët,
kur vdiq e vunë me pasanikët,
ndonëse nuk bëri asgjë të dhunshme
e mashtrim prej gojës nuk i doli.
10 Por Zoti deshi ta shtypte përmes dhimbjes,
se, po ta jepte veten e tij si fli faji,
do të shihte pasardhës e do të jetonte gjatë,
e përmes tij dëshira e Zotit do t'ia dalë mbanë.
11 Prej mundimit të vetes së vet,
do të arrijë të shohë e do të kënaqet,
me dijen e tij shumë do të shfajësojë shërbëtori im i drejtë
e mbi vete mëkatet e tyre do të mbartë.
12 Prandaj, do t'i jap turmat si shpërblim,
të fuqishmit si plaçkë ai do t'i marrë ,
se e zbrazi veten deri në vdekje,
me të paudhët e radhitën.
Mëkatet e shumë njerëzve ai mbarti,
për shkelësit ai ndërmjetësoi.
1 Kush i besoj të leçiturit t’ënë? Edhe mbë cilin’ u sbulua krahu i Zotit?
2 Sepse hipi përpara ati posi bim’ e ngjomë, edhe posi rrënjë nga dheu i thatë, s’ka fytyrë, as bukuri; edhe e pam atë, edhe s’kishte bukuri që t’e dëshëronim atë.
3 Zënë për asgjë, e hedhurë tej nga njerëzitë; njeri me shtrëngime, edhe i provuarë nga sëmundëjetë, edhe posi (njeri) që këthenjënë faqenë prej ati, nuk’ u zu për gjë, edhe e kujtuam atë për asgjë.
4 Ay me të vërtetë mbajti sëmundëjetë t’ona, edhe u ngarkua me shtrëngimetë t’anë; edhe neve e kujtuam atë të vrarë e të plagosurë nga Perëndia, edhe të vuajturë.
5 Po ay u plagos për të dalat t’ona nga nomi, vuajti për panomitë t’ona; muntimi, (që pruri) paqtimnë t’ënë, ishte mbi atë, edhe neve u shëruam nga plagët’ e ati.
6 Neve të gjithë u suallëm andej e këtej posi dhën, gjithë-se-cili (prej nesh) u këthye nd’ udhët të ti, edhe Zoti vuri mbi atë gjithë panominë t’onë.
7 Ay ishte i shtrënguar’ e i munduarë, po nukë hapi golën’ e ti; u pru posi qënq për të therë, edhe posi dele pa zë përpara ati që e qeth, kështu nukë hapi golën’ e ti.
8 U rrëmbye nga shtrëngata e nga gjukata, edhe brezin’ e ati kush do ta tregonjë? Sepse u ngrit nga dheu i të gjallëvet, u plagos për të dalat’ e gjëndëjesë s’ime nga nomi.
9 Edhe varri i ati u bë bashkë me keq-bërësitë, po ndë vdekëjet t’ati (qe) bashkë me të pasurinë, sepse nukë bëri panomi, as (nuk’ u gjënt) kobim ndë golët t’ ati.
10 Po Zoti deshi ta mundonte, e pocaqisi (atë). (Po) passi të apç shpirtin’ e ati dhuratë për fale, do të shohë bij bijsh, do të sgjasë dit, edhe dashurimi i Zotit do të venjë mbarë ndë dorët t’ati.
11 Do të shohë pemët’ e të dhëmburit shpirtit ti, (edhe) do të nginjetë; shërbëtori im i dreiti do të nxierrë të dreitë shumë vetë me të njohuritë të ti, sepse do të mbanjë panomit’ e atyreve.
12 Përandaj do t’i ap ati (piesë) bashkë me të mëdhenjtë, edhe do të ndanjë plaçka me të fortëtë, sepse ay dha shpirtin’ e ti ndë vdekëje, edhe u numërua me të paudhëtë, edhe ay mbarti falet’ e shumë vetëve, edhe do të lajmësonjë për të paudhëtë.