Vajtim për Babiloninë
1 Zbrit e në pluhur ulu,
o virgjëreshë, bijë e Babilonisë!
Ulu përdhe, se s'ka më fron,
o bija e kaldenjve!
Më nuk do të të quajnë
«E ëmbël dhe e brishtë».
2 Merr mokrën e bluaj miellin,
hiqe velin e ngrije cepin e fustanit,
zbathi këmbët e kalo lumin.
3 Le të zbulohet lakuriqësia jote,
le të duket edhe turpi yt!
Kam për të marrë hak
e askush s'do të më ndalë.
4 Shpenguesi ynë është i shenjti i Izraelit,
Zot i ushtrive është emri i tij.
5 Rri në heshtje, fshihu në errësirë,
o bija e kaldenjve,
se më nuk do të të quajnë
«Zonja e Mbretërive».
6 I zemëruar isha kundër popullit tim,
e çnderova trashëgimin tim,
e lashë në dorën tënde.
Mëshirë për ta ti nuk pate,
mbi pleqtë rëndë e vure zgjedhën tënde.
7 E the: «Zonjë do të jem përgjithmonë»,
këto gjëra në zemër nuk i peshove,
për fundin tënd as që u kujtove.
8 E tani, dëgjo, moj epshndjellëse,
ti që rri në vend të sigurt,
që thua në zemrën tënde:
«Unë, përveç meje tjetër s'ka.
E ve s'kam për të mbetur,
humbje fëmijësh s'do të njoh».
9 Por do të të gjejnë këto dy të këqija
njëherësh e brenda ditës.
Humbja e fëmijëve dhe vejëria
do të bien me vrull mbi ty,
për shkak të magjive të tua të shumta,
prej shumicës së yshtjeve të tua.
10 Shpresove në ligësinë tënde,
«Nuk më sheh askush», the.
Urtia e dija jote të mashtruan,
në zemrën tënde thua:
«Unë, përveç meje tjetër s'ka».
11 Do të vijë mbi ty e keqja
e nuk do të dish ta dëbosh,
do të bjerë mbi ty fatkeqësia
e nuk do të mund ta ndalësh,
papritur do të vijë mbi ty shkatërrimi
e nuk do të kuptosh asgjë.
12 Qëndro, pra, në yshtjet e tua,
me magjitë e tua të shumta,
që i ke ushtruar që në rini.
Ndoshta do të përfitosh,
ndoshta do të ndjellësh frikë.
13 Të lodhën këshilltarët e tu të shumtë!
Le të ngrihen, pra, le të të shpëtojnë
ata që qiellin matin,
ata që trupat qiellore vëzhgojnë,
ata që bëjnë parashikime për çdo hënë të re
e të thonë se ç'do të të ndodhë.
14 Ja, janë bërë porsi byku, zjarri i ka djegur!
As veten s'e shpëtojnë dot nga flakët.
Nuk do të ketë më prush për t'u ngrohur,
as zjarr para të cilit të ulesh.
15 Të tillë janë ata për të cilët u mundove,
ata me të cilët dhe e more që në rini,
secili ka shkuar në punë të vet
e ty s'të shpëton askush.
1 Sbrit e rri mbi pluhurit, o vërgjireshë e bil’ e Vavillonësë; rri përdhe, s’ka (më) fron, o e bil’ e Halldhenjet, sepse nukë do të kluhesh më e butë edhe e ngjomë.
2 Zërë mokrënë e bluaj miell, sbulo gërshetat’ e tu, sbath këmbëtë, sbulo kërsitë, e shtie lumratë.
3 Të sveshuritë t’at do të sbulonetë, po, turpëria jote do të duketë; do të marr shpagim, edhe nukë do të kursenj njeri.
4 Emëri i Shpërblimtarit t’ënë (është) Zoti i ushtërivet, Shënjti i Israilit.
5 Rri e mos nxirë zë, edhe hyrë nd’ errësirët, o e bil’ e Halldhenjet, sepse nukë do të kluhesh më zonj e mbëretërivet.
6 U zemëruashë për gjëndëjenë t’ime, ndyra trashëgimnë t’im, edhe i dhash’ ata ndë dorët tënde, (po) ti nuk’ u dëfteve atyre përdëllim, fort rëndove sgjedhënë tënde mbi plakunë.
7 Edhe the: Për gjithë jetënë do të jem zonjë; kaqë sa nuk i vure këto ndër mënt, as nukë kujtove fundin’ e atyreve.
8 Tashi pra pa dëgjo këtë, o ti që je dhënë ndër kënaqëjet, që rri pa kujdes, e thua me vetëhenë tënde: Unë (jam), edhe përveç meje (nuk’ është) asndonjë tiatrë; do të rri e ve, as nukë do të jem pa djem.
9 Me të vërtetë këto të dyja do të vinjënë mbi ty pa pandehurë, për një ditë, të jesh pa djem edhe e ve; do të vinjënë mbi ty krejt, për shumicën’ e magjivet tua, edhe për tepëricën’ e madhe të kobimevet tu,
10 sepse shpëreve mbë dinakërinë tënde, (edhe) the: Nukë më sheh (njeri). Dituria jote edhe urtësia jote të gënjyenë, edhe the me vetëhenë tënde: Unë (jam), edhe përveç meje (s’ka) asndonjë tiatrë.
11 Përandaj do të vinjë e ligë mbi ty, pa diturë se nga lint, edhe do të bierë e keqe mbi ty, pa mundurë ta këthenjç atë, edhe do të vinjë prishëje mbi ty pa pandehurë e pa diturë.
12 Qëndro tashi me magjit’ e tua, e me shumicën’ e kobimevet tu, për të cilat u përpoqe që mbë të rit tënt, ndë munç të kesh dobi, ndë munç të dalsh e fortë.
13 U lodhe ndë shumicat të këshillavet tua. Le të ngrihenë tashi ata që shikonjënë qiejetë, ata që shohën’ yjetë, ata që njohënë se ç’do të bënetë tuke vështruarë muajtë, edhe le të të shpëtonjënë nga ato që vinjënë mbi ty.
14 Na tek do të jenë posi kashtë: zjarri i ka për të diegë ata, nukë do të muntnjënë të shpëtonjënë vetëhen’ e tyre nga fuqia e flakësë, s’ka për të mbeturë thëngjill që të ngrohetë (njeri, as) zjarr që të rri (njeri) përpara ati.
15 Të këtillë do të jenë te ti ata që u mundove bashkë me ata që mbë të rit tënt, tregjetarët’ e tu; do t’ikënjënë tuke shkuarë mb’-at’-anë e mbë-kët’-anë si cili ndë vënt të ti, asndonjë nukë do të të shpëtonjë.