Rënia e Babilonisë
1 Ra Beli, u rrëzua Neboja!
Idhujt e tyre janë ngarkuar
mbi kafshë e mbi bagëti.
Barrët, që ju i mbanit,
rëndojnë mbi kafshët e këputura.
2 Kanë rënë, janë rrëzuar të gjitha,
ngarkesën nuk e shpëtojnë dot,
edhe ato vetë po shkojnë në robëri.
3 Më dëgjoni, o shtëpi e Jakobit,
dhe tërë ju, o teprica e shtëpisë së Izraelit,
ju që ju kam mbajtur që në bark të nënës,
që ju kam mbartur që në ngjizje.
4 Derisa të plakeni, unë jam po ai,
derisa të thinjeni, unë do t'ju mbaj.
Unë ju kam bërë, unë do t'ju mbart,
unë do t'ju mbaj e do t'ju çliroj.
5 Me kë doni të më barazoni
e të ngjashëm të më bëni?
Me kë doni të më krahasoni,
që të njëjtë të jemi?
6 Nga kuleta e nxjerrin arin,
argjendin në peshore e matin,
paguajnë argjendarin që t'ua punojë hyjninë,
bien përmbys para saj dhe e adhurojnë.
7 E ngrenë mandej mbi supe për ta mbartur,
në vendin e duhur e vendosin.
Atje qëndron, s'luan vendit,
edhe po t'i thërrasësh, nuk përgjigjet,
nga fatkeqësia nuk shpëton askënd.
8 Kujtohuni për këtë e mbahuni fort!
Thellohuni për këtë në zemrat tuaja, o të paudhë!
9 Kujtohuni për gjërat e tejshkuara,
se unë jam Perëndia e tjetër s'ka,
unë jam Perëndia e të ngjashëm me mua s'ka.
10 Që nga fillimi e paralajmëroj të ardhmen,
qëmoti, ngjarjet që s'kanë ndodhur ende.
Ju them se qëllimi im do të përmbushet
e gjithë dëshirat e mia do të plotësohen.
11 Nga lindja e thërras shpendin grabitqar,
nga vendi i largët atë njeri për qëllimin tim.
E kam thënë e do ta sjell,
e kam shestuar e do ta bëj.
12 Më dëgjoni mua, o zemërgurë,
ju që i rrini larg drejtësisë.
13 Drejtësia ime po afron, nuk është larg,
shpëtimi im nuk ka për të vonuar,
Sionit do t'i sjell shpëtimin,
lavdinë time, Izraelit.
1 Beli u unj poshtë, Neboi u kurrus; idhullat’ e atyreve u ngarkuanë mbi kafshët e mbi shtëzët, qerretë tuaja ishinë ngarkuarë me barrë të rënda.
2 Kurrusenë, bienë mbë gjunj bashkë, s’munt të shpëtonjënë barrënë, po edhe ata vetë po bihenë ndë skllavëri.
3 Dëgjomëni, o shtëpia e Jakovit, edhe gjithë ç’ka mbeturë nga shtëpia e Israilit, të cilët’ i ngrita që nga barku, të cilët’ i mbajta që nga shtrati:
4 gjer ndë pleqërit (tuaj) unë vetë (jam), edhe gjer mbë qimet të bardha unë do t’u mbaj (juve); un’ u bëra juve, unë do t’u ngre juve, po, unë do t’u mbaj e do t’u shpëtonj juve.
5 Me kë do të më përgjani e do të më bëni sinjënjë e do të më mbarasoni, edhe do të jemi, sinjënjë?
6 Derthnjën’ ar nga kuleta, edhe peshonjën’ argjënt me ziq, (edhe) paguanjën’ argjëndar, edhe e ndërton atë perëndi, (pastaj) i unjenë përpara, e i falenë;
7 e ngrenë atë mbë krahë, e bienë, edhe e vënë ndë vënt t’ati, edhe qëndron, nukë do të luanjë nga vëndi i ti; pastaj i thërrasën’ ati, po nukë munt të përgjegjetë, (as nukë) munt t’i shpëtonjë ata nga e keqeja e atyre.
8 Kujtoni këtë, edhe dëftehi (për) njerës, binia ndër mënt, o kryengriturë.
9 Kujtoni të paratë, të së krejsë herësë, sepse unë (jam) Perëndia, edhe s’ka tietrë; unë jam Perëndia, edhe asndonjë nuk’ është posi unë.
10 Unë që ap zë për të pastajmenë që së krejsë herësë, edhe që përpara për ato punë që nukë janë bërë, tuke thënë: Këshilla ime do të qëndronjë, edhe do të mbaronj gjithë dashurimnë t’im;
11 unë që thërres shpesin’ e egrë nga an’e të lindurit, burrin’ e këshillësë s’ime nga dheu i largë; po, fola, edhe do ta bënj të mbaronetë; këshillova, edhe do t’e mbaronj.
12 Dëgjomëni, o zemër-ashpërë, që (jeni) lark nga dreitëria.
13 Iu afruashë dreitërisë s’ime, nukë do të jetë lark, edhe shpëtimi im nukë do të mënonjë, edhe do t’i ap Israilit shpëtim ndë Sionë, lavdinë t’ime.