Të dërguarit babilonas
1 Asokohe, mbreti i Babilonisë Merodak Baladani, biri i Baladanit, i dërgoi Ezekisë një dhuratë e një letër, se kishte marrë vesh që kishte qenë sëmurë. 2 Ezekia u gëzua me lajmëtarët e u tregoi vendin ku ruhej tërë thesari i tij, argjendi, floriri, aromat e vajrat erëmirë. U tregoi edhe vendin ku ruheshin armët dhe tërë vendet ku ruheshin thesaret e tij. Ezekia nuk la gjë pa u treguar në pallat e në gjithë mbretërinë e tij. 3 Atëherë profeti Isai shkoi te mbreti Ezeki e i tha: «Nga vinin ata burra e çfarë të thanë?». Ezekia i tha: «Vijnë nga një vend i largët, nga Babilonia». 4 Isaia e pyeti: «E çfarë panë në pallatin tënd?». Ezekia iu përgjigj: «Panë gjithçka ndodhet në pallatin tim e nuk lashë gjë pa u treguar nga thesaret e mia».
5 Atëherë Isaia i tha Ezekisë: «Dëgjo, pra, fjalën e Zotit të ushtrive: 6 “Ja, po vijnë ditët, kur gjithçka që gjendet në pallatin tënd e gjithçka që kanë mbledhur paraardhësit e tu deri më sot, do të çohet në Babiloni e këtu nuk do të mbetet asgjë”, thotë Zoti. 7 Babilonasit do të marrin edhe disa prej djemve të tu, që do të lindin prej teje, e do t'i bëjnë eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë». 8 Ezekia i tha Isaisë: «E mirë është fjala që të ka thënë Zoti». E me vete mendonte: «Të paktën, sa të jem gjallë unë, do të ketë paqe e siguri».
1 Nd’ atë kohë Merodah-balladani, i biri Balladanit, mbëreti i Vavillonësë, i dërgoi Ezeqisë karta e dhurata, kur dëgjoi se qe sëmurë edhe u shërua. 2 Edhe Ezeqia u gëzua për ato, edhe i dëfteu ati shtëpin’ e plaçkavet tia të paçëmuaret, argjëndinë, e arinë, e erërat’ e mira, e mirrat’ e paçëmuara, e gjithë vëndin’ e armëvet, edhe gjithë ç’gjëndej ndë thesarët të ti; s’gjëndej gjë ndë shtëpi të ti, as ndënë gjithë pushtetin’ e ati, që të mos ua dëftente atyre Ezeqia.
3 Atëherë erdhi profiti Isai te mbëreti Ezeqi, edhe i tha: Ç’thonë këta njerës, edhe nga kanë ardhë te ti? Edhe Ezeqia tha: Kanë ardhë te unë kaha dhe i largë, kaha Vavillona. 4 Edhe ay tha: Ç’panë ndë shtëpit tënde? Edhe Ezeqia u përgjeq: Panë, gjithë ç’është ndë shtëpit t’ime, s’gjëndetë gjë ndër thesarët të mi, që të mos ua dëftenj atyre.
5 Atëherë Isaia i tha Ezeqisë: Dëgjo fialën’ e Zotit ushtërivet: 6 Na tek vinjënë dit, ndër të cilatë ç’do gjë që gjëndetë ndë shtëpit tënde, edhe ç’do gjë që kanë lënë atërit’ e tu gjer mbë këtë ditë, do të ngrihet’ e do të bihetë ndë Vavillonë; s’ka për të mbeturë farë gjëje, thotë Zoti, 7 edhe nga bijt’ e tu, që kanë për të dalë prej teje, që ke për të piellë, kanë për t’i marrë, edhe do të bënenë të dredhurë ndë pallat të mbëretit Vavillonësë. 8 Atëherë Ezeqia i tha Isaisë: E mirë është fiala e Zotit, që fole. Tha edhe më: Sepse do të jetë paqtim e siguri ndër dit të mia.