Profeci kundër Damaskut e Samarisë
1 Profeci për Damaskun.
Damasku s'do të jetë më qytet,
grumbull rrënojash do të bëhet.
2 Qytezat e Aroerit do të braktisen,
do të kthehen në kullotë për bagëtitë,
aty do të shtrihen tufat
e askush s'do t'i trazojë.
3 Efraimi do të humbasë fortesat,
Damasku mbretërinë.
Teprica e Aramit
si lavdia e Izraelit do të jetë,
kumton Zoti i ushtrive.
4 Atë ditë lavdia e Jakobit do të mpaket,
dhjami i trupit do t'i tretet.
5 Do të ndodhë si me korrësin
që me një dorë korr grurin
e me tjetrën mbledh kallinjtë.
Do të ndodhë ashtu siç mblidhen kallëzat
në luginën e Refaimit.
6 Do të mbesë ndonjë kallëz në të,
sikurse shkundet pema e ullirit,
që mbesin dy a tre kokrra në majë,
katër a pesë në degët e saj,
kumton Zoti, Perëndia i Izraelit.
7 Atë ditë njeriu do të shikojë nga krijuesi i vet,
sytë e tij do të vështrojnë të shenjtin e Izraelit.
8 Nuk do t'i drejtojë më sytë nga altarët
që punoi me duart e me gishtat e vet,
nuk do të vështrojë më shtyllat e Asherave
apo altarët ku digjet temjani.
9 Atë ditë qytetet e tua të fortifikuara,
do të kthehen në vende të shkreta,
siç i braktisën hivitët e amoritët
për shkak të izraelitëve .
Do të mbetet veç shkretim!
10 Se e harrove Perëndinë, shpëtimtarin tënd,
shkëmbin e strehimit tënd nuk e kujtove.
Prandaj edhe ke mbjellë pemë të këndshme,
ke shartuar me fidanë të huaj.
11 Ditën që i mbjell, i sheh të rriten,
në mëngjes fara që hodhe lulëzon,
por korrja shuhet në ditë të ligë,
prej plagës së pashërueshme.
12 Mjerë! Ja, uturimë popujsh të shumtë;
ushtojnë siç ushtojnë detet.
Ja, ulërima e kombeve;
ulërijnë si oshtima e ujërave të shumtë.
13 Do të gjëmojnë kombet,
ashtu siç buçasin ujërat e shumtë,
por sapo t'i kërcënojë Zoti,
do të marrin arratinë, do të ikin larg,
të dëbuar si kashta kur e merr era maleve,
si pluhuri në vorbullën e stuhishme.
14 Aty nga mbrëmja, u ka hyrë tmerri!
Para agimit, nuk janë më!
Ky është fundi i atyre që na plaçkitën,
ky është fati i atyre që na bastisën.
Të faniturit’ e Dhamaskësë.
1 Na Dhamaska tek pushoi të jetë qytet, edhe do të jetë pirk murishtash.
2 Qytetet’ e Aroerësë mbetnë të shkretë, do të jenë për tufatë që do të prëhen’ (atie), edhe nukë do të ketë njeri t’u shtierë frikënë.
3 Edhe do të hiqetë ndihma nga Efraimi, edhe mbëretëria nga Dhamaska, edhe të mbeturit’ e Syrisë do të bënetë posi lavdia e të bijet Israilit, thotë Zoti i ushtërivet.
4 Edhe atë ditë lavdia e Jakovit do të vogëlonetë, edhe të majmit’ e mishit ati do të ligetë.
5 Edhe do të jetë posi korrësi kur mbëleth grurëtë, edhe korr kallinjtë me krahun’ e ti, edhe do të jetë posi ay që mbëleth kallinj ndë grykët të Refaimit.
6 Po do të mbetnë nd’ atë koqe, posikur shkuntnjën’ ullirinë, dy tri koqe ulliri ndë majët të degavet larta, katrë pesë (koqe) mbi degat të gjata plot me pemë, thotë Zoti Perëndia i Israilit.
7 Atë ditë njeriu do të shtierë sytë te Krietari i ti, edhe syt’ e ati do të vënë re Shënjtin’ e Israilit.
8 Edhe nukë do të shikonjë tempujtë, punën’ e duaret ti, as nukë do të nderonjë atë që bënë gishtrat’ e ati, as pyjet’ (e mirë), as idhullatë.
9 Atë ditë qytetet’ e ati të fortëtë do të jenë posi deg’ e harruarë, edhe posi deg’ e largë, që e lanë nga pun’ e të bijet Israilit, edhe do të jetë shkretëtirë.
10 Sepse harrove Perëndin’ e shpëtimit tënt, edhe nukë kujtove shkëmbin’ e fuqisë s’ate, përandaj do të mbiellç bima të pëlqyera, edhe do të bëjsh të mbielluritë me bima të huaja;
11 ditënë do të bëjsh bimënë tënde të rritetë, edhe ndë mëngjes do të bëjsh farënë tënde të lulëzonjë; (po) ndë verë do të rrëmbenetë, ndë ditët të mundimit e shtrëngatësë pa shpëresë.
12 Mier për shumicën’ e shumë gjëndejevet që bënjën’ oshëtimë, posi oshëtimën’ e detëravet, edhe ndë oshëtimët të kombavet, që bënjën’ oshëtimë, posi oshëtimë shumë ujërash.
13 Kombatë do të bënjën’ oshëtimë, posi oshëtimë shum’ ujërash, (po Perëndia) do të qërtonjë ata, edhe do t’ikënjënë lark, edhe do të dëbonenë, posi kashta e malevet përpara erësë, edhe posi pluhuri përpara ere mpshtiellëje.
14 Ndaj mbrëma, na (tek ësht’) oshëtimë, edhe përpara të sbardhëllyerit s’ka më. Këjo (është) piesa e atyreve që na plaçkitnjënë, edhe shorta e atyreve që na rrëmbenjënë.