1 Vegimi, që Isaia, biri i Amosit, pa për Judën dhe për Jerusalemin në ditët e Uziahut, Jotamit, Ahazit dhe Ezekisë, mbretërve të Judës.
Populli që braktisi Zotin
2 Dëgjoni, o qiej, mba vesh, o tokë,
se po flet Zoti:
fëmijët i mëkova e i rrita,
por ata u ngritën kundër meje.
3 Kau e njeh të zotin
e gomari grazhdin e zotërisë së tij,
por Izraeli nuk di asgjë,
populli im nuk kupton.
4 Mjerë kombi mëkatar,
populli i ngarkuar me faje,
fara e keqbërësve, fëmijët e shthurur!
Kanë braktisur Zotin,
kanë përçmuar të shenjtin e Izraelit,
shpinën i kanë kthyer.
5 Përse doni t'ju godas edhe më?
Përse vazhdoni të ngrini krye?
Çdo kokë dergjet e sëmurë,
çdo zemër lëngon nga dhimbja.
6 Nga shputa e këmbës deri te koka
nuk ka përbrenda asgjë të shëndetshme,
veç blana e vurrata, plagë të hapura,
që s'janë pastruar e s'janë lidhur,
as nuk janë zbutur me vaj.
7 Toka juaj është shkretuar,
qytetet tuaja janë shkrumbuar,
arat jua hanë të huajt sy për sy,
djerrinë e shkretuar prej të huajve.
8 Ka mbetur bija e Sionit,
si kasollja në mes të vreshtit,
si kolibja në arën me tranguj,
porsi qyteti i rrethuar.
9 Sikur Zoti i ushtrive
të mos na kishte lënë një tepricë të vogël,
si Sodoma do të ishim,
Gomorrës do t'i përngjanim.
10 Dëgjojeni fjalën e Zotit,
o prijës të Sodomës!
Vërini vesh ligjit të Perëndisë tonë,
o popull i Gomorrës!
11 Ç'më duhen flitë tuaja të panumërta? Thotë Zoti:
jam ngopur me fli shkrumbimi deshësh
e me dhjamë bagëtish të majme.
Gjak demash, qengjash e cjepsh nuk dua më.
12 Kur vini të paraqiteni para meje,
kush u ka kërkuar të endeni nëpër tremet e mia?
13 Mos sillni më fli të kota,
temjanin e kam neveri,
hënat e reja, të shtunat e të kremtet,
kuvendet e paudhësitë
nuk i përtyp dot.
14 Hënat e reja e të kremtet tuaja
i urrej me gjithë shpirt,
më janë bërë barrë
e nuk i duroj dot.
15 Kur i shtrini duart drejt meje,
unë i largoj sytë prej jush,
edhe kur luteni gjatë e gjatë,
as që ju dëgjoj,
se duart i keni tërë gjak.
16 Lahuni, pastrohuni,
hiqmani sysh ligësinë e veprave tuaja,
reshtni së bëri të keqen!
17 Mësoni të bëni të mirën,
kërkoni drejtësinë,
ndihmoni të shtypurin,
jepini drejtësi jetimit,
mbroni çështjen e të vesë.
18 Ejani, pra, të pleqërojmë, thotë Zoti.
Edhe po të jenë mëkatet tuaja flakë të kuqe,
do të bëhen të bardha si dëbora,
edhe po të jetë të kuqe si purpuri,
do të bëhen porsi leshi.
19 Nëse doni të më dëgjoni,
do të hani të mirat e tokës,
20 por nëse nuk pranoni e krye ngrini,
do t'ju përpijë shpata.
Kështu ka thënë goja e Zotit.
21 Si u kthye në lavire qyteza besnike
që ishte plot mirësi?
Në të banonte dikur drejtësia
e tani vrasësit.
22 Argjendi të është kthyer në zgjyrë,
vera t'u hollua me ujë.
23 Prijësit e tu kanë ngritur krye,
me kusarë shoqërohen.
Të gjithë lakmojë dhuratat,
rendin veç pas përfitimit.
Nuk i japin të drejtën jetimit,
çështja e të vesë s'arrin para tyre.
24 Prandaj kështu thotë Zoti,
Zoti i ushtrive, i forti i Izraelit:
Mjerë! Do të kënaqem mbi kundërshtarët e mi,
do të marr hak kundër armiqve të mi.
25 Do ta kthej dorën kundër teje,
me finjë do të ta heq zgjyrën,
plumbin prej teje do ta zhduk krejt.
26 Do t'i kthej gjyqtarët e tu si më parë,
këshilltarët e tu siç ishte në fillim.
Atëherë do të quhesh «Qyteti i Drejtësisë»,
do të quhesh «Qyteti Besnik».
27 Sioni do të shpengohet me të drejtën,
ata që pendohen në të, me drejtësinë.
28 Të paudhët e mëkatarët do të shkatërrohen njëherësh,
ata që braktisën Zotin do të marrin fund.
29 Atëherë do t'ju vijë turp prej lisave,
nën të cilët me dëshirë keni adhuruar,
do të skuqeni prej kopshteve
që vetë i patët zgjedhur.
30 Se do të bëheni si lisi me gjethe të fishkura,
porsi kopshti që nuk ka pikë uji.
31 I forti do të bëhet si kallamishtja,
vepra e tij porsi shkëndija,
do të digjen që të dy
e askush s'ka për t'i shuar.
1 Të faniturit’ e Isaisë të birit Amosit, që pa për Judhën’ e për Jerusalimënë, ndër dit të Oziahësë, të Jothamit, të Ahazit, të Ezeqisë, mbëretëret Judhësë.
2 Pa dëgjoni, o qieje, edhe mba vesh, o dhe, sepse foli Zoti: Ushqeva e rrita bij, po ata ngritnë krye mbi mua.
3 Kau njeh të zonë, edhe gomari grashtin’ e të zot: Israili nukë njeh, gjëndëja ime nukë kupëton.
4 Mjeri ti, o komp faltuar, o gjëndëje ngarkuarë me fale, farë keq-bërësish, bij të prishurë; lanë Zotinë, hothnë poshtë Shënjtin’ e Israilit, u kthyenë për së prapi.
5 Përse mundohi gjithënjë, e doni të shtoni të ngriturë krye? Gjithë kryetë (e keni) të sëmurë, edhe gjithë zemërënë të pafuqishime.
6 Që nga sholl’ e këmbësë gjer ndë (majë) të kresë nukë ka (vënt) të shëndoshë, (po) të vrara, e të nxira, e plagë të qelbura; nuk’ u shtrythnë, nuk u lithnë, as u sbutnë me të lyerë.
7 Dheu juaj (ësht’) i shkretë, qytetetë tuaj të diegurë. Dhenë tuaj e hanë të huajëtë përpara jush, edhe është shkretuarë, posikur ta kenë prishurë kombat’ e huajë.
8 Edhe e bila e Sionësë është lënë posi kasollë ndë vështë, posi tendë ndë kopësht të fiqvet, posi qytet i qerthulluarë.
9 Zoti i ushtërivet të mos kishte lënë ndër ne pak të mbeturë, do t’i ishim bërë posi Sodhomatë, e do t’iu kishim shëmbëllyerë Gomorravet.
10 Pa dëgjoni fialën’ e Zotit, o të parët’ e Sodhomavet; mba-i vesh nomit Perëndisë tuaj, o gjëndëje e Gomorravet.
11 Ç’ (nevolë) kam për shumicën’ e kurbanevet tuaj? - thotë Zoti. - Jam nginjurë me kurbane të diegurë gjithë prej deshësh, e prej dhiami berrash të ushqyerë, edhe nukë më pëlqen gjaku i demavet, a i shqeravet, a i sqepëvet.
12 Kur vini të duki përpara meje, cili kërkoi këtë nga duart e tuaja, të shkelni oborrinë t’im?
13 Mos bini më dhurata të kota, thimiama ësht’ e ndohëtë tek unë. Muajt’ e ri e të shëtunatë, të grishurit’ e mbëledhëjevet, s’munt të duronj, panominë, e të mbëledhuritë për ditë të kremteje.
14 Shpirti im uren muajt’ e ri e të kremtetë tuaja që janë urdhëruarë. Më janë barrë. U rënduashë t’i duronj.
15 Edhe kur të ndeni duartë tuaja, do të fsheh syt’ e mi prej jush. Po, kur shumoni lutëjetë, nukë do të dëgjonj: duartë tuaja janë plot me gjakra.
16 Lahi e qërohi, hithni tej të ligën’ e punëvet tuaja përpara syvet mi. Pushoni së punuari të ligënë.
17 Xini të punoni të mirënë. Kërkoni gjyq, bën-i dreiteri të shtrënguarit, gjukoni të varfërinë, dilni zot gjyqit së vesë.
18 Eni tashi, edhe le të gjukonemi, thotë Zoti: Ndë janë faletë tuaj posi e porfyrta, do të bënenë të bardhë posi bora; ndë janë të kuq posi të kuqtë, do të bënenë posi lesh (i bardhë).
19 Ndë dashi të dëgjoni, do të hani të mirat’ e dheut.
20 Po ndë mos dashi, edhe ndë ngriçi krye, do të hahi nga thika, sepse foli gol’ e Zotit.
21 Qysh u bë kurvë qytetëja besëtare! Ishte plot me gjyqe, dreitëria rrinte nd’ atë, po ndashti gjakëtorë.
22 Argjëndi yt zuri ndryshk, vera jote u përzi me ujë.
23 Të parët’ e tu (janë) të pabindurë, edhe shokë kursarësh. Të gjithë duanë dhurëti, edhe gjuanjënë të paguara; nuk’ i bënjënë gjyqinë të varfërit, as nuk’ i bënetë gjyqi së vesë ndër ata.
24 Përandaj thotë Zoti, Zoti i ushtërivet, i Pushteçimi i Israilit: Ah! do të nginjem nga kundrështarët’ e mi, edhe do të marr shpagim nga arëmiqt’ e mi.
25 Edhe do të kthenj dorënë t’ime mbi ty, edhe do të qëronj ndryshkunë tënt, edhe do të heq gjithë kallajinë tënt.
26 Edhe do të vë gjykatësit’ e tu posi herën’ e parë, edhe këshillëtarët’ e tu posi një herë moti; paskëtaj do të kluhesh: Qytetëja e dreitërisë, Qytetëja besëtare.
27 Siona do të shpërblenetë me gjyq, edhe ata që u kthyenë nga ajo me dreitëri.
28 Edhe të paudhët’ e faltorëtë do të prishenë bashkë, edhe ata që hoqnë dorë nga Zoti do të vdirenë.
29 Sepse do t’u vinjë turp juve për pyjet’ e shënjtëruarë që dëshëruatë, edhe do të kini turp për qipështratë që sgjothtë.
30 Sepse do të bëhi posi lisi, që i fyshkenë fletatë, edhe posi kopështi, që s’ka ujë.
31 Edhe i forti do të jetë posi kallami i lirit, edhe pun’ e ati posi shkëndilë, edhe të dy do të digjenë bashkë, edhe nukë do të ketë kush t’i shuanjë.