Jozefi dhe Benjamini
1 Pastaj Jozefi e urdhëroi kujdestarin e shtëpisë: «Mbushi me ushqime sa të mbajnë thasët e këtyre njerëzve dhe futi paratë e secilit në grykë të thasëve. 2 Ndërsa kupën time të argjendtë fute në grykën e thesit të të voglit, bashkë me paratë e tij». Ai veproi siç i tha Jozefi 3 dhe në të gdhirë, i nisën bashkë me gomarët e tyre. 4 Ata dolën nga qyteti, por pa u larguar mirë, Jozefi i tha kujdestarit të shtëpisë: «Ngrihu e ndiqi ata njerëz! Kur t'i arrish thuaju: “Përse e shpërblyet të mirën me të keqe?! 5 A nuk është kjo kupa që imzot e përdor për të pirë e për të parë të ardhmen? Jeni treguar të ligj me këtë që bëtë!”».
6 Ai i arriti e u tha të njëjtat fjalë. 7 Por ata i thanë: «Përse imzot flet kështu? Qoftë larg prej shërbëtorëve të tu të bëjnë një gjë të tillë. 8 Ja, paratë që gjetëm në grykë të thasëve, t'i sollëm që nga toka e Kanaanit. Si mundet, pra, të vidhkemi argjend apo ar nga shtëpia e zotit tënd?! 9 Kujtdo nga shërbëtorët e tu që do t'i gjendet kupa, ai do të vdesë e ne do të bëhemi skllevër të timzot». 10 Ai u tha: «Mirë! Të bëhet siç thatë. Atij që do t'i gjendet kupa, ai do të bëhet skllavi im, kurse ju do të shkoni të lirë!». 11 Kështu, secili nxitoi të shkarkojë e të hapë grykën e thesit të vet. 12 Kujdestari i kontrolloi me radhë nga më i madhi te më i vogli dhe kupa u gjet në thesin e Benjaminit. 13 Ata shqyen rrobat, ngarkuan gomarët e u kthyen në qytet.
14 Atëherë Juda bashkë me vëllezërit hynë në shtëpinë e Jozefit. Ai ishte ende atje. U përkulën gjer në tokë para tij 15 dhe ai u tha: «Çfarë bëtë kështu?! A nuk e dini se dikush si unë mund të shohë të ardhmen». 16 Juda iu përgjigj: «Si t'i përgjigjemi timzoti? Ç'të themi e si të shfajësohemi? Perëndia e zbuloi fajin e shërbëtorëve të tu. Ja tani, jemi skllevër të timzoti, si ne, ashtu edhe ai, të cilit iu gjet kupa». 17 Por Jozefi tha: «Larg qoftë që të bëj këtë gjë! Vetëm ai, të cilit iu gjet kupa do jetë skllavi im. Ndërsa ju shkoni në paqe tek ati juaj».
18 Juda iu afrua Jozefit e i tha: «Të lutem imzot, lejoje shërbëtorin tënd të të thotë një fjalë e mos u zemëro me të, sepse ti je si faraoni vetë. 19 Imzot i pyeti shërbëtorët e tij nëse ati ynë është gjallë e nëse kemi ndonjë vëlla tjetër. 20 Ne i thamë timzoti se kemi një atë të moshuar dhe një vëlla të vogël që i lindi në pleqëri. Vëllai i tij ka vdekur dhe, meqë e ëma e ka djalë të vetëm, i ati e do fort. 21 Atëherë ti u the shërbëtorëve të tu: “Ma sillni që ta shoh me sytë e mi”. 22 Ne iu përgjigjëm timzoti: “Djali s'mund ta lërë të atin, se po e la, i ati do të vdesë”. 23 Por ti u the shërbëtorëve të tu: “Nëse vëllai juaj i vogël nuk vjen bashkë me ju, s'keni për të më takuar”. 24 Kur u kthyem tek ati ynë e shërbëtori yt, i treguam fjalët e timzoti. 25 Por ai na tha: “Kthehuni e na blini ca grurë”. 26 Ne i thamë se nuk mund të shkonim. Vetëm nëse vëllai ynë i vogël do të ishte me ne, do të mund të shkonim, se pa të nuk mund t'i dilnim përpara atij njeriu. 27 Atëherë im atë, shërbëtori yt, na tha: “Ju e dini që gruaja më lindi dy djem. 28 Njëri më iku e them se më është bërë copë-copë dhe që atëherë nuk e kam parë më. 29 Nëse e merrni edhe këtë prej meje e i ndodh ndonjë gjë, këtë plak do ta hidhëroni e do ta shtini në varr”. 30 Prandaj, nëse shkoj tek im atë, shërbëtori yt, dhe djali nuk është me ne, atëherë im atë, jeta e të cilit varet nga jeta e djalit, 31 do të shohë se djali nuk është e do të vdesë. Kështu, shërbëtorët e tu do ta hidhërojnë plakun e do ta shtien në varr. 32 Shërbëtori yt u bë dorëzanë për djalin para atit tim e i thashë se, nëse nuk ia sjell, do të jem fajtor para tij për tërë jetën. 33 Prandaj, lejoje shërbëtorin tënd të marrë vendin e djalit si skllav i timzoti e djali të shkojë bashkë me vëllezërit. 34 Si mund të shkoj tek im atë, kur djali nuk është me mua? Mos më lër të shoh mjerimin e tim eti!».
1 Edhe (ay) urdhëroi kujdestarin’ e shtëpisë ti, e tha: Mbush thasët’ e njerëzet me drithë, sa munt të mbanjënë, edhe vër’ argjëndin’ e gjithësecilit ndë grykët të thesit. 2 Edhe vërë potirinë tim, potirin’ e argjënttë, ndë grykët të thesit më të vogëlit, edhe argjëndin’ e drithit ati. Edhe (ay) bëri pas fialësë që i tha Josifi.
3 Ndë mëngjes si sbardhi drita, dërguanë njerëzitë, ata edhe gomarët’ e atyre. 4 Edhe passi duallë jashtë qytetit, pa larguarë shumë, Josifi i tha kujdestarit shtëpisë ti: Ngreu e ecë me vrap, e u bierë pas njerëzet, edhe si t’i harrinjç, thuaju: Përse bëtë keq ndë vënt të së mirësë? 5 A nuk’ (është) ky (potiri) që pi im zot me atë, edhe me atë dëften vërtet ato që do të bënenë? Keq e bëtë këtë punë që bëtë.
6 Edhe posa i harriu ata, u tha atyre këto fialë. 7 Edhe ata i thanë ati: Përse zoti ynë flet këto fialë? Qoftë lark, shërbëtorët’ e tu të bënjënë të tillë punë! 8 Na argjëndinë që gjetëm ndë grykët të thasëvet tanë, tek ta kthyem ty nga dheu i Hanaanit, e qysh do të vidhim nga shtëpia e tyt zot argjënt a ar? 9 Te cilido nga shërbëtorët’e tu të gjëndetë, le të vritetë, edhe neve do t’i bënemi shërbëtorë zotit tënë.
10 Edhe ay tha: Edhe tashi le të bënetë sikundrë thoni: te cilido të gjëndetë, do të bënetë shërbëtori im, edhe ju do të jeni të pafaj. 11 Edhe ata shpejtuanë e shkarkuanë gjithësecili thesin’ e ti mbë dhet, edhe gjithësecili hapi thesin’ e ti. 12 Edhe zuri të kërkonte nga më i madhi, e mbaroi mbë të vogëlinë, edhe potiri u gjent ndë thest të Veniaminit.
13 Atëhere ata çuarrë rrobet’ e tyre, edhe gjithësecili ngarkoi gomarin’ e ti, e u kthyenë ndë qytet. 14 Edhe hyri Judha edhe të vëllezëritë ndë shtëpī të Josifit, tek po ishte atie, edhe ranë përpara ati përdhe. 15 Edhe Josifi u tha atyreve: Ç’(është) këjo punë (që bëtë)? A nukë dini (ju) se unë jam një njeri që di se ç’bënetë me të vërtetë? 16 Edhe Judha tha: Ç’t’i themi tim zot? Ç’të flasëmë? A qysh të lajmë vetëhenë tonë? Perëndia gjeti të shtrembëtën’ e shërbëtorëvet tu, na tek jemi shërbëtorët’ e tim zot, edhe neve, edhe ay që iu gjënt potiri. 17 Edhe ay tha: Qoftë lark nga unë të bënj këtë; ati njeriu që iu gjënt potiri, ky do të më jetë shërbëtuar, edhe ju shkoni ndë paqtim te ata juaj.
18 Atëhere Judha iu afrua ati e tha: Të lutem, Zoti im, le t’i flasë një fialë ndë veshët tim zot shërbëtori yt, edhe le të mos ndizetë zemërimi yt kundrë shërbëtorit tënt, sepse ti (je) posi Faraoni. 19 Im zot pyeti shërbëtorët’ e ti, tuke thënë: Keni atë, a vëlla? 20 Edhe i tham tën zot: Kemi një atë plak, edhe një dialë të pleqërisë (ati), të vogëlë, edhe i vëllai vdiq, edhe vetëm’ ai ka mbeturë nga e ëma, edhe i ati e do (fort) atë. 21 Edhe (ti) u the shërbëtorëvet tu: Silleni atë tek unë që ta shoh me syt e mi. 22 Edhe (neve) i tham zotit tim: Diali s’munt të lërë t’anë, sepse ndë lëntë t’anë, (ay atëhere) do të vdesë. 23 Edhe ti u the shërbëtorëvet tu: Ndë mos arthtë bashkë me ju vëllai juaj më i vogëli, nukë do të më shihni sytë më.
24 Edhe kur vam te shërbëtori yt te im atë, ja tham fialët’ e tim zot. 25 Edhe ata ynë tha: Shkoni përsëri, e na blini pak drithë, 26 edhe (neve) tham: Nukë munt të sbresëmë, ndë mos qoftë bashkë me ne vëllai ynë më i vogëli, atëhere do të sbresëmë, sepse s’munt t’i shohëmë sytë njeriut ndë mos qoftë bashkë me ne vëllai ynë më i vogëli. 27 Edhe shërbëtori yt im atë na tha: Ju e dini se ime shoqe më polli dy (djem), 28 edhe njëri më doli nga duartë, edhe thashë: Me të vërtetë bisha e çori, edhe nuk’ e pashë atë gjer tashi, 29 ndë marrçi nga syt’ e mi edhe këtë, e t’i gjanjë ndonjë e keqe, do të më sbritni qimet’ e bardha me hidhërim ndë varrt.
30 Tashi pra kur të vete te shërbëtori yt te im atë, edhe djali të mos jetë bashkë me ne, (sepse shpirt’ i ati varetë nga shpirt’ i këti), 31 posa të shohë se nuk’ është diali, do të vdesë, edhe shërbëtorët’ e tu do t’i sbresënë qimet’ e bardha shërbëtorit tënt atësë tënë me hidhërim ndë varrt. 32 Sepse shërbëtori yt iu zotua tim et për dialënë, tuke thënë: Ndë mos ta prufsha atë ty, atëhere do të jem fajtuar tek im atë për kurdo.
33 Tashi pra, të lutem, le të mbesë shërbëtori yt ndë vënt të dialit shërbëtuar te im zot, edhe diali le të shkonjë bashkë me të vëllezërit e ti, 34 sepse qysh të vete te im atë, ndë mos qoftë bashkë me mua diali? Që të mos shoh atë të keqe, që ka për të gjeturë tem atë.