Viçi i artë
1 Kur populli pa se Moisiu po vonohej të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aronit e i tha: «Ngrihu e na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit, nuk dimë ç'u bë me të!». 2 Aroni iu përgjigj: «Hiquani vathët e artë grave, bijve dhe bijave dhe m'i sillni mua». 3 Atëherë tërë populli hoqi vathët e artë dhe ia solli Aronit. 4 Ky ua mori dhe i punoi me daltë. Bëri një viç të metaltë e u tha: «Këta janë perënditë e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit». 5 Aroni e pa, i ndërtoi një altar dhe thirri: «Nesër do të kremtojmë për nder të Zotit». 6 Të nesërmen, u ngritën herët dhe kushtuan fli shkrumbimi e paqtimi. Populli u ul për të ngrënë e për të pirë dhe pastaj u ngrit për t'u dëfryer.
7 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Zbrit poshtë, se populli yt, që e nxore nga dheu i Egjiptit, u shthur. 8 Shpejt e lanë udhën që i urdhërova të ndiqnin. Bënë për vete një viç të metaltë. E adhurojnë, i flijojnë fli e thonë: “Këta janë perënditë e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit”». 9 Zoti vijoi: «E kam parë që ky është një popull kokëfortë. 10 Tani më lër! Do të ndizem me zemërim e do t'i shuaj. Ty do të të bëj një komb të madh».
11 Por Moisiu ia zbuti zemërimin Zotit, Perëndisë së tij, duke i thënë: «Përse, o Zot, ndizet zemërimi yt kundër popullit tënd që e nxore nga dheu i Egjiptit me forcë të madhe e me dorë të fuqishme? 12 Përse të thonë egjiptianët: “I nxori me dredhi për t'i vrarë nëpër male e për t'i shuar nga faqja e dheut”? Zmbrapse zemërimin e hiq dorë nga e keqja që do t'i bësh popullit tënd. 13 Kujto Abrahamin, Isakun e Izraelin, shërbëtorët e tu, të cilëve iu betove për veten tënde e u the: “Do t'i shumoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë për të cilën ju fola, do t'ua jap pasardhësve tuaj. Ajo do të jetë përgjithmonë e tyrja”». 14 Atëherë Zoti hoqi dorë nga e keqja që kishte thënë se do t'i bënte popullit të tij.
15 Pastaj Moisiu u kthye e zbriti nga mali dhe mbante në dorë dy rrasat e dëshmisë të shkruara nga të dyja anët. 16 Rrasat ishin vepër e Perëndisë. Edhe shkrimi i gdhendur në rrasa ishte i tiji. 17 Kur dëgjoi zhurmën e popullit që bërtiste, Jozuehu i tha Moisiut: «Britma lufte po dëgjohen në fushim». 18 Por Moisiu i tha:
«Nuk është këngë kreshnikësh,
as këngë vaji nuk është.
Por këngë feste po dëgjoj».
19 Kur iu afrua fushimit dhe pa viçin e vallet, Moisiu u zemërua, i hodhi rrasat nga duart dhe i copëtoi rrëzë malit. 20 E mori viçin që kishin bërë dhe e dogji në zjarr. E theu, e bëri pluhur dhe ua hodhi në ujë izraelitëve që ta pinin.
21 Atëherë i tha Aronit: «Ç'faj të ka ky popull që e ngarkove me një mëkat kaq të madh?». 22 Aroni i tha: «Mos u zemëro imzot. Ti vetë e di sa popull i keq është ky. 23 Ata më thanë: “Na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë ç'u bë me të!”. 24 Unë u thashë: “Kush ka ar, ta heqë”. Ata ma sollën, unë e hodha në zjarr e pastaj doli ky viç».
25 Moisiu pa se populli ishte shfrenuar, sepse Aroni ua kishte lëshuar frerin aq sa ishin bërë gazi i botës. 26 Pastaj Moisiu qëndroi në të hyrë të fushimit e tha: «Kush është me Zotin, të vijë tek unë!». Atëherë tërë levitët u mblodhën pranë Moisiut. 27 Ai u tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Secili të rrokë shpatën e vet. Përshkojeni fushimin derë më derë e secili të vrasë vëllanë, mikun dhe fqinjin e vet”». 28 Levitët bënë siç u tha Moisiu. Atë ditë u vranë tre mijë burra. 29 Pastaj Moisiu u tha: «Sot u shuguruat në shërbim të Zotit, u bekuat, sepse secili doli kundër birit e vëllait të vet».
30 Të nesërmen Moisiu i tha popullit: «Keni mëkatuar rëndë. Do të shkoj para Zotit e ndoshta do ta shlyej mëkatin tuaj». 31 Kështu, Moisiu u kthye te Zoti e tha: «Të lutem, ky popull ka mëkatuar rëndë, se ka bërë për vete perëndi të arta. 32 Falua mëkatin. Nëse nuk ua fal, atëherë më fshij nga libri yt që ke shkruar». 33 Zoti i tha Moisiut: «Do të fshij nga libri im këdo që mëkatoi kundër meje. 34 Tani, shko, çoje popullin atje ku të thashë, dhe engjëlli im do të të paraprijë. Por do të vijë një ditë kur do ta ndëshkoj mëkatin e tyre». 35 Kështu, Zoti e ndëshkoi popullin për viçin që kishin bërë, për viçin që Aroni kishte bërë.
1 Edhe gjëndëja kur pa se Moisiu mënoi të sbriste nga mali, gjëndëja u mbëloth te Aaroni, edhe i thoshin’ ati: Ngreu, (e) na bën perëndira, që të shkonjënë përpara nesh, sepse ky Moisiu, njeriu që na nxori nga dheu i Egjyptërisë, nuk dimë se ç’u bë. 2 Edhe Aaroni u tha atyre: Hiqni vëthët’ e artë, që (kanë) ndër veshët gratë tuaja, e bijtë tuai, e bilatë tuaja, e birmini. 3 Edhe gjithë gjëndëja u hoqnë atyre vëthët’ e artë, që (kishinë) ndër veshët, e (ja) prunë Aaronit. 4 Edhe ay ua mori nga duart’ e atyre, edhe e ndërtoi atë me hekurishtë që gërvisht, edhe e bëri një viç të derdhurë, edhe ata thanë: Këta (janë) Perëndirat’ e tu, o Israil, të cilëtë të nxuarrë nga dheu i Egjyptërisë. 5 Edhe Aaroni kur pa (këtë), ndërtoi një therore përpara ati, edhe Aaroni leçiti, e tha: Nesër’ (ësht’) e kremte për Zonë.
6 Edhe ata u ngritnë shpejt mbë të nesërmet, e bënë kurbane të diegurë, e prunë dhurata paqtimi, edhe gjëndëja ndenji të hante e të pinte, pastaj u ngritnë të losinë.
7 Edhe Zoti i tha Moisiut: Shko, (e) sbrit, sepse gjëndëja jote i fëleu ati që e nxori nga dheu i Egjyptërisë, 8 sakaqëherash u kthyenë nga udha që i urdhërova ata, bënë për vetëhen’ e tyre një viç të derdhurë, edhe iu falnë, e bënë kurban, e thanë: Këta (janë) perëndiratë tuai, o Israil, që të nxuarrë nga dheu i Egjyptërisë.
9 Edhe Zoti i tha Moisiut: Pashë këtë gjëndëje, edhe na tek është një gjëndëje kokëtrashë; 10 tashi pra, lerëmë, edhe do të ndizetë zemërimi im kundrë atyreve, edhe do t’i shuanj ata, edhe do të bënj ty një komp të math.
11 Edhe Moisiu iu lut Zotit, Perëndisë ti, e tha: Zoto, përse ndizetë zemërimi yt kundrë gjëndëjesë sate, që e nxore nga dheu i Egjyptërisë, me fuqi të madhe, e me dorë të fortë? 12 Përse të thonë Egjyptianëtë, tuke thënë: I nxori ata me dinakëri, që t’i vrasi ndëpër malet, e t’i shuanjë nga faqeja e dheut? Kthehu nga të ndezurit’ e zemërimit tënt, edhe pendohu për të keqenë (që do t’i bënjç) gjëndëjesë sate, 13 kujto Avraamnë, (e) Isaakunë, e Israilinë, shërbëtorëtë e tu, të cilëvet u bëre be ndë vetëhet tënde, e u the atyre: Do të shumonj farënë tuai posi yjet’ e qiellit, edhe do t’i ap farësë tuai gjithë këtë dhe, që fola për atë, edhe do t’e trashëgonjënë për gjithë jetënë.
14 Edhe Zoti u pendua për të ligënë, që tha të bënetë kundrë gjëndëjesë ti.
15 Edhe Moisiu u kthye, e sbriti nga mali, (tuke mbartur’) edhe të dy rrasat’ e deshmimit ndë duart të tia, rrasa të shkruara mbë të dy anët; ishinë shkruarë mbë njërën’ anë e mbë tietrënë. 16 Edhe rrasat’ ishinë punë Perëndie, edhe shkronja ishte shkronjë Perëndie, gërvishturë mbi rrasat.
17 Edhe Joshuai kur dëgjoj zën’ e gjëndëjesë tuke klithurë, i tha Moisiut: Zë lufte (është) ndë ushtërit.
18 Edhe ay tha: Nuk’ (është) zë asish që brohorinjënë kur fitonjënë, as zë asish që këlthasinë kur thyhenë; unë po dëgjonj zë asish që këndonjënë.
19 Edhe posa u afrua ndë ushtërit, pa viçinë, e valle, edhe Moisiut iu ndes zemërimi, edhe hodhi rrasatë nga duart e tia, edhe i theu ato ndënë malt, 20 edhe mori atë viçinë që kishinë bërë, edhe e doq ndë zjarr, edhe si e thërrmoi, gjersa u bë (pluhur) i imëtë, e mbolli nd’ujët, e ua dha të bijet Israilit ta pijnë.
21 Edhe Moisiu i tha Aaronit: Ç’të bëri këjo gjëndëje, kaqë sa prure mbi ata faj të math? 22 Edhe Aaroni tha: Le të mos i ndizetë zemërimi tim zot, ti e njeh këtë gjëndëje, se vais ndë të keqet, 23 sepse më thanë: Bën-na perëndira, që të shkonjënë përpara nesh, sepse ky Moisiu, njeriu që na nxori nga dheu i Egjyptërisë, nukë dimë se ç’u bë; 24 edhe (un’) u thashë atyre: Kush të ketë ar, le t’e heqënë, edhe (ata) ma dhanë, atëhere (un’) e hodha ndë zjarr, edhe dolli ky viç.
25 Edhe Moisiu kur pa gjëndëjenë se ishte sveshurë, (sepse Aaroni i kishte sveshur’ ata për turpëri, ndërmest arëmiqet atyre), 26 Moisiu qëndroi përanë derës’ ushtërisë, e tha: Kush të jet’ i Zotit, (le të vinjë) me mua. Edhe gjithë të bijt’ e Leviut u mbëlothnë nga ana e ati. 27 Edhe (ay) u tha atyre: Kështu thotë Zoti Perëndia: Gjithësecili le të vejë kordhën’ e ti mbi kofshët të ti, (edhe) shkoni e dilni derë mbë derë për mest të ushtërisë, edhe gjithësecili le të vrasë të vëllan’ e ti, e gjithësecili mikun’ e ti, e gjithesëcili t’afërmin’ e ti.
28 Edhe të bijt’ e Leviut bënë pas fialësë Moisiut, edhe atë ditë u vranë më tepër se tri milë burra nga gjëndëja. 29 Sepse Moisiu tha: Mbushni duartë tuaja sot për Zotinë, gjithësecili mbi të birë, e mbi të vëllanë, që t’u epetë juve bekim sot.
30 Edhe mbë të nesërmet Moisiu i tha gjëndëjesë: Ju fëlyetë një faj të math, edhe tashi do të hipënj te Zoti, mbase mos e cbut për fajinë tuai.
31 Edhe Moisiu u kthye te Zoti, e tha: Të lutem, këjo gjëndëje fëleu një faj të math, edhe bënë për vetëhen e tyre perëndira t’artë, 32 po tashi ndë u ndëlefsh fajin’ atyre, … po ndë mos, të lutem, shuajmë nga ajo vivlia jote, që shkrove.
33 Edhe Zoti i tha Moisiut: Kush fëleu kundrë meje, këtë do t’e shuanj nga vivlia ime, 34 andaj tashi shko, hiqi udhënë gjëndëjesë, ndë (atë vënt) që të thashë për atë; na ëngjëlli im tek po shkon përpara teje, po ndë ditët të shpagimit tim do t’ua shpaguanj për fajin’ e atyre.
35 Edhe Zoti i ra gjëndëjesë për ndërtesën’ e viçit që ndërtoi Aaroni.