Mana dhe shkurtat
1 Tërë bashkësia e Izraelit u nis nga Elimi dhe arriti në shkretëtirën e Sinit që është mes Sinait dhe Elimit. Kjo ndodhi në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë pasi dolën nga toka e Egjiptit. 2 Kur ishin në shkretëtirë, tërë bashkësia e Izraelit zuri të murmuritë kundër Moisiut e Aronit 3 e thoshin: «Ah, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në tokën e Egjiptit, kur uleshim pranë sofrës me mish e ngiheshim me bukë! E ju e nxorët tërë këtë bashkësi në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria».
4 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Ja, do të bëj të bjerë bukë prej qiellit dhe populli do të dalë çdo ditë të mbledhë ushqimin e përditshëm. Kështu do ta vë në provë nëse do ta ndjekë ligjin tim apo jo. 5 Ditën e gjashtë mblidhni dyfishin e ushqimit të çdo dite tjetër». 6 Pastaj Moisiu e Aroni u thanë izraelitëve: «Në mbrëmje do të kuptoni se Zoti është ai që ju nxori nga toka e Egjiptit 7 dhe në mëngjes do të shihni lavdinë e Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Sa për mua dhe Aronin, kush jemi ne që murmuritni kundër nesh?!». 8 Moisiu vijoi: «Zoti është ai që në mbrëmje do t'ju japë mish për të ngrënë dhe në mëngjes bukë që të ngiheni. Zoti i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Kush qenkemi ne? Nuk po murmurtni kundër nesh, por kundër Zotit».
9 Atëherë Moisiu i tha Aronit: «Thuaji tërë bashkësisë së Izraelit: “Ejani para Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja!”». 10 Ndërsa Aroni po i fliste bashkësisë së Izraelit, ata u kthyen drejt shkretëtirës dhe ja, lavdia e Zotit u dëftua në re. 11 Zoti i tha Moisiut: 12 «I dëgjova murmuritjet e izraelitëve, prandaj thuaju: “Në mbrëmje do të hani mish, ndërsa në mëngjes do të ngiheni me bukë. Kështu do ta kuptoni se unë, Zoti, jam Perëndia juaj”».
13 Kështu, në mbrëmje ia behën shkurtat dhe mbuluan fushimin e izraelitëve. Në mëngjes ra një shtresë vese përreth tyre. 14 Kur vesa u zhduk, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një shtresë e hollë, e imët porsi bryma mbi tokë. 15 Kur e panë, izraelitët pyetën njëri-tjetrin: «Ç'është kjo?», sepse nuk e dinin çfarë ishte. Atëherë Moisiu u tha: «Kjo është buka që Zoti ju ka dhënë për të ngrënë. 16 Ja çfarë urdhëron Zoti: “Secili të mbledhë aq sa i duhet për të ngrënë. Mblidhni rreth një omer për frymë, sipas numrit të anëtarëve që secili ka në tendën e vet”». 17 Izraelitët mblodhën kush më shumë e kush më pak. 18 Por, kur e peshuan, as ata që kishin mbledhur shumë nuk patën më tepër, as atyre që kishin mbledhur pak nuk u mungoi gjë. Secili kishte mbledhur aq sa i duhej për të ngrënë. 19 Pastaj Moisiu u tha: «Askush të mos ruajë gjë për në mëngjes». 20 Ata nuk e dëgjuan dhe disa e ruajtën deri në mëngjes. Të nesërmen, ushqimi u krimb e u qelb. Atëherë Moisiu u zemërua me ta. 21 Kështu, secili mblidhte mëngjes për mëngjes aq sa i duhej për të ngrënë dhe, kur dielli shkëlqente fort, ajo shkrinte.
22 Ditën e gjashtë izraelitët mblodhën dyfishin e ushqimit, dy omerë për secilin. Kur prijësit e bashkësisë erdhën dhe i treguan Moisiut, 23 ai u tha: «Ja çfarë thotë Zoti: “Nesër është ditë pushimi. Është e shtuna e shenjtë në nder të Zotit. Çfarë keni për të pjekur e për të zier bëjeni që tani dhe gjithçka që ju tepron mbajeni e ruajeni për në mëngjes”». 24 Kështu, ata e ruajtën deri në mëngjes, siç i kishte urdhëruar Moisiu, dhe ushqimi as nuk u qelb e as nuk u krimb. 25 Pastaj Moisiu u tha: «Hajeni sot sepse është e shtunë, ditë në nder të Zotit. Sot nuk do të gjeni ushqim në fushë. 26 Për gjashtë ditë do ta mblidhni, por ditën e shtatë, të shtunën, nuk do të ketë më».
27 Megjithatë, disa dolën për të mbledhur në ditën e shtatë, por nuk gjetën gjë. 28 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Deri kur nuk do t'i zbatoni urdhërimet dhe ligjet e mia? 29 Shikoni! Zoti ju caktoi të shtunën si ditë pushimi, prandaj ditën e gjashtë ju dha dyfishin e ushqimit. Secili të rrijë ku është dhe askush të mos dalë nga vendi i tij ditën e shtatë». 30 Kështu, populli pushoi ditën e shtatë.
31 Populli i Izraelit e quajti ushqimin manë. Ajo ishte si fara e koriandrës, me ngjyrë të bardhë e me shije si kulaçi me mjaltë. 32 Moisiu u tha: «Ja çfarë urdhëron Zoti: “Mbani një omer manë e ruajeni për breznitë e ardhshme që ata të shohin ushqimin me të cilin ju ushqeva në shkretëtirë kur ju nxora nga toka e Egjiptit”». 33 Moisiu i tha Aronit: «Merr një enë, mbushe me një omer manë dhe vëre para Zotit, që të ruhet për breznitë e ardhshme».
34 Aroni e vendosi para dëshmisë që të ruhet siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. 35 Izraelitët hëngrën manë për dyzet vjet derisa arritën në tokë të banueshme, derisa arritën në kufijtë e tokës së Kanaanit. 36 Një omer është rreth dy kilogramë.
1 Edhe u ngrenë nga Elimi, edhe gjithë mbëledhëja e të bijet Israilit erdhë ndë shkretëtirët të Sinit, që është ndë mest të Elimit edhe të Sinait, të pesëmbëdhietënë ditë të muajit dytë si duallë nga dheu i Egjyptërisë.
2 Edhe gjithë mbëledhëja e të bijet Israilit murmuronte kundrë Moisiut e Aaronit ndë shkretëtirët. 3 Edhe të bijt’ e Israilit u thanë atyre: Makar të vdisim ndënë dorët të Zotit ndë dhet të Egjyptërisë, kur rrinim afërë kusivet mishit, (edhe) kur hanim bukë e nginjeshim! Sepse na nxuartë ndë këtë shkretëtirë, që të vritni me uri gjithë këtë mbëledhëje.
4 Edhe Zoti i tha Moisiut: Na tek do të bënj për ju të bierë shi buke nga qielli, edhe gjëndëja do të dalë e do të mbëlethnjë përditë atë që i del për një ditë, për të provuar ata, ndë qoftë se do t’ecnjënë ndë nomt tim, apo jo; 5 edhe të gjashtënë ditë le të bënjënë gati atë që kanë për të mbëledhurë, edhe le të jetë dy piesësh nga ajo që mbëlidhinë përditë.
6 Edhe Moisiu e Aaroni u thanë të bijet Israilit: Prëmë do ta njihni se Zoti u nxori juve nga dheu i Egjyptërisë,
7 edhe nesër që me natë do të shihni lavdin’ e Zotit, sepse dëgjoi murmurimetë tuai kundrë Zotit, sepse neve ç’(jemi), që të murmuroni kundrë nesh?
8 Edhe Moisiu tha: (Këjo do të bënetë) kur t’u apë juve Zoti të hani mish mbrëmanet, edhe ndë mëngjes të nginji me bukë, sepse Zoti dëgjoj murmurimetë tuaj që murmuruatë kundrë ati, e ç’(jemi) neve? Murmurimetë tuaj nukë (janë) kundrë nesh, po kundrë Zotit.
9 Edhe Moisiu i tha Aaronit: Thuaj gjithë mbëledhëjesë të bijet Israilit: Afrohi përpara Zotit, sepse dëgjoi murmurimetë tuaj. 10 Edhe Aaroni kur po i fliste gjithë mbëledhëjesë të bijet Israilit, kthyenë sytë nga shkretëtira, edhe na lavdia e Zotit tek u duk ndë ret.
11 Edhe Zoti i foli Moisiut, e tha: 12 Dëgjova murmurimet’ e të bijet Israilit, folu atyre, edhe thuaj: Mbrëmanet do të hani mish, e ndë mëngjest do të nginji me bukë, edhe do ta njihni, se unë (jam) Zoti Perëndia juaj.
13 Edhe mbrëmanet erthnë shkurtëza, edhe mbuluan’ ushtërinë, edhe ndë mëngjest kishte rënë vesë rreth e rrotull’ ushtërisë. 14 Edhe kur u ngrit vesa që kishte rënë përdhe, na mbi faqet të shkretëtirësë (tek ishte) një gjë e hollë e rrumbullake, e hollë posi bryma mbi dhet. 15 Edhe kur panë të bijt’ e Israilit i thanë njëri jatrit: Ç’ (është) këjo? Sepse nukë dininë se ç’ishte. Edhe Moisiu u tha atyre: Këjo (është) buka që u ep juve Zoti të hani,
16 këjo (ësht’) ajo fiala që urdhëroi Zoti: Gjithësecili le të mbëledhë nga ajo sa duhetë për të ngrënë, nga një omer për krye, pas numërit shpirtëravet tuai, gjithësecili le të marrë për ata që rrinë bashkë ndë një tendë.
17 Edhe të bijt’ e Israilit bënë kështu, edhe mbëlidhinë kush shumë e kush pak. 18 Edhe kur e matnë me omerinë, ay që kishte mbëledhurë shumë, nukë merrte më tepërë, edhe ay që kishte mbëledhurë pak, nukë merrte më pak, gjithësecili merrte sa t’i duhej për të ngrënë.
19 Edhe Moisiu u tha atyre: Asnjeri mos lërë të mbetetë nga ajo gjer ndë mëngjest. 20 Po nuk’ i dëgjuanë Moisiut, po ca vetë lanë të mbetetë nga ajo gjer ndë mëngjest edhe zuri krymba, e u qelp, edhe Moisiu u zemërua kundrë atyreve. 21 Edhe mbëlidhin’ atë mëngjes për mëngjes, gjithësecili sa t’i duhej për të ngrënët të ti, edhe kur nxehej dielli, shkrinte.
22 Edhe të gjashtënë ditë mbëlothnë dy piesë të ngrënë, dy omer për një vetë, edhe erthnë gjithë të parët’ e mbëledhëjesë, edhe i dhanë zë Moisiut (për këtë). 23 Edhe ay u tha atyre: Këjo (ësht’) ajo që tha Zoti: Nesër (është) savvatë, pushim i shënjtëruarë për Zotinë, piqni ç’keni për të piekurë, edhe zieni ç’keni për të zierë, edhe gjithë ç’të tepronjë vlojeni për vetëhetë tuaja, që të ruhetë gjer nesërë ndë mëngjest.
24 Edhe (ata) e vluan’ atë gjer ndë mëngjest, sikundrë urdhëroi Moisiu, edhe nuk’ u qelp, as nukë zuri krymba.
25 Edhe Moisiu tha: Hani atë sot, sepse sot (është) savvatë për Zotinë, sot nukë do ta gjeni atë ndë fushët. 26 Gjashtë dit do të mbëlithni atë, po të shtatënë ditë, savvatënë, nukë do të gjëndetë nd’atë.
27 Edhe ca vetë nga gjëndëja duallë të shtatënë ditë të mbëlidhinë, po nukë gjetnë. 28 Edhe Zoti i tha Moisiut: Gjer kurë nukë doni të dëgjoni urdhërimet’ e mi, edhe nomet’ e mi? 29 Shihni se Zoti u dha juve savvatënë, përandaj të gjashtënë ditë u ep juve bukë për dy dit, le të rrijë gjithësecili ndë vënt të ti, asndonjë mos dalë nga vëndi i ti të shtatënë ditë.
30 Edhe gjëndëja pushoi të shtatënë ditë.
31 Edhe shtëpia e Israilit ja vuri emërin’ asai Mannë, edhe ishte posi koqe koriandre, e bardhë; edhe të ngrënët’ e asai, posi lakruar me mialtë.
32 Edhe Moisiu tha: Këjo (ësht’) ajo fiala që urdhëroi Zoti: Mbushni nga ajo një omer, që të ruhetë për brezat tuai, që të shohën’ atë bukënë, që u ushqeva juve ndë shkretëtirët, kur u nxora juve nga dheu i Egjyptërisë.
33 Edhe Moisiu i tha Aaronit: Merr një shtëmbë, edhe vërë nd’atë një omer plot me mannë, që të ruhetë për brezat tuai. 34 Edhe Aaroni e vuri atë përpara deshmimit, që të ruhetë, sikundrë Zoti urdhëroi Moisinë.
35 Edhe të bijt’ e Israilit haninë mannë dyzet viet, gjersa erthnë ndë dhe të ndenjurë; haninë manënë gjersa erthnë ndë sinoret të dheut Hanaanit.
36 Edhe omeri (ësht’) e dhieta e efahut.