Deti i Kuq
1 Zoti i tha Moisiut: 2 «Thuaju izraelitëve të kthehen dhe të fushojnë para Pi Hahirotit, mes Migdolit dhe detit, para Baal Cefonit, përballë detit. 3 Atëherë faraoni do të mendojë se izraelitët po enden kuturu dhe se janë të rrethuar nga shkretëtira. 4 Unë do ta ngurtësoj zemrën e faraonit dhe ai do t'i ndjekë, që unë të lavdërohem duke shtypur faraonin e tërë ushtrinë e tij. Kështu, egjiptianët do ta dinë se unë jam Zoti». Izraelitët vepruan ashtu.
5 Kur i treguan mbretit të Egjiptit se populli kishte ikur, ai bashkë me shërbëtorët e tij ndërruan mendje për izraelitët e thanë: «Çfarë bëmë kështu? Si i lamë të lirë?». 6 Atëherë faraoni bëri gati karrocën dhe mori me vete popullin e tij. 7 Mori gjashtëqind karroca të përzgjedhura dhe tërë karrocat e Egjiptit plot me luftëtarë. 8 Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe ai i ndoqi izraelitët ndërsa dilnin me ngadhënjim. 9 Egjiptianët i ndoqën dhe tërë karrocat, kalorësit dhe ushtria e faraonit i arritën kur po fushonin para detit, në Pi Hahirot para Baal Cefonit. 10 Ndërkohë që faraoni afrohej, izraelitët ngritën sytë dhe ja, egjiptianët po marshonin pas tyre. I zuri një frikë e madhe dhe i thirrën Zotit. 11 Pastaj i thanë Moisiut: «Pak varre kishte Egjipti që na solle të vdesim në shkretëtirë? Ç'na bëre kështu që na nxore nga Egjipti? 12 A nuk të thamë që në Egjipt: “Na lër të qetë t'u shërbejmë egjiptianëve, sepse më mirë t'u shërbejmë atyre, sesa të vdesim në shkretëtirë!”». 13 Por Moisiu u tha: «Mos kini frikë! Qëndroni e shikoni sesi do t'ju shpëtojë sot Zoti. Egjiptianët që po shihni sot nuk keni për t'i parë më kurrë. 14 Zoti do të luftojë për ju, ndërsa ju rrini qetë!».
15 Zoti i tha Moisiut: «Përse më thërret? Thuaju izraelitëve të nisen. 16 Ti ngri shkopin dhe shtri dorën mbi det që ta ndash atë. Kështu izraelitët do të kalojnë nëpër tokë të thatë. 17 Unë po ngurtësoj zemrat e egjiptianëve dhe ata do t'ju ndjekin pas. Kështu, do të lavdërohem duke shtypur faraonin e tërë ushtrinë e tij, karrocat e kalorësit e tij. 18 Atëherë egjiptianët do ta dinë që unë jam Zoti, kur do të lavdërohem duke shtypur faraonin e tërë karrocat e kalorësit e tij».
19 Atëherë engjëlli i Perëndisë, që printe ushtrinë e Izraelit, doli e qëndroi mbrapa tyre dhe pas qëndroi edhe shtylla e resë që u printe. 20 Ai qëndroi mes ushtrisë së Egjiptit dhe asaj të Izraelit. Reja i mbante në errësirë egjiptianët, ndërsa izraelitëve u bënte dritë, që askush të mos i afrohej njëri-tjetrit gjatë tërë natës.
21 Atëherë Moisiu shtriu dorën mbi det dhe Zoti, gjatë tërë natës, e zmbrapsi detin me një erë të fortë nga lindja. Zoti e ktheu detin në tokë të thatë dhe ujërat u ndanë. 22 Izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë dhe ujërat u qëndronin si mure nga të dyja anët. 23 Edhe egjiptianët me të gjithë kuajt, karrocat e kalorësit e faraonit u sulën pas tyre dhe u futën në mes të detit. 24 Në të gdhirë , Zoti i vështroi egjiptianët nga shtylla e zjarrit dhe e resë dhe e hutoi tërë ushtrinë e tyre. 25 Ua pengoi rrotat e karrocave, saqë mezi lëviznin. Atëherë ata thanë: «T'ia mbathim prej izraelitëve, sepse Zoti po lufton për ta kundër egjiptianëve!».
Mbytja e egjiptianëve
26 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shtrije dorën mbi det që ujërat të bien mbi egjiptianët, mbi karrocat e kalorësit e tyre!». 27 Moisiu e shtriu dorën mbi det dhe në agim deti u kthye si më parë. Egjiptianët ua mbathën kur panë se deti po vërshonte drejt tyre, por Zoti i plandosi mu në mes të detit. 28 Ujërat vërshuan e mbuluan karroca e kalorës dhe tërë ushtrinë e faraonit që shkoi e i ndoqi pas deri në det. Asnjë prej tyre nuk mbeti gjallë. 29 Por izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë dhe ujërat u qëndronin si mur nga të dyja anët.
30 Atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin nga dora e Egjiptit. Kur i panë egjiptianët të vdekur në breg të detit, 31 izraelitët e kuptuan me ç'forcë të madhe kishte vepruar Zoti kundër Egjiptit. Atëherë populli e druajti Zotin dhe besoi në të dhe në Moisiun, shërbëtorin e tij.
1 Edhe Zoti i foli Moisiut, e tha: 2 Thuaj të bijet Israilit, të kthenenë, e të ngulën’ ushtërinë kundruell Pi-hahirothit, ndë mest të Migdholit edhe të detit, kundruell Baall-zefonit, kundruell këti do të ngulni ushtërinë afërë detit, 3 sepse Faraoni do të thotë për të bijt’ e Israilit: Ata sillenë rrotullë dheut, shkretëtira i ka mbyllurë brënda; 4 edhe unë do t’i ashpëronj zemrënë Faraonit, kaqë sa t’i ndiekë prapa ata, edhe do të lavdëronem mbi Faraonë, e mbi gjith’ ushtërin e ati, edhe Egjyptianëtë do të njohënë se unë (jam) Zoti. Edhe bënë kështu.
5 Edhe i dhanë zë mbëretit Egjyptërisë se iku gjëndëja, edhe zemëra e Faraonit edhe shërbëtorëvet ti u ndërrua kundrë gjëndëjesë, e thanë: Përse bëm (neve) këtë, e lam e doli Israili, edhe të mos na shërbenjë më?
6 Zuri pra qerren’ e ti, edhe mori gjëndëjen’ e ti bashkë me vetëhe, 7 edhe mori gjashtë qint qerre të sgjedhura, edhe gjithë qerret’ e Egjyptërisë, edhe krerë mbi të gjithë. 8 Edhe Zoti i ashpëroi zemrënë Faraonit, mbëretit Egjyptërisë, edhe ndoqi prapa të bijt’ e Israilit, edhe të bijt’ e Israilit po dilinë me anë dore të lartë. 9 Edhe Egjyptianëtë ndoqnë prapa ata, gjithë kuajtë, (e) qerret’ e Faraonit, e kalëria e ati, e ushtëria e ati, edhe i harrinë ata, atie ku kishinë ngulë ushtërinë afërë detit kundruell Pi-hahirothit, kundruell Baall-zefonit.
10 Edhe kur u afrua Faraoni, të bijt’ e Israilit ngritnë syt’ e tyre, edhe na Egjyptianëtë tek po vininë prapa atyreve, edhe u frikësuanë fort, edhe të bijt’ e Israilit klithnë mbë Zonë. 11 Edhe i thanë Moisiut: Sepse nuk’ (ishinë) varre ndë Egjyptëri, na nxore të vdesëmë ndë shkretëtirët? Përse na bëre këto (punë), e na nxore nga Egjyptëria? 12 A nuk’ (është) këjo fiala që të tham ndë Egjyptëri, tuke thënë: Lerë-na, e le t’u shërbejm’ Egjyptianëvet? Sepse më mirë (ishte) për ne t’u shërbenim Egjyptianëvet, se të vdesëmë ndë shkretëtirët. 13 Edhe Moisiu i tha gjëndëjesë: Mos frikësohi, qëndroni, edhe shihni shpëtimn’ e Zotit, që do t’u bënjë juve sot, sepse ata Egjyptianëtë që patë sot, nukë do t’i shihni më për gjithë jetënë, 14 Zoti do të luftonjë për ju, edhe ju do të prëhi.
15 Edhe Zoti i tha Moisiut: Përse thërret mbë mua? Thuaj të bijet Israilit të nisenë, 16 edhe ti ngre përpietë stapnë tënt, edhe ndej dorënë tënde mbi det, edhe çaje atë, edhe le të shkonjënë të bijt’ e Israilit ndëpër të thatë për mes detit, 17 edhe na unë tek do t’u ashpëronj zemërën’ Egjyptianëvet, edhe do të hynjënë prapa atyreve, edhe do të lavdëronem mbi gjith’ ushtërin’ e ati, mbi qerret e ati, edhe mbi kalërin’ e ati, 18 edhe do ta njohën’ Egjyptianëtë, se unë (jam) Zoti, kur të lavdëronem mbi Faraonë, (e) mbi qerret e ati, e mbi kalërin’ e ati.
19 Atëhere ëngjëlli i Zotit, tuke shkuarë përpara ushtërisë Israilit, u ngre, e erdhi prapa atyreve, edhe shtylla e resë u ngre përpara atyreve, edhe qëndroi prapa atyreve, 20 edhe erdhi ndërmest t’ushtërisë Egjyptianëvet e ushtëris’ Israilit, edhe (ndër ata) ishte re e errëtë, po (ndër këta) dritë natënë, kaqë sa njëra nuk’ afronei te tietra gjithë natënë.
21 Edhe Moisiu ndejti dorën’ e ti mbi det, edhe Zoti bëri detinë të tërhiqetë gjith’ atë natë prei ere dielli të fortë, edhe bëri detinë (tokë) të thatë, edhe ujërat’ u ndanë mbënjanë. 22 Edhe të bijt’ e Israilit hynë ndë mes të detit ndëpër të thatë, edhe ujërat’ (u bënë) ndër ata mur mbë të djathtë e mbë të mëngjërë t’atyre. 23 Edhe Egjyptianëtë ndoqnë, edhe hynë prapa atyreve, gjithë kuajt’ e Faraonit, (e) qerret’ e ati, e kalëria e ati ndë mest të detit. 24 Edhe ndë ruajtëjet të mëngjesëme, Zoti shtiu sytë nga shtylla e zjarrit edhe resë mbi ushtërin’ e Egjyptianëvet, edhe trubulloi ushtërin’ e Egjyptianëvet, 25 edhe nxori vëndit rrotovilet’ e qerrevet atyre, kaqë sa hiqeshinë rëndë, edhe Egjyptianëtë thanë: Le t’ikëjmë nga syt’ e Israilit, sepse Zoti po lëfton Egjyptianëtë për ata.
26 Edhe Zoti i tha Moisiut: Ndej dorënë tënde mbi det, edhe le të kthenen’ ujëratë mbi Egjyptianët, mbi qerret të tia, e mbi kalërit të ti.
27 Edhe Moisiu ndejti dorën’ e ti mbi det, edhe deti mori fërtomën’ e ti mbë të sbardhurit të dritësë, edhe Egjyptianëtë tuke ikurë përpoqnë atë, edhe Zoti prishi Egjyptianëtë ndë mest të detit,
28 sepse ujërat’ u kthyenë prapë, edhe mbuluanë qerretë, e kalërinë, gjith’ ushtërin’ e Faraonit që kishte hyrë ndë det prapa atyreve, nukë mbeti asnjë nga ata. 29 Edhe të bijt’ e Israilit shkuanë ndëpër të thatë ndë mest të detit, edhe ujërat’ (u bënë) mur ndër ata mbë të djathtë e mbë të mëngjërë t’ atyre.
30 Edhe atë ditë Zoti shpëtoi Israilinë nga dora e Egjyptianëvet, edhe Israili pa Egjyptianëtë të vdekurë ndë buzët të detit. 31 Edhe Israili pa atë punë të madhe, që bëri Zoti mbi Egjyptianët, edhe gjëndëja i pat frikë Zotit, edhe i besoi Zotit, edhe Moisiut shërbëtorit ati.