Mëkati i Izraelit
1 «Dëgjo Izrael, sot po kalon Jordanin për të hyrë e për të shpronësuar popuj më të mëdhenj e më të fortë se vetja, qytete të mëdha e të fortifikuara deri në kupë të qiellit, 2 një popull të madh e shtatlartë, anakimët, që i njeh dhe për të cilët ke dëgjuar të thuhet: “Kush do t'u bëjë ballë bijve të Anakut?”. 3 Dije, pra, sot, se Zoti, Perëndia yt, ai vetë, po kalon para teje si një zjarr përvëlues, ai vetë do t'i shkatërrojë e do t'i nënshtrojë ata para teje. Pastaj, ti do t'i zbosh e zhbish menjëherë, siç të tha Zoti.
4 Kur Zoti, Perëndia yt, t'i zbojë para teje, mos thuaj me vete: “Zoti më solli për ta pushtuar këtë tokë në saje të drejtësisë sime”, sepse ai po i zbon këto kombe për shkak të ligësisë së tyre. 5 Nuk po hyn për ta pushtuar tokën e tyre në saje të drejtësisë sate apo në saje të ndershmërisë së zemrës tënde. Zoti, Perëndia yt, po i shpronëson para teje këto kombe për shkak të ligësisë së tyre dhe që të mbajë fjalën që u dha etërve të tu, Abrahamit, Isakut e Jakobit.
6 Dije, pra, se Zoti, Perëndia yt, nuk po ta jep këtë tokë të mirë për ta pushtuar në saje të drejtësisë sate, sepse ti je një popull kokëfortë. 7 Mos harro kurrë si e ndeze zemërimin e Zotit, Perëndisë tënd, kur ishe në shkretëtirë. Që nga dita kur dole nga toka e Egjiptit e derisa arrite në këtë vend, ngrite krye kundër Zotit.
8 Madje, edhe në Horeb e ndezët zemërimin e Zotit. Ai u zemërua me ju e deshi t'ju zhbinte. 9 Kur u ngjita në mal për të marrë rrasat e gurit, rrasat e besëlidhjes që Zoti lidhi me ju, qëndrova atje për dyzet ditë e dyzet net pa ngrënë bukë e pa pirë ujë. 10 Pastaj Zoti m'i dha dy rrasat e gurit të shkruara nga vetë dora e Perëndisë. Ato përmbanin të gjitha fjalët që Zoti ju tha nga mesi i zjarrit në mal, në ditën e tubimit. 11 Pasi kaluan dyzet ditë e dyzet net, Zoti m'i dha dy rrasat e gurit, rrasat e besëlidhjes. 12 Atëherë Zoti më tha: “Ngrihu e zbrit shpejt poshtë, se populli yt, që nxore nga Egjipti, u shthur. E lanë shpejt udhën që u urdhërova e punuan për vete idhuj të metaltë”. 13 Zoti vijoi të më thoshte: “Po shoh se qenka popull kokëfortë! 14 Më lër t'i zhbij e ta shuaj emrin e tyre nën qiell. E prej teje do të bëj një komb të fortë e të madh”.
15 Atëherë u ktheva e zbrita nga mali, ndërkohë që mali digjej zjarr e dy rrasat e besëlidhjes i mbaja në duar. 16 Dhe ja, pashë që kishit mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj dhe kishit punuar për vete një viç të metaltë. E latë shpejt udhën që ju kishte urdhëruar Zoti. 17 Atëherë i mbërtheva të dyja rrasat, i përplasa me të dyja duart dhe i theva para syve tuaj. 18 Pastaj rashë përmbys para Zotit e, si më parë, nuk hëngra bukë e nuk piva ujë për dyzet ditë e dyzet net, për shkak të mëkatit që kishit bërë, sepse e ngucët Zotin duke bërë ligësi në sy të tij. 19 Pata frikë nga zemërimi e tërbimi i Zotit, që ishte ndezur kundër jush për t'ju zhbirë, por Zoti më dëgjoi edhe kësaj here. 20 Zoti u zemërua aq fort edhe me Aronin, sa donte ta zhbinte. Atëherë u luta edhe për të. 21 Sa për mëkatin që bëtë, viçin e punuar e mora, e dogja në zjarr, e bëra copë e thërrime derisa u bë pluhur dhe pluhurin e hodha në përroin që rridhte nga mali.
22 Edhe në Taberah, në Masë e në Kibrot Hatavah e ndezët zemërimin e Zotit. 23 Kur Zoti ju dërgoi nga Kadesh Barnea e ju tha: “Shkoni e pushtojeni tokën që ju kam dhënë”, ju ngritët krye kundër fjalës së Zotit, Perëndisë tuaj. Nuk i besuat atij, as nuk e dëgjuat zërin e tij. 24 Që nga dita që ju kam njohur keni ngritur krye kundër Zotit.
25 Kështu, rashë përmbys para Zotit e për dyzet ditë e dyzet net iu përgjërova, sepse kishte thënë se do t'ju zhbinte. 26 Iu luta Zotit e i thashë: “O Zot, Zoti im, mos e shfaros popullin tënd, trashëgimin tënd, që e çlirove me madhështinë tënde, kur e nxore nga Egjipti me dorë të fuqishme. 27 Kujto shërbëtorët e tu, Abrahamin, Isakun e Jakobin dhe mos i vë vesh kokëfortësisë, ligësisë e mëkatit të këtij populli. 28 Përndryshe, banorët e tokës, prej nga na nxore, do të thonë: ‘Zoti nuk mundi t'i çonte në tokën që u pati premtuar. I urrente, prandaj i nxori që t'i vriste në shkretëtirë’. 29 Por, ky është populli yt dhe trashëgimia jote që e nxore me fuqinë tënde të madhe e me krahun tënd të fortë”».
1 Pa dëgjo, o Israil: Ti po kapërcen Jordhaninë sot, që të hynjç të trashëgojsh komba më të mëdhenj e më të fortë se ti, qytete të mëdhenj, e të thurë me mur gjer ndë qiell, 2 gjëndëje të madhe e të gjatë (ndë shtat), të bijt’ e Anakimëvet, që i njeh, e i ke dëgjuarë. Cili munt të qëndronjë përpara të bijet Anakut? 3 Ta dish pra sot, se Zoti Perëndia yt ësht’ ay që shkon përpara teje; (është) zjarr që përvëlon, ay do të shuanjë ata, edhe do të prishnjë ata përpara teje, edhe do të dëbonjç ata, edhe shpejt do të prishç ata, sikundrë të tha Zoti.
4 Zoti Perëndia yt si të dëbonjë ata përpara teje, mos thuash ndë zëmërët tënde: Për dëreitërinë t’ime më shtiu Zoti të trashëgonj këtë dhé, po për pabesërin’ e këtyre kombave Zoti Perëndia yt i dëbon ata përpara teje. 5 Jo për dëreitërinë tënde, as për të dëreitën’ e zëmrësë s’ate, hyn të trashëgojsh dhen’ e atyreve, po për pabesërin’ e këtyre kombave po i dëbon ata përpara sysh tu, Zoti Perëndia yt, edhe që të forconjë atë fialënë që u u përbetua Zoti atëret tu, Avraamit, e Isaakut, e Jakovit. 6 Ta dish pra se Zoti Perëndia yt nukë po të ep këtë dhe të mirë ta trashëgojsh, për dëreitërinë tënde, sepse je gjëndëje krye-trashë.
7 Kujtonu, mos harrojsh, sa e zëmërove Zonë Perëndinë tënt ndë shkretëtirët, që atë ditë që dualltë nga dhe i Egjyftërisë, gjersa harritë ndë këtë vënt, ngritët krye kundrë Zotit. 8 Edhe ndë Horeb zëmëruatë Zonë, edhe Zoti u zëmërua kundrë jush që t’u shuante, 9 kur u ngjita ndë malt të mirnjam rrasat’ e gurta, rrasat’ e dhiatësë që bëri Zoti me ju. Atëherë mbeç ndë malt dyzet dit e dyzet net, nukë hëngra bukë, as nukë piva ujë; 10 edhe Zoti më dha të dy rrasat’ e gurta, shkruarë me gjishtin’ e Perëndisë, edhe mbi ato ishinë shkruarë gjith’ ato fialëtë që u foli Zoti juve ndë malt nga mezi i zjarrit ndë ditët të përmbëledhëjesë. 11 Edhe ndë funt të dyzet ditvet e të dyzet netvet, Zoti më dha të dy rrasat’ e gurta, rrasat’ e dhiatësë. 12 Edhe Zoti më tha: Ngreu, e sbrit shpejt së këtejmi, sepse gjëndëja jote që nxore nga Egjyftëria fëleu, u prornë shpejt nga udha që i urdhërova ata, bënë për vetëhen’ e tyre idhullë të derdhurë. 13 Edhe Zoti më foli e më tha: Pashë këtë gjëndëje edhe na tek është gjëndëje krye-trashë; 14 lërë-më t’i humbas ata, edhe të shuanj emërin’ e atyreve përposhtë qiellit, edhe të kam për të bërë komp më të fortë e më të math se këta.
15 Edhe u kthyesh’ e sbrita nga mali, (edhe mali po digjej prej zjarrit,) edhe kishjem të dy rrasat’ e dhiatësë ndër të dy duart’ e mia, 16 edhe pashë, edhe na tek kishitë fëlyerë kundrë Zotit Perëndisë tuaj, e kishitë bërë për vetëhenë tuaj viç të derdhurë, ishitë pierrë shpejt nga udha që u urdhëroi juve Zoti; 17 edhe rroka të dy rrasatë, e i hodha nga të dy duart’ e mia, edhe i theva përpara syvet tuaj.
18 Edhe rrashë përpara Zotit, posi përpara, dyzet dit e dyzet net, nukë hëngra bukë, as nukë piva ujë, nga puna e gjithë falevet tuaj që fëlyetë, e bëtë keq përpara Zotit, kaqë sa ta zëmëroni, 19 sepse u frikësuashë nga mëria e nga zëmërimi që ish zëmëruarë Zoti kundrë jush për të shuarë juve. Po Zoti më dëgjoi edhe këtë herë. 20 Edhe Zoti ish zëmëruarë fort kundrë Aaronit për të shuar’ atë, edhe i u luç edhe për Aaronë nd’ atë kohë.
21 Edhe mora falinë tuaj, viçinë që bëtë, edhe e dogja ndë zjarr, edhe e theva e e hollova gjersa u bë posi pluhur’ i hollë, edhe hodha pluhurin’ e këtij ndë purruat që sbret nga mali.
22 Edhe ndë Taberah, e ndë Massah, e ndë Qibroth-hattaavah zemëruatë Zonë. 23 Edhe Zoti kur u shpuri juve nga Kadesh-barnia, u tha: Ngjiti, e trashëgoni dhenë që u dhashë juve, atë herë ju ngrittë krye kundrë Zotit Perëndisë tuaj, edhe nuk’ i besuat’ atij, as nuk’ i dëgjuatë zënë. 24 Ngrittë krye kundrë Zotit, që atë ditë që u njoha.
25 Edhe rrashë përpara Zotit dyzet dit e dyzet net, sikundrë pata rënë përpara (herën’ e parë), sepse Zoti tha t’u shuante. 26 Edhe i u luç Zotit, e i thashë: O Zot Perëndi, mos shuaj gjëndëjenë tënde, edhe trashëgimnë tënt, që shpërbleve me anë të madhërisë s’ate, (edhe) e nxore nga Egjyftëria me dorë të fortë, 27 kujto shërbëtorët’ e tu, Avraamnë, e Isaaknë, e Iakovinë, mos vështro ashpërimin’ e kësaj gjëndëje, as pabesërit’ e atyreve, as fialët’ e atyreve, 28 mos thonë njerëzit’ e këtij dheu, që na nxore, sepse Zoti s’munt t’i këlliste ata nd’ atë dhe që u u zotua atyre, edhe i mërzitte ata, i nxori ata që t’i vriste ndë shkretëtirët; 29 po këta janë gjëndëja jote, edhe trashëgimi yt, të cilët’ i nxore me fuqinë tënde të madhenë, edhe me krahunë tënt të ndejturinë.