Urdhërimet
1 «Këto janë urdhërimet, rregullat e vendimet që më urdhëroi Zoti, Perëndia juaj, për t'jua mësuar, që t'i zbatoni në tokën ku po kaloni për ta pushtuar, 2 me qëllim që ta druash Zotin, Perëndinë tënd, e t'i mbash gjatë gjithë jetës tërë rregullat e urdhërimet e tij, të cilat po t'i urdhëroj ty, bijve e nipave të tu. Kështu do të kesh jetë të gjatë. 3 Dëgjo Izrael, zbatoji ato me kujdes, që të të shkojë mbarë e të shumohesh në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë, siç të tha Zoti, Perëndia i etërve të tu.
4 Dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është një Zot i vetëm. 5 Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë forcën tënde. 6 Mbaji në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. 7 Përsëritja fëmijëve e fol për to kur të rrish ulur në shtëpi ose kur të ecësh udhës, kur të biesh në shtrojë ose kur të ngrihesh prej saj. 8 Lidhi si shenjë në dorë e si shirit në ballë. 9 Shkruaji mbi shtalkat e shtëpive e mbi portat tuaja.
Mosbindja
10 Kur Zoti, Perëndia yt, të të sjellë në tokën, për të cilën iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut, Jakobit, se do të ta japë ty; kur të të sjellë në qytete të mira e të mëdha, që nuk i ke ndërtuar vetë, 11 në shtëpi plot me të mira, për të cilat nuk ke punuar vetë, në puse, që nuk i ke hapur vetë, në vreshta e ullishta që nuk i ke mbjellë vetë dhe kur të kesh për të ngrënë sa të ngopesh, 12 kujdes se mos harron Zotin që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë. 13 Zotin, Perëndinë tënd, do të druash, atij do t'i shërbesh e në emër të tij do të betohesh. 14 Mos shkoni pas perëndive të tjerë, pas perëndive të popujve që janë përreth jush, 15 sepse Zoti, Perëndia yt, që është në mesin tënd, është Perëndi xheloz. Ai do të zemërohet me ty e do të të shfarosë prej faqes së dheut.
16 Mos e tundoni Zotin, Perëndinë tuaj, siç vepruat në Masë. 17 Mbajini me kujdes urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe dëshmitë e rregullat që ju dha. 18 Bëj çka është e mirë dhe e drejtë para Zotit, që të të shkojë mbarë e që të pushtosh tokën e mirë për të cilën Zoti iu betua etërve të tu, 19 duke i zbuar armiqtë e tu, siç tha Zoti.
20 Kur, në të ardhmen, të të pyesë yt bir: “Çfarë kuptimi kanë dëshmitë, rregullat e vendimet që ju urdhëroi Zoti, Perëndia ynë?”, 21 atëherë do t'i thuash: “Ne ishim skllevër të faraonit në Egjipt dhe Zoti na nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme. 22 Ai bëri para syve tanë shenja e mrekulli të mëdha e të tmerrshme kundër Egjiptit, kundër faraonit e kundër gjithë shtëpisë së tij. 23 Na nxori prej andej, që të na sillte e të na jepte tokën për të cilën iu betua etërve tanë. 24 Zoti na urdhëroi t'i zbatojmë të gjitha këto rregulla e ta druajmë Zotin, Perëndinë tonë, që të na shkojë mbarë jeta e të na mbajë gjallë, sikurse jemi sot. 25 Nëse e zbatojmë me kujdes tërë këtë ligj para Zotit, Perëndisë tonë, ashtu siç na urdhëroi, atëherë do të jemi të drejtë”».
1 Edhe këto (janë) porositë, e urdhërimetë, e gjyqetë që urdhëroi Zoti Perëndia juaj, t’u mësonj juve, për të bërë nd’ atë dhe që hyni për të trashëguar’ atë, 2 që t’i kesh frikë Zotit Perëndisë tënt, që të ruajsh gjith’ urdhërimet’ e atij, e porosit’ e atij, që po të urdhëronj unë, ti edhe yt-bir, edhe i biri i t’yt-bir, gjithë dit e jetësë s’ate, që të bënesh ditë-gjatë. 3 Dëgjo pra, o Israil, edhe mba vesh t’i bëjsh, që të jesh ditë-bardhë, edhe të shumonesh fort, sikundrë t’u zotua Zoti Perëndia i atëret tu, nd’ atë dhe që rrieth klumësht e mjaltë. 4 Pa dëgjo, o Israil: Zoti Perëndia ynë është një Zot. 5 Edhe të duash Zonë Perëndinë tënt me gjithë zemërënë tënde, e me gjithë shpirtinë tënt, e me gjithë fuqinë tënde. 6 Edhe këto fialë që po t’urdhëronj unë sot, do të jenë ndë zëmërët tënde; 7 edhe do t’ua mësonjç me kujdes djemvet tu, edhe do të flaç për ato kur të rish ndë shtëpit tënde, e kur të ecënjç mb’ udhë, e kur të biesh të flesh, e kur të sgjonesh. 8 Edhe do t’i apsh ato për shenjë mbi dorët tënde, edhe do të jetë përpara sysh tu posi një kafshë varë mbë ballt. 9 Edhe do t’i shkruajsh ato mbi shtyllat të shtëpisë s’ate, e mbi dyert të tua.
10 Edhe Zoti Perëndia yt kur të bierë ty nd’ atë dhe që u përbetua atëret tu, Avraamit, e Isaakut, e Jakovit, që t’apë ty qytete të mëdhenj e të mirë, që nuk’ i ke ndërtuarë, 11 edhe shtëpi plot me gjithë të miratë, që nuk’ i ke mbushurë, edhe pusa të hapurë, që nuk’ i ke hapurë, vëreshtë e ullishta, që nuk’ i ke vënë, si të hash e të nginjesh, 12 ki mëntë, mos harrojsh ndonjëherë Zotinë që të nxori nga dheu i Egjyftërisë, nga shtëpia e shërbesësë. 13 T’i kesh frikë Zotit Perëndisë tënt, edhe t’i lutesh atij, edhe të përbetonesh mb’ emërit t’atij.
14 Mos shkoni prapa perëndive të tierë, nga perëndit’ e kombavet që u qerthëllonjënë juve, 15 (sepse Zoti Perëndia yt është Perëndi zëlitar ndë mest t’at) që të mos dhizetë zëmërimi i Zotit Perëndisë tënt kundrë teje, e të të shuanjë nga faqeja e dheut. 16 Mos ngitni Zonë Perëndinë tuaj, sikundrë e ngatë ndë Massah.
17 Të ruani me kujdes porosit’ e Zotit Perëndisë tuaj, e deshmimet’ e atij, e urdhërimet’ e atij, që të urdhëroi ty. 18 Edhe të bënjç të dëreitën’ e të mirënë përpara Zotit, që të jesh ditë-bardhë, e të hynjç, e të trashëgonjç atë dhen’ e mirë, që u përbetua Zoti atëret tu, 19 që të dëbonjë gjith’ arëmiqt’ e tu përpara teje, sikundrë foli Zoti.
20 Kur të të pyesë yt-bir motinë që vien, e të thotë: Ç’ janë deshmimetë, e urdhërimetë, e gjyqetë, që u urdhëroi juve Zoti Perëndia ynë? 21 Atëherë i ke për të thënë t’yt-bir: Ishim shërbëtorët’ e Faraonit ndë Egjyftëri, edhe Zoti na nxori nga Egjyftëria me dorë të fortë; 22 edhe Zoti na dëfteu shenje e çudi, të mëdha e të fështira, ndë Egjyftëri, mbi Faraonë, edhe mbi të gjithë shtëpin’ e atij, përpara syvet t’anë. 23 Edhe na nxori andej, që të na shtierë, e të na apë atë dhenë që u përbetua atëret t’anë. 24 Edhe Zoti na urdhëroi të bëjmë gjithë këto urdhërime, t’i kemi frikë Zotit Perëndisë t’ënë, që të jemi ditë-bardhë përherë, që t’u ruanjë juve të gjallë, posi ditën’ e sotme. 25 Edhe do të jetë dëreitëri ndër ju, ndë paçim mënt të bëjmë gjithë këto porosi përpara Zotit Perëndisë t’ënë, sikundrë na urdhëroi.