Letra e ndarjes
1 «Kur një burrë martohet me një grua e ajo nuk i pëlqen më, sepse zbulon diçka të turpshme, t'i shkruajë fletëndarjen, t'ia japë në dorë, ta dëbojë nga shtëpia 2 e ajo të ikë prej tij. Nëse ajo martohet me dikë tjetër, 3 por edhe bashkëshorti i dytë i shkruan fletëndarjen, ia jep në dorë dhe e dëbon nga shtëpia, ose ai vdes, 4 atëherë bashkëshorti i parë, që e dëboi në fillim, nuk mund ta marrë sërish për grua, sepse ajo është përdhosur. Kjo gjë është e neveritshme para Zotit. Mos e përdhos tokën që po të jep si trashëgimi Zoti, Perëndia yt.
Rregulla të ndryshme
5 I sapomartuari nuk do të shkojë në ushtri e nuk do ketë asnjë detyrim. Ai do të jetë i lirë në shtëpinë e vet për një vit, që ta gëzojë gruan që mori.
6 Askush të mos marrë peng mokrën e as gurin e sipërm të saj, sepse kështu merr peng jetën e tjetrit.
7 Nëse dikush rrëmben vëllanë izraelit, e trajton si skllav apo e shet, ky keqbërës të dënohet me vdekje. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt.
8 Ki shumë kujdes gjatë lebrës. Vepro siç do të të mësojnë priftërinjtë levitë. Mbajini të gjitha urdhërimet që u urdhërova priftërinjve. 9 Mbaj mend se çfarë i bëri Zoti, Perëndia yt, Mirjamës rrugës kur po dilnit nga Egjipti.
10 Kur t'i japësh hua tjetrit, mos i shko në shtëpi për t'ia marrë pengun. 11 Prit jashtë e atje huamarrësi do të ta sjellë pengun. 12 Nëse ai është i varfër, mos ia mbaj pengun gjatë natës. 13 Ktheja menjëherë në të perënduar, që ai të shtrihet në rrobën e vet e të të bekojë. Kjo do të të bëjë të drejtë para Zotit, Perëndisë tënd.
14 Mos e shfrytëzo mëditësin e varfër e nevojtar, as izraelitin e as të huajin që banon në një nga qytetet e tua. 15 Jepja përditë pagën, përpara se të perëndojë dielli, sepse është i varfër e me të mbahet gjallë, që ai të mos e thërrasë Zotin kundër teje e ti të biesh në mëkat.
16 Mos i dëno me vdekje etërit për faj të fëmijëve e as fëmijët për faj të etërve. Secili do të dënohet me vdekje për fajin e vet.
17 Mos ia shtrembëro të drejtën të ardhurit jetim. Mos ia merr peng rrobën të vesë. 18 Mos harro se edhe ti ishe skllav në Egjipt e Zoti, Perëndia yt, të çliroi prej andej, prandaj unë po të urdhëroj që të bësh kështu.
19 Kur të korrësh arën, nëse harron ndonjë dorëz, mos u kthe ta marrësh. Lëre për të ardhurin, jetimin e të venë, që Zoti, Perëndia yt, të bekojë çdo vepër të duarve të tua. 20 Kur t'i shkundësh ullinjtë nga pema, mos këput çfarë mbetet nëpër degë. Lëri për të ardhurin, jetimin e të venë. 21 Kur të vjelësh vreshtin, mos i mblidh vilet e mbetura. Lëri për të ardhurin, jetimin e të venë. 22 Kujtohu se edhe ti ishe skllav në tokën e Egjiptit, prandaj edhe unë po të urdhëroj që të bësh këtë gjë».
1 Kur të marrë ndonjë njeri grua, edhe të martonetë, edhe të koditnjë të mos i duket’ e hieshëme ndër syt t’ atij, sepse gjeti tek ajo ndonjë gjë të shëmtuarë, atëherë le t’i shkruanjë asaj kartë ndarëje, edhe le t’ja apë ndë dorë, edhe le ta dëbonjë nga shtëpia e tij. 2 Edhe ajo si të ikënjë nga shtëpia e atij, munt të venjë e të martonetë me tietërë burr. 3 Edhe ndë e mërzittë atë i dyti burr, e t’i shkruanjë asaj kartë ndarëje, e t’ja apë ndë dorë, edhe ta dëbonjë atë nga shtëpia e tij, a ndë vdektë burri i dytë, që e pat marrë për grua, 4 i pari burri i asaj që e pat lëshuarë s’munt ta marrë atë prap për grua, passi u pëgë, sepse ësht’ e ndyrë përpara Zotit; edhe të mos biesh fal mb’ atë dhe, që po t’ep Zoti Perëndia yt për të trashëguarë.
5 Ndë pastë marrë grua ndonjë njeri rishtazi, të mos dalë ndë luftë, edhe të mos i ngarkonetë gjë atij, po të jet’ i lirë ndë shtëpi të tij një vit, edhe të gëzonjë gruan’ e tij që mori.
6 Të mos marrë ndonjë (njeri) për penk gur mulliri, as të siprëminë as të poshtrinë, sepse merr jetë për penk.
7 Ndë u zëntë ndonjë (njeri) tuke viedhë ndonjë vetë nga të vëllezërit’ e tij prej së bijsh Israilit, edhe ta skllavosë atë e ta shesnjë, atëherë ky viedhësi të vritetë; edhe të shuajsh të keqenë nga mezi yt.
8 Kij kujdes plagësë krromësë, të ruajsh me kujdes, e të bënjç gjithë sa të mësonjënë priftëritë Levitëtë, sikundrë i urdhërova ata, të kini kujdes të bëni. 9 Kujtohu ç’i bëri Mariamësë Zoti Perëndia yt mb’ udhë, si dualltë nga Egjyftëria.
10 Kur t’i huajsh ndonjë gjë t’afërmit tënt, të mos hynjç ndë shtëpit t’atij për të marrë pengun’ e atij; 11 të qëndrojsh jashtë, edhe ay njeriu që i huan do të bierë ty pengunë. 12 Edhe njeriu ndë ësht’ i vobegëtë, të mos fleç me pengun’ e atij; 13 me të vërtesë t’ja apsh pengunë mbë të perënduarët të diellit, edhe të flerë ndë rrobët të tij, edhe do të bekonjë, edhe do të jetë dëreitëri për ty përpara Zotit Perëndisë tënt.
14 Të mos ja bëjsh paudhë punëtorit, të vobegut e të nevolëshëmit, nga t’ët-vëllezër, a nga të huajët’ e tu ndë dhet tënt, përbrënda dyeret tua. 15 Atë ditë t’i apsh pagën’ atij, pa perënduarë dielli mb’ atë, sepse ësht’ i vobek, edhe ka shpëresënë mb’ atë, që të mos i klëthasë Zotit kundrë teje, e të zihetë për fal.
16 Atëritë të mos vritenë për djemt, as djemtë të mos vritenë për atërit, i si cili të vritetë për falin’ e tij. 17 Mos ja bëjsh shtrëmbëtë të huajit, të varfërit, as mos marrsh rrobën’ e së vesë për penk, 18 po të kujtonesh se ke qënë shërbëtuar ndë Egjyftëri, edhe Zoti Perëndia yt të shpërbleu së atejmi, përandaj unë po të urdhëronj të bënjç këtë punë.
19 Kur të korrsh të korrëtë t’at nd’ arët tënde, edhe të harronjç ndonjë dorëzë nd’ arët, të mos kthenesh ta marrsh: le të jetë për të huajinë, e për të varfërinë, e për të venë, që të të bekonjë Zoti Perëndia yt ndër gjithë punët të duaret tua. 20 Si të shkunç ullinjtë, të mos përkoqsh përsëri degatë: le të jetë për të huajinë, e për të varfërinë, e për të venë. 21 Si të vielç vëreshtinë tënt, mos e përkoqsh përsëri: le të jetë për të huajinë, e për të varfërinë, e për të venë.
22 Edhe të kujtonesh se ke qënë shërbëtuar ndë dhet të Egjyftërisë, përandaj unë po të urdhëronj të bënjç këtë punë.