Udhëtimi në shkretëtirë
1 «Atëherë u kthyem, u nisëm drejt shkretëtirës, udhës së detit të Kuq, siç më tha Zoti, dhe u sollëm për një kohë të gjatë përreth malit Seir. 2 Pastaj Zoti më tha: 3 “Mjaft u sollët përreth këtij mali. Kthehuni në drejtim të veriut 4 e urdhëroje popullin të kalojë nëpër tokën e pasardhësve të Esaut, vëllezërve tuaj, që banojnë në Seir. Ata do t'ju kenë frikë, por kini shumë kujdes. 5 Mos i ngucni, sepse nuk do t'ju jap asnjë pëllëmbë tokë nga vendi i tyre. Malin e Seirit ia kam dhënë për pronë Esaut. 6 Blijeni prej tyre bukën që hani e ujin që pini. 7 Zoti, Perëndia yt, ka bekuar çdo vepër të duarve të tua. Ai të ka përcjellë në çdo udhëtim nëpër këtë shkretëtirë të madhe. Gjatë këtyre dyzet vjetëve, Zoti, Perëndia yt, ka qenë me ty dhe asgjë nuk të ka munguar”.
8 Kështu i kaluam pasardhësit e Esaut, vëllezërit tanë, që banonin në Seir, duke lënë pas udhën e Arabahut, Ejlatin dhe Ecjon Geberin. Pastaj u kthyem në drejtim të shkretëtirës së Moabit. 9 Atëherë Zoti më tha: “Mos iu kanos Moabit e mos e nguc me luftë, se nuk do të të jap asgjë prej tokës së tyre. Arin ua kam dhënë për pronë pasardhësve të Lotit”.
10 Më parë aty jetonin emitët, një popull i fuqishëm, i madh e shtatlartë si anakitët. 11 Edhe refaitët njiheshin si anakitë, por moabitët i quanin emitë. 12 Në Seir banonin më parë horitët, por pasardhësit e Esaut i dëbuan e i zhbinë dhe tani banojnë në vend të tyre, ashtu siç bëri Izraeli me tokën që Zoti i dha për pronë.
13 Zoti vijoi: “Tani, ngrihuni e kalojeni luginën e Zeredit”. Dhe ne kështu vepruam. 14 Udhëtimi nga Kadesh Barnea derisa kaluam luginën e Zeredit zgjati tridhjetë e tetë vjet, aq sa u zhduk nga fushimi tërë breznia e luftëtarëve, ashtu siç Zoti u ishte betuar. 15 Vërtet, Zoti ngriti dorë kundër tyre për t'i shfarosur nga fushimi derisa morën fund.
16 Si u zhdukën tërë luftëtarët prej mesit të popullit, 17 Zoti më tha: 18 “Sot do të kalosh përmes Arit, përtej kufijve të Moabit. 19 Do t'u afrohesh amonitëve e do t'u dalësh përballë. Mos iu kanos e mos i nguc, se nuk do të ta jap për pronë tokën e amonitëve. Këtë vend ua kam dhënë për pronë pasardhësve të Lotit”.
20 I njëjti vend njihej si toka e refaitëve, të cilët banonin më parë aty. Amonitët i quanin ata zamzumitë. 21 Ishin një popull i fuqishëm, i madh e shtatlartë si anakitët. Zoti i zhbiu, që amonitët t'i dëbonin dhe të banonin në vend të tyre, 22 ashtu siç bëri për pasardhësit e Esaut që banojnë në Seir. Ai i zhbiu horitët, që pasardhësit e Esaut t'i dëbonin e të banonin në vend të tyre gjer më sot. 23 Edhe avitët, banorët e rrethinave pranë Gazës, u zhbinë prej kaftoritëve nga Kaftori, të cilët tani banojnë në vend të tyre.
24 Zoti vijoi: “Ngrihuni, nisuni e kalojeni luginën e Arnonit. Ja, ta kam dorëzuar Sihonin, mbretin amorit të Heshbonit dhe vendin e tij. Fillo ta pushtosh e nguce me luftë. 25 Sot, do të bëj të kenë frikë e tmerr prej teje tërë popujt nën qiell. Kushdo që dëgjon për ty do të dridhet e tmerrohet prej teje”.
Mbreti i Sihonit
26 Atëherë dërgova te Sihoni, mbreti i Heshbonit, disa lajmëtarë nga shkretëtira e Kedmotit e me fjalë paqeje i thashë: 27 “Më lër të kaloj përmes tokës sate. Do të eci rrugës kryesore e nuk do të shmangem as djathtas, as majtas. 28 Ma shit bukën që ha e ujin që pi, vetëm më lër të kaloj, 29 siç më lanë pasardhësit e Esaut, banorët e Seirit, dhe mobaitët, banorët e Arit, që të mbërrij në tokën përtej Jordanit, të cilën po na e jep Zoti, Perëndia ynë”. 30 Por, Sihoni, mbreti i Heshbonit, nuk deshi të na linte të kalonim, se Zoti, Perëndia yt, ia ngurtësoi shpirtin e zemrën, për të ta dorëzuar, siç është gjer më sot.
31 Zoti më tha: “Ja, fillova të ta dorëzoj Sihonin e tokën e tij. Fillo ta pushtosh e ta zaptosh tokën e tij!”. 32 Atëherë Sihoni, bashkë me gjithë popullin, na doli përpara në Jahac, që të ndeshej me ne. 33 Zoti, Perëndia ynë, na e dorëzoi dhe ne i ramë atij, bijve të tij dhe tërë popullit të tij. 34 Asokohe i zumë të gjitha qytetet e tij dhe i shfarosëm të gjithë, me burra, gra e fëmijë. Nuk lamë gjallë askënd, 35 përveç kafshëve që zumë dhe presë që plaçkitëm prej qyteteve. 36 Që nga Aroeri, që është buzë luginës së Arnonit, përfshirë edhe luginën vetë, deri në Gilead, nuk pati asnjë qytet që të ishte tepër i fortë për ne. Zoti, Perëndia ynë, na i dorëzoi të gjitha. 37 Por, ti nuk e preke tokën e amonitëve, krahinën përgjatë luginës së Jabokut, qytetet e malësisë dhe asnjë qytet tjetër që na e ndaloi Zoti, Perëndia ynë».
1 Atëherë u kthyem, e bëm udhë ndë shkretëtirët ndëpër udhët të Detit Kuq, sikundrë më foli Zoti; edhe silleshim përqark malit Seir shumë dit. 2 Edhe Zoti më foli, e më tha: 3 U sualltë mjaft përqark këtij mali, kthehi nga an’ e borësë, edhe urdhëro gjëndëjenë e i thuaj: 4 Do të shkoni ndëpër sinoret të vëllezëret tuaj të bijet Isafit, që rrinë ndë Seir: edhe do t’u kenë frikë; 5 edhe mbani vesh mirë: mos luftoni bashkë me ata: sepse s’u kam për të dhënë juve nga dheu i atyre as sa shkel sholla e këmbësë, sepse ja kam dhënë Isafit malin’ e Seirit për trashëgim. 6 Do të blini të ngrëna nga ata me argjënt, që të hani, po edhe ujë do të blini nga ata me argjënt, që të pini, 7 sepse Zoti Perëndia yt bekoi gjithë punët’ e duaret tua, njeh udhënë tënde ndëpër këtë shkretëtirë të madhe; këta dyzet viet Zoti Perëndia yt ish bashkë me ty, nukë t’u shter gjë.
8 Edhe si shkuam ndëpër vëllezërit t’anë ndër të bijt’ e Isafit, që rrininë ndë Seir, ndëpër udhët të fushësë nga Ellathi, e nga Ezion-gaberi, u kthyem, e shkuam ndëpër udhët të shkretëtirësë Moabit. 9 Edhe Zoti më tha: Mos nga Moabitëtë, as mos bën luftë bashkë me ata, sepse s’të kam për të dhënë nga dheu i atyre për trashëgim, sepse ja kam dhënë Arinë të bijet Llotit për trashëgim; 10 (edhe më përpara rrininë nd’ atë Emimëtë, gjëndëje e madhe edhe e shumë, edhe e gjatë ndë shtat posi Anaqimëtë, 11 që njiheshin’ edhe ata gjigantë, posi Anaqimëtë, po Moabitët’ i kluanin’ Emimë. 12 Edhe ndë Seir rrininë Horimëtë më përpara, po të bijt’ e Isafit i trashëguan’ ata, edhe i shuanë përpara sysh atyre, edhe ndenjnë ndë vënt t’atyre, sikundrë bëri Israili ndë dhet të trashëgimit tij që ua dha Zoti). 13 U ngrittë pra, edhe kapërcyetë përruan’ e Zeredit. Edhe kapërcyem përruan’ e Zeredit.
14 Edhe dit, që bëm udhë nga Kadesh-barni, gjersa kapërcyem përruan’ e Zeredit, ishinë tri-dhiet’ e tetë viet, gjersa u shua gjithë brezi i burravet luftëtarë nga mezi i ushtërisë, sikundrë u përbetua atyre Zoti. 15 Po dor’ e Zotit ish mbi ata, për të prishur’ ata nga mezi i ushtërisë, gjersa s’mbetnë më.
16 Edhe passi s’mbetnë më gjithë burratë luftëtarë, tuke vdekurë nga mezi i gjëndëjesë, 17 Zoti më foli, e më tha: 18 Ti do të kapëtonjç sot Arinë, sinorin’ e Moabit, edhe do t’afronesh kundrej të bijet Ammonit; 19 mos i nga ata, as mos lëftonjç bashkë me ata, sepse s’të kam për të dhënë nga dheu i të bijet Ammonit për trashëgim, se ua dhash’ atë të bijet Llotit për trashëgim, 20 (po ay vënt njihej i Gjigantëvet, Gjigantë rrinin’ atie përpara, edhe Ammonitët’ i kluanin’ ata Zammzumimë: 21 gjëndëj’ e madhe, edhe e shumë, edhe e gjatë (ndë shtat), posi Anaqimëtë; po Zoti i prishi ata përpara sysh atyre, edhe ata i trashëguanë, edhe ndenjnë ndë vënt t’atyre; 22 sikundrë ua bëri të bijet Isafit që (rrininë) ndë Seir, kur prishi Horimëtë përpara sysh atyre, edhe i trashëguan’ ata, edhe ndenjnë ndë vënt t’atyre gjer mbë këtë ditë. 23 Edhe Avimëtë që rrininë ndër fshatra gjer ndë Gazë, Kaftorimëtë, që duallë nga Kaftori; i prishnë ata, edhe ndenjnë ndë vënt t’atyre.)
24 Ngrihi, e ikni, e kapërceni lumin’ e Arnonit; na tek ta dhashë ndë dorë Sihon Amoritnë, mbëretin’ e Heshbonit, edhe dhen’ e atij; zërë ta pushtonjç, edhe lëfto bashkë me atë. 25 Sot do të zë t’u shtie dridhëjenë tënde e frikënë tënde kombavet që janë ndënë gjithë qiellnë, të cilëtë kur të dëgjonjën’ emërinë tënt, do të dridhenë, e do të bienë ndë shtrëngatë për punët tënde.
26 Edhe dërgova të lajmë nga shkretëtira e Qedemothit te Sihoni, mbëreti i Heshbonit, me fialë të paqshime, tuke thënë: 27 Le të shkonj ndëpër dhet t’at, kam për të shkuarë dërejt’ udhësë, nukë do të prirem mbë të diathtë a mbë të mëngjërë; 28 ke për të më shiturë të ngrëna për të ngrënë me argjënt, edhe ke për të më dhënë ujë për të pirë me argjënt; vetëmë kam për të shkuarë me këmbët’ e mia, 29 (sikundrë ma bënë të bijt’ e Isafit që rrinë ndë Seir, edhe Moabitëtë që rrinë ndë Ar,) gjersa të kapërcenj Jordhaninë, nd’ atë dhe që na ep Zoti Perëndia ynë.
30 Edhe Sihoni mbëreti i Heshbonit nukë desh të shkonim ndëpër dhet t’atij, sepse Zoti Perëndia yt i ashpëroi frymënë, edhe i nguroi zemërënë, që ta epte ndë duart të tua, posi këtë ditë.
31 Edhe Zoti më tha: Na tek zura të ap ndë dorë Sihonë edhe dhen’ e atij përpara teje, zërë të pushtojsh, që të trashëgojsh dhen’ e atij.
32 Atëherë na duall përpara Sihoni, ay edhe gjithë gjëndëj’ e atij, për të lëftuarë ndë Jahas. 33 Edhe Zoti Perëndia ynë na e dha ndë dorë atë përpara nesh, edhe vram atë edhe të bijt’ e atij, edhe gjithë gjëndëjen’ e atij.
34 Edhe pushtuam gjithë qytetet’ e atij atë kohë, edhe prishëm ç’do qytet, burrat’ e grat’ e djemtë, nukë lëm të mbesë asgjë. 35 Vetëmë bagëtitë plaçkitëm për vetëhenë t’onë, edhe plaçkat’ e qytetevet që pushtuam. 36 Që nga Aroeri, ndaj buzën’ e lumit Arnonit, edhe që nga qyteti ndaj luminë, edhe gjer ndë Gilead, nukë qe i zoti ndonjë qytet të na qëndronte: Zoti Perëndia ynë na i dha ndë dorë ato të gjitha përpara nesh. 37 Vetëmë ndë dhet të bijet Ammonit nuk’ u afrove, as ndëpër vëndet të lumit Javokut, as (ndëpër) qytetet të malësisë, as (mbë) ndonjë tietërë vënt, që nukë na la Zoti Perëndia ynë.