Fjalimi i parë
1 Këto janë fjalët që Moisiu i tha tërë Izraelit kur ishin përtej Jordanit, në shkretëtirë, në Arabah, kundruall Sufit, midis Paranit, Tofelit, Labanit, Hacerotit dhe Di Zahabit. 2 Udhëtimi prej Horebit deri në Kadesh Barne zgjat njëmbëdhjetë ditë, nëse i bie nga mali i Seirit. 3 Pas dyzet vjetësh, në ditën e parë të muajit të njëmbëdhjetë, Moisiu i tha Izraelit gjithçka urdhëroi Zoti për ta. 4 Kjo ndodhi pasi mundi Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon, dhe pasi mundi në Edrej Ogun, mbretin e Bashanit, që banonte në Ashtarot . 5 Kur ishin përtej Jordanit, në tokën e Moabit, Moisiu filloi të shtjellojë këtë ligj: 6 «Zoti, Perëndia ynë, na tha në malin Horeb: “Mjaft qëndruat në këtë mal. 7 Kthehuni, nisuni e hyni në malësinë e amoritëve dhe në krahinat fqinje, në Arabah, në malësi, në Shefelah, në Negev e në bregdet, në tokën e Kanaanit e të Libanit, deri te lumi i madh Eufrat. 8 Ja, jua kam vënë përpara vendin. Hyni dhe pushtoni tokën që Zoti iu betua t'ua japë etërve tuaj, Abrahamit, Isakut, Jakobit dhe pasardhësve të tyre”.
9 Asokohe ju thashë: “Nuk mund t'ju prij vetëm. 10 Zoti, Perëndia juaj, ju ka shumuar dhe sot, ja ku jeni, të shumtë sa yjet e qiellit. 11 Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju shtoftë edhe një mijë herë më shumë e ju bekoftë siç ju ka premtuar, 12 por si do t'i përballoj i vetëm peshën, barrën dhe zënkat tuaja? 13 Zgjidhni, pra, për çdo fis, burra të urtë, të zgjuar e të dijshëm, që t'jua caktoj si krerë”. 14 E ju m'u përgjigjët: “Mirë thua!”. 15 Atëherë i mora krerët e çdo fisi, burrat e urtë e të dijshëm, dhe i vura në krye si prijës të një mijë, të njëqind, të pesëdhjetë e të dhjetë vetave dhe si mbikëqyrës të fiseve. 16 Asokohe i urdhërova gjykatësit: “Dëgjojini vëllezërit tuaj e gjykojini me drejtësi, ata dhe të ardhurit mes tyre. 17 Mos mbani anën e askujt. Dëgjojeni si të voglin, edhe të madhin. Mos kini frikë askënd, sepse gjykimi i përket Perëndisë. Çështjet e vështira paraqitini tek unë e unë do t'i dëgjoj”. 18 Asokohe ju urdhërova gjithçka që duhet të bëni.
Vrojtuesit e tokës
19 Pastaj u nisëm nga Horebi, siç na urdhëroi Zoti, Perëndia ynë, dhe përshkuam tërë atë shkretëtirë të madhe e të tmerrshme, që patë rrugës së malësisë së amoritëve, derisa arritëm në Kadesh Barne. 20 Atëherë ju thashë: “Keni mbërritur në malësinë e amoritëve që po na jep Zoti, Perëndia ynë. 21 Ja, Zoti, Perëndia yt, ta ka vënë përpara tokën. Ngrihu e pushtoje siç të tha Zoti, Perëndia i etërve të tu. Mos ki frikë e mos u tremb!”.
22 Të gjithë ju m'u afruat e më thatë: “Të dërgojmë më parë disa njerëz, që të vëzhgojnë tokën, për të na treguar udhën nëpër të cilën do të ngjitemi dhe qytetet ku do të shkojmë”. 23 Kjo m'u duk gjë e mirë, prandaj zgjodha prej jush dymbëdhjetë veta, nga një për çdo fis. 24 Këta u nisën, iu ngjitën maleve dhe, si mbërritën në luginën e Eshkolit, e përgjuan. 25 Pastaj mblodhën disa fruta të tokës atje, që i sollën me vete, e na sollën këtë lajm: “Toka që po na jep Zoti, Perëndia ynë, është tokë e mirë”.
26 Por ju nuk deshët të shkonit e ngritët krye kundër urdhrit të Zotit, Perëndisë tuaj. 27 Murmuritët në tendat tuaja e thatë: “Zoti na urren, prandaj edhe na nxori nga toka e Egjiptit, për të na dorëzuar te amoritët, që të na zhbijnë. 28 Ku të ngjitemi? Vëllezërit na e futën frikën, duke thënë: populli i tyre është më i madh e më shtatlartë se i yni. Qytetet janë të mëdha e të fortifikuara deri në kupë të qiellit, madje atje vumë re edhe pasardhësit e anakitëve”. 29 Unë ju thashë: “Mos u tmerroni e mos kini frikë prej tyre! 30 Zoti, Perëndia juaj, që ju prin, ai vetë do të luftojë për ju ashtu siç bëri gjithçka për ju në Egjipt 31 e në shkretëtirë, ku patë sesi Zoti, Perëndia juaj, ju mbarti si fëmijë përgjatë gjithë udhës që ndërmorët derisa mbërritët në këtë vend”. 32 Megjithatë, ju nuk i zutë besë Zotit, Perëndisë tuaj, 33 atij që ju prin udhës për t'ju gjetur vendfushim, që natën ju prin me zjarr e ditën me re për t'ju treguar udhën që duhet të ndiqni.
Dënimi
34 Kur Zoti jua dëgjoi zërin, u zemërua e u betua: 35 “Asnjëri prej kësaj breznie të mbrapshtë nuk ka për ta parë tokën e mirë, që u betova t'ua jepja etërve tuaj, 36 përveç Kalebit, birit të Jefunehut. Ai ka për ta parë. Atij e pasardhësve të tij do t'ia jap tokën që shkeli me këmbë, se i qëndroi besnik Zotit”. 37 Zoti u zemërua edhe me mua për shkakun tuaj e më tha: “As ti nuk ke për të hyrë atje! 38 Jozuehu, biri i Nunit, që të shërben, ka për të hyrë. Jepi zemër, se ai do t'ia japë tokën si trashëgimi Izraelit. 39 Edhe të vegjlit tuaj, për të cilët thatë se do të zihen rob, do të hyjnë bashkë me fëmijët tuaj, që nuk dinë ende të ndajnë të mirën nga e keqja. Atyre do t'ua jap vendin e ata do ta pushtojnë. 40 Ndërsa ju, kthehuni e nisuni drejt shkretëtirës, udhës së detit të Kuq”.
41 Atëherë ju m'u përgjigjët e më thatë: “Mëkatuam kundër Zotit! Do të ngjitemi e do të shkojmë në luftë, siç na urdhëroi Zoti, Perëndia ynë”. Kështu, të gjithë ngjeshët armët e luftës dhe, me mendjelehtësi, iu ngjitët malësisë. 42 Por Zoti më tha: “Thuaju të mos ngjiten e të mos shkojnë në luftë, sepse unë nuk jam mes tyre, prandaj dhe do të munden nga armiqtë”. 43 Unë jua thashë, por ju nuk dëgjuat. Kështu, ngritët krye kundër Zotit e, me kryeneçësi, iu ngjitët malësisë. 44 Atëherë amoritët, malësorët e vendit, dolën për t'u ndeshur. Ju vërsulën si një tufë bletësh e ju shpartalluan nga Seiri deri në Hormah. 45 Pastaj u kthyet e vajtuat para Zotit, por ai nuk ju dëgjoi e as i vuri vesh vajtimit tuaj. 46 Kështu, ndenjët në Kadesh për një kohë të gjatë».
1 KËTO (janë) fialëtë që i foli Moisiu gjith’ Israilit, mbë-kët’-anë Jordhanit ndë shkretëtirët, ndë fushët kundrej (Detit) Kuq, ndë mest Paranit, e Tofelit, e Llabanit, e Hazerothit, e Dizahabit.
2 Një-mbë-dhietë dit (lark është) nga Horebi, prej udhësë malit Seirit, gjer ndë Kadesh-barni. 3 Edhe të dyzetinë vit, të një-mbë-dhietinë muaj, të parënë (ditë) të mojit, u foli Moisiu të bijet Israilit, për gjithë sa e urdhëroi Zoti për ata; 4 passi vrau Sihonë mbëretin’ e Amorejvet, i cili rrinte ndë Heshbon, edhe Ogunë mbëretin’ e Bashanit, i cili rrij ndë Astaroth ndë Edrei. 5 Mbë-kët-anë Jordhanit, ndë dhe të Moabit, Moisiu zuri të rrëfente këtë nom tuke thënë:
6 Zoti Perëndia ynë na foli ndë Horib, e (na) tha: Kini ndenjurë mjaft ndë këtë mal; 7 kthehi, e mirrni udhënë tuaj, edhe shkoni ndë malt të Amorejvet, edhe ndër gjith’ ata që rrijën’ aty afërë, ndë fushët, ndë malt, e ndë grykët, e nd’ anë të mes-ditësë, e ndë buzët të detit, ndë dhet të Hanaanitëvet, e të Livanit, gjer ndë lum të math, lumin’ e Efratit. 8 Na unë tek u dhashë juve ndë dorë dhenë përpara sysh tuaj: hyni e pushtoni atë dhenë që u përbetua Zoti atëret tuaj, Avraamit, e Isaakut e Jakovit, t’ua apë atyre, edhe farës’ atyre pas atyre,
9 edhe u thashë juve atëherë: Vetëm’ unë nukë munt t’u mbaj juve. 10 Zoti Perëndia juaj u shumoi juve, edhe na sot tek jeni posi yjet’ e qiellit mbë shumicët. 11 Zoti Perëndia i atëret tuaj u bëftë juve një milë herë më tepërë se sa jeni, edhe u bekoftë juve, sikundrë u foli juve! 12 Qysh munt të mbaj unë vetëmë trubullimnë tuaj, e barrënë tuaj, e kundrëfialëtë tuaja? 13 Merrnë njerës t’urtë e të mënçim, e të njohurë ndë mest të faravet tuaja, edhe do t’i vë të parë ata mbi ju. 14 Edhe m’u përgjeqtë, (e më) thatë: E mir’ është fiala që fole, që t’e bëjmë. 15 Atëherë mora krerët’ e faravet tuaja, burra t’ urtë, e të njohurë, edhe i vura të parë mbi ju, krye-milës, e krye-pesëdhietës, e krye-dhietës, e të parë të faravet tuaja. 16 Edhe urdhërova gjukatësitë tuaj atëherë, e u thashë: Dëgjoni ndë mest të vëllezëret tuaj, edhe gjukoni dëreitë ndë mest të njeriut e të vëllait atij e të huajit atij. 17 Kur gjukoni s’kini për të vështruarë ndër sy njeri; do të gjukoni të vogëlinë, posi të madhinë; s’do të druani faqe njeriu, sepse gjyqi ësht’ i Perëndisë: edhe (ç’do) punë që të jetë shum’ e fështirë te ju, të ma thoni mua, edhe unë do ta dëgjonj. 18 Edhe u urdhërova juve atëherë për gjith’ ato që duhej për të bërë.
19 Edhe si u ngritmë nga Horibi, shkuam ndëpër gjith’ atë shkretëtirë të madhe e të frikëshime, që patë, tuke bër’ udhë nga mali i Amorejvet, sikundrë na urdhëroi Zoti Perëndia ynë, edhe erthmë gjer ndë Kadesh-barni. 20 Edhe u thashë juve: Ejani ndë mal të Amorejvet, që po u ep juve Zoti Perëndia juaj. 21 Na Zoti Perëndia yt tek dha ndë dorë dhenë përpara teje: hip, e pushto, sikundrë të foli Zoti Perëndia i atëret tu; mos druaj, as mos u frikëso. 22 Edhe ju të gjithë erthtë tek unë, e më thatë: Le të dërgojmë njerës përpara nesh, edhe le të na përgjonjënë dhenë, edhe le të na tregonjën’ udhënë që duhetë të ngjitemi ndëpër atë, edhe qytetetë që kemi për të vaturë ndër ato. 23 Edhe më pëlqeu fiala, edhe mora prej jush dy-mbë-dhietë burra, një burr për farë. 24 Edhe u kthyenë e u ngjitnë ndë malt, edhe erthnë gjer ndë shpellët të Eshkollit, edhe e përgjuanë. 25 Edhe muarrë ndër duart të tyre prej pemësh dheut, e na i prunë, edhe na dhanë zë tuke thënë: I mir’ është dheu që po na ep Zoti Perëndia ynë.
26 Po ju nukë deshtë të ngjiteshitë, edhe nuk’ i dëgjuat’ urdhërit Zotit Perëndisë tuaj. 27 Edhe murmuruatë ndër tendat tuaja, tuke thënë: Sepse na mërzitte Zoti, (përandaj) na nxori nga Egjyftëria, që të na epte ndë dorë të Amorejvet, që të humbasëmë? 28 Ku po ngjitemi neve? Vëllezëritë t’anë na frikësuanë zemërënë, tuke thënë: Gjëndëja është më e madhe edhe më e lartë se neve; qytetetë janë të mëdhenj, e të thururë me mur gjer ndë qiell, po kemi par’ atie edhe të bijt’ e Anaqimëvet.
29 Edhe un’ u thashë juve: Mos trembi, as mos kini frikë nga ata; 30 Zoti Perëndia juaj, që shkon përpara jush, ay do të lëftonjë për ju, pas të gjithave sa bëri për ju nd’ Egjyftëri përpara sysh tuaj; 31 edhe ndë shkretëtirët, atie tek pe me ç’ mëndyrë të mbajti Zoti Perëndia yt, sikundrë mba njeriu të birrë, ndëpër gjith’ udhënë që ecët, gjersa erthtë ndë këtë vënt. 32 Po ndë këtë (punë) nuk’ i besuatë Zotit Perëndisë tuaj, 33 që shkonte përpara jush nd’ udhët, që t’u gjinte vënt për të ngulur’ ushtërinë, natënë me zjarr, që t’u dëftonte juve atë udhënë që duhej të ecitë, edhe ditënë me renë.
34 Edhe Zoti dëgjoi zën’ e fialëvet tuaja, edhe u zemërua, e bëri be tuke thënë: 35 Asndonjë nga këta njerës të këtij brezi të keq s’ka për të par’ atë dhen’ e mirë që u përbetuashë t’ua ap atëret tuaj, 36 veçe Kalebi i biri i Jefunehut, ky ka për të par’ atë, edhe këtij kam për t’i dhën’ atë dhenë që shkeli, edhe të bijet atij, sepse ky i vate pas Zotit i tërë. 37 Edhe Zoti u zemërua kundrë meje për ju, e më tha: As ti s’ ke për të hyr’ atie; 38 Jisuj i biri i Naviut që rri përpara teje, ky ka për të hyr’ atie; forcoje atë, sepse ay do t’ja ndanjë me shortë Israilit;
39 edhe djemtë tuaj, që thoshitë se i kanë për të bërë plaçkë, edhe bijtë tuaj, që sot nukë njohënë të mirë a të ligë, ata do të hynjën’ atie, edhe atyre do t’ua ap atë, edhe ata do t’e trashëgonjënë. 40 Po ju kthehi e shkoni ndë shkretëtirët, pas udhësë Detit Kuq.
41 Atëherë u përgjeqtë, e më thatë: I fëlyem Zotit; neve do të ngjitemi e do të lëftojmë pas të gjithave sa na urdhëroi Zoti Perëndia ynë, edhe si ngjeshi gjithë-se-cili armët’ e luftësë, ishitë gati për të ngjiturë ndë malt. 42 Edhe Zoti më tha: Thuaju atyre: Mos ngjiti, as mos lëftoni, sepse unë nukë (jam) ndë mest të juve, që të mos thyhi përpara arëmiqet tuaj. 43 Kështu u fola juve, edhe nukë dëgjuatë, po i qëndruatë kundrë urdhërit Zotit, edhe u ngjittë egrëcuarë ndë malt. 44 Edhe duallë Amorejtë, që rrininë nd’ atë mal, që t’u dilinë përpara juve, edhe u ndoqnë juve, si bën bleta, edhe u ranë juve ndë Seir, gjer ndë Hormah.
45 Atëherë u kthyetë e klatë përpara Zotit, po Zoti nuk’ u dëgjoi juve zënë, as nuk’ u mbajti vesh juve. 46 Edhe mbettë ndë Kadesh shumë dit, sa dit që mbettë.