Predikimi në mal
(Mt 5—7)
1 Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal e pasi u ul, iu afruan dishepujt e vet. 2 Atëherë mori fjalën e filloi t'i mësonte kështu:
Lumnitë
(Lk 6.20-23)
3 «Lum të varfrit në shpirt,
se e tyre do të jetë mbretëria e qiejve.
4 Lum ata që vajtojnë,
se do të ngushëllohen.
5 Lum të butët,
se do të trashëgojnë tokën.
6 Lum të uriturit e të eturit për drejtësi,
se do të ngihen.
7 Lum të mëshirshmit,
se do të mëshirohen.
8 Lum zemërdëlirët,
se do të shohin Perëndinë.
9 Lum paqebërësit,
se do të quhen bij të Perëndisë.
10 Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë,
se e tyre është mbretëria e qiejve.
11 Lum ju kur t'ju shajnë e t'ju përndjekin,
të thonë të gjitha të këqijat
kundër jush me gënjeshtra
për shkakun tim.
12 Gëzohuni e ngazëlleni, se shpërblimi juaj do të jetë i madh në qiej.
Kështu përndoqën edhe profetët para jush».
Kripë dhe dritë
(Mk 9.50Lk 14.34-35)
13 «Ju jeni kripa e tokës. Por nëse kripa e humbet shijen, si mund ta rifitojë? Nuk ka më asnjë vlerë, përveçse të hidhet e të shkelet prej njerëzve. 14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal. 15 Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi. 16 Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej».
Ligji i Moisiut
17 «Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t'i shfuqizuar, por për t'i përmbushur. 18 Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë “i” dhe asnjë pikë mbi “i” nuk do t'i hiqet ligjit para se të ndodhë gjithçka. 19 Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, e do t'i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t'i zbatojë e do t'ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve. 20 Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e shkruesve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve».
Zemërimi
21 «Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. 22 Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet , do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në Gehenën e zjarrit. 23 Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. 25 Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. 26 Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».
Tradhtia bashkëshortore
27 «Keni dëgjuar se është thënë: mos bëj tradhti bashkëshortore. 28 Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet. 29 Nëse syri yt i djathtë të bëhet pengesë, nxirre e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në Gehenë. 30 Dhe, nëse dora jote e djathtë të bëhet pengesë, prije e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në Gehenë».
Divorci
(Mt 19.9Mk 10.11-12Lk 16.18)
31 «Është thënë edhe: kushdo që e ndan gruan, duhet t'i japë asaj fletëndarjen. 32 Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».
Betimi
33 «Keni dëgjuar edhe se u qe thënë të parëve: mos bëj betim të rremë, por bëj atë për të cilën je betuar para Zotit. 34 Ndërsa unë po ju them: mos u betoni kurrë. As për qiellin, se është froni i Perëndisë, 35 as për tokën, se është shtroja e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, se është qyteti i mbretit të madh. 36 Mos u beto as për kokën tënde, se as edhe një fije floku nuk mund ta bësh të bardhë a të zezë. 37 Kur të flisni, thoni “po” kur është “po” dhe “jo” kur është “jo”. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu».
Shpagimi
(Lk 6.29-30)
38 «Keni dëgjuar se është thënë: sy për sy e dhëmb për dhëmb. 39 Por unë po ju them: mos hyr në luftë me të ligun! Përkundrazi, nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën. 40 Nëse dikush do që të të hedhë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe gunën. 41 Nëse të kërkon të ecësh një milje, bëj me të dy milje. 42 Jepi atij që të kërkon e mos ia kthe shpinën atij që të kërkon hua».
Dashuria për armiqtë
(Lk 6.27-28, Lk 32-36)
43 «Keni dëgjuar se është thënë: duaje të afërtin, por urreje armikun tënd. 44 Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj e lutuni për ata që ju përndjekin, 45 që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët dhe të bjerë shiu mbi të drejtët e mbi të padrejtët. 46 Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, ç'shpërblim do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? 47 Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç'gjë të veçantë bëni? A nuk bëjnë kështu edhe popujt e kombeve ? 48 Jini, pra, të përsosur, sikurse është i përsosur edhe Ati juaj qiellor».
1 Edhe ay kur pa gjëndëjenë, hipi ndë malt, edhe si ndenji, i erthnë përanë nxënësit’e ati.
2 Edhe atëhere hapi gojën’ e ti, e i mësonte tuke thënë:
3 Lum ata që janë të vobegjitë ndë shpirt; sepse e atyre është mbëretëri’ e qiejevet.
4 Lum ata që bënjënë vajë; sepse ata do të ngushëllonenë.
5 Lum ata që janë të butë; sepse ata do të trashëgonjënë dhenë.
6 Lum ata që kanë uri e et për drejtërinë, sepse ata do të nginjenë.
7 Lum ata që janë të përdëllyershim; sepse ata do të përdëllenenë.
8 Lum ata që kanë zemërë të qëruarë; sepse ata do të shohënë Perëndinë.
9 Lum ata që bënjënë paqtim; sepse ata do të qjuhenë bij Perëndie.
10 Lum ata që ndiqenë për punë drejtërie; sepse e atyreve është mbëretëri’ e qiejevet.
11 Të lumurë jeni ju, kur t’u shpërnderonjën’ e t’u ndiekënë, e të thonë kundrë juve çdo farë fiale të keqe me të rreme për punë time.
12 Gëzohi e gasmohi, sepse paga juaj është e shumë ndë qiejet; sepse kështu ndoqnë edhe profitëritë që qenë përpara jush.
13 Ju jeni kryp’e dheut; po ndë u prishtë krypa, me se do të krypetë? As për farë gjëje s’vëjen më. përveç të hidhetë jashtë, edhe të shkeletë nga njerëzitë.
14 Ju jeni drit’ e botësë. Një qytet që është mbi mal nukë munt të fshihetë.
15 As nukë ndesnjënë kandilinë, edhe e vënë atë ndënë shinikt, po e vënë mbi kandilert, edhe ndrit mbë gjith’ata që janë ndë shtëpit.
16 Kështu le të ndritnjë drita juaj përpara njerëzet, që të shohënë punëtë tuaja të miratë, e të lavduronjën’ Atinë tuaj që është ndë qiejet.
17 Mos kujtoni se erdha të prish nomnë a profitëritë; nuk’ erdha të prish, po të mbush.
18 Sepse me të vërtetë po u them juve, gjersa të shkonjë qielli edhe dheu, një iotë a një pikë nukë do të shkonjë nga nomi, gjersa të bënenë të gjitha.
19 Ay pra që të sgjithnjë një nga këto porosit’ e vogëla, edhe të mësonjë kështu njerëzitë, i vogëlë do të qjuhetë ndë mbëretërit të qiejevet; po ay që të bënjë e të mësonjë, kyj do të qjuhetë i math ndë mbëretërit të qiejevet.
20 Sepse po u them juve, se ndë mos tepëroftë drejtëria juaj më tepërë se shkronjësëvet e Farisevet, nukë do të hyni ndë mbëretërit të qiejevet.
21 Dëgjuatë se u është thënë të moçimëvet: “Mos vraç”, edhe ay që të vrasë, do të jetë fajtuar ndë gjyqt.
22 Po unë po u them juve, se kushdo që zemëronetë kot me të vëllan’ e ti, do të jetë fajtuar ndë gjyqt; edhe ay që t’i thotë të vëllatë: Raka, do të jete fajtuar ndë bashkëndenjiet; edhe ay që t’i thotë: I marrë, do të jetë fajtuar për ndë gjehenë të ziarrit.
23 Ndë prufç pra dhurëtinë tënde ndë theroret, edhe atie kujtone, se yt vëlla diç ka kundrë teje,
24 ler’ atie dhurëtinë tënde përpara theroresë, edhe shko e paqtonu më përpara me tët vëlla, edhe atëhere si të vinjç bierë dhurëtinë tënde.
25 Ndrequ shpejt me kundrë-gjyqësinë tënt, gjersa të jesh mb’udhë bashkë me atë; se kundrë-gjyqësi mos t’ apë ndonjëherë n’dorë të gjyqtarit, edhe gjyqtari të ep n’ndorë të shërbëtorit, e do të hidheç ndë burk.
26 Me të vërtetë po të them tyj: Nukë do të dalç andej, gjersa të paguanjç asprën’ e funçime.
27 Dëgjuatë se u është thënë [të moçimëvet]:
28 “Mos kurvëronjç”. Po unë po u them juve, se kushdo që vë re grua me dëshërim, e ka kurvëruar’ atë ndë zemërët të ti.
29 Edhe ndë të skandhalistë syri yt i diathti, nxire atë e hidhe prej teje; sepse është mirë për tyj të humbasë një nga copat’e trupit tënt, edhe të mos hidhetë gjithë trupi yt ndë gjehenë.
30 Edhe ndë të skandhalistë dora jote e diathta, preje atë, edhe hidhe prej teje; sepse ëshë mirë për tyj të humbasë një nga copat’e trupit tënt, edhe të mos hidhetë gjithë trupi yt ndë gjehenë.
31 Edhe është thënë, se ay që të lëshonjë gruan’e ti, le t’i apë asaj kartën’ e ndarëjesë.
32 Po unë po u them juve, se ay që të lëshonjë gruan’ e ti, veç për fialë kurvërie, e bën atë të kurvëronjë; edhe ay që të marrë grua të ndarë, kurvëron.
33 Përsëri dëgjuatë se u është thënë të moçimëvet: Mos bënjç be me të rreme, po t’apç prapa Zotit bet’ e tua.
34 Po unë po u them juve, të mos bëni be fare; as për qiellinë, sepse është fron’ i Perëndisë,
35 As për dhenë, sepse është vëndi që vë këmbet’e tia; as për Jerusalimnë, sepse është qytet i mbëretit math;
36 As për kryet tat të mos bënjç be, sepse nukë munt të bënjç një qime të bardhë a të zezë.
37 Po le të jetë fiala juaj: Po, po; Jo, jo; sepse e tepëra e këtyreve është nga i ligu.
38 Dëgjuatë se ëshë thënë: “Sy ndë vënt të syrit, edhe dhëmp ndë vënt të dhëmbit”.
39 Po unë po u them juve, të mos i dilni kundrë të ligut; po ay që të bierë tyj një shuplakë nofullës sate së diathtësë, këthej ati edhe tiatrënë.
40 Edhe ay që do të gjykonetë me tyj, e të marrë këmishënë tënde, ler’-i ati edhe rrobënë.
41 Edhe ay që të marrë angari tyj një mil, ecë bashkë me atë dy.
42 Epi ati që lypën prej teje; edhe mos i këthe fialënë mbë nj’anë ati që do të huhetë prej teje.
43 Dëgjuatë se është thënë: “Të duaç të afërminë tënt”, edhe t’i kesh mëri arëmikut tënt.
44 Po unë po u them juve: Doni arëmiqtë tuaj, bekoni ata që u mallëkonjënë juve, bëni mirë atyre që u kanë mëri juve, edhe fali për ata që u bënjënë keq e u ndiekënë juve.
45 Që të bëhi të bijt’ e Atit tuaj që është ndë qiejet, sepse ay bën diellin’ e ti të lintnjë mbi të liq e mbi të mirë, edhe lëshon shinë mbi të drejt’ e mbi të shtrëmburë.
46 Sepse ndë daçi ata që u duanë juve, çfarë page keni? Nukë bënjënë këtë edhe kumerqarëtë?
47 Edhe ndë përshëndeçi vetëmë vëllezëritë tuaj, ç’tepërë bëni? Nukë bënjënë kështu edhe kumerqarëtë?
48 Bëhi pra ju të sosurë, sikundrë Ati juaj që është ndë qiejet ësht’ i sosurë.