Përshëndetje
1 Unë Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit e vëlla i Jakobit, po ju shkruaj juve, të thirrurve në besim, të dashur nga Perëndia Atë e të mbrojtur nga Jezu Krishti: 2 mëshira, paqja e dashuria u shtofshin ndër ju!
Gjykimi i mësuesve të rremë
(2Pj 2.1-17)
3 Fort të dashurit e mi, kisha një dëshirë të madhe t'ju shkruaj për shpëtimin tonë të përbashkët. Tani është e nevojshme t'ju shkruaj e t'ju nxis të luftoni për besimin që Perëndia ua dha të shenjtëve një herë e përgjithmonë. 4 Mes jush kanë hyrë fshehurazi disa njerëz që janë caktuar qëmoti për këtë dënim. Ata janë të pafe që e kthejnë hirin e Perëndisë në fëlligështi dhe mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin sundues e Zot tonin.
5 Ndonëse i dini të gjitha, dua t'ju kujtoj se Zoti, si e shpëtoi popullin e tij një herë e përgjithmonë nga toka e Egjiptit, më pas shkatërroi ata që nuk besonin. 6 Engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e parë dhe lanë banesën e tyre i ka ruajtur në errësirë me pranga të përjetshme për gjykimin e ditës së madhe. 7 Kujtoni Sodomën e Gomorrën dhe qytetet përreth që u dhanë pas kurvërisë dhe epsheve të tjera. Ato mbeten shembull i atyre që gjykohen në zjarr të amshuar.
8 Po ashtu edhe këta ëndërrues ndotin trupin, përbuzin pushtetin e Perëndisë dhe fyejnë qeniet e lavdishme qiellore. 9 Kur rragatej me djallin për trupin e Moisiut, kryeengjëlli Mikael nuk guxoi të shprehte ndonjë gjykim fyes kundër tij, por i tha vetëm: «Zoti të gjykoftë!».
10 Ndërsa këta flasin keq për gjëra që nuk i dinë dhe si shtazë pa mend shkatërrojnë veten në gjërat që i njohin prej natyre. 11 Mjerë ata, se kanë marrë udhën e Kainit dhe nga etja për fitim janë dhënë pas mashtrimit të Balaamit dhe u shkatërruan, sepse ngritën krye si Koreu!
12 Këta njerëz janë njolla në darkat tuaja të dashurisë vëllazërore që hanë e pinë pa pikë turpi dhe kujdesen vetëm për veten e tyre. Janë si re pa ujë që i vërdallos era, si drurë vjeshte pa fruta, dy herë të thara e të shkulura nga rrënjët, 13 si dallgë deti të tërbuara që shkumëzojnë turpëritë e tyre dhe si yje të shkëputura e endacake, për të cilat është ruajtur terri i errësirës së amshuar.
14 Për këta ka profetizuar edhe Enoku, i shtati pas Adamit, dhe ka thënë: «Ja ku erdhi Zoti me dhjetëra mijëra engjëj, 15 për t'i gjykuar të gjithë e për të ndëshkuar të gjithë të pafetë për të gjitha veprat e liga që kanë bërë e për të gjitha fjalët fyese që thanë mëkatarët e pafe kundër tij».
16 Këta janë njerëz që murmurisin e ankohen për gjithçka. Ata jetojnë sipas dëshirave të tyre, goja e tyre flet fjalë krenarie dhe njerëzve u thurin lajka për përfitim.
Paralajmërime dhe këshilla
17 Ndërsa ju fort të dashur, kujtoni fjalët që ju kanë thënë më parë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht: 18 «Në kohët e fundit do të ketë përqeshës që do të jetojnë sipas dëshirave të tyre të shthurura». 19 Këta janë ata që shkaktojnë përçarje, janë njerëz shqisorë dhe nuk e kanë Shpirtin.
20 Ndërsa ju, fort të dashurit e mi, ndërtojeni veten me besimin tuaj shumë të shenjtë e lutuni me fuqinë e Shpirtit të shenjtë. 21 Qëndroni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht për jetën e amshuar. 22 Kini mëshirë për ata që janë me dy mendje. 23 Disa shpëtojini, duke i rrëmbyer prej zjarrit; të tjerët t'i mëshironi me druajtje, duke urryer edhe rrobën e tyre të ndotur nga epshet e trupit.
Bekimi
24 Atij që mund t'ju ruajë për të mos rënë në mëkat e që mund t'ju paraqesë pa të meta e plot gëzim para lavdisë së tij, 25 të vetmit Perëndi, shpëtimtarit tonë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, atij i qofshin lavdia, madhështia, fuqia dhe pushteti që përpara shekujve, tani e për të gjithë shekujt! Amen!
1 Judha, shërbëtori i Jisu Krishtit, edhe i vëllaj Jakovit, të të thërrituritë të shënjtëruarë prej Perëndisë Atit, edhe ruajturë prej Jisu Krishtit;
2 Përdëllim, e paqtim, e dashuri u shumoftë mbë ju.
3 Të dashurë, passi nxitova tepërë t’u shkruanj juve për shpëtimin’ e të gjithëvet, pata nevojë t’u shkruanj juve, e t’u lutem të lëftoni për atë besënë që u dha një herë shënjtorëvet.
4 Sepse hynë fshehurazi dica njerës, që ishinë shkruarë përpara që moti ndë këtë dënim, njerës të pabesë, që këthenjënë hirin’ e Perëndisë tënë mbë ndyrësi, edhe mohonjënë të vetëminë Zotëri (Perëndinë), edhe Zotinë tënë Jisu Krishtinë.
5 Edhe dua t’ua bie juve ndër mënt, ndonëse ju e ditët këtë njëherë, se Zoti, si shpëtoj llauzinë nga dheu i Egjyptit, pastaj i humbi ata që nukë besuanë.
6 Edhe ata ëngjëjtë që nukë ruajtnë urdhërin’ e tyre, po lanë vëndin’ e tyre, i ka ruajturë mbyllurë ndën’ errësirë me të lidhura të pasosura për gjyqin’ e ditësë madhe.
7 Posi Sodhoma e Gomora, edhe ato qytetetë rreth atyreve, që u dhanë ndë kurvëri kështu posi ato, e vanë prapa tiatërë mishi, janë vënë përpara për shëmbëllesë, e mundonenë me ziarr të pasosurë.
8 Po kështu edhe këta, tuke parë ëndërra, ndyrinë mishinë, e bënjënë për asgjë pushtetinë, e vllasfimisnjën’ ofiqetë.
9 Edhe Mihaili, i pari ëngjëjvet, kur hahej tuke lëftuarë me diallinë për trupin’ e Mojsiut, nukë kuxoj të bierë kundrë ati ndonjë gjukim vllasfimie, po tha: “Zoti të qërtoftë tyj”.
10 Edhe këta vllasfimisnjënë sa punëra që nuk’ i dinë; edhe sa punëra të fisit që i dinë posi shtësë pa mënt, prishenë ndër ato.
11 Mjer ata, sepse ecnë mb’ udhë të Kainit, edhe u lëshuanë me vrap pas kobimit Vallaamit përtë marrë pagë, edhe humbën ndë kundrëfialët të Koreut.
12 Këta janë palavi ndë gostira të dashurisë tuaj, kur hanë gosti me ju pa frikë, e kullosënë vetëhen’ e tyre; re pa ujë që bihenë tutie t’hu nga erëratë; dru vjeshte të papemë, dy herë vdekurë, çkulurë nga rrënjatë;
13 Valë deti t’egra që shkumonjënë turpëriat’ e tyre, yje që bihen’ andej’ e këteje, për të cilët’ është ruajtur’ errësir’ e zezë për gjithë jetënë.
14 Edhe për këta profitepsi edhe Enohu i shtatti prej Adhamit, tuke thënë: “Ja tek erdhi Zoti me mijëra shënjtorësh të ti,
15 Që të bënjë gjyq mbi të gjithë, edhe të qërtonjë gjithë të pabesëtë ndërmest atyreve, për gjithë punërat’ e pabesërisë atyreve, që punuanë pa besë, edhe për gjith’ ato fialët’ e ashpëra që folnë kundrë ati fajtorët e pabesë.” —
16 Këta janë asish që murmuronjën’ e qjahenë, tuke ecurë pas dëshërimesh tyre; edhe goja e atyre flet fialë tepërë të trasha, edhe përkëdhelënë ca vetë , që të kenë dobi nga ata.
17 Po ju, o të dashurë, kujtoni fialëtë që u folnë përpara nga apostojt’ e Zotit tënë Jisu Krishtit,
18 Se u thoshinë juve, se: “ndë kohë të pastajme do të jenë përqeshësa që do t’ ecënjënë pas dëshërimevet pabesëriavet tyre”.
19 Këta jan’ ata që veçonjënë vetëhen’ e tyre, posi shtësë, që s’kanë Frymë.
20 Po ju, o të dashurë, tuke ngrehurë vetëhenë tuaj përmbi besënë fort të shënjtëruarënë, e tuke falurë ndë Frymë të Shënjtëruarë,
21 Ruani vetëhenë tuaj ndë dashuri të Perëndisë, tuke priturë përdëllimin’ e Zotit tënë Jisu Krishtit për jetë të pasosurë.
22 Edhe ca i përdëlleni tuke shquarë.
23 Edhe ca të tierë i shpëtoni me frikë, tuke i rrëmbyer’ ata nga ziarri, e tuke pasurë mëri edhe atë rrobenë që është shgërryerë nga mishi.
24 Edhe mb’atë që munt t’u ruanjë juve të pafaj, e t’u qëndronjë juve përpara lavdisë ti faqe-bardhë me gëzim,
25 Mbë të vetëminë (të diturinë) Perëndi edhe Shpëtimtarinë tënë, qoftë lavdi edhe madhëri, urdhër edhe pushtet, edhe tashi, edhe mbë gjithë jetët. Amin.