1 Prandaj, duke lënë mënjanë njohuritë fillestare për Krishtin, le të shkojmë drejt përsosjes. Le të mos merremi më me gjërat fillestare: me pendimin për veprat e vdekura, me besimin në Perëndinë, 2 mësimin për pagëzimin, vënien e duarve, ngjalljen e të vdekurve dhe gjykimin e përjetshëm. 3 Edhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.
4 Është e pamundur për ata që u ndriçuan një herë, që shijuan dhuratën qiellore, që morën Shpirtin e shenjtë, 5 që shijuan bukurinë e fjalës së Perëndisë dhe mrekullitë e jetës së ardhshme 6 dhe që pastaj ranë, të rilindin me anë të pendimit, kur ata vetë e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë botërisht.
7 Kur toka pi shiun që bie shpesh mbi të dhe prodhon bimë të dobishme për ata që e punojnë, ajo merr bekim nga Perëndia. 8 Ndërsa, kur prodhon ferra e murriza, është e padobishme dhe po i afrohet mallkimi. Fundi i saj do të jetë djegia në zjarr.
9 Por, ndonëse flasim kështu, o fort të dashur, jemi të bindur se ju keni gjëra më të mira, që mbartin shpëtim. 10 Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që keni treguar në emër të tij me shërbimin që u keni bërë e vazhdoni t'u bëni të shenjtëve. 11 Dëshirojmë që secili prej jush të tregojë po atë zell deri në fund, që të përmbushet shpresa juaj. 12 Mos u bëni përtacë, por bëhuni shkërbim i atyre që, nëpërmjet besimit e durimit, trashëguan premtimin e Perëndisë.
Premtimi i sigurt
13 Kur Perëndia i bëri premtimin Abrahamit, ngaqë nuk kishte ndonjë më të madh për t'u betuar, u betua për veten e tij 14 e tha: të premtoj se do të të bekoj e do të të jap shumë pasardhës. 15 Kështu, Abrahami priti me durim dhe fitoi premtimin. 16 Njerëzit betohen për dikë që është më i madh se ata dhe betimi është siguria që japin për të mbyllur çdo mosmarrëveshje. 17 Kështu edhe Perëndia përdori betimin, duke dashur t'i sigurojë edhe më shumë trashëgimtarët e premtimit për palëkundshmërinë e vendimit të tij.
18 Pra, ka dy gjëra të pandryshueshme, për të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë. Nëpërmjet tyre, ne që kemi kërkuar strehë tek ai, marrim guxim të madh për t'u mbështetur në shpresën që kemi përpara. 19 Kjo shpresë është për ne spiranca e jetës. Ajo është e sigurt dhe e patundur dhe na çon deri në pjesën e brendshme të altarit, pas velit. 20 Atje ka hyrë përpara nesh dhe për ne Jezui që u bë kryeprift në amshim sipas urdhrit të Melkisedekut.
1 Përandaj si të lëmë kryet’ e mësimit Krishtit, le të bihemi mbë të kulluarët, pa vënë përsëri themeli pendimi nga punërat’ e vdekura, edhe nga besa mbë Perëndinë,
2 Nga mësimi i pagëzimevet, e nga të vënët e duarvet përsipër, e nga të ngjalluritë prej së vdekurish, e nga gjyqit të p asosurë.
3 Edhe këtë do ta bëjmë, ndë lashtë Perëndia;
4 Sepse është punë që s’bënetë për ata që u ndriçuanë një herë, edhe u ngjëruanë nga dhurëtia qiellore, edhe qenë bërë piesëtarët’ e Frymësë Shënjtëruarë,
5 Edhe u ngjëruanë nga fiala e mirë të Perëndisë, edhe nga fuqiat’ e jetësë që vien,
6 Ndë u rëzofshinë, të përtërihenë përsëri ndë pendim; e të kryqëzonjënë përsëri mbë vetëhet’ të tyre të Birin’ e Perëndisë, edhe ta dëftenjënë me gisht për turpëri.
7 Sepse dheu që pi shinë që bie shumë herë mb’ atë, edhe piell barëra të mirë për ata, që e punonjënë, merr bekim nga Perëndia.
8 Po ndë nxierrtë driza e murriza, ësht’ i paprovuarshim edhe afërë mallëkimit, të cilit e pastajmeja ësht’ të digjetë.
9 Edhe na është mbushurë mëndëja për ju, o vëllezër, se keni më të miratë punëra , që kanë shpëtim, ndonëse flasëmë kështu.
10 Sepse Perëndia nuk’ është i shtrembëtë, që të harronjë punënë tuaj, edhe mundimin’ e dashurisë që dëftyetë mb’ emërit’ t’ ati, kur u shërbyetë shënjtorëvet, edhe u shërbeni atyre .
11 Edhe dëshërojmë që gjithësecili prej jush të dëftenjë po atë nxitim gjer së pastajmi që t’i mbushetë mëndëja pë shpëresënë,
12 Që të mos bëhi të purtuarshim, të bëni prapa atyreve që trashëgonjënë të zotuaratë me anë të besës’ e të zemrësë gjerë.
13 Sepse Perëndia, kur iu zotua Avraamit, pasi s’kishte mbë cilinë më të math të bënte be, bëri be mbë vetëhet të ti,
14 Tuke thënë: “Vërtet tuke bekuarë do të bekonj tyj, edhe tuke shumuarë do të shumonj tyj.”
15 Edhe tuke pasurë zemërë të gjërë, fitoj të zotuarëtë.
16 Sepse njërëzitë bënjënë be për më të madhinë, edhe beja është mb’ ata të mbaruarët’ e çdo kundrëfiale për të vërtetuarë.
17 Mb’ atështu Perëndia si donte të dëftente më tepërë ëndën’ e ti të paluajturënë vëndit mbë trashëgimtarët’ e të zotuarit, vuri mestare benë,
18 Që prej dy punërash të paluajtura vëndit, s’munt të gënjenjë Perëndia, të kemi ngushullim të fortë neve që kemi mrë udhë të mbajmë shpëresënë që kemi përpara;
19 Të cilënë e kemi posi angurë të qëndruarshime e të vërtetuarshime, edhe që hyn mbë më të përbrëndëshmen’ e kurtinësë;
20 Atie ku Jisuj hapi udhënë përpara e hyri për ne, passi u bë kryeprift pë gjithë jetënë, pas taksit Melqisedhekut.