Mbjellësi
(Mt 13.1-9Lk 8.4-8)
1 Jezui filloi përsëri t'i mësonte njerëzit në breg të liqenit dhe, ja, një turmë shumë e madhe u mblodh pranë tij. Ai hipi në varkën që ishte në liqen dhe u ul. E tërë turma qëndronte në breg të liqenit. 2 Ai i mësonte me anë të shumë shëmbëlltyrave dhe, teksa i mësonte, u tha: 3 «Dëgjoni! Një mbjellës doli për të mbjellë 4 e ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën. 5 Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhe. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë, 6 por u vyshkën kur doli dielli dhe, ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë. 7 Disa fara të tjera ranë ndër ferra e ferrat u rritën, ua zunë frymën e nuk dhanë fryt. 8 Fara të tjera ranë në tokë të mirë e ndërsa rriteshin e zhvilloheshin, dhanë fryt e prodhuan njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë e një tjetër njëqindfish».
9 Pastaj u tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!».
Qëllimi i shëmbëlltyrave
(Mt 13.10-17Lk 8.9-10)
10 Kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrat. 11 Dhe ai u tha: «Juve ju është bërë e njohur e fshehta e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa atyre që janë përjashta u jepet gjithçka me shëmbëlltyra, 12 që,
megjithëse kanë sy për të parë,
të mos shohin,
megjithëse kanë veshë për të dëgjuar,
të mos marrin vesh,
përndryshe do të ishin kthyer te Perëndia
dhe ai do t'i falte ».
Shpjegimi i shëmbëlltyrës
(Mt 13.18-23Lk 8.11-15)
13 Jezui u tha: «A nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? E si do t'i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? 14 Mbjellësi mbjell fjalën. 15 Farat që gjenden rrugës ku është mbjellë fjala, janë ata që sapo e kanë dëgjuar fjalën, por menjëherë vjen Satani dhe e rrëmben fjalën që është mbjellë në ta . 16 Farat që janë mbjellë në gurishtë janë ata që e pranojnë fjalën me gëzim sapo e dëgjojnë, 17 por nuk kanë rrënjë në vetvete, sepse janë të përkohshëm dhe, kur vijnë vështirësitë e përndjekja për shkak të fjalës, bien menjëherë. 18 Farat që kanë rënë në ferra janë ata që e kanë dëgjuar fjalën, 19 por shqetësimet e kësaj jete, joshja e pasurisë dhe lakmia për gjëra të tjera hyjnë brenda tyre, ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme. 20 Por ka edhe nga ata që janë mbjellë në tokë të mirë. Këta e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt tridhjetë, gjashtëdhjetë e njëqindfish».
Drita nën magje
(Lk 8.16-18)
21 Dhe u tha: «A mos ndizet kandili për ta vënë nën magje a nën shtrat? A nuk duhet vënë mbi mbajtësen e vet? 22 Sepse nuk ka asnjë të fshehtë që s'do të zbulohet e asnjë të fshehtë që s'do të dalë në dritë. 23 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë».
24 Pastaj u tha: «Kujdes çfarë dëgjoni! Me masën që do të matni, do të mateni edhe ju , madje edhe më shumë. 25 Atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë. Atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka».
Fara që rritet
26 Dhe tha: «Mbretëria e Perëndisë është si ai njeriu që ka hedhur farën në tokë. 27 Në gjumë apo zgjuar, natë a ditë, fara mbin e rritet pa e ditur as ai sesi. 28 Vetvetiu toka prodhon më parë filizin, pastaj kallirin e më pas kallirin plot me kokrra. 29 Dhe kur piqet fryti, i vihet menjëherë drapri, se është koha e të korrave».
Fara e sinapit
(Mt 13.31-32Lk 13.18-19)
30 Pastaj tha: «Me çfarë ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Me cilën shëmbëlltyrë mund ta përfytyrojmë? 31 Ajo është si fara e sinapit. Kur mbillet në arë, është më e vogla ndër farërat që ka toka, 32 por pasi të jetë mbjellë, rritet e bëhet më e madhja ndër të gjitha barishtet e nxjerr degë aq të mëdha, saqë zogjtë e qiellit mund të strehohen nën hijen e saj».
Dobia e shëmbëlltyrave
(Mt 13.34-35)
33 Jezui u shpallte atyre fjalën e Perëndisë me shumë shëmbëlltyra të tilla, në masën që ata ishin në gjendje të kuptonin. 34 Nuk u fliste pa shëmbëlltyra, por kur ishin vetëm, ua shpjegonte të gjitha dishepujve të vet.
Fashitja e stuhisë
(Mt 8.23-27Lk 8.22-25)
35 Po atë ditë, kur ra mbrëmja, Jezui u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër». 36 Ata e lanë pas turmën dhe e morën Jezuin me varkën në të cilën ndodhej. Me të ishin edhe disa varka të tjera. 37 Atëherë filloi një erë e fortë. Valët përplaseshin mbi varkë dhe gati e mbushën plot me ujë. 38 Jezui ishte në kiç, kishte vënë kokën mbi nënkresë e po flinte. Ata e zgjuan e i thanë: «Mësues, a nuk shqetësohesh se po mbytemi?». 39 Jezui u ngrit, qortoi erën e i tha liqenit: «Hesht! Fashitu!». Era pushoi e u bë bunacë e madhe. 40 Pastaj u tha: «Përse keni frikë? Ende nuk keni besim?». 41 Atëherë ata i zuri një frikë e madhe e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që i binden edhe era, edhe liqeni?».
1 Pasandaj zu përsëri të mësojë ndaj detit; edhe shumë gjëndëje u mbëlothnë tek ay, kaqë sa ay hyri ndë lundrët, edhe rrinte ndë det; edhe gjithë gjëndëja ishte mbë dhet përanë detit.
2 Edhe mësonte ata me shumë paravolia, edhe u thosh atyre ndë mësim të ti:
3 “Dëgjoni; Na tek dolli mbiellësi të mbiellë; edhe mbë të mbiellurit, një piesë ra mb’ udhë,
4 Edhe shpesët’ [e qiellit] erthnë, edhe e hangrrë.
5 Edhe tiatëra ra mbë vënt gurishtë, ku s’kish dhe shumë, edhe biu përnjëherë, sepse s’kish dhe të thellë.
6 Po kur leu dielli, u doq, edhe sepse s’kish rrënjë, u tha.
7 Edhe tiatra ra ndë drizat; edhe drizatë hipnë edhe e mbytnë, edhe s’dha pemë.
8 Edhe tiatra ra ndë dhe të mirë, edhe epte pemë tuke hipur’ e tuke rriturë, edhe pruri pemë njëra tri-dhietë, e njëra gjashtë-dhietë, e njëra një qint.”
9 – Pasandaj u thoshte atyre: “Ay që ka veshë të dëgjojë, le të dëgjojë.”
10 Edhe kur mbeti vetëmë, ata që ishinë rreth ati bashkë me të dy-mbë-dhietët e pyetnë për paravolinë.
11 Edhe ay u thoshte atyre: “Mbë ju është dhënë të njihni fshehësirën’e mbëretërisë Perëndisë; po mb’ ata që janë jashtë, të gjitha bënenë me paravolia;
12 Që tuke parë të vështrojënë, edhe të mos shohënë; edhe tuke dëgjuarë të dëgjojënë, edhe të mos kupëtojënë, që të mos këthenenë ndonjëherë, e t’u falenë faletë.”
13 Pasandaj u thotë atyre: “Nuk’e dini këtë paravoli? Edhe si do të kupëtoni gjithë paravoliatë?
14 Mbiellësi ësht ay që mbiell fialënë.
15 Edhe këta përan’ udhësë jan’ ata, që mbilletë fiala mb’ ata; po kur dëgjojënë, vien Satanaj përnjëherë, e u merr fialënë që është mbiellë ndë zemërat t’atyreve.
16 Edhe këta kështu jan’ ata që janë mbiellurë ndë vënde gurishta, të cilëtë kur dëgjojënë fialënë, përnjëherë e marrënë me gëzim;
17 Po s’kanë rrënjë ndë vetëhe të tyre, po janë për pak kohë; pasandaj, kur bënetë shtrëngim a të ndiekurë për fialënë, përnjëherë skandhalisenë.
18 Edhe këta që janë mbiellurë ndër drizat jan’ ata, të cilëtë dëgjojënë fialënë;
19 Po kujdeset’ e kësaj jete, edhe të gënjyerët’ e gjësë, edhe dëshërimetë për të tiera punë , ryjënë e mbytjënë fialënë, edhe bënetë pa pemë.
20 Po këta janë ata që u mbollnë ndë dhe të mirë, të cilëtë dëgjojënë fialënë, edhe e presënë, edhe bienë pemë, për një tri-dhietë, edhe për një gjashtë-dhietë, edhe për një një qint.”
21 Edhe u thoshte atyre: “Sos vien kandili, që të vihetë ndënë shinikt, a ndënë shtratt, e jo që të vihetë mbi kandiler?
22 Sepse s’është gjë e fshehurë, që të mos shpalletë; as nuk’ është bërë ndonjë gjë e fshehurë, që të mos dalë për faqe.
23 Ndë pastë ndonjë veshë të dëgjojë, le të dëgjojë.”
24 Edhe u thoshte atyre: “Vëni re ç’dëgjoni. Me ç’matës matni, do t’ua masënë juve, edhe do të shtonetë mbë ju që dëgjoni.
25 Sëpse ati që ka do t’i epet edhe tiatërë ; edhe ati që s’ka edhe ç’të ketë do të mirretë prej ati.”
26 Edhe thoshte: “Kështu është mbëretëria e Perëndisë, posi një njeri që heth farënë mbë dhet,
27 Edhe fle e ngrihetë nat’e ditë, edhe fara bin, edhe rritetë, kështu që s’e di se qysh.
28 Sepse dheu bie pemë prej vetiu, përpara barë, pastaj kalli, pastaj plot me grurë ndë kallit.
29 Edhe pema kur piqetë, përnjëherë dërgon drapërinë, sepse harriu të korrëtë.”
30 Edhe thoshte: “Me se ta përgjajmë mbëretërin’ e Perëndisë? A me çfarë paravolie ta mbarasojmë?
31 Është posi një koqe sinapi, e cila kur mbilletë mbë dhet, është më e vogëlë se gjithë faratë që janë mbë dhet.
32 Po si mbilletë, rritet’ e bënetë më e madhe se gjithë lakëratë, edhe bën dega të mëdha, kaqë sa shpesët’ e qiellit munt të rrinë ndënë hiet t’asaj.”
33 Edhe me shumë këso paravoliash u fliste fialën’ atyre, sikundrë muntninë të dëgjoninë.
34 Edhe pa paravolia nuk’ u fliste atyre; po nxënëset ti ua sgjithte të gjitha veçanë.
35 Edhe mb’atë ditë, si u ngrys, u thot’ atyre: “Le të hidhemi përtej.”
36 Edhe nxënësitë, si lanë gjëndëjenë, e marrënë pas vetëhesë sikundrë ishte ndë lundrët; edhe ishinë bashkë me atë të tiera lundrëza.
37 Edhe bënetë një thëllim ere i math; edhe valëtë bininë brenda ndë lundrët, kaqë sa ajo tani po mbushej.
38 Edhe ay ishte ndë bisht të lundrësë tuke fjeturë mbi krenaret; edhe ata e sgjuanë, e i thonë: “Mësonjës, s’do me ditë se po humbasëmë?”
39 Edhe ay u ngre, e qërtoj erënë, edhe i tha detit: “Pusho, mbëçilu!” Edhe era pushoj, edhe u bë bunac’ e madhe.
40 Pastaj u tha atyre: “Ç’frikacarë jeni kështu? Si s’keni besë?”
41 Edhe ata u frikësuanë me frikë të mathe, edhe i thoshinë njëri tiatrit: “Vallë kush është kyj, që i dëgjojën’ edhe era edhe deti?