Dasma në Kanë
1 Pas dy ditësh u bë një dasmë në Kanë të Galilesë. Atje ndodhej edhe e ëma e Jezuit. 2 Në dasmë ishte i ftuar edhe Jezui me dishepujt e tij.
3 Kur mbaroi vera, e ëma i tha Jezuit: «Nuk kanë më verë». 4 Jezui iu përgjigj: «Çfarë do nga unë, o grua? Koha ime nuk ka ardhur ende!». 5 Atëherë, e ëma e Jezuit u tha shërbëtorëve: «Bëni gjithçka që do t'ju thotë!».
6 Atje ndodheshin gjashtë qypa prej guri që përdoreshin për ritin e pastrimit të judenjve. Secili prej tyre mbante tetëdhjetë deri në njëqind e njëzet litra. 7 Atëherë, Jezui u tha shërbëtorëve: «Mbushini qypat me ujë!». Ata i mbushën deri në grykë. 8 Pastaj u tha: «Tani, mbushni nga qypat e çojani të parit të dasmës!». Dhe ata ia çuan. 9 I pari i dasmës nuk e dinte nga vinte vera, por shërbëtorët, që e kishin nxjerrë nga qypat, e dinin. Ai, pasi e provoi ujin e bërë verë, thirri dhëndrin 10 e i tha: «Të gjithë nxjerrin për të pirë në fillim verën më të mirë dhe, pasi të jenë dehur dasmorët, sjellin të keqen, ndërsa ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani!».
11 Kjo qe shenja e parë që bëri Jezui në Kanë të Galilesë. Ai shfaqi kështu lavdinë e tij dhe dishepujt besuan tek ai. 12 Pastaj ai shkoi në Kafarnaum bashkë me të ëmën, vëllezërit e dishepujt e tij dhe qëndruan atje për pak ditë.
Pastrimi i tempullit
(Mt 21.12-13Mk 11.15-17Lk 19.45-46)
13 Meqenëse po afrohej Pashka e judenjve, Jezui shkoi në Jerusalem. 14 Në tempull ai gjeti tregtarët e qeve, të deleve e të pëllumbave, si dhe këmbyesit e parave që rrinin ulur. 15 Pasi bëri një fshikull me litarë, i dëboi të gjithë prej tempullit bashkë me delet e qetë, ua derdhi të hollat këmbyesve të parave e pastaj përmbysi tryezat e tyre. 16 Ndërsa tregtarëve të pëllumbave u tha: «Hiqini këto gjëra që këtej e mos e bëni vend tregtie shtëpinë e Atit tim!».
17 Dishepujve të tij iu kujtua se ishte shkruar: zelli për shtëpinë tënde më përpiu.
18 Atëherë ndërhynë disa judenj dhe e pyetën: «Me çfarë shenje na bind se mund t'i bësh këto gjëra?». 19 Jezui iu përgjigj: «Shkatërrojeni këtë tempull e për tri ditë unë do ta ringre». 20 Atëherë judenjtë i thanë: «U deshën dyzet e gjashtë vjet për ta ndërtuar këtë tempull e ti do ta ringresh për tri ditë?». 21 Por ai po fliste për tempullin e trupit të tij. 22 Kur u ngjall prej të vdekurve, dishepujve të tij iu kujtuan këto fjalë dhe i besuan Shkrimit e fjalëve që kishte thënë Jezui.
Jezui i njeh njerëzit
23 Gjatë qëndrimit të Jezuit në Jerusalem për festën e Pashkës shumë veta i besuan atij pasi panë shenjat që bënte. 24 Por vetë Jezui nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë. 25 Ai nuk kishte nevojë t'i tregonin asgjë për njerëzit, pasi e dinte ç'kishte përbrenda njeriut.
1 Edhe të tretënë ditë u bë dasmë ndë Kana të Galilesë; edhe e ëm’ e Jisujt ishte atie.
2 Edhe u ftua ndë dasmë edhe Jisuj edhe nxënësit’ e ati.
3 Edhe si u mbarua vera, e ëm’ e Jisujt i thotë:
4 “S’kanë verë.” Jisuj i thotë: “Ç’ke ti me mua, o grua? Ora ime edhe s’ka ardhurë.”
5 E ëm’ e ati u thotë shërbëtorëvet: “Bëni ç’t’u thotë juve.”
6 Edhe atie ishinë gjashtë enë të gurta, vënë për të pastruarëtë pas zakonit Judhenjet, që nxininë nga dy a tri masa.
7 Jisuj u thot’ atyre: “Mbushni enëtë me ujë.” Edhe ata i mbushnë përbuzë.
8 Pastaj u thot’ atyre: “Nxirni ndashti, edhe shpini të parit mësallësë.” Edhe ata e shpunë.
9 Edhe i pari mësallësë kur piu ujëtë që ishte bërë verë, edhe nukë dinte nga është (po shërbëtorëtë që kishinë nxierrë ujëtë e dininë), i parë mësallësë thërret dhëndërrinë, edhe i thotë:
10 “Çdo njeri më përpara nxier verën’ e mirë, edhe si të dehenë, atëhere nxier të poshtrënë; po ti ke ruajturë verën’ e mirë gjer ndashti.”
11 Këtë të nisurit’ e çudiravet Jisuj e bëri ndë Kana të Galilesë, edhe dëfteu lavdin’ e ti; edhe nxënësit’ e ati i besuanë.
12 Pastaj sbriti ndë Kapernaum, ay edhe e ëm’ e ati, edhe të vëllezërit’ e ati, edhe nxënësit’e ati; edhe mbetnë atie pak dit.
13 Edhe pashka e Judhenjet ishte afërë, edhe Jisuj hipi ndë Jerusalim.
14 Edhe gjeti ndë hieroret ata që shisinë qe e dhën e pëllumba, edhe truvezarëtë tuke ndenjurë.
15 Edhe ay bëri një frushkullë tërkuzash, edhe i nxori të gjithë nga hieroreja, edhe dhëntë edhe qetë; edhe derdhi asprat’ e truvezavet, edhe përmbysi truvezatë.
16 Edhe u tha atyreve që shisinë pëllumbatë: “Ngrini këto këtejë; mos bëni shtëpin’ e tim eti shtëpi tregëtie.”
17 Atëhere u ra ndër mënt nxënëset ati se është shkruarë: “Zilia për shtëpinë tënde më hëngri.”
18 Judhenjtë pra u përgjeqnë e i thanë: “Ç’shenjë na dëften që bën këto?”
19 Jisuj u përgjeq e u tha atyre: “Prishni këtë tempullë, edhe për tri dit do ta ngre.”
20 Edhe Judhenjtë thanë: “Kyj tempull’ është ndërtuarë për dyzet e gjashtë viet, e ti do ta ngreç për tri dit?”
21 Po ay thoshte për tempullin’ e trupit ti.
22 Kur u ngjall pra prej së vdekurish, u ra ndër mënt nxënëset ati, se për këtë u thoshte atyre; edhe i besuanë shkronjësë, edhe asaj fialësë që u tha Jisuj.
23 Edhe kur qe ndë Jerusalim për të kremten’ e pashkësë, shumë vetë besuanë mb’emërit t’ati, tuke vështruarë çudirat’ e ati që bënte.
24 Po vetë Jisuj nuk’ u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë.
25 Edhe sepse s’kishte nevojë për të martirisurë ndonjë për njerinë, sepse ay e njihte ç’ishte përbrenda njeriut.