Njerëzit në ditët e fundit
1 Duhet ta dish se në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira. 2 Njerëzit do të jenë vetëdashës, lakmitarë parash, mburravecë e mendjemëdhenj. Ata do të fyejnë Perëndinë dhe nuk do t'u binden prindërve. Do të jenë mosmirënjohës, të pafe, 3 pa dashuri njerëzore, zemërakë, shpifës, të papërmbajtur, shtazarakë, që nuk e duan mirësinë, 4 tradhtarë, kokëkrisur dhe fodullë. Ata do të jepen më shumë pas kënaqësive, sesa do të duan Perëndinë; 5 do të jenë të përkushtuar ndaj tij në dukje, por në të vërtetë do ta kenë mohuar fuqinë e besimit. Largohu edhe nga këta.
6 Sepse disa prej këtyre përvidhen në shtëpitë e grave mendjelehta e mëkatare dhe i bëjnë për vete. Këto gra sundohen nga dëshira të ndryshme 7 dhe megjithëse përpiqen gjithnjë të mësojnë, nuk arrijnë asnjëherë të njohin plotësisht të vërtetën. 8 Ashtu si Janesi e Jambresi kundërshtuan Moisiun, po kështu edhe këta njerëz i kundërvihen të vërtetës, sepse janë mendjeprishur e mospërfillës ndaj besimit. 9 Këta nuk do të shkojnë shumë larg, sepse marrëzia e tyre do të duket sheshit para të gjithëve, ashtu sikurse ndodhi edhe me Janesin e Jambresin.
Porosi për Timoteun
10 Përkundrazi, ti Timote ke ndjekur nga afër mësimin tim, sjelljen, qëllimin, besimin, durimin, dashurinë, qëndresën, 11 përndjekjet e vuajtjet që pësova në Antioki, në Ikon e në Listër. Durova shumë përndjekje, por Zoti më shpëtoi nga të gjitha. 12 Në të vërtetë, të gjithë ata që duan të bëjnë një jetë të përkushtuar ndaj Krishtit Jezu, do të përndiqen. 13 Ndërsa njerëzit e ligj e mashtrues do të bëhen edhe më keq, duke mashtruar e duke u mashtruar.
14 Por ti vazhdo të qëndrosh në ato që mësove e për të cilat u binde plotësisht, se ti e di prej kujt i mësove. 15 Që nga fëmijëria ti i ke njohur Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të japin urtinë që të çon drejt shpëtimit përmes besimit në Krishtin Jezu. 16 I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, për qortim, për ndreqje e për edukim në drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përgatitur plotësisht dhe i aftë për çdo vepër të mirë.
1 Edhe die këtë, se mbë dit të pastajme kanë për t’ ardhurë kohëra të këqia;
2 Sepse atëhere njerëzitë do të jenë miqt’ e vetëhesë tyre, miqt’ e argjëndit, krye-lartë, madhështorë, vllasfimiarë, të pabindurë mbë përint, të panjurë të mirëve, të paudhë,
3 Të padhëmurë, të papaqtuarshim, kallëzimtarë, të pambajturë, të egërë, të padashurë të mirënë,
4 Trathtorë, gojë-sbrazëtë, të fryejturë, miqt’ e kënaqëjevet më shumë se miqt e Perëndisë,
5 Të cilëtë kanë të parët’ e besësë mirë, po mohonjënë fuqin’ e asaj; largonu edhe nga këta.
6 Sepse nga këta janë ata që hynjënë ndëpër shtëpiat, edhe skllavosënë gratë që janë ngarkuarë me faje, e hiqenë prej çdo farë dëshërimesh.
7 Të cilatë kurdo mësonenë, e kurrë s’munt të vinë ndë të njohurit të së vërtetësë.
8 Sikundrë edhe Janniu e Jambriu i dualnë kundrë Mojsiut, kështu edhe këta i dalënë kundrë së vërtetësë, njerës të prishurë nga mëndëja, të paprovuarshim ndë besët.
9 Po s’kanë për të shkuarë mbarë më tepërë; sepse marrësia e atyreve do të çfaqetë mbë të gjithë, sikundrë u çfaq edhe e atyreve.
10 Po ti i re prapa mësimit tim, së shkuarësë jetësë, së paravënësë, besësë, zemrësë gjërë, dashurisë, durimit,
11 Të ndiekuravet, pësimevet, sa më gjajtnë ndë Antioqi, ndë Ikoni, ndë Lystra; çfarë të ndiekurash hoqa? Edhe Zoti më shpëtoj nga të gjitha.
12 Po edhe gjithë sa duanë të rronjënë me besë të mirë te Jisu Krishti do të ndiqenë.
13 Po njerëzit’ e liq e gënjeshtarë do të venë mbarë mbë më të ligënë, e do të gënjenën’ e do të gënjenenë.
14 Po ti qëndro mb’ato që nxure e u zure besë, tuke diturë prej cilit i ke nxënë;
15 Edhe se i di shkronjat’ e shënjtëruara që nga foshnjëria, ato që munt të bënjënë të diturë për shpëtim me anë të besësë që është mbë Jisu Krishtinë.
16 Gjithë shkronja është frymë nga Perëndia, edhe e dobishëme për mësim, për qërtim, për të ndrequrë, për mësim që është me drejtëri;
17 Që të jetë i tërë njeriu i Perëndisë, bërë gati për çdo farë pune të mirë.