Lëmosha
1 «Ruhuni të mos i bëni veprat e mira në sy të njerëzve për t'u dukur para tyre, se kështu nuk do të keni shpërblim tek Ati juaj që është në qiej. 2 Kur të japësh lëmoshë, mos trumbeto me të madhe për të tërhequr vëmendjen, siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga e nëpër rrugë, që të marrin lëvdata nga njerëzit. Me të vërtetë po ju them: ata e kanë marrë tashmë shpërblimin e tyre. 3 Por kur të japësh lëmoshë, dora jote e majtë të mos e dijë çfarë bën e djathta, 4 në mënyrë që lëmosha jote të mbetet e fshehtë dhe Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë».
Ati ynë
(Lk 11.2-4)5 «Kur të luteni, mos u bëni si hipokritët, të cilëve u pëlqen të luten më këmbë nëpër sinagoga e udhëkryqe, për t'u dukur para njerëzve. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. 6 Por kur ti të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle derën e lutju Atit tënd që është aty në fshehtësi, e Ati yt që sheh në fshehtësi do të ta shpërblejë. 7 Kur të luteni, mos thoni fjalë të shumta si popujt e kombeve. Ata mendojnë se duke folur shumë, do të dëgjohen. 8 Mos bëni si ata, se Ati juaj e di mirë për çfarë keni nevojë përpara se t'ia kërkoni. 9 Prandaj ju lutuni kështu:
Ati ynë që je në qiej,
u shenjtëroftë emri yt,
10 ardhtë mbretëria jote,
u bëftë vullneti yt,
si në qiell, edhe në tokë.
11 Bukën tonë të përditshme
na e jep sot.
12 Na i fal detyrimet tona,
siç edhe ne ua falëm detyruesve tanë .
13 E mos na vër në sprovë ,
por na çliro nga i ligu.
14 Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t'jua falë juve, 15 por nëse ju nuk do t'ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë as Ati juaj nuk do t'jua falë juve ato».
Agjërimi
16 «Kur të agjëroni, mos merrni hije të rëndë, siç bëjnë hipokritët. Ata e shtrembërojnë fytyrën për t'u treguar njerëzve se po agjërojnë. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. 17 Ndërsa ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me erë të mirë e laje fytyrën, 18 që agjërimi yt të mos duket para njerëzve, por të duket para Atit tënd që është në fshehtësi. E Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë ».
Thesari në qiell
(Lk 12.33-34)19 «Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit thyejnë shtëpinë e plaçkitin. 20 Prandaj, mblidhni thesare në qiell! Atje nuk ka as tenjë e as krimb që t'i brejë, nuk ka as vjedhës, që plaçkitin e vjedhin. 21 Sepse atje ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote».
Drita e trupit
(Lk 11.34-36)22 «Syri është drita e trupit. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar. 23 Por, nëse syri yt është i sëmurë, tërë trupi yt do të jetë në errësirë. Nëse drita që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!».
Perëndia dhe Mamoni
(Lk 16.13)24 «Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t'i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».
Kujdesi dhe ankthi
(Lk 12.22-34)25 «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani e çfarë do të pini, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. A nuk vlen jeta më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja? 26 Shikoni zogjtë e qiellit! Ata as mbjellin, as korrin, as mbledhin në grunarë e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë? 27 Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? 28 Po për veshjet, përse shqetësoheni? Shikoni si rriten zambakët e fushave. Ata as nuk lodhen e as nuk endin, 29 por unë po ju them se as vetë Solomoni, në gjithë madhështinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. 30 Nëse Perëndia vesh kështu barin e fushës, që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë? 31 Mos u shqetësoni, pra, e mos thoni: “Çfarë do të hamë?”, “Çfarë do të pimë?” apo “Me se do të vishemi?”. 32 Janë kombet ato që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë e drejtësinë e tij dhe ai do t'jua japë edhe ato gjëra. 34 Prandaj mos u shqetësoni për të nesërmen. E nesërmja ka shqetësimet e veta. Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet».
1 Shikoni të mos bëni elejmosinënë tuaj përpara njerëzish, që të shiheni nga ata, sepse ndë qoftë, nukë keni pagë nga Ati juaj që është ndë qiejet.
2 Kur të bënjç pra elejmosinënë, mos vërshëllenjç përpara teje, sikundrë bënjën’ ipokritëritë ndëpër sinagogjit’ e ndëpër udhët, që të lavduronenë nga njerëzitë; me të vërtetë po u them juve, se ata e kanë marrë pagën’ e tyre.
3 Po ti kur të bënjç elejmosinënë, le të mos e marrë vesh e mëngjëra jote se ç’bën e djathta jote;
4 Që të jetë elejmosina jote fshehurazi; edhe yt’ Atë që sheh fshehurazi, ay do të ta shpaguanjë tyj faqeza.
5 Edhe kur të falesh, mos ij posi ipokritëritë; sepse ata duanë të falenë tuke ndenjurë ndëpër sinagogjit e ndëpër cepet të rrugavet, që të dukenë nga njerëzitë; me të vërtetë po u them’ juve se ata e kanë marrë pagën e tyre.
6 Po ti, kur të faleç, hyrë ndë dhomët tënde, edhe mbyll derënë tënde, e iu fal tyt Et që është fshehurazi, edhe yt Atë që sheh fshehurazi, do ta paguanjë tyj faqeza.
7 Edhe kur të faleni, mos thoni fialë të tepëra, posi gjëntarëtë; sepse ata kujtonjënë, se me fialët’ e shuma të tyre do të dëgjonenë.
8 Mos u gjani pra atyre, sepse Ati juaj e di për ç’gjë keni nevojë, përpara se të lypni prej ati.
9 Po ju fali kështu:
Ati ynë që je ndë qiejet, u shënjtëroft’ emëri yt;
10 Arthtë mbëretëria jote; u bëftë dashurimi yt, si ndë qiell, edhe mbë dhet.
11 Bukënë tonë të përditëshmen’ ep-na neve sot.
12 Edhe fal-na fajetë tona, sikundrë edhe neve ua falmë fajtorëvet tanë.
13 Edhe mos na shtjerë ndë ngasie, po shpëto-na nga i ligu; sepse jotia është mbëretëria e fuqia e lavdia ndë jetët të jetëvet . Amin.
14 Sepse nd’ ua falçi njerëzvet fajet’ e atyre, do t’ua falë edhe juve Ati juaj qiellori.
15 Po ndë mos ua falçi njerëzëvet fajet’ e atyre, as Ati juaj nukë do të falë fajetë tuaja.
16 Edhe kur t’ agjëroni, mos bëhi të vrërëtë, posi ipokritëritë; sepse ata prishnjënë faqet’ e tyre, që të dukenë ndër njerëzit se agjëronjënë. Me të vërtetë po u them juve, se ata e kanë marrë pagën’e tyre.
17 Po ti kur të agjëronjç, lyej kryetë tat, edhe laj faqet e tua;
18 Që të mos dukeç te njerëzit se agjëron, po tek yt Atë, që është fshehurazi; edhe yt Atë që shesh fshehurazi, do ta paguanjë tyj faqeza.
19 Mos mbëlithni thesarë mbë dhet për ju, atie ku krymbi edhe ndryshku i prish, edhe atie ku viedhësitë rëmonjën’ edhe viedhënë,
20 Po mbëlithni thesarë ndë qiell për ju, atie ku nuk’ i prish as krymp as ndryshk, edhe atie ku viedhësitë nukë rëmojn’ as viedhënë.
21 Sepse tek është thesari juaj, atie do të jetë edhe zemëra juaj.
22 Kandil’ i trupit është syri; ndë qoftë pra se syri yt ësht’ i këthiellëtë, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçim;
23 Po ndë qoftë se syri yt ësht’ i lik, gjithë trupi yt do të jet’ i errëtë. Ndë qoftë pra se drita që gjëndetë te ti ësht’ errësirë, errësira sa e madhedo të jetë ?
24 Asnjë s’munt t’u shërbenjë dy zotërinjve, sepse a njërit do t’i ketë mëri, edhe tiatrinë do ta dojë; a njërit do t’i ngjitetë prapa, edhe tiatërit do t’i këthenjë krahëtë. Nukë munt t’i shërbeni Perëndisë edhe Mammonajt.
25 Përandaj po u them juve: Mos mendoni për jetënë tuaj, ç’të hani a ç’të pini; as për trupinë tuaj, ç’të vishni: a nuk’ është jeta më e nderçime se ushqimi, edhe trupi se të veshuritë?
26 Vështroni shpesët’e qiellit, se nukë mbiellënë, as nukë korrënë, as nukë mbëledhënë ndë grunarë, edhe Ati juaj qiellori i ushqen; a nukë ndani ju më tepërë se ata?
27 Po cili nga ju tuke pasurë kujdes, munt të shtonjë një kut ndë shtat të ti?
28 Edhe ç’mendoni për të veshuritë? Vështroni lulet’e arësë, si rritenë; as mundonenë, as dredhënë.
29 Po u them juve, se as Sollomoni me gjithë lavdin’e ti nukë qe veshurë posi një nga këto.
30 Po ndë qoftë se barin’e arësë, që sot është, e nesërë hidhetë ndë furrë, Perëndia e vesh kështu, nukë do t’u veshë juve shumë më tepërë, o besë-pakë?
31 Mos mendohi pra, tuke thënë: Ç’të hamë a ç’të pimë a ç’të veshmë?
32 Sepse gjithë këto i kërkonjënë kombetë; sepse Ati juaj qiellori e di, se keni nevojë për gjithë këto. Po kërkoni më përpara mbëretërin’ e Perëndisë, edhe drejtërin’e ati; edhe këto të gjitha do t’u shtonenë juve.
33 Mos mendohi pra për të nesërmenë, sepse e nesërmja do të ketë mendim për punët’e saja; mjaft është mbë ditën’ e keqeja e asaj.