Hyrja
1 Kjo është zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t'u treguar shërbëtorëve të tij ato që duhet të ndodhin së shpejti. Jezui ia bëri të njohura shërbëtorit të tij Gjon duke i dërguar engjëllin e tij. 2 Gjoni dëshmoi gjithçka që pa: fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Jezu Krishtit.
3 Lum ai që i lexon dhe lum ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie e i zbatojnë ato që janë shkruar në të, sepse koha e përmbushjes së tyre po afron.
Përshëndetje
4 Gjoni u shkruan shtatë kishave që ndodhen në Azi:
qoftë me ju hiri
e paqja nga Perëndia,
që është,
që ishte
e që po vjen;
nga shtatë shpirtrat,
që janë para fronit të tij,
5 dhe nga Jezu Krishti,
dëshmitari,
besniku,
i pari i ngjallur prej të vdekurve
e prijësi i mbretërve të tokës.
Ai na deshi,
na çliroi nga mëkatet tona
me gjakun e tij
6 e na bëri mbretëri priftërinjsh
të Perëndisë e Atit.
Atij i qoftë lavdia e pushteti,
në shekuj të shekujve!
Amen!
7 Ja, ai vjen me retë!
Të gjithë do ta shohin,
edhe ata që e shpuan me heshtë.
Gjithë fiset e dheut
do të vajtojnë për të.
Po, amen!
8 «Unë jam Alfa dhe Omega », thotë Zoti Perëndi, i gjithëpushtetshmi, ai që është, që ishte e që po vjen.
Krishti i shfaqet Gjonit
9 Unë Gjoni, vëllai juaj, që në Jezuin ndaj me ju pikëllimin, pritjen e mbretërisë dhe qëndresën, isha në ishullin që quhet Patmos për shkak të fjalës së Perëndisë dhe të dëshmisë për Jezu Krishtin. 10 Ditën e Zotit, i rrëmbyer nga Shpirti, dëgjova pas meje një zë të fortë si trumbetë, 11 që tha: «Atë që shikon, shkruaje në një libër dhe dërgoja shtatë kishave: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi e në Laodice».
12 U ktheva për të parë zërin që po më fliste. Atëherë pashë shtatë shandanë të artë 13 dhe në mes të shandanëve pashë dikë që ngjante me bir njeriu, të veshur me rrobë të gjatë e me brez të artë rreth kraharorit. 14 Koka dhe flokët e tij ishin të bardhë porsi leshi i bardhë dhe si dëbora, ndërsa sytë e tij si flakë zjarri. 15 Këmbët e tij ngjanin me bronz të kulluar, të pastruar në furrë, ndërsa zëri i tij si ushëtima e ujërave të detit. 16 Në dorën e djathtë mbante shtatë yje, ndërsa nga goja i dilte një shpatë e mprehtë me dy tehe. Fytyra e tij ishte si dielli kur ndriçon me gjithë forcën e tij.
17 Kur e pashë, rashë si i vdekur para këmbëve të tij. Ai vuri dorën e djathtë mbi mua e më tha: «Mos ki frikë! Unë jam i pari dhe i fundit. 18 Unë jam ai që jeton. Isha i vdekur, por ja ku jam i gjallë në shekuj të shekujve. Unë kam çelësat e vdekjes dhe të skëterrës. 19 Shkruaj, pra, gjërat që pe: ato që po ndodhin dhe ato që do të ndodhin më vonë. 20 Ja e fshehta e shtatë yjeve që pe në dorën time të djathtë dhe e shtatë shandanëve të artë: shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, ndërsa shtatë shandanët janë shtatë kishat».
1 Sbulesa e Jisu Krishtit, që ia dha Perëndia, t’ua dëftenjë shërbëtorëvet ti, sa janë për të bërë për së shpejti; edhe i dërgoj e i shënoj me anë t’ ëngjëllit ti mbë shërbëtorin’ e ti Joannë;
2 I cili martirisi për fialën’ e Perëndisë, edhe për martirin’ e Jisu Krishtit, edhe për sa pa.
3 Lum ay që këndon, edhe ata që dëgjonjënë fialët’ e profitisë, edhe ruanjënë sa janë shkruarë nd’ atë; sepse koha ësht’ afërë.
4 Joanni mbë shtatë qishat që janë nd’Asi; hir edhe paqtim qoftë mbë ju nga ay që ësht’ edhe që ishte edhe që vien; edhe nga të shtatë frymatë që janë përpara fronit ati;
5 Edhe nga Jisu Krishti, që është martiri besëtar, i parëlinduri prej së vdekurish, edhe i pari i mbëretëret dheut; mb’atë që na deshi, edhe që na lau nga fajetë tona me gjakun’ e ti,
6 Edhe që na bëri mbëretër’ e priftërë te Perëndia edhe Ati ti, mb’atë qoftë lavdia edhe pushteti ndë jetët të jetëvet. Amin.
7 Ja te vien me retë, edhe do ta shohë atë çdo sy, edhe ata që e shpuan’ atë; edhe gjithë kombet’ e dheut’do të ndukenë për atë; po, amin.
8 Unë jam Allfa edhe Omega (të nisuritë edhe të mbaruarëtë), thotë Zoti, Ay që ësht’ edhe që ishte edhe që vien, Gjithëpushtetësi.
9 Unë Joanni, vëllaj juaj, edhe shok bashkë me ju ndë shtrëngimt edhe ndë mbëretërit edhe ndë durim të Jisu Krishtit, qeshë ndë ujdhesët që kluhetë Patmë, për fialën’ e Perëndisë, edhe për martirin’ e Jisu Krishtit.
10 Qeshë ndë frymë ditën’ e dielë; edhe dëgjova prapa meje një zë të math posi trumbete,
11 Që thoshte (Unë jam Allfa edhe Omega, i pari edhe i pastajmi; edhe): Ç’sheh, i shkruaj ndë vivli, edhe ua dërgo qishavet (që janë ndë Asi) ndë Efesë, e ndë Smyrnë, e ndë Pergamë, e ndë Thyateir, e ndë Sardhej, e ndë Filladhelfi, e ndë Llaodhiqi.
12 Edhe u këthyeçë të shoh zënë që foli me mua; edhe kur u këthyeçë, pashë shtatë kandile t’arta.
13 Edhe ndë mest të shtatë kandilevet pashë një që gjante posi bir njeriu, veshurë me një rrobe të gjatë gjer ndër këmbë, edhe ngjeshurë mbë sisat me një bres t’artë.
14 Edhe kryet. e ati edhe flokët’ ishinë të bardhë, posi lesh i bardhë, si bora; edhe syt’ e ati posi flakë ziarri;
15 Edhe këmbët’ e ati gjaninë posi orihallk, sikur të jenë nxehurë ndë kaminë; edhe zër’ i ati posi zë shumë ujërash.
16 Edhe kishte ndë dorët të diathtë të ti shtatë yje; edhe nga goja e ati një shpatë e prehëtë me dy presa; edhe faqeja e ati ndriste posi dielli kur ndrit ndë fuqi të ti.
17 Edhe kur pashë atë, rashë ndër këmbët t’ati posi i vdekurë; edhe ay vuri dorën’ e ti të diathtënë mbi mua, e më tha: “Mos u frikëso. Unë jam i pari edhe i pastajmi,
18 Edhe ay që rron; edhe qesh’ i vdekurë, edhe ja te jam i gjallë ndë jetët të jetëvet; (amin); edhe kam qjyçet’ e hadhit, edhe të vdekëjesë.
19 Shkruaj ç’pe, edhe ç’janë, edhe ç’janë për të bërë paskëtaj;
20 Mistirin’ e të shtatë yjevet që pe mbë të diathtët time, edhe shtatë kandilet’ e arta. Të shtatë yjetë janë ëngjëjt’ e shtatë qishavet; edhe të shtatë kandiletë (që pe) janë shtatë qishatë.