Cilësitë e peshkopëve
1 Kjo fjalë është e besueshme: nëse dikush kërkon të bëhet peshkop, dëshiron një punë të mirë.
2 Peshkopi duhet të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje, i kthjellët, i matur, i sjellshëm, mikpritës, mësues i zoti, 3 jo pijanec, jo i dhunshëm , por i durueshëm, jo grindavec, jo lakmitar parash. 4 Ai duhet ta drejtojë mirë shtëpinë e vet e t'i ketë fëmijët të bindur e shumë të sjellshëm. 5 Nëse dikush nuk di sesi të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë? 6 Peshkopi të mos jetë i ri në besim, që të mos i rritet mendja e të mos bjerë në të njëjtin dënim me djallin. 7 Ai duhet të gëzojë edhe respektin e atyre që janë jashtë kishës, që të mos përgojohet e të bjerë në kurthin e djallit.
Cilësitë e dhjakëve
8 Po ashtu edhe dhjakët duhet të jenë të denjë, jo me dy fytyra , jo të dhënë pas verës së tepërt, as lakmitarë fitimesh të pandershme. 9 Ata duhet ta mbajnë me ndërgjegje të pastër të fshehtën e besimit. 10 Këta le të vihen më parë në provë, pastaj nëse janë të paqortueshëm, le të shërbejnë. 11 Po ashtu gratë e tyre të jenë me dinjitet, të mos shpifin, të jenë të përmbajtura e besnike në gjithçka. 12 Dhjakët të jenë bashkëshortë të një gruaje, t'i drejtojnë mirë fëmijët dhe shtëpitë e tyre. 13 Sepse ata që e kryejnë mirë shërbesën fitojnë një emër të mirë për veten dhe shumë guxim në besimin që është në Krishtin Jezu.
E fshehta e besimit
14 Këto gjëra po t'i shkruaj me shpresë se do të vij te ti së shpejti, 15 por nëse vonohem, të dish sesi duhet të sillet njeriu në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe themeli i së vërtetës. 16 Pa dyshim, e madhe është e fshehta e besimit:
Perëndia u shfaq në trup njerëzor,
u shpall i drejtë nga Shpirti,
u pa nga engjëjt,
u predikua mes kombeve,
u besua në botë,
u ngrit në lavdi.
1 Për të zënë besë është fiala; ndë i ka ënda ndonjërit episkopi, dëshëron punë të mirë.
2 Duhetë pra episkopi të jetë i pazënë me faj, burr i një gruaje, i esulltë të jetë, i urtë, i hieshim, miku i të huajvet, i zoti për të mësuarë;
3 Jo pianec, jo rrahës (jo të dojë fitim të lik); po të jetë i butë, asi që s’do të zihetë, asi që s’lakëmon për argjënt;
4 Të qiverrisnjë mirë shtëpin’ e ti, të ketë dielm të dëgjuarshim me çdo farë urtësie;
5 (Sepse ndë qoftë se ndonjë nukë di të qiverrisnjë shtëpin’ e ti, qysh do t’i ketë kujdes qishësë Perëndisë?).
6 Të mosjetë i mësuarë rishtazi, që të mos mbahetë mbë të math e të bierë ndë dëm të diallit.
7 Edhe ay duhetë edhe të ketë martiri të mirë edhe nga të përjashtëmit, që të mos bierë ndë turp e ndë lak të diallit.
8 Dhiakëritë po kështu, duhetë të jenë të hieshim, jo me dy faqe ndë fialët, jo të vënë re ndë shumë verë, as mbë fitimi të lik;
9 Të kenë fshehësirën’ e besësë me ndërgjegjëje të këthiellëtë.
10 Edhe këta le të provonenë më përpara, pastaj le të bënenë dhiakërë, ndë qofshinë stë pagjëndurë mbë faj.
11 Gratë po kështu të jenë të hieshime, jo kallzimtare, të esullta, besëtare mbë të gjitha.
12 Dhiakëritë le të jenë burra të një gruaje, që qiverrisënjë mirë dielmt’ edhe shtëpiat’ e tyre.
13 Sepse ata që kanë shërbyerë mirë, fitonjënë shkallë të mirë për vetëhen’ e tyre, edhe kanë shumë sy e faqe ndë besët që është mbë Jisu Krishtinë.
14 Këto po të shkruanj, tuke shpëryerë të vinj për së shpejti te ti;
15 Po ndë mënofsha, që të dish qysh duhetë të bihesh ndë shtëpi të Perëndisë, e cila është qisha e Perëndisë gjallë, shtylla edhe të pështetuir e të së vërtetësë.
16 Edhe pa ndonjë fialë kundrë e madhe është fshehësira e besësë; Perëndia u çfaq ndë mish, dolli i drejtë ndë Frymë, u duk ndër ëngjëj, u leçit ndër kombe, u zu besë ndë botët, hipi lart me lavdi.