Jeta në Shpirtin e shenjtë
1 Prandaj, tanimë nuk ka asnjë dënim për ata që i përkasin Krishtit Jezu, 2 sepse ligji i Shpirtit që jep jetë përmes Krishtit Jezu, ju çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. 3 Atë që nuk mund ta bënte ligji për shkak të dobësisë njerëzore, e bëri Perëndia duke dërguar Birin e vet në përngjasim me dobësinë njerëzore mëkatare. Për sa i takon mëkatit, ai e ndëshkoi mëkatin në dobësinë njerëzore, 4 në mënyrë që kërkesat e drejta të ligjit të përmbushen në ne që nuk jetojmë sipas dobësisë njerëzore, por sipas Shpirtit.
5 Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, e kanë mendjen te gjërat e dobësisë njerëzore, por ata që jetojnë sipas Shpirtit, e kanë mendjen te gjërat e Shpirtit. 6 Mendja te gjërat e dobësisë njerëzore të çon në vdekje, ndërsa mendja te gjërat e Shpirtit të çon në jetë dhe paqe. 7 Prandaj mendja te gjërat e dobësisë njerëzore është në armiqësi me Perëndinë, pasi nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. 8 Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë.
9 Ju nuk jetoni sipas dobësisë njerëzore, por jetoni në Shpirt, përderisa Shpirti i Perëndisë banon në ju. Nëse ndonjë nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Krishtit. 10 Nëse Krishti është në ju, trupi juaj do të vdesë për shkak të mëkatit, por Shpirti ju jep jetë, për shkak se Perëndia ju ka bërë të drejtë. 11 Nëse Shpirti i atij që e ngjalli Jezuin prej të vdekurve banon në ju, atëherë Perëndia që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë përmes Shpirtit të tij që banon në ju.
12 Prandaj, o vëllezër, detyrimi që kemi nuk është kundrejt dobësisë njerëzore për të jetuar sipas saj. 13 Nëse jetoni sipas dobësisë njerëzore, ju do të vdisni; por nëse me anë të Shpirtit do t'i shkatërroni për vdekje veprat e dobësisë njerëzore, ju do të jetoni. 14 Ata që udhëhiqen prej Shpirtit të Perëndisë janë bij të Perëndisë. 15 Sepse Shpirti që keni marrë, nuk është një shpirt që ju bën skllevër për të pasur sërish frikë, por keni marrë Shpirtin që ju ka birësuar, nëpërmjet të cilit thërrasim: Abba, o Atë! 16 Ky Shpirt dëshmon me shpirtin tonë se jemi bij të Perëndisë. 17 Nëse jemi bij, jemi edhe trashëgimtarë; trashëgimtarë të Perëndisë si dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, sepse, nëse vuajmë bashkë me të, edhe do të përlëvdohemi bashkë me të.
Lavdia e ardhshme
18 Unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme as nuk ia vlen të krahasohen me lavdinë që do të na zbulohet në të ardhmen. 19 Gjithçka e krijuar nga Perëndia pret me padurim që ai të shfaqë bijtë e tij. 20 Në të vërtetë, gjithçka e krijuar iu nënshtrua prishjes jo me vullnetin e vet, por për shkak të atij që e nënshtroi. Megjithatë ka shpresë 21 se gjithçka e krijuar do të çlirohet nga robëria e kalbjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. 22 Ne e dimë se deri tani gjithçka e krijuar rënkon dhe vuan bashkë me ne si një grua në dhimbjet e lindjes; 23 dhe jo vetëm gjithçka e krijuar, por edhe vetë ne që i kemi marrë frytet e para të Shpirtit rënkojmë përbrenda vetes, duke pritur me padurim birësimin dhe shpengimin e trupave tanë. 24 Sepse u shpëtuam me anë të shpresës, por shpresa që shihet nuk është shpresë. Përse duhet ta shpresojë njeriu atë që sheh? 25 Por nëse e shpresojmë atë që nuk e shohim, atëherë e presim me durim.
26 Po ashtu edhe Shpirti na ndihmon, sepse jemi të dobët. Ne nuk dimë as për çfarë e as si duhet të lutemi, por vetë Shpirti ndërmjetëson për ne me psherëtima të pashqiptueshme. 27 Perëndia që shqyrton zemrat e di se cili është synimi i Shpirtit, sepse ai ndërmjetëson për të shenjtët siç i pëlqen Perëndisë. 28 Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë dhe që janë thirrur sipas qëllimit të tij. 29 Sepse Perëndia i njihte ata që më përpara dhe i paracaktoi për t'u bërë të ngjashëm me shëmbëllimin e Birit të tij, në mënyrë që Biri të jetë i parëlinduri mes shumë vëllezërve. 30 Ata që i paracaktoi, edhe i thirri; ata që i thirri, edhe i bëri të drejtë; ata që i bëri të drejtë, edhe i përlëvdoi.
Dashuria e Perëndisë
31 Ç'të themi, pra, për këto gjëra? Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Ai që vërtet nuk e kurseu Birin e vet, 32 por e dha për ne të gjithë, a nuk do të na dhurojë bashkë me të edhe çdo gjë tjetër? 33 Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Askush, sepse Perëndia është ai që i bën të drejtë. 34 Kush është ai që do t'i dënojë? Askush, sepse Krishti Jezu është ai që vdiq, e për më tepër është ai që u ngjall. Është ai që rri në të djathtë të Perëndisë e ndërmjetëson për ne. 35 Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Mos vallë pikëllimi a hidhërimi, përndjekja a uria, të zhveshurit a rreziku apo shpata? 36 Sikurse është shkruar:
për ty po na vrasin tërë ditën
e na trajtojnë si dele për t'u therur.
37 Por në të gjitha këto gjëra ne dalim më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi. 38 Unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as sundimtarët, as gjërat e tashme, as ato që po vijnë, as pushtetet, 39 as forcat qiellore, as forcat e botës së nëndheshme, as ndonjë krijesë tjetër nuk do të mund të na ndajnë nga dashuria e Perëndisë që u tregua në Krishtin Jezu, Zotit tonë.
1 Ndashti pra s’është ndonjë dënim për ata që janë mbë Jisu Krishtinë, që nuk’ ecënjënë pas mishit, (po pas Frymësë).
2 Sepse nomi i Frymësë jetësë mbë Jisu Krishtinë më liroj prej nomit fajit edhe prej vdekëjesë.
3 Sepse atë që s’munt të bënte nomi, sepse ishte i pafuqishim nga mishi, Perëndia dërgoj Birin’ e ti me shëmbëllim mishi të fajit, edhe për faj, edhe dënoj fajinë ndë misht;
4 Që të mbushetë drejtërimi i nomit mbë ne që nukë ecëjmë pas mishit, po pas Frymësë.
5 Sepse ata që rronjënë pas mishit, kanë ndër mënt punët’ e mishit; edhe ata që rronjënë pas Frymës kanë ndër mënt punët’ e Frymësë.
6 Sepse mendimi i mishit është vdekëje, po mendimi i Frymës’ është jetë edhe paqtim.
7 Sepse mendimi i mishit ësht’ arëmiqësi te Perëndia; sepse nukë bindetë ndë nomt të Perëndisë, po as nukë munt.
8 Edhe sa janë të mishit, nukë munt t’i pëlqenjënë Perëndisë.
9 Po ju nukë jeni të mishit, po të Frymësë, ndë ndenjtë Frym’ e Perëndisë ndër ju. Po ndë pastë ndonjë Frymën’ e Krishtit, kyj nuk’ ësht’ i ati.
10 Po ndë qofë Krishti ndër ju, trupi ësht’ i vdekurë për fajinë, po fryma është jetë për drejtërinë.
11 Po ndë ndenjtë ndër ju Frym’ e ati që ngjalli prej së vdekurish Jisunë, ay që ngjalli Krishtinë prej së vdekurish do t’u apë jetë trupavet tuaj të morçimvet, me anë të Frymësë ti që rri ndër ju.
12 Jemi detorë pra, o vëllezër, jo te mishi, që të rrojmë pas mishit.
13 Sepse ndë rrofshi pas mishit, keni për të vdekurë, po ndë vrafshi punët’ e trupit me anë të Frymësë, do të rroni.
14 Sepse ata që hiqenë pas Frymësë Perëndisë, këta janë të bijt’ e Perëndisë.
15 Sepse s’keni marrë frymë robërie, që të keni frikë përsëri, po keni marrë frymë birërie, me anë të cilësë thërresmë: Avva, o Atë.
16 Ajo Fryma martiris bashkë me frymënë tënë, se jemi bij’ Perëndie.
17 Edhe ndë qofshim bij, jemi edhe trashëgimtarë; trashëgimtarët’ e Perëndisë, edhe trashëgimtarë bashkë me Krishtinë, po ndë pësofshim bashkë me atë, që të lavdonemi edhe bashkë me atë.
18 Sepse unë mendonem, se pësimet’ e kësaj kohe ndashti nukë vëjenjënë të mbarasonenë me atë lavdinë që do të sbulonetë ndër ne.
19 Sepse shpëres’ e madhe e kriesësë pret të shpërfaqurit’ e të bijvet Perëndisë.
20 Sepse kriesa u vu ndën’ urdhër të kotësirësë, jo me dashurim t’ asaj, po për atë që e vuri ndën’ urdhër,
21 Me shpëresë se edhe ajo kriesa do të lironetë nga prishëja e robërisë, e do të vejë ndë të lirët të lavdisë të bijvet Perëndisë.
22 Sepse e dimë se gjithë kriesa psherëtin e ka të dhëmbura bashkë gjer ndashti.
23 Edhe jo vetëm’ ajo , po edhe ata që kanë pemën’ e parë të Frymësë, edhe neve vetë psherëtijmë ndër vetëhenë tonë, tuke priturë birërinë për shpërblimin’ e trupit tënë.
24 Sepse me shpëresënë, shpëtuam; po ajo shpëresa që shihetë nuk’ është shpëresë, sepse atë gjë që e sheh ndonjë, ç’shpëresë ka më?
25 Po ndë shpërefshim për atë gjë që nuk’ e shohmë, e presmë me anë të durimit.
26 Kështu edhe Fryma vete na ndih ndë sëmundëjet tona, sepse nukë dimë për çfarë gjëje të falemi sikundrë gjan, po ajo Fryma vetë lutetë për ne me psherëtima të pandiera zërinë.
27 Edhe ay që vëshgon zëmratë e di se ç’është mendimi i Frymësë, se lutetë për shënjtorëtë si do Perëndia.
28 Edhe e dimë se gjithë punët’ u ndihnjënë për të mirë atyreve që duanë Perëndinë, atyreve që janë thirrë pas dashurimit ati .
29 Sepse sa njohu që përpara, ata urdhëroj që përpara të jenë bashkë me një formë me ikonën’ e të Birit, që të jet’ ay i paralindurë ndër shumë vëllezër.
30 Edhe sa urdhëroj që përpara, këta i thirri; edhe sa thirri, këta i nxori të drejtë; edhe sa nxori të drejtë, këta i lavdoj.
31 Ç’do të themi pra për këto punë ? Ndë qoftë Perëndia bashkë me ne, cili do të jetë kundrë nesh?
32 Sepse ay që nukë kurseu Birin’ e ti, po e dha atë ndër duar për ne të gjithë, e qysh nukë do të na falë neve të gjitha bashkë me atë?
33 Cili do të përflasë të sgjedhurit’ e Perëndisë? Perëndia ësht’ ay që nxier të drejtë.
34 Cili do të jetë ay që gjykon për të keq? Krishti ësht’ ay që vdiq, po edhe më tepër ay që u ngjall, edhe që është ndë të diathtë të Perëndisë, edhe që lutetë për ne.
35 Cili do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Shtrëngim, a ngushtim, a vdekëje, a zi, a të sveshurë, a rrëzik, a thikë?
36 (Sikundrë është shkruarë: “Se për punë teje vritemi gjithë ditënë; u numëruam posi dhëntë për të therurë”.)
37 Po mbë gjithë këto punë neve muntmë më teprë me anë t’ ati që na deshi.
38 Sepse më është mbushurë mëndëja se as vdekëje, as jetë, as ëngjëj, as urdhëra, as fuqia, as ato që janë ndashti, as ato që do të vinjënë,
39 As lartësirë, as thellësirë, as ndonjë tiatrë kriesë, do të muntnjë të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është mbë Jisu Krishtinë Zotinë tënë.