Për kishën e Efesit
1 «Engjëllit të kishës në Efes shkruaji: kështu thotë ai që mban shtatë yjet në dorën e tij të djathtë, ai që ecën mes shtatë shandanëve të artë: 2 i njoh veprat e tua, mundimin dhe durimin tënd. Di edhe se nuk i duron të këqijtë dhe i vure në provë ata që e quajnë veten apostuj, por që në të vërtetë nuk janë dhe që të dolën gënjeshtarë. 3 Ke bërë durim, ke vuajtur për emrin tim e nuk je lodhur.
4 Por, kam diçka kundër teje. Dashurinë tënde të parë e harrove. 5 Kujtohu, pra, sa poshtë ke rënë, pendohu dhe bëj veprat e para. Nëse nuk pendohesh, do të vij dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi. 6 Por ti ke këtë të mirë, se i urren veprat e nikolaitëve që edhe unë i urrej.
7 Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: atij që fiton, do t'i jap të hajë nga pema e jetës që është në parajsën e Perëndisë».
Për kishën e Smirnës
8 «Engjëllit të kishës në Smirnë shkruaji: kështu thotë i pari dhe i fundit, që vdiq, por u kthye në jetë: 9 e njoh pikëllimin dhe varfërinë tënde, por je i pasur. I di edhe fyerjet që thonë kundër teje ata që hiqen se janë judenj e që në të vërtetë nuk janë, por janë sinagogë e Satanit.
10 Mos ki frikë nga ato që do të vuash! Ja, djalli do të hedhë në burg disa prej jush, që të viheni në provë dhe për dhjetë ditë do të keni pikëllim. Qëndro besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës.
11 Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: ai që fiton nuk do të preket nga vdekja e dytë».
Për kishën e Pergamit
12 «Engjëllit të kishës në Pergam shkruaji: kështu thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe: 13 e di ku banon, atje ku është froni i Satanit. E ke ruajtur emrin tim dhe nuk e ke mohuar besimin në mua edhe gjatë ditëve të Antipës, dëshmitarit tim besnik, që u vra mes jush atje ku banon Satani.
14 Por kam disa gjëra kundër teje. Ke aty disa që ndjekin mësimin e Balaamit, që e mësonte Balakun t'u bëhej pengesë bijve të Izraelit, t'i bënte të hanin flijime idhujsh e të jepeshin pas kurvërisë. 15 Ke edhe nga ata që ndjekin mësimin e nikolaitëve . 16 Pendohu, pra! Përndryshe do të vij së shpejti e do t'i luftoj me shpatën e gojës sime.
17 Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: atij që fiton do t'i jap nga mana e fshehur. Do t'i jap edhe një gur të bardhë, ku do të jetë shkruar një emër i ri që askush nuk e di, përveç atij që e merr».
Për kishën e Tiatirës
18 «Engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: kështu thotë Biri i Perëndisë, ai që i ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e të cilit ngjajnë me bronz të kulluar: 19 i njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe durimin tënd. Di edhe që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat. 20 Por kam diçka kundër teje. Ti lejon Izebelën, një grua që e quan veten profeteshë, të mësojë e të mashtrojë shërbëtorët e mi, duke i shtyrë të jepen pas kurvërisë e të hanë flijime idhujsh. 21 I dhashë kohë të pendohet, por ajo nuk dëshiron të heqë dorë nga kurvëria e saj.
22 Ja, unë do ta bëj të zërë shtratin dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore me të do të kenë vuajtje të mëdha nëse nuk pendohen për ato që bëjnë. 23 Bijtë e saj do t'i ndëshkoj me vdekje dhe le ta marrin vesh të gjitha kishat se unë jam ai që shqyrton mendimet dhe dëshirat . Secilit prej jush do t'i jap sipas veprave të veta.
24 Ju të tjerëve në Tiatirë, që nuk i ndiqni mësimet e saj e nuk i njihni ato që i quajnë “thellësitë e Satanit”, nuk do t'ju vë barrë tjetër, 25 por mbani fort ato që keni, derisa të kthehem unë.
26 Atij që fiton dhe bën deri në fund veprat e mia,
do t'i jap pushtet mbi kombet,
27 të cilat ai do t'i udhëheqë me skeptër të hekurt
e do t'i thyejë si enë balte,
28 ashtu siç e mora edhe unë pushtetin nga Ati im. Atij do t'i jap edhe yllin e mëngjesit.
29 Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».
1 Shkruaj ëngjëllit kishës’ Efesine:
Këto thot’ ay që mba të shtat’ yjetë ndë të diathtë të ti, ay që ecën ndë mes të shtatë kandilevet arta.
2 I di punërat’ e tua, edhe mundiminë tënt, edhe duriminë tënt, edhe s’munt të duronjç të liqtë, edhe se provove ata që thonë se janë apostoj, edhe nukë janë; edhe i gjete gënjeshtarë.
3 Edhe vove, edhe ke durim, edhe u mundove për emërinë tim, edhe s’u lodhe.
4 Po diç kam kundrë teje, sepse le dashurinë tënde të parënë.
5 Kujtonu pra nga re poshtë, edhe pendonu, edhe bën punërat’ e para; se ndë mos, vinj shpejt te ti, edhe do të luanj kandilenë tënde nga vëndi asaj, ndë mos u pendofsh.
6 Po ke këtë të mirë , se u ke mëri punëravet Nikollaitëvet, të cilavet u kam mëri edhe unë.
7 Ay që ka vesh, le të dëgjonjë ç’u thotë qishavet Fryma: Ati që munt do t’i apë të hajë nga druja e jetësë, që është ndë mes të paradhisit Perëndisë.
8 Edhe ëngjëllit qishësë Smyrnevet shkruaj:
Këto thot’ i pari edhe i pastajmi, ay që qe i vdekur’ edhe rroj:
9 I di punërat’ e tua edhe shtrëngimin’ edhe vobëzinë (po je i pasurë), edhe vllasfimin’ e atyreve që thonë për vetëhen’ e tyre se janë Judhenj, edhe nukë janë, po janë mbëledhëj’ e Satanajt.
10 Mos u frikëso fare për sa ke për të pësuarë; ja dialli te ka për të vënë ca nga ju ndë burk, që të provohi; edhe do të kenë shtrëngim për dhietë dit. Bënu besëtar gjer mbë vdekëje, edhe do të t’ap kurorën’ e jetësë.
11 Ay që ka vesh, le të dëgjonjë ç’u thotë qishavet Fryma: Ay që munt do të mos i bënetë keq prej vdekëjesë dytë.
12 Edhe ëngjëllit qishësë ndë Pergamë shkruaj:
Këto thot’ ay që ka shpatën’ e prehëtë me dy presa:
13 I di punërat’ e tua, edhe ku e ke të ndenjuritë, atie ku është froni i Satanajt; edhe mba emërinë tim, edhe nukë mohove besënë time, edhe as nd’ato dit që ishte Antipa, martiriri im besëtari, i cili u vra ndër ju, atie ku ka të ndënjuritë Satanaj.
14 Po diç kam pak gjë kundrë teje, sepse ke atie ca vetë që mbajnë mësimin’ e Vallaamit, i cili mësonte Vallakunë të bërë skandhali përpara të bijvet Israilit, që të hanë kurban idhujsh edhe të kurvëronjënë.
15 Kështu ke edhe ti ca vetë që mbajnë mësimin’ e Nikollaitëvet, që e kam mëri.
16 Pendonu; se ndë mos, vinj shpejt te ti, edhe do të lëftonj me ata me shpatën’ e gojësë sime.
17 Ay që ka vesh, le të dëgjonjë ç’u thotë qishavet Fryma: Ay që munt do t’i ap të hajë nga manna që është fshehurë, edhe do t’i ap haliç të bardhë, edhe mbi haliç shkruarë një emër të ri, të cilin’ asndonjë s’e njeh, veç ay që e merr.
18 Edhe ëngjëllit qishësë që është ndë Thyateir shkruaj:
Këto thotë i Bir’ i Perëndisë, ay që ka syt’ e ti posi flakë ziarri, edhe këmbët’ e ati që gjanjënë porsi orihallk:
19 I di punërat’ e tua, edhe dashurinë, edhe shërbesënë që bën, edhe besënë, edhe duriminë tënt, edhe punërat’ e tua, edhe të pastajmetë se janë më tepërë se të paratë.
20 Po diç’ kam (pak gjë) kundrë teje, se lë gruanë Jezavelë, që thotë për vetëhen’ e saj se është profiteshë, të mësonjë edhe të gënjenjë shërbëtorët’ e mi të kurvëronjën’ edhe të hanë kurban idhujsh.
21 Edhe i dhashë kohë asaj të pendonetë nga kurvëria e saj, edhe nuk’ u pendua.
22 Ja unë tek e vë atë ndë shtrat, edhe ata që kurvëronjënë me atë ndë shtrëngim të math, ndë mos u pendofshinë nga punërat’ e tyre.
23 Edhe të bijt’ e asaj do t’i vras me vdekëje. Edhe gjithë qishatë do ta njohënë, se unë jam ay që vëshgonj veshnjet’ edhe zemëratë; edhe do t’i ap gjithësecilit prej jush pas punëravet tuaja.
24 Edhe u thom juve edhe të tierëvet që janë ndë Thyateir, sa s’kanë këtë mësim, edhe ata që s’i njohnë thellësirat’ e Satanajt, sikundrë thonë. Nukë do të vë tietërë barrë mbë ju;
25 Po mbani atë që keni, gjer sa të vinj.
26 Edhe ay që munt, edhe që ruan punërat’ e mia gjer së pastajmi, do t’i ap pushtet mbi kombet.
27 Edhe: “do të kullosnjë ata me shkop të hekurtë; do të thyhenë posi enët’ e shtëmbarit” e sikundrë edhe un’ i mora prej tim et.
28 Edhe do t’i ap ati yllin’ e mëngjesit.
29 Ay që ka vesh, le të dëgjonjë ç’u thotë qishavet Fryma.