Jezui dhe Zakeu
1 Jezui hyri në Jeriko e po kalonte nëpër qytet. 2 Aty ishte një njeri me emrin Zake. Ai ishte kryetagrambledhës dhe ishte i pasur. 3 Zakeu po përpiqej të shihte kush ishte Jezui, por ishte shtatvogël e nuk mund ta shihte për shkak të turmës. 4 Atëherë vrapoi përpara e hipi në një fik për ta parë, sepse Jezui po kalonte asaj rruge. 5 Kur Jezui arriti aty, ngriti sytë e i tha: «Zake, zbrit shpejt, se sot duhet të ndalem në shtëpinë tënde». 6 Zakeu zbriti me nxitim dhe e priti i gëzuar. 7 Të gjithë ata që e panë këtë, filluan të murmuritnin: «Ky shkoi mik te një mëkatar». 8 Zakeu, që rrinte në këmbë, i tha Zotit: «Ja, Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime e nëse i kam marrë ndokujt para me mashtrim, do t'ia kthej katërfish». 9 Atëherë Jezui i tha: «Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
10 Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur».
Dhjetë monedhat
(Mt 25.14-30)11 Ndërsa po e dëgjonin, Jezui u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë, meqë ishte afër Jerusalemit dhe ata besonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej nga çasti në çast. 12 Ai u tha: «Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej. 13 Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”. 14 Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t'i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne”. 15 Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur. 16 Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera”. 17 Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete”. 18 Pastaj erdhi i dyti e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë pesë të tjera”. 19 Ai i tha: “Edhe ti qeveris pesë qytete!”. 20 Pastaj erdhi tjetri e tha: “Zotëri, ja ku e ke monedhën tënde. Unë e mbështolla me një garzë, 21 se kisha frikë nga ti, që je i rreptë, që merr çfarë nuk ke dhënë e korr çfarë nuk ke mbjellë”. 22 Ai i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë, unë do të të gjykoj nga fjalët e tua. Ti e paske ditur se unë qenkam i rreptë, se marrkam çfarë nuk kam dhënë e korrkam çfarë nuk kam mbjellë? 23 Atëherë pse nuk e fute në bankë paranë time, që kur të kthehesha ta merrja bashkë me fitimin?”. 24 Pastaj u tha atyre që ishin aty: “Merrjani monedhën e jepjani atij që ka dhjetë!”. 25 Ata i thanë: “Zotëri, po ai i ka dhjetë monedha”. 26 Ai u përgjigj: “Unë po ju them se kujtdo që ka, do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. 27 Ndërsa ata armiqtë e mi që nuk dëshironin të bëhesha mbreti i tyre, sillini këtu e vritini para syve të mi!”».
Hyrja në Jerusalem
(Mt 21.1-11Mk 11.1-11Gjn 12.12-19)28 Pasi tha këto, Jezui u priu për në Jerusalem. 29 Kur iu afrua Betfagës e Betanisë, në vendin që quhet mali i Ullinjve, dërgoi dy prej dishepujve 30 e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e kur të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri. Zgjidheni e silleni. 31 Nëse dikush ju pyet se përse po e zgjidhni, i thoni kështu: “Zoti ka nevojë për të”». 32 Atëherë, ata që dërgoi Jezui, u nisën dhe gjetën gjithçka, siç u kishte thënë ai. 33 Kur po e zgjidhnin kërriçin, të zotët i pyetën: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». 34 Ata thanë: «Zoti ka nevojë për të».
35 Atëherë ia sollën kërriçin Jezuit, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. 36 Gjatë udhës njerëzit shtronin në rrugë rrobat e tyre. 37 Kur iu afrua rrugës që zbret nga mali i Ullinjve, mbarë turma e dishepujve filloi të lavdërojë Perëndinë me gëzim e me zë të lartë për të gjitha veprat e fuqishme që kishin parë. 38 Ata thoshin:
«Bekuar qoftë mbreti
që vjen në emër të Zotit!
Paqe në qiell
e lavdi në lartësitë e qiejve!».
39 Disa nga farisenjtë që ishin në turmë i thanë Jezuit: «Mësues, urdhëroji dishepujt të heshtin». 40 Por Jezui u përgjigj: «Unë po ju them, edhe po të heshtnin këta, gurët do të bërtisnin».
41 Kur iu afrua qytetit dhe e pa, Jezui qau për të 42 e tha: «Ah, sikur ta kuptoje edhe ti sot se nga vjen paqja! Por kjo është e fshehtë për sytë e tu. 43 Po vijnë ditët kur armiqtë e tu do të hapin llogore rreth teje, do të të rrethojnë e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. 44 Pastaj do të të shtrijnë përdhe ty dhe fëmijët e tu e nuk do të të lënë gur mbi gur, sepse ti nuk e njohe kohën kur Perëndia erdhi për të të ndihmuar».
Pastrimi i tempullit
(Mt 21.12-17Mk 11.15-19Gjn 2.13-22)45 Pastaj Jezui hyri në tempull e filloi të dëbonte ata që shisnin aty. 46 Dhe u tha: «Është shkruar:
shtëpia ime
është shtëpi lutjeje,
por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
47 Jezui i mësonte njerëzit çdo ditë në tempull. Kryepriftërinjtë, shkruesit dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin, 48 por nuk dinin çfarë të bënin, sepse i gjithë populli mrekullohej kur e dëgjonte.
1 Edhe ay hyri e shkonte ndëpër Jeriho.
2 Edhe na një njeri që qjuhej Zakhe, i cili ishte i par’ i kumerqarëvet, edhe kyj ishte i pasurë;
3 Edhe kërkonte të shihte Jisunë cili është; po s’munte nga gjëndëja, sepse ishte i vogëlë ndë shtat.
4 Edhe nxitoj përpara, e hipi mbë një dru mani, që t’e shihte, sepse kishte për të shkuarë ndëpër atë udhë .
5 Edhe Jisuj kur erdhi ndë atë vënt, ngriti sytë e pa atë, edhe i tha: “Zakhe, sbrit shpejt; sepse sot duhetë të mbes unë ndë shtëpit tënde.”
6 Edhe ay sbriti shpejt, edhe e priti me gëzim.
7 Edhe të gjithë kur panë murmurisinë, tuke thënë, se: “Hyri të rrijë te një njeri fajtuar.
8 Edhe Zakheu qëndroj e i tha Zotit: “Na, o Zot, gjysmën’ e gjësë sime te po ua ap të vobeqvet, edhe ndë i paça marrë gjë ndonjë njeriu me pahirë, i ap për një katrë.”
9 Edhe Jisuj i tha, se: “Sot u bë shpëtim ndë këtë shtëpi, sepse edhe ay ësht’ i bir’ i Avraamit.
10 Sepse i bir’ i njeriut erdhi të kërkonjë e të shpëtonjë atë që ësht’ i humburë.
“ 11 Edhe ata kur ndigjoninë këto, Jisuj shtoj e tha një paravoli, sepse ishte afër Jerusalimit, edhe ata kujtoninë, se do të duketë përnjëherë mbëretëri’ e Perëndisë.
12 Tha pra: “Një njeri i fisçim vate mbë një vënt të largë, për të marrë një mbëretëri për vetëhen’ e ti, pastaj të këthenetë.
13 Edhe thirri dhietë shërbëtorët’ e ti, e u dha dhietë mna; edhe u tha: Punoni këto gjersa të vinj.
14 Po qytetarët’ e ati e mërzitinë, edhe dërguanë lajmësi pas ati, tuke thënë, se : Nukë duamë këtë të mbëretëronjë mbi ne.
15 Edhe si mori mbëretërinë u këthye prapë, e tha të thërritenë tek ay ata shërbëtorëtë që u pat dhënë argjëndinë, për të marrë vesh ç’kishte fituarë gjithësecili.
16 Edhe erdhi i pari, tuke thënë: Zot, mnaja jote fitoj dhietë mna.
17 Edhe ay i tha: Të lumtë, shërbëtor’ i mirë; se u bëre i besuarë mbë të pakënë, ki pushtet siprë dhietë qyteteve.
18 Erdhi edhe i dyti, tuke thënë: Zot, mnaja jote bëri pesë mna.
19 I tha edhe këti: Edhe ti bënu zot siprë pesë qyteteve.
20 Erdhi edhe tietri, tuke thënë: Zot, na mnaja jote të cilën’ e pata ruajturë mbë-nj’-an ndë një rizë, sepse të pata frikë,
21 Se je njeri i shtrënguarë, merr atë që s’ke vënë, edhe korr atë që s’ke mbiellë.
22 Edhe ay i thotë: Prej gojësë sate të kam për të gjykuarë, shërbëtor’ i keq, ti e dije, se unë jam njeri i shtrënguarë, edhe marr atë që s’kam vënë, edhe korr atë që s’kam mbiellë.
23 Përse pra nukë dhe argjëndinë tim ndë truvezët, që ta merrnjam bashkë me kamatënë kur të vinjam unë?
24 Atëhere u tha atyre që rrininë përpara: Merrni mnanë prej ati, edhe ia epni ati që ka dhietë mnatë.
25 (Edhe ata i thanë: Zot, ay ka dhietë mna.)
26 Sepse po u them juve, se kujdo që ka do t’i epetë; edhe prej ati që s’ka, edhe atë që të ketë do të merretë prej ati.
27 Po ata arëmiqt’e mi që s’më deshnë të mbëretëronj mbi ata, birni këtu, edhe therni ata përpara meje.”
28 Edhe si tha këto, shkonte përpara, tuke hipurë ndë Jerusalim.
29 Edhe kur u afrua ndë Vithfagji edhe ndë Vithami, ndaj malit që qjuhetë i Ullinjet, dërgoj dy vetë nga nxënësit’ e ti, e u tha atyre:
30 “Shkoni ndë fshat të përtejm; kur të hyni atie do të gjeni një pulisht lidhurë, që nuk i ka hipurë kurrë ndonjë njeri, sgjidheni edhe silleni.
31 Edhe ndë u pyetë juve ndonjë: Përse e sgjithni? Kështu t’i thoni, se: Zoti ka nevojë për atë.”
32 Edhe ata që u dërguanë si shkuanë, gjetnë sikundrë u tha atyre.
33 Edhe ata kur po sgjidhinë pulishtinë, të zotërit’ e ati u thanë atyre: “Përse sgjithni pulishtinë?”
34 Edhe ata thanë: “Zoti ka nevojë për atë.”
35 Edhe e prunë të Jisuj; edhe si hodhë rrobet’ e tyre mbi pulishtinë, hipnë Jisunë mb’ atë.
36 Edhe ay kur po shkonte, gjëndëja shtroninë rrobet’ e tyre mb’ udhë.
37 Edhe ay kur u afrua tashti mbë të sbriturit të malit Ullinjet, gjithë shumica e nxënëset zunë të gëzoneshinë e ta lavduroninë Perëndinë me zë të math për gjith’ ato çudi që panë, tuke thënë:
38 “I bekuarë qoftë mbëreti që vien mb’ emërë të Zotit; paqtim ndë qiell, edhe lavdi mbë të lartat.”
39 Edhe ca Farisenj prej gjëndëjesë i thanë: “Mësonjës, qërto nxënësit’ e tu.”
40 Edhe ay u përgjeq e u tha atyre: “Po u them juve, se ndë pushofshinë këta, gurëtë do të thërresënë.”
41 Edhe si u afrua, e pa qytetnë, qjau për atë, tuke thënë, se:
42 “Ndë qoftë se dije edhe ti pak së pakut sot ndë këtë ditët tënde, ato punë që punonenë për paqtim tënt, po tashi u fshehnë prej syvet tu.
43 Sepse kanë për të ardhurë dit për tyj, edhe arëmiqt’ e tu kanë për të bërë hendek rreth teje, edhe të kanë për të rrethuarë, edhe të kanë për të shtrënguarë, nga të gjith’ anëtë.
44 Edhe të kanë për të rrëzuarë sheshit tyj, edhe djemt’ e tu që gjëndenë brënda te ti, edhe nukë kanë për të lënë gur mbi gur te ti; sepse nukë njohe kohënë që erthnë për të parë tyj.
45 Edhe si hyri ndë hieroret, zuri t’i nxirte jasht’ ata që shitin’ e blijnë nd’ atë,
46 Tuke thënë atyre: “Është shkruarë: “Shtëpia ime është shtëpi lutëje“, po ju e bëtë “shpellë kursarësh.”
47 Edhe ishte tuke mësuarë për ditë ndë hieroret; edhe kryepriftërit’ e shkronjësitë, edhe të parët’ e llauzit kërkoninë t’e prishinë.
48 Po nukë gjeninë se ç’të bëninë, sepse gjithë llauzi ishte varë pas ati për të ndigjuar’ atë.