1 Sauli e miratoi vrasjen e Stefanit.
Sauli përndjek kishën
Atë ditë filloi një përndjekje e madhe ndaj kishës në Jerusalem. Përveç apostujve, të gjithë u shpërndanë nëpër fshatrat e Judesë e të Samarisë. 2 Disa njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë e varrosën Stefanin dhe e vajtuan shumë.
3 Ndërsa Sauli po e shkatërronte kishën duke hyrë shtëpi më shtëpi. Ai merrte zvarrë burra e gra dhe i fuste në burg.
4 Mirëpo ata që ishin shpërndarë shkonin nga një vend në tjetrin, duke shpallur ungjillin. 5 Filipi zbriti në qytetin e Samarisë e u predikoi atyre Krishtin. 6 Turmat i dëgjonin me vëmendje fjalët e Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat që bënte. 7 Shpirtrat e ndyrë dilnin me britma të mëdha prej shumë njerëzve që ishin të pushtuar prej tyre dhe shumë të paralizuar e të çalë u shëruan. 8 Kështu, në atë qytet u gëzuan shumë.
9 Në atë qytet jetonte prej kohësh një njeri me emrin Simon, i cili bënte magji e i mahniste njerëzit e Samarisë dhe thoshte se ishte njeri i madh. 10 Të gjithë e dëgjonin me vëmendje, nga më të vegjlit te më të mëdhenjtë, e thoshin: «Ky njeri është fuqia e madhe e Perëndisë». 11 Dhe e dëgjonin me vëmendje, sepse i kishte mahnitur për një kohë të gjatë me magjitë e tij. 12 Por kur i besuan Filipit, që po shpallte ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, atëherë u pagëzuan burra e gra. 13 Edhe vetë Simoni besoi. Pasi u pagëzua, qëndroi me Filipin e mahnitej kur shikonte shenjat dhe veprat e fuqishme që ndodhnin.
14 Kur apostujt në Jerusalem dëgjuan se Samaria e kishte pranuar fjalën e Perëndisë, dërguan atje Pjetrin e Gjonin. 15 Këta shkuan dhe u lutën që ata të merrnin Shpirtin e shenjtë, 16 sepse asnjëri prej tyre nuk e kishte marrë ende Shpirtin e shenjtë, por vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jezu. 17 Atëherë Pjetri e Gjoni vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin e shenjtë. 18 Kur Simoni pa se Shpirti u dhurua përmes vënies së duarve të apostujve, u ofroi atyre para 19 e u tha: «Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që kur të vë duart mbi dikë, të marrë Shpirtin e shenjtë». 20 Por Pjetri i tha: «U shkatërrofshin paratë e tua e ti bashkë me to, sepse mendove se mund të blesh me para dhuratën e Perëndisë! 21 Ti nuk ke as pjesë e as short në këtë gjë, se nuk e ke zemrën të drejtë para Perëndisë. 22 Pendohu për këtë mbrapshti tënden e lutju Zotit, se ndoshta ta fal atë që kishe në zemër. 23 Në të vërtetë po shoh se je i mbushur me vrer dhe je peng i mëkatit». 24 Atëherë Simoni u përgjigj: «Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga këto që thatë».
25 Pasi dëshmuan dhe predikuan fjalën e Zotit, Pjetri e Gjoni u kthyen në Jerusalem, duke u predikuar ungjillin shumë vendeve të Samarisë.
Filipi dhe etiopasi
26 Një engjëll i Zotit i foli Filipit e i tha: «Ngrihu e shko drejt jugut, në rrugën që zbret nga Jerusalemi në Gazë». Ajo është një rrugë e shkretë. 27 Filipi u ngrit e shkoi. Ai pa një eunuk etiopas, zyrtar i lartë i Kandakës, mbretëreshës së etiopasve, kujdestar i tërë thesarit të saj. Ky kishte qenë në Jerusalem për të adhuruar 28 e tani po kthehej, ulur në karrocën e vet, duke lexuar profetin Isai.
29 Atëherë Shpirti i tha Filipit: «Shko e hip në atë karrocë!». 30 Filipi shkoi me vrap, e dëgjoi eunukun duke lexuar profetin Isai e i tha: «A e kupton atë që po lexon?». 31 Ai i tha: «E si mund ta kuptoj po nuk më udhëzoi dikush?». Pastaj e ftoi Filipin të hipte në karrocë e të ulej pranë tij.
32 Pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo:
e çuan si dele për t'u therur,
si qengjin që shkon për t'u qethur
pa bëzajtur
e ai nuk e hapi gojën.
33 E poshtëruan e ia mohuan drejtësinë.
E kush mund të flasë për pasardhësit e tij?
Sepse jetës së tij i dhanë fund mbi tokë.
34 Eunuku e pyeti Filipin: «Të lutem, për kë e thotë këtë gjë profeti? Për veten e tij apo për ndonjë tjetër?». 35 Atëherë Filipi filloi të fliste e duke u nisur nga ky Shkrim i shpalli Jezuin.
36-37 Ndërsa ishin udhës, arritën në një vend ku kishte ujë dhe eunuku tha: «Ja, këtu ka ujë. Çfarë më pengon të pagëzohem?». 38 Ai urdhëroi të ndalej karroca. Filipi dhe eunuku shkuan tek uji dhe Filipi e pagëzoi.
39 Kur dolën nga uji, Shpirti i Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më. Pastaj shkoi plot gëzim udhës së vet.
40 Filipi u gjend në Azot dhe, gjatë udhës, u predikonte ungjillin të gjitha qyteteve, derisa arriti në Cezare.
1 Edhe Savllit i pëlqente vrasëja e ati. Edhe atë ditë u bë një ndiekëje e madhe kundrë qishësë që ishte ndë Jerusalim. Edhe të gjith’ u përndanë ndëpër vëndet të Judhesë e të Samarisë, përveç apostojvet.
2 Edhe ca burra besëtarë shpunë Stefaninë ndë varr , edhe bënë vajë të madhe mbi atë.
3 Edhe Savlli i bënte keq qishësë, tuke hyrë ndëpër shtëpiatë, e tuke hequrë svarë burra e gra, e i hithtë ndë burk.
4 Ata pra që u përndanë vajtnë vënt mbë vënt, tuke ungjullëzuarë fialënë.
5 Edhe Filippi sbriti ndë qytet të Samarisë, e u leçiste atyre Krishtinë.
6 Edhe gjëndëja me një zëmërë i mbaninë vesh Filippit për ato që thoshte, sepse dëgjonin’ edhe shihnin’ ato çuditë që bënte.
7 Sepse prej shumë njerëzish që kishinë fryma të pëgëra dilninë këto tuke thërriturë me zë të math; edhe shumë ulogë e të çalë u shëruanë.
8 Edhe u bë gëzim i math nd’ atë qytet.
9 Edhe ishte atie një njeri që qjuhej Simon, i cili që ndë krye të kohësë bënte magji nd’ atë qytet, edhe nxirte mënç llauzin’ e Samarisë, tuke thënë për vetëhen’ e ti se është një njeri i math.
10 Të gjithë të mëdhenj e të vegjël’ i vininë vesh, e thoshinë, se: “Kyj është fuqi’e madhe e Perëndisë.”
11 Edhe i vininë vesh, sepse i kish nxierrë mënç shumë kohë me magjitë.
12 Po kur i besuanë Filippit që epte zën’ e mirë për punët’ e mbëretërisë Perëndisë, edhe për emërin’ e Jisu Krishtit, pagëzoneshinë burra e gra.
13 Po edhe ay Simoni vetë besoj, edhe si u pagëzua, mbeti bashkë me Filippinë, edhe tuke parë se bëneshinë shenje e çudira të mëdha, manitej.
14 Edhe apostojtë që ishinë ndë Jerusalim, kur dëgjuanë se Samaria priti fialën’ e Perëndisë, dërguanë tek ata Pietrin’ edhe Joanninë;
15 Të cilëtë sbritnë e u falnë për ata, që të marrënë Frymë të Shënjtëruarë.
16 Sepse edhe s’kishte sbriturë as mbë ndonjë nga ata, po vetëm’ ishinë pagëzuarë mb’ emërit të Zotit Jisu.
17 Atëhere vininë duartë mbi ata, edhe merrninë Frymë të Shënjtëruarë.
18 Edhe Simoni kur pa, se me të vënët’ e duarvet apostojvet epetë Frym’ e Shënjtëruarë, u pruri atyre aspra,
19 Tuke thënë: “Më epni edhe mua këtë pushtet, që mbi cilinëdo që të vë duartë, të marrë Frymë të Shënjtëruarë.”
20 Po Pietri i tha: “Argjëndi yt le të humbasë bashkë me tyj, sepse kujtove, se dhurëtia e Perëndisë fitonetë me aspra.
21 Ti s’ke piesë as shortë ndë këtë fialë, sepse zëmëra jote s’ësht’ e drejtë përpara Perëndisë.
22 Pendohu pra nga këjo e liga jote, edhe lutu Perëndisë, mbase të ndjehetë kyj kujtim’ i zëmërësë sate;
23 Sepse po të shoh se je ndë vërer hidhërie edhe ndë të lidhurë paudhërie.”
24 Atëhere Simoni u përgjeq e tha: “Lutuni ju Zotit për mua, që të mos vinjë mbi mua asndonjë nga ato që thatë.”
25 Ata pra, passi dhanë martiri edhe folnë fialën’ e Zotit, u këthyenë ndë Jerusalim, edhe dhanë zën’ e mirë ndëpër shumë katunde të Samaritëvet.
26 Edhe ëngjëlli i Zotit i foli Filippit tuke thënë: “Ngreu, e shko nga an’ e Mesditësë, mb’ udhët që sbret prej Jerusalimit ndë Gazë (këjo është shkretëtirë).
27 Edhe ay u ngrit e vate.
Edhe ja një njeri Ethiop i dredhurë, urdhërtar i Kandhakësë, mbëretëreshës’ Ethiopëvet, i cili ishte mbi gjithë thesaret e asaj; kyj kishte ardhurë që të faletë ndë Jerusalim.
28 Edhe kur ishte tuke këthyer’ e tuke ndenjurë mbë qerren’ e ti, po këndonte profitin’ Isai.
29 Edhe Fryma i tha Filippit: “Afronu e iu ngjit kësaj qerresë.”
30 Edhe Filippi vate me vrap afërë, e dëgjoj atë tuke kënduarë profitinë Isai, edhe tha: “Vallë kupëton ato që këndon?”
31 Edhe ay tha: “E qysh munt të marr vesh , ndë mos më dëfteftë ndonjë?” Edhe iu lut Filippit të hipënjë e të rrijë bashkë me atë.
32 Edhe ay vënd’ i shkronjësë që po këndonte ishte kyj: “U pru posi berr për të therurë, edhe posi qënq që rri pa zë përpara ati që e qeth, kështu nukë hap gojën’ e ti.
33 Ndë të ungjurit t’ati u ngrit gjyqi ati; edhe brezin’ e ati kush do ta dëftenjë? Sepse ngrihetë prej dheut jeta e ati.”
34 Edhe i dredhuri u përgjeq e i tha Filippit: “Të lutem, për cilinë thotë këtë profiti, për vetëhen e ti, apo për ndonjë tiatër?”
35 Atëhere Filippi hapi gojën’ e ti, e zuri nga këjo shkronjë, edhe i dha zën’ e mirë për Jisunë.
36 Edhe tek po shkonin’ udhësë, erthnë mbë një ujë; edhe i dredhuri thotë: “Ja ku ësht’ ujë; çfarë gjëje më ndalon të pagëzonem?”
37 (Edhe Filippi tha: “Ndë beson me gjithë zëmërë, munt të bënetë .” Edhe ay u përgjeq e tha: “Besonj se Jisu Krishti ësht’ i bir’ i Perëndisë).
38 Edhe urdhëroj të qëndronjë qerreja; edhe sbritnë të dy nd’ ujët, edhe Filippi edhe i dredhuri; edhe e pagëzoj.
39 Edhe kur duallnë nga ujëtë, Frym’ e Zotit rrëmbeu Filippinë, edhe i dredhuri s’e pa më, po shkonte udhësë ti tuke gëzuarë.
40 Edhe Flippi u gjënt nd’ Azot, edhe mbë të shkuarë epte zën’ e mirë ndëpër gjithë qytetet, gjersa erdhi ndë Qesari.