Vegimet dhe zbulesat e Palit
1 Megjithëse nuk është mirë të krenohem, duhet ta bëj dhe prandaj do t'ju flas për vegimet dhe zbulesat që më ka dhënë Zoti. 2 Njoh një njeri, që beson në Krishtin, i cili para katërmbëdhjetë vjetësh u mor në qiellin e tretë, nuk e di nëse me trup apo pa trup, Perëndia e di. 3 Di edhe se ky njeri, nuk e di nëse me trup apo pa trup, Perëndia e di, 4 u mor në parajsë dhe dëgjoi fjalë të pashprehshme dhe që nuk mund t'i thotë asnjeri. 5 Me këtë njeri do të krenohem e jo me veten time. Unë do të krenohem vetëm me dobësitë e mia.
6 Edhe po të dëshiroja të krenohesha, nuk do të isha i marrë, sepse do të thosha të vërtetën. Por nuk po e bëj këtë, që askush të mos më vlerësojë më tepër nga ç'dukem e nga ç'them, 7 edhe pse zbulesat janë të jashtëzakonshme. Prandaj, që të mos mbahem me të madh, m'u dha një gjemb në trup, një engjëll i Satanit, që të më torturonte për të mos m'u rritur mendja.
8 Tri herë iu luta Zotit të më çlironte nga kjo torturë, 9 por ai m'u përgjigj: «Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime tregohet e plotë në dobësinë tënde». Prandaj do të krenohem edhe më shumë me dobësitë e mia, që të banojë tek unë fuqia e Krishtit. 10 Prandaj gëzohem, edhe kur jam i dobët, edhe kur më shajnë, edhe kur jam në nevojë, edhe kur më përndjekin, edhe kur jam në vështirësi për shkak të Krishtit. Në të vërtetë, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.
Shqetësimi për kishën në Korint
11 U bëra i marrë, por më detyruat ju. Ju duhej të më kishit lavdëruar, se, edhe pse nuk jam asgjë, nuk jam aspak më i vogël se ata që e mbajnë veten mbi apostujt. 12 Unë jam apostull i vërtetë dhe këtë e tregojnë mrekullitë, shenjat dhe veprat e fuqishme që kam kryer para jush me shumë durim. 13 Në çfarë gjëje u latë pas kishave të tjera? Mos ndoshta ngaqë unë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë padrejtësi.
14 Ja, jam gati të vij te ju për të tretën herë e nuk do t'ju bëhem barrë, sepse nuk kërkoj gjërat tuaja, por ju kërkoj ju. Nuk janë fëmijët ata që duhet të mbledhin thesar për prindërit, por prindërit për fëmijët. 15 Me gëzim të madh do të shpenzoj e do të shpenzohem krejtësisht për ju. Megjithëse unë ju dua më shumë, ju më doni më pak. 16 Unë nuk ju jam bërë barrë, por e zëmë se unë paskam qenë dinak e ju paskam mashtruar me dredhi. 17 A mos ju kam shfrytëzuar me anë të atyre që kam dërguar te ju? 18 Iu luta Titit që të vinte dhe dërgova me të edhe vëllanë që ju e njihni. Titi nuk ju ka shfrytëzuar, apo jo? A nuk jemi sjellë edhe ne në të njëjtin shpirt? A nuk kemi ecur në të njëjtat gjurmë?
19 A mos keni menduar deri tani se po përpiqemi të mbrojmë veten para jush? Ne flasim para Perëndisë, të mbështetur në Krishtin dhe gjithçka që bëjmë, fort të dashur, është për rritjen tuaj.
20 Kam frikë se, kur të vij, nuk do t'ju gjej siç dëshiroj e nuk do të më gjeni siç dëshironi. Kam frikë se mes jush do të gjej grindje, smirë, zemërime, sedër të sëmurë, thashetheme, murmuritje, mendjemadhësi e rrëmujë. 21 Kam frikë se kur të vij përsëri, Perëndia im do të më përulë para jush e se do të mbaj zi për shumë veta që kanë mëkatuar dikur e nuk janë penduar për ndyrësinë, kurvërinë e fëlligështinë e tyre.
1 Të mburrem me të vërtetë s’më bën mirë, sepse do të vinj ndë të para e ndë sbulesa të Zotit.
2 Di një njeri mbë Krishtinë përpara katërmbëdhietë vieç, (a se me trup, s’e di; a se jashtë trupit, s’e di; Perëndia e di;) se i tilli njeri u rrëmbye gjer mbë të tretinë qiell.
3 Edhe e di të tillinë njeri (a se me trup a se jashtë trupit, s’e di; Perëndia e di;),
4 Se u rrëmbye ndë paradhis, edhe dëgjoj fialë të pafolura me gojë , të cilatë s’munt t’i flasë njeri.
5 Për të tillinë njeri do të mburrem; po për vetëhenë time nukë do të mburrem, veç për dobësirat’ e mia.
6 Sepse ndë daça të mburrem, nukë do të jem i marrë; sepse do të them të vërtetënë; po druanj, semos kujtonjë ndonjë për mua më tepërë nga ajo që më sheh, a më tepërë nga ajo që dëgjon prej meje.
7 Edhe që të mos mbahem mbë të math për sbulesat’ e tepëra, m’u dha një hell ndë trupt, ëngjëlli Satan, që të më bierë me shuplaka, që të mos mbahem mbë të math.
8 Për këtë tri herë iu luçë Zotit, që të mërgonetë prej meje.
9 Edhe më tha: Mjaft të është hiri im; sepse fuqia ime mbaronetëndë dobësirë. Me gëzim të math pra do të mburrem më tepërë për dobësirat’ e mia, që të rrijë tek unë fuqia e Krishtit.
10 Përandaj më pëlqenjënë dobësira, të shara, nevoja, të ndiekura, shtrëngime për Krishtinë; sepse, kur jam i dobë, atëhere jam i fuqishim.
11 U bëç’ i marrë (tuke mburrurë); ju më shtrënguatë; sepse duhej unë të ndorëzoneshe prej jush; sepse as mbë një gjë s’jeta prapa nga me të mëdhenjt’ apostojtë, ndonëse s’jam gjë.
12 Shenjat’ e apostolit u punuanë ndër ju me çdo durim, me shenje e me çudia, e me fuqia.
13 Sepse mbë ç’punë mbettë prapa nga qishat’ e tiera, përveç se unë vetë nuk’ u rëndova juve? Ma falni këtë punë të paudhë.
14 Ja e treta herë që jam gati për t’ ardhurë te ju, e nukë dua t’u rëndonj juve; sepse s’kërkonj tuajatë, po juve; sepse bijtë s’kanë detyrë të mbëledhënë gjë për përint, po përint për bijt.
15 Po unë do të prish me gëzim të math, edhe do të prishem për shpirtërat tuaj, ndonëse tuke u duashurë juve më tepërë, duhem më pak.
16 Po le të jetë kështu , unë nuk’ u bëçë barrë juve; po si dinak që qeshë, u zura juve me kobim.
17 Mos lakëmova gjë prej jush me anë të ndonjëri nga ata që dërgova te ju?
18 Iu luçë Titosë, edhe bashkë me atë dërgova vëllanë; mos lakëmoj gjë prej jush Titua? Nuk’ ecëm neve me atë frymë? Nuk’ ecëm nd’ ato gjurma?
19 Përsëri u duketë juve se u apëmë fjalë juve? Flasëmë përpara Perëndisë mbë Krishtinë; edhe të gjitha i bëmë, o të dashurë, për të ndërtuaritë tuaj.
20 Sepse kam frikë, mbase kur të vinj, nuk’ u gjenj juve asish që dua, edhe ju s’më gjeni asish që doni; druanj se janë ndër ju qarta, zëlia, zemërata, të zëna, të përfolura keq, pishtëllime, të mbajtura me të math, trazime.
21 Druanj se përsëri kur të vinj te ju, do të më unjë Perëndia im, edhe do të bënj vajë për shumë vetë nga ata që kanë fëjyerë që përpara, edhe s’u penduanë për pëgërsirën’ e për kurvërin’ e për ndyrësirënë që punuanë.