Përshëndetje
1 Unë, Pjetri, apostull i Jezu Krishtit, po ju shkruaj juve që jetoni në dhe të huaj, të shpërndarë nëpër Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini, që jeni zgjedhur 2 sipas qëllimit të Perëndisë dhe jeni shenjtëruar nga Shpirti për t'iu bindur Jezu Krishtit dhe për t'u stërpikur me gjakun e tij: hiri dhe paqja u shtoftë ndër ju!
Shpresa e gjallë
3 Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na rilindi nga mëshira e tij e madhe, nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit prej të vdekurve, që të kemi shpresën e gjallë dhe 4 trashëgimin e paprishshëm, të panjollë e të pavyshkur, që është ruajtur në qiej për ju.
5 Ju jeni ruajtur nga fuqia e Perëndisë, nëpërmjet besimit, për shpëtimin që është gati të zbulohet në kohët e fundit. 6 Gëzohuni për këtë, edhe nëse do të duhet të hidhëroheni për pak kohë nga tundime të ndryshme. 7 Kështu sprova e besimit tuaj, që është më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me zjarr, të jetë për lëvdimin, lavdinë dhe nderin tuaj kur të shfaqet Jezu Krishti.
8 Ju e doni atë, megjithëse nuk e keni parë; dhe besoni në të, megjithëse tani nuk e shihni. Prandaj ju gëzoni me një hare të papërmbajtshme, që nuk mund të shprehet me fjalë, 9 sepse po fitoni qëllimin e besimit, shpëtimin e shpirtrave. 10 Këtë shpëtim kërkuan profetët e për të patën hulumtuar. Ata profetizuan për hirin që ju është dhënë juve 11 e u përpoqën të gjenin kohën dhe rrethanat që Shpirti i Krishtit brenda tyre u paralajmëronte për vuajtjet e Krishtit e për lavdinë që do të vinte më pas. 12 Profetëve iu zbulua se ato që thoshin nuk ishin për ata vetë, por për ju. Pikërisht këto gjëra ju i keni dëgjuar tashmë nëpërmjet atyre që ju shpallën ungjillin në Shpirtin e shenjtë të dërguar prej qiellit. Këto do të donin t'i shihnin edhe engjëjt.
Thirrje për shenjtëri
13 Prandaj, bëhuni gati shpirtërisht , rrini zgjuar dhe shpresoni plotësisht në hirin që do t'ju jepet kur të shfaqet Jezu Krishti. 14 Si bij të bindur, mos jetoni sipas dëshirave të mëparshme, që i kishit kur ishit në padije. 15 Përkundrazi, gjithë sjellja juaj të jetë e shenjtë, sikurse është i shenjtë edhe ai që ju thirri. 16 Sepse është shkruar: jini të shenjtë, se unë jam i shenjtë.
17 Nëse e quani Atë Perëndinë që gjykon gjithsecilin sipas veprave, pa mbajtur anë, atëherë kalojeni shtegtimin tuaj mbi tokë me druajtje ndaj Perëndisë. 18 Ju e dini se nuk u shpenguat nga jeta e kotë që trashëguat prej etërve tuaj me gjëra që prishen, siç janë argjendi apo ari, 19 por me gjakun e çmuar të Krishtit, Qengjit të patëmetë e të panjollë. 20 Flijimi i Krishtit ishte caktuar nga Perëndia që përpara se të krijohej bota, por për ju u shfaq në këto kohët e fundit. 21 Nëpërmjet tij ju besoni në Perëndinë që e ngjalli atë prej të vdekurve dhe i dha lavdi. Kështu, besimi dhe shpresa juaj janë në Perëndinë.
22 Tani që ju i keni pastruar shpirtrat duke iu bindur së vërtetës dhe i keni dashur sinqerisht vëllezërit, ta doni njëri-tjetrin me gjithë shpirt e me zemër të pastër! 23 Ju nuk keni rilindur nga fara që prishet, por nga fara që nuk prishet, nga fjala e Perëndisë së gjallë e të amshuar. 24 Sepse thuhet:
çdo njeri është si bari
dhe gjithë lavdia e tij
është si lulja e barit.
Bari u tha
e lulja u vyshk,
25 ndërsa fjala e Zotit
mbetet në amshim.
Kjo fjalë është ungjilli që ju është shpallur juve.
1 Pietri, apostoli i Jisu Krishtit, mb’ ata që rrinë ndë dhe të huaj, përndarë ndëpër Pont e ndëpër Gallati, e ndëpër Kappadhoqi, e ndëpër Asi, e ndëpër Vithyni,
2 Të sgjedhuritë pas të paranjohurësë Perëndisë Atit, me anë të shënjtërimit Frymësë, për dëgjim e për të përskaturë të gjakut Jisu Krishit; hir edhe paqtim u shumoftë mbë ju.
3 Qoftë bekuarë Perëndia edhe Ati i Zotit tënë Jisu Krishtit, që pas përdëllimit ti të shumëtit na polli për së dyti ndë një shpëresë të gjallë me anë të ngjallurit prej së vdekurish të Jisu Krishtit,
4 Për një trashëgim të paprishur’ e të papugërë e të pafyshkurë, që është ruajturë ndë qiejet për ne,
5 Që me fuqin’ e Perëndisë ruhemi me anë të besësë, për shpëtim të gatishim të sbulonetë ndë kohë të pastajme.
6 Për atë gëzohi, ndonëse tashti pakëzë, ndë u dashtë , hidhërohi mbë çdo farë të ngarash,
7 Që të gjëndetë provimi i besësë suaj më i çëmuarshim se ari që prishetë, ndonëse provonetë prej ziarrit, për mburrëje e për nderë e për lavdi, kur të sbulonetë Jisu Krishti;
8 Të cilinë, ndonëse s’e keni parë, e doni; edhe ndonëse nuk’ e shihni tashti, po tuke i besuarë, gëzohi me gëzim të lavduruarshim që s’rrëfenetë me gojë,
9 Tuke marrë të pastajmen’ e besësë suaj, shpëtimin’ e shpirtëravet;
10 Që për atë shpëtim kërkuan’ edhe vëshguanë profitëtë që profitepsnë për atë hirinë që do t’epej mbë ju;
11 Tuke vëshguarë mbë cilin’ a mbë çfarë kohe shpërfaqetë Fryma e Krishtit që ishte mb’ata, kur martiriste që përpara për pësimet’ e Krishtit, edhe për lavdiat’ e pastajme;
12 Që mb’ atë u sbëlua jo për vetëhen’ e tyre, po për ne i punonin’ ato punëra , që u rrëfyenë mbë ju tashti me anë t’atyre që ungjillëzuan’ ungjillinë mbë ju me Frymën’ e Shënjtëruarë, që u dërgua nga qielli, për të cilatë ëngjëjtë dëshëronjënë të kërrusen’ e të shohënë.
13 Përandaj si të ngjishni mezat’ e mendimit tuaj, rrini esullë, shpëreni të tërë mbë hirinë që vien mbë ju, kur të sbulonetë Jisu Krishti,
14 Si dielm të dëgjuarshim, mos shkoni pas dëshërimevet para, që bënitë pa diturë;
15 Po sikundrë është shënjt ay që u thirri juve, kështu edhe ju bëhi shënjtorë mbë gjithë shkuarëjenë,
16 Sepse është shkruarë: “Bëhi shënjtorë, sepse unë jam shënjt”.
17 Edhe ndë qjuajçi Atë atë që gjykon pa mbajtur’ anë pas punësë gjithësecilit, shkoni kohënë me frikë mbë këtë dhe të huajë që rrini;
18 Tuke diturë se nuk’ u shpërblyetë me gjë që prishetë, si me argjënt a me ar, nga ajo e kota jeta juaj që u kanë lënë juve atëritë,
19 Po me gjakun’ e paçëmuarë të Krishtit, posi qëngjit pa palavi e pa të shgërryerë;
20 I cili qe urdhëruarë përpara se të ngrihetë bota, e u shpërfaq ndë kohëra të pastajme për ju,
21 Që me anë t’ati i besoni Perëndisë që e ngjalli prej së vdekurish, edhe i dha lavdi, andaj besa juaj edhe shpëresa të jetë mbë Perëndinë.
22 Si të qjëroni pra shpirtëratë tuaj me dëgjimin e së vërtetësë me anë të Frymësë, për dashurimin’ e vëllazërisë pa ipokrisi, doni fort njëri tiatrinë me zemërë të këthiellëtë;
23 Sepse jeni lindurë përsëri jo prej farësë që prishetë, po prej fare të paprishurësë, me anë të fialës’ Perëndisë që rron e që mbet (për gjithë jetënë).
24 Sepse “çdo mish është posi bar, edhe çdo lavdi njeriu posi lule bari; u tha bari, edhe luleja e ati ra;
25 Po fiala e Zotit mbet për gjithë jetënë.” Edhe këjo ësht’ ajo fiala që u ungjillëzua te ju.