Ushqimi i katër mijë vetave
(Mt 15.32-39)1 Ato ditë u mblodh përsëri një turmë e madhe e meqë nuk kishin ç'të hanin, Jezui i thirri pranë vetes dishepujt e u tha: 2 «Më dhimbset turma, se kanë tri ditë që rrinë me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë. 3 Nëse i nis në shtëpi të uritur, do të mbeten rrugës dhe disa prej tyre kanë ardhur nga larg». 4 Por dishepujt iu përgjigjën: «E si mund t'i ngopim me bukë këta njerëz këtu në shkretëtirë?». 5 Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë».
6 Ai e urdhëroi turmën të ulej përdhe, mori shtatë bukët, tha lutjen e falënderimit, i theu, ua dha dishepujve t'i shtronin dhe ata ia shtruan turmës. 7 Kishin edhe ca peshq të vegjël dhe, pasi i bekoi, u tha dishepujve t'i shtronin edhe këto. 8 Ata hëngrën e u ngopën dhe mblodhën copat e mbetura. U mbushën shtatë shporta. 9 Aty ishin gjithsej rreth katër mijë veta. Pastaj Jezui i shpërndau.
10 Ai hipi menjëherë në varkë bashkë me dishepujt e shkoi në krahinën e Dalmanutës.
Një shenjë
(Mt 16.1-4)11 Atëherë erdhën farisenjtë e filluan të diskutonin me të. Ata i kërkonin një shenjë nga qielli për ta vënë në provë. 12 Jezui psherëtiu thellë e tha: «Përse kjo brezni kërkon një shenjë? Me të vërtetë po ju them se kësaj breznie nuk do t'i jepet asnjë shenjë». 13 Pastaj u largua prej tyre, hipi në varkë dhe kaloi në bregun tjetër.
Tharmi i farisenjve dhe i Herodit
(Mt 16.5-12)14 Dishepujt kishin harruar të merrnin bukë. Në varkë kishin vetëm një bukë. 15 Jezui i porositi: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e nga tharmi i Herodit». 16 Por ata i thanë njëri-tjetrit: «Flet kështu, se nuk kemi bukë me vete». 17 Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po thoni? Se nuk keni bukë? Nuk kuptoni e nuk merrni vesh? A ju është ngurtësuar zemra? 18 Keni sy e nuk shikoni? Keni veshë e nuk dëgjoni? Nuk ju kujtohet vallë 19 kur theva pesë bukët për pesë mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?». Ata i thanë: «Dymbëdhjetë». 20 «Po kur theva shtatë bukët për katër mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?». Ata i thanë: «Shtatë». 21 Ai u tha: «Ende nuk kuptoni?».
I verbri nga Betsaida
22 Pastaj arritën në Betsaidë, ku i sollën një të verbër e iu lutën ta prekte. 23 Ai e mori të verbrin për dore, e nxori jashtë fshatit, pështyu në sytë e tij, i vuri duart dhe e pyeti: «A sheh gjë?». 24 Ai ngriti sytë e tha: «Shoh njerëzit që duken si pemë që ecin». 25 Jezui ia vuri përsëri duart mbi sy. I verbri filloi të shihte, u shërua e shikonte gjithçka qartë. 26 Jezui e dërgoi në shtëpi e i tha: «Mos hyr fare në fshat ».
Pohimi i Pjetrit
(Mt 16.13-20Lk 9.18-21)27 Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në fshatin e Cezaresë së Filipisë dhe, gjatë rrugës, i pyeti dishepujt: «Kush thonë njerëzit se jam unë?». 28 Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia e të tjerë se je njëri nga profetët». 29 Dhe ai i pyeti: «Po ju, kush thoni se jam unë?».
Pjetri iu përgjigj: «Ti je Krishti». 30 Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për të.
Paralajmërimi i parë i Pashkës
(Mt 16.21-28Lk 9.22-27)31 Ai filloi t'i mësonte se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por pas tri ditësh do të ngjallej. 32 Ai ua tha haptas këto fjalë. Atëherë Pjetri e mori mënjanë e filloi ta qortojë. 33 Por Jezui u kthye, pa nga dishepujt dhe e qortoi Pjetrin e i tha: «Largohu prej meje, Satan, se nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve».
34 Dhe thirri pranë vetes turmën bashkë me dishepujt e u tha: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 35 Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim e të ungjillit, do ta shpëtojë atë. 36 Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte jetën e vet? 37 Çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës së vet? 38 Nëse dikush ka turp për mua e për fjalët e mia para kësaj breznie të pafe e mëkatare, po ashtu do të ketë turp për ta edhe Biri i njeriut kur të vijë me engjëjt e shenjtë në lavdinë e Atit të tij».
1 Nd’ ato dit, passi ishinë shumë gjëndëje, edhe s’kishinë se ç’të hanë, [Jisuj] thërriti përanë nxënësit’ e ti, e u tha:
2 “Më dhëmbetë për gjëndëjenë, sepse janë tri dit tani që më presënë, edhe s’kanë se ç’të hanë.
3 Edhe ndë i lëshofsha agjëruarshim ndëpër shtëpia të tyre, do të lodhenë mb’udhë; sepse ca nga ata kan’ ardhurë prej së largu.”
4 Edhe nxënësit’ e ati u përgjeqnë: “Nga do të mundi ndonjë të nginjë këta me bukë këtu ndë shkretëtirët?”
5 Edhe ay i pyeti: “Sa bukë keni?”
6 Edhe ata i thanë: “Shtatë.” Edhe ay porositi gjëndëjenë të unjenë përdhe; edhe si mori shtatë bukëtë, e u fal ndersë, i theu edhe ua dha nxënësëet ti, që t’i vënë përpara gjëndëjesë ; edhe ata i vunë përpara gjëndëjesë.
7 Edhe kishinë pak pishqe të vegjëlë; edhe si bekoj, tha të venë përpara edhe ata.
8 Edhe hangrrë e u nginjënë. Edhe ngritnë tepërica copash, shtatë shporta.
9 Edhe ata që hangrrë ishinë sinja katrë milë vetë; pasandaj i lëshoj.
10 Edhe përnjëherë hyri ndë lundrë bashkë me nxënësit’ e ti, edhe erdhi mb’anët Dhallmanutha.
11 Edhe Farisejtë duallë, e zunë ta pyesënë, edhe të lypëninë nga ay shenjë prej qiellit, tuke ngar’ atë.
12 Po ay si psherëtiti ndë shpirt të ti, thotë: “Ç’shenjë lypën kyj bres? Me të vërtetë po u them juve, se nukë do t’i epetë shenjë këti brezi.”
13 Edhe si i la, hyri përsëri ndë lundrë, e iku përtej.
14 Edhe ata harruanë të marrënë bukë, edhe s’kishinë me vetëhe ndë lundrët veç një bukë.
15 Edhe ay i porosiste, tuke thënë: “Shikoni, ruhi nga brumi Farisevet, edhe nga brumi Irodhit.”
16 Edhe ata mendoneshinë ndër mest t’ atyreve, tuke thënë:
17 “Se s’kemi bukë.” Edhe Jisuj si e kupëtoj, u tha atyre: “Ç’mendoneni, se s’keni bukë? Edhe s’merrni vesh, as s’kupëtoni? Edhe po të ashpërë e keni zemërënë tuaj?
18 Tuke pasurë sy, nukë shihni? Edhe tuke pasurë veshë, nukë dëgjoni? Edhe nukë mbani mënt?
19 Kur theva pesë bukëtë mbë pesë milë vetëtë, sa kosha plot me copa ngrittë?” I thonë: “Dy-mbë-dhietë.”
20 — “Edhe kur theva shtatë bukëtë mbë katrë milë vetëtë, sa shporta mbushurë me copa ngrittë?”
21 Edhe ata thanë: “Shtatë.” Edhe u thoshte atyre: “Qysh nukë kupëtoni?”
22 Pasandaj vien ndë Vithsajdha; edhe i bienë një të verburë, edhe i lutenë ta prekjë.
23 Edhe ay si e mori për dore të verburinë, e nxori jashtë fshatit; edhe si pështyti ndër sy t’ati, vuri duartë mbi atë, edhe e pyeste ndë sheh gjë.
24 Edhe ay si hapi sytë, tha: “Shoh njerëzitë se ecëjënë posi drurë.”
25 Pasandaj përsëri vuri duarëtë mbi syt t’ati, edhe e bëri atë të hapjë sytë, edhe u shërua, edhe shihte të gjithë këthiellëtë.
26 Edhe e dërgoj ndë shtëpi t’ati, tuke thënë: “As ndë fshat të mos hyjç, as mos i thuaç këtë as ndonjërit ndë fshat.”
27 Pasandaj Jisuj me nxënësit’ e ti dolli ndëpër fshatërat të Qesarisë Filippit; edhe pyeste nxënësit’ e ti mb’udhë, tuke u thënë atyre: “Cili thonë njerëzitë se jam unë?”
28 Edhe ata u përgjeqnë: “Joann Pagëzori; edhe të tierë thonë , Ilia; edhe të tierë, një nga profitëritë.”
29 Edhe ay u thotë atyreve: “Po ju cili thoni se jam unë?” Edhe Pietri u përgjeq, e i tha: “Ti je Krishti.”
30 Edhe ay i qërtoj ata, që të mos i thonë as ndonjërit për atë.
31 Edhe zuri t’i mësojë, se i bir’ i njeriut duhetë të pësojë shumë, edhe të mos pëlqenetë nga pleqt’ e nga kryepriftërit’ e nga shkronjësitë, edhe të vritetë, edhe pas tri diç të ngjalletë. Edhe e fliste fialënë ndër sy.
32 Edhe Pietri e mori pas vetëhesë, e zuri ta qërtojë.
33 Po ay si u këthye e vuri re nxënësit’e ti, qërtoj Pietrinë, tuke thënë: “Ik prej meje, Satana; sepse s’ke ndër mënt punët’e Perëndisë, po punët’ e njerëzet.”
34 Edhe si thirri përanë gjëndëjenë bashkë me nxënësit’e ti, u tha atyre: “Kush të dojë të vijë prapa meje, le të mohojë vetëhen’ e ti, edhe le të ngrerë kryqin’ e ti, edhe le të më vijë prapa.
35 Sepse kush të dojë të shpëtojë jetën’ e ti, do ta hunbasë; po kush të humbasë jetën’ e ti për punë time edhe të ungjillit, kyj do ta shpëtojë.
36 Sepse ç’dobi do të ketë njeriu, ndë fitoftë gjithë botënë, edhe të dëmtojë shpirtin’ e ti?
37 Apo ç’do t’apë njeriu për këmbyerie të shpirtit të ti?
38 Sepse cilitdo që t’i vijë turp për mua edhe për fialët’ e mia mbë këtë bres kurvar edhe faltuar, edhe të birit njeriut do t’i vijë turp për atë, kur të vijë ndë lavdit të t’et bashkë me ëngjëjt’ e shënjtëruarë.