Ardhja e Shpirtit të shenjtë
1 Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin mbledhur të gjithë në të njëjtin vend. 2 Papritur u dëgjua një ushtimë nga qielli, si të frynte erë e fortë dhe mbushi tërë shtëpinë ku po rrinin. 3 Atëherë ata panë disa gjuhë si prej zjarri, të ndara nga njëra-tjetra, e mbi secilin prej tyre zbriste nga një gjuhë zjarri. 4 Atëherë të gjithë u mbushën me Shpirtin e shenjtë e filluan të flisnin gjuhë të tjera, sipas dhuntisë që u jepte Shpirti për të folur.
5 Në Jerusalem banonin disa judenj, njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë, që vinin nga të gjitha kombet e botës. 6 Kur dëgjuan ushtimën u mblodhën turmë e mbetën të habitur, sepse i dëgjonin apostujt duke folur në gjuhën e gjithsecilit. 7 Të mahnitur e të habitur thoshin: «A nuk janë galileas të gjithë këta që po flasin? 8 Si, pra, po i dëgjojmë të flasin në gjuhën amtare të secilit prej nesh? 9 Ne të gjithë, partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit, të Azisë, 10 të Frigjisë, të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë që i përkasin Kirenës, të ardhurit nga Roma, 11 judenj e të kthyer në besimin e judenjve, kretas e arabë, po i dëgjojmë tek flasin në gjuhët tona amtare për veprat e mëdha të Perëndisë».
12 Të gjithë ishin të mahnitur e të çuditur e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'do të thotë kjo gjë?». 13 Por të tjerë talleshin e thoshin: «Këta janë të dehur me musht».
Fjala e Pjetrit
14 Por Pjetri u ngrit bashkë me të njëmbëdhjetët dhe me zë të lartë u tha: «Burra judenj e të gjithë ju banorët e Jerusalemit, merreni vesh këtë gjë e dëgjojini me kujdes fjalët e mia. 15 Këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju, se është vetëm ora nëntë e mëngjesit , 16 por kjo është ajo gjë për të cilën ka folur profeti Joel:
17 Në ditët e fundit, thotë Perëndia,
do të ndodhë kështu:
unë do të dikoj Shpirtin tim
te të gjithë njerëzit.
Bijtë tuaj e bijat tuaja
do të profetizojnë,
të rinjtë tuaj
do të shohin vegime
e pleqve tuaj
do t'u flas përmes ëndrrave.
18 Edhe mbi shërbëtorët
e shërbëtoret e mia
do të dikoj Shpirtin tim në ato ditë
e ata do të profetizojnë.
19 Do të shfaq gjëra të jashtëzakonshme
lart në qiell
e shenja
poshtë në tokë,
gjak, zjarr e shtëllunga tymi.
20 Dielli do të kthehet në errësirë
e hëna në gjak
para se të vijë dita madhështore
dhe e lavdishme e Zotit.
21 Atëherë, kushdo që të thërrasë
emrin e Zotit
do të shpëtohet.
22 Burra izraelitë, dëgjojini këto fjalë: Jezui i Nazaretit ishte njeriu për të cilin Perëndia dha dëshmi para jush me anë veprash të fuqishme, mrekullish e shenjash që bëri mes jush nëpërmjet tij, siç e keni parë edhe vetë. 23 Këtë njeri që ju është dorëzuar juve, sipas vullnetit të Perëndisë dhe shestimit që ai kishte vendosur më parë, ju vetë e vratë duke e kryqëzuar me duart e të mbrapshtëve. 24 Por Perëndia e ngjalli atë, duke e çliruar nga dhimbjet e vdekjes, se nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante nën pushtetin e saj. 25 Davidi thotë për të:
Zotin e kisha gjithmonë
para syve.
Ai është në të djathtën time,
që të mos lëkundem.
26 Prandaj u gëzua zemra ime,
gjuha ime u ngazëllua
e trupi im
do të prehet në shpresë,
27 se ti nuk do ta braktisësh në skëterrë
shpirtin tim,
as nuk do të lejosh të Shenjtin tënd
të shohë kalbjen.
28 Ti më ke treguar udhët e jetës
e do të më mbushësh me gëzim
në praninë tënde.
29 Vëllezër, më duhet t'ju flas haptas për patriarkun David, i cili vdiq, u varros dhe varri i tij gjendet këtu deri më sot. 30 Meqë ai ishte profet, e dinte se Perëndia i ishte betuar se do të vendoste mbi fronin e tij një pasardhës të vetin.
31 Duke e parashikuar këtë gjë, ai tha për ngjalljen e Krishtit:
ai nuk u braktis në skëterrë
dhe trupi i tij nuk e pa kalbjen.
32 Këtë Jezu, Perëndia e ngjalli dhe për këtë gjë ne të gjithë jemi dëshmitarë. 33 Ai është lartësuar në të djathtën e Perëndisë, ka marrë nga Ati Shpirtin e shenjtë, që Perëndia na kishte premtuar dhe na e ka dhuruar ne, siç po e shihni e po e dëgjoni.
34 Megjithëse Davidi nuk është ngjitur në qiell, ai thotë:
I tha Zoti Zotit tim:
ulu në të djathtën time
35 derisa të t'i vë armiqtë e tu
si shtrojë të këmbëve të tua.
36 Le ta dijë, pra, me siguri e tërë shtëpia e Izraelit, se atë Jezu që ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot e Krisht».
37 Atyre që i dëgjuan këto, iu trondit zemra e u thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: «Ç'duhet të bëjmë, o vëllezër?». 38 Pjetri u tha: «Pendohuni e pagëzohuni secili në emrin e Jezu Krishtit, që t'ju falen mëkatet. Kështu do të merrni dhuratën e Shpirtit të shenjtë. 39 Se premtimi është për ju, për bijtë tuaj e për të gjithë ata që janë larg, për këdo që Zoti, Perëndia ynë, e thërret te vetja».
40 Pjetri dëshmoi edhe me shumë fjalë të tjera dhe i porositi: «Shpëtoni veten nga kjo brezni e mbrapshtë». 41 Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta. 42 Ata i ishin përkushtuar mësimit të apostujve, bashkësisë me njëri-tjetrin, thyerjes së bukës e lutjeve.
Jeta e kishës
43 Të gjithë i zuri frika, sepse apostujt bënin shumë mrekulli e shenja. 44 Të gjithë besimtarët ishin të bashkuar dhe kishin gjithçka të përbashkët. 45 Ata shisnin pasuritë dhe pronat e ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës që kishte secili. 46 Çdo ditë, pasi rrinin bashkë në tempull, thyenin bukën në shtëpi dhe hanin ushqim me zemër të gëzuar e të çiltër. 47 Ata lavdëronin Perëndinë dhe populli i kishte për zemër. Zoti u shtonte atyre çdo ditë ata që shpëtoheshin.
1 Edhe kur erdhi dit’ e Pentikostisë, ishinë të gjithë me një zemërë mbë një vënt.
2 Edhe papriturë u bë një zë nga qielli posi një er’ e fortë kur fryn, edhe mbushi gjithë shtëpinë tek ishinë ndenjurë.
3 Edhe u duknë mb’ata gjjuhëra të ndara posi të ziarrta, edhe ndenjnë mbë gjithë-secilinë nga ata.
4 Edhe u mbushnë të gjithë me Frymë të Shënjtëruarë, e zunë të flasënë gjjuhëra të tiera, sikundrë se Fryma ua epte të lëgjironjënë.
5 Edhe ishinë tuke ndenjurë ndë Jerusalim Judhenj, burra besëtarë prej çdo kombi që gjëndetë ndënë qiell.
6 Edhe kur u bë kyj zë, u mbëloth gjëndëja edhe u trubullua; sepse gjithë-secili nga ata dëgjonte ata tuke folurë ndë gjjuhë të tyre.
7 Edhe të gjithë maniteshin’ e çuditeshinë, tuke thënë njëri tiatrit: “Na, nukë janë Galileas këta të gjithë që flasënë?
8 Edhe qysh gjithësecili nga ne dëgjojmë ndë gjjuhë tonë, që kemi lindurë nd’ atë?
9 Parthë e Midhë e Ellamitë, edhe ata që rrinë ndë Mesopotami e ndë Judhe e ndë Kappadhoqi, ndë Pont e nd’Asi,
10 E ndë Frygji e ndë Pamfyli, nd’ Egjypt e nd’ anët të Livisë që është nga Qyrina, edhe Romanët e ardhurë Judhenj e të këthyerë,
11 Kritas e Arapë, dëgjojm’ ata tuke folurë ndë gjjuhërat tona madhëriat’ e Perëndisë.
12 — Edhe të gjithë maniteshin’ edhe vrisninë mëndëjenë tuke thënë njëri tiatërit: “Vallë ç’do të jetë këjo?”
13 Edhe të tierë thoshinë tuke përqeshurë, se janë mbushurë me musht.
14 Po Pietri qëndroj bashkë me të një-mbë-dhietëtë, edhe ngriti zën’ e ti e u ligjëroj atyre:
“O burra Judhenj, edhe gjithë sa rrini ndë Jerusalim, qoft’ e diturë këjo te ju, e mbajuni vesh fialëvet mia.
15 Sepse këta nukë janë të dejturë, sikundrë kujtoni ju; sepse tashi është or’ e tretë e ditësë;
16 Po këjo ësht’ ajo që është thënë me anë të profitit Joill:
17 “Edhe ndë dit të pastajme, thotë Perëndia, do të derth nga Fryma ime mbë çdo mish; edhe bijtë tuaj edhe bijatë tuaja do të profitepsënë, edhe dialoshatë tuaj do të shohënë të para, edhe pleqtë tuaj do të shohënë ëndërra;
18 Edhe mbi shërbëtorët’ e mi edhe mbi shërbëtoret’ e mia nd’ato dit do të derth nga Fryma ime nd’ ato dit, edhe do të profitepsënë.
19 Edhe do të bënj çudira lart ndë qiellt edhe shenje poshtë mbi dhet, gjak e ziarr e avullë tymi.
20 Dielli do të këthehetë mb’ errësirë, edhe hëna mbë gjak, para se të vinjë dita e Zotit e madheja edhe e ndritura.
21 Edhe gjithësecili që të thërresë emërin e Zotit, do të shpëtonjë.”
22 O burra Israilitë, pa dëgjoni këto fialë: Jisu Nazoreasinë, një njeri dëftyerë nga Perëndia mbë ju me fuqia e me çudira e me shenje, që bëri Perëndia me anë t’ati ndërmest tuaj, sikundrë e dini edhe ju,
23 Këtë që qe dhënë pas ëndës’ urdhëruarë, edhe pas të paranjohurësë Perëndisë, e zutë edhe me duar të panome e mbërthyetë edhe e vratë;
24 Të cilinë Perëndia e ngjalli, passi sgjidhi të dhëmburat’ e vdekëjesë, sepse s’munt të mbahej ay nga ajo.
25 Sepse Dhavidhi thotë për atë: “Gjithënjë shihnjam Zotinë përpara meje, sepse është prej së diathtësë sime, që të mos tundem.
26 Përandaj u gëzua zëmëra ime, edhe gjjuha ime u gasmua; po edhe mishi im do të prëhetë ndë shpëresë.
27 Sepse nukë do të lëç shpirtinë tim ndë hadhë, edhe nukë do të lëç shënjtinë tënt të shohë prishëje.
28 Më dëfteve udhë jete; do të më mbushç me gëzim të faqesë sate.”
29 O burra vëllezër, munt t’u them juve ndër sy për krye-atinë Dhavidh, se ay edhe vdiq edhe u kall ndë varr, edhe varri ati është ndër ne gjer mbë këtë ditë.
30 Po tuke qënë profit, edhe tuke diturë se Perëndia iu përgjërua me be, se nga pema e mezit ati, që është pas mishit, do të ngjallë Krishtinë, që ta vërë të rrijë mbi front t’ati,
31 Si e pa që përpara, foli për të ngjalluritë të Krishtit, se shpirti ati nuk’ u la ndë hadhë, as mishi i ati nukë pa prishëje.
32 Këtë Jisunë e ngjalli Perëndia, për të cilinë neve të gjithë jemi martirë.
33 Si u ngrit pra lart me dorën ’ e diathtë të Perëndisë, edhe mori nga Ati të zotuarët’ e Frymësë Shënjtëruarë, derdhi këtë që ju ndashti shihni e dëgjoni.
34 Sepse Dhavidhi nukë hipi ndë qiejet; po ay thotë: “I tha Zoti Zotit tim:
35 Rri prej së diathtësë sime, gjersa të vë arëmiqt’ e tu përposh këmbëvet tua.”
36 Le ta dijë pra fort mirë gjithë shtëpia e Israilit, se këtë Jisunë, që ju e kryqëzuatë, Perëndia e bëri Zot edhe Krisht.”
37 Edhe si dëgjuanë këto , u thyenë zëmërat’ e atyre, edhe i thonë Pietrit edhe apostojvet tierë: “Ç’të bëjmë, o burra vëllezër?”
38 Atëhere Pietri u tha atyre: “Pendohi, edhe gjithësecili prej jush le të pagëzonetë mb’ emërit të Jisu Krishtit, për ndëjesën’ e fajevet; edhe do të merrni dhurëtin’ e Frymësë Shënjtëruarë;
39 Sepse të zotuarët’ është për ju edhe për diemt tuaj, edhe për gjith’ ata që janë lark, sa ka për të thirrurë Zoti Perëndia ynë.”
40 — Edhe me shumë fialë të tiera martiriste edhe i nguste ata, tuke thënë: “Shpëtoni nga kyj bres i shtrëmbërë.”
41 Ata pra si pritnë fialën’ e ati me gëzim u pagëzuanë; edhe atë ditë u shtuanë sindonja tri mijë shpirtë.
42 Edhe ishinë tuke priturë ndë mësimt të apostojvet, e ndë shoqërit, e ndë të thyerët të bukësë, e ndë të falurat.
43 Edhe çdo njeriu i hyri frikë; edhe shumë çudira e shenje bëneshinë me anë t’apostojvet.
44 Edhe gjith’ ata që besoninë ishinë bashkë, edhe të gjitha i kishinë së bashku.
45 Edhe shisninë pronjet’ e gjënë, e i ndaninë ndëpër të gjithë për çdo nevojë që të kishte gjithë-secili.
46 Edhe përdita ishinë tuke priturë me një zëmërë ndë hieroret, e thyeninë bukë ndëpër shtëpiat, e haninë me gëzim e me zëmërë të këthiellëtë,
47 Tuke lavduarë Perëndinë, e tuke pasurë hir përpara gjithë llauzit. Edhe Zoti shtonte përditë ndë qishët ata që shpëtoninë.