Gruaja dhe dragoi
1 Pastaj në qiell u shfaq një shenjë e madhe. Ishte një grua e veshur me diell, e cila nën këmbë kishte hënën, ndërsa mbi kokë mbante një kurorë me dymbëdhjetë yje. 2 Ngaqë ishte shtatzënë, gruaja bërtiste nga dhimbjet e mundimet e lindjes.
3 Në qiell u shfaq edhe një shenjë tjetër. Ishte një dragua i madh, i kuq, që kishte shtatë kokë e dhjetë brirë dhe mbi kokë shtatë kurora të vogla. 4 Bishti i tij tërhoqi një të tretën e yjeve të qiellit dhe e hodhi mbi tokë. Dragoi qëndroi para gruas që ishte gati për të lindur, që të gëlltiste foshnjën e saj sapo të lindte.
5 Gruaja lindi djalë. Ai do të sundonte kombet me skeptër të hekurt. Atëherë foshnja u rrëmbye dhe u dërgua pranë Perëndisë e fronit të tij. 6 Pastaj gruaja iku në shkretëtirë. Atje kishte një vend që ia kishte bërë gati Perëndia. Në atë vend do ta ushqenin për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.
7 Atëherë në qiell u bë luftë. Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Dragoi luftoi bashkë me gjithë engjëjt e tij, 8 por nuk fitoi dhe për ta nuk kishte më vend në qiell. 9 Dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që quhet Djall dhe Satan, mashtruesi i gjithë botës, u hodh në tokë e bashkë me të edhe engjëjt e tij. 10 Atëherë dëgjova një zë të fortë në qiell që tha:
«Tani erdhi shpëtimi, fuqia
e mbretëria e Perëndisë tonë
dhe pushteti i Krishtit të tij.
Paditësi i vëllezërve tanë,
ai që i padit para Perëndisë tonë, ditë e natë,
u hodh poshtë.
11 Ata e mundën me gjakun e Qengjit
e me fjalën e dëshmisë së tyre
dhe ishin gati
të jepnin jetën e të vdisnin .
12 Prandaj, gëzohuni, o qiej
e ju që banoni atje!
Mjerë ju, o tokë e det,
se djalli zbriti te ju
me zemërim të madh,
duke e ditur se i ka mbetur pak kohë».
13 Kur dragoi pa se e hodhën në tokë, filloi të ndjekë gruan që kishte lindur foshnjën. 14 Gruas iu dhanë dy krahët e një shqiponje të madhe, që të fluturonte për në vendin e saj në shkretëtirë, ku do të ushqehej për tri vjet e gjysmë larg gjarprit.
15 Atëherë gjarpri nxori nga goja ujë si një lumë pas gruas, që atë ta rrëmbente rrjedha. 16 Por gruan e ndihmoi toka, e cila hapi gojën dhe përpiu lumin që kishte nxjerrë dragoi nga goja. 17 Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi për të luftuar me pasardhësit e tjerë të saj, me ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe dëshmojnë për Jezuin. 18 Ai mbeti mbi rërën e detit.
1 Edhe u duk një shenjë e madhe ndë qiell; një grua veshurë diellinë, edhe hëna ishte përposh këmbëvet asaj, edhe mbi kryet t’asaj një kurorë dy-mbë-dhietë yjesh.
2 Edhe passi ishte me barrë, bërtiste nga të dhëmburat’ e barkut, e mundonej për të piellë.
3 Edhe u duk një tietërë shenjë ndë qiellt, edhe ja një drangua i math e i kuq, që kishte shtatë krerë e dhietë brirë; edhe mbi krerët t’ati shtatë kurora.
4 Edhe bishti ati hiqte të tretën’ e yjevet qiellit, edhe i hodhi ndë dhet. Edhe drangoj ndenji përpara gruasë që kishte për të piellë, që të hanjë të birin’ e asaj, kur të piellë.
5 Edhe polli një dialë mashkull, i cili ka për të kulloturë gjithë kombetë me shkop të hekurtë; edhe diali i asaj u rrëmbye te Perëndia edhe te froni ati.
6 Edhe gruaja iku ndë shkretëtirët, atie ku ishte bërë gati vëndi prej Perëndisë, që të ushqenjënë atie një milë e dy qint e gjashtë-dhietë dit.
7 Edhe u bë luftë ndë qiellt; Mihaili edhe ëngjëjt’ e ati lëftuanë kundrë drangojt, edhe drangoj lëftoj, edhe ëngjëjt’ e ati.
8 Edhe nukë muntnë, as vënt s’u gjënt më për ata ndë qiell.
9 Edhe u hoth poshtë drangoj i math, gjarpëri i moçëm që kluhetë diall, edhe Satanaj, ay që kobon gjithë botënë, u hoth poshtë ndë dhet, edhe ëngjëjt’ e ati bashkë me atë u hothnë poshtë .
10 Edhe dëgjova një zë të math që thoshte ndë qiellt: “Tashi u bë shpëtimi edhe fuqia edhe mbëretëria e Perëndisë tënë, edhe pushteti i Krishtit ati; sepse u hoth poshtë ay që përflet vëllezërit tënë, ay që përflet ata përpara Perëndisë tënë nat’ e ditë.
11 Edhe ata e muntnë atë me anë të gjakut Qëngjit, edhe për fialën’ e martirisë tyre; edhe nuk’ e deshnë jetën’ e tyre gjer mbë vdekëje.
12 Përandaj gëzonuni, ju qiejetë, edhe ata që rrinë nd’ ata. Mjer (ata që rrinë) mbë dhet edhe ndë det, se sbriti dialli te ju, tuke pasurë zemërim të math, sepse e di se ka pak kohë.”
13 Edhe kur pa drangoj se u hoth poshtë ndë dhet, ndoqi gruanë që polli mashkullinë.
14 Edhe iu dhanë gruasë dy fletë të shqiponjësë madhe, që të fluturonjë ndë shkretëtirët ndë vënt të saj, atie ku ushqenetë kohë edhe kohëra edhe gjysëm kohe, lark nga faqeja e gjarpërit.
15 Edhe gjarpëri lëshoj prapa gruasë nga goja e ti ujë posi lum, që ta bënjë atë ta marrë lumi.
16 Edhe dheu i ndihu gruasë, edhe dheu hapi gojën’ e ti, edhe përpiu luminë që lëshoj drangoj nga goj’ e ti.
17 Edhe drangoj u zemërua mbi gruanë, edhe vate të bënjë luftë bashkë me të tierët’ e farës’ asaj që ruanjënë porosit’ e Perëndisë, edhe që kanë martirin’ e Jisu (Krishtit).