Përshëndetje
1 Unë, Pali, i thirrur për të qenë apostull i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë dhe vëlla Sosteni, 2 po i shkruajmë kishës së Perëndisë, që është në Korint, të shenjtëruarve përmes Jezu Krishtit, të thirrurve për të qenë të shenjtë, bashkë me të gjithë ata që në çdo vend thërrasin emrin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zotit të tyre dhe Zotit tonë: 3 paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht!
4 E falënderoj Perëndinë tim gjithnjë për ju, që ju dha hirin e tij me anë të Jezu Krishtit. 5 Ai ju pasuroi në gjithçka, në çdo fjalë e në çdo dije. 6 Kështu, dëshmia për Krishtin u përforcua aq shumë ndër ju, 7 saqë nuk ju mungon asnjë dhunti, ndërkohë që prisni ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. 8 Ai do t'ju mbajë të fortë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në Ditën e Zotit tonë Jezu Krisht. 9 Perëndia, që ju thirri në bashkësi me Birin e tij Jezu Krishtin, Zotin tonë, është besnik.
Përçarje në kishë
10 Vëllezër, ju lutem në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, të jeni të gjithë në një mendje për atë që thoni dhe të mos keni përçarje mes jush, por të jeni të bashkuar në mendime e arsyetime. 11 Sepse, vëllezërit e mi, disa nga njerëzit e Kloesë më njoftuan se mes jush ka grindje. 12 Këtë e them, sepse një prej jush thotë: «Unë jam i Palit», ndërsa tjetri thotë: «Unë jam i Apolit», ose: «Unë jam i Kefës», ose: «Unë jam i Krishtit».
13 Pse, i ndarë qenka Krishti? A mos u kryqëzua Pali për ju, apo mos u pagëzuat në emër të Palit? 14 Falënderoj Perëndinë, që, përveç Krispit dhe Gajit, nuk kam pagëzuar asnjë prej jush, 15 që të mos thotë askush se u pagëzua në emrin tim. 16 Po, kam pagëzuar edhe ata të shtëpisë së Stefanait, por nuk di të kem pagëzuar edhe ndonjë tjetër. 17 Krishti nuk më ka dërguar të pagëzoj, por të shpall ungjillin, dhe jo me dituri fjalësh, që të mos humbasë fuqia e kryqit të tij.
Predikimi i kryqit
18 Predikimi i kryqit është marrëzi për ata që shkojnë në humbje, por për ne të shpëtuarit është fuqia e Perëndisë. 19 Sepse është shkruar:
urtinë e të urtëve
do ta shkatërroj,
ndërsa mençurinë e të mençurve
do ta hedh tej.
20 Ku është, pra, i urti? Ku është shkruesi? Ku është hulumtuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri Perëndia marrëzi urtinë e kësaj bote? 21 Meqenëse njerëzit nuk e njohën Perëndinë nëpërmjet urtisë, atëherë Perëndia, me urtinë e tij, parapëlqeu t'i shpëtojë ata që besojnë, nëpërmjet marrëzisë së predikimit. 22 Judenjtë kërkojnë shenjë dhe helenët kërkojnë urti, 23 ndërsa ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar që u bëhet pengesë judenjve dhe marrëzi kombeve. 24 Por për ata që janë thirrur nga Perëndia, judenj apo helenë, Krishti është fuqia e Perëndisë dhe urtia e tij. 25 Marrëzia e Perëndisë është më e urtë se njerëzit dhe dobësia e tij është më e fortë se ata.
26 Vëllezër, shikoni kush jeni ju që u thirrët nga Perëndia! Ndër ju, nga ana njerëzore, nuk ka shumë të urtë, as shumë të fortë e as shumë fisnikë. 27 Por Perëndia zgjodhi të marrët sipas botës për të turpëruar të urtët, zgjodhi të dobëtit sipas botës për të turpëruar të fortët.
28 Ai zgjodhi gjërat jo të fisme e të përbuzura të botës, ato që nuk janë asgjë në sytë e saj, për të shkatërruar ato që sipas botës janë të rëndësishme. 29 Kështu, askush nuk mund të mburret para Perëndisë. 30 Por, ai bëri që ju të jeni të bashkuar me Jezu Krishtin, që u bë për ne urtia e Perëndisë. Krishti na bëri të drejtë, na shenjtëroi e na shpengoi, 31 ashtu siç është shkruar: kush krenohet, të krenohet në Zotin.
1 Pavli, thërritur’ apostol i Jisu Krishtit me anë të dashurimit Perëndisë, edhe Sostheni vëllaj,
2 Mbë qishën’ e Perëndisë që është ndë Korinthë, të shënjtëruaritë mbë Jisu Krishtinë, thërrituritë shënjtorë, bashkë me gjith’ ata që thërresënë mbë çdo vënt emërin’ e Zotit tënë Jisu Krishtit t’atyreve edhe tënit.
3 Hirëë qoftë mbë ju edhe paqtim prej Perëndise Atit tënë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.
4 I falem ndersë përherë Perëndisë tim për ju, për atë hirin’ e Perëndisë që u dha mbë ju me anë të Jisu Krishtit;
5 Se u bëtë të pasurë prej ati mbë të gjitha, mbë çdo fialë e mbë çdo mëndëje;
6 Sikundër martiria e Krishtit u vërtetua ndër ju;
7 Kaqë sa s’jetni prapa as mbë ndonjë dhurëti, tuke priturë sbulesën’ e Zotit tënë Jisu Krisht;
8 I cili do t’u vërtetonjë juve të dilni faqe-bardhë gjer mbë të pastajmet ndë ditë të Zotit tënë Jisu Krishtit.
9 Perëndia është besëtar, prej të cilit u thërrittë ndë shoqërit të birit ati Jisu Krishtit, Zotit tënë.
10 Edhe u lutem juve, o vëllezër, për emërin’ e Zotit tënë Jisu Krishtit, që të thoni të gjithë një fialë , edhe të mos jenë të çqyera ndër ju, po të jeni të bashkuarë me një shpirt e me një mënt.
11 Sepse më dëftyenë për ju, o vëllezër, ata që janë nga shtëpia e Kllojsë, se janë qarta ndër ju.
12 Edhe këtë e them, se gjithësecili prej jush thotë: Unë jam i Pavlit, e un’ i Apollojt, e un’ i Qifajt, e un’ i Krishtit.
13 Ndarë qënëka Krishti? Sos u kryqëzua Pavli për ju? Apo u pagëzuatë mb’ emërë të Pavlit?
14 I falem ndersë Perëndisë, se nukë pagëzova ndonjë prej jush, veç Krispin’ edhe Gainë;
15 Që të mos thotë ndonjë, se pagëzova mb’emërë tim.
16 Pagëzova edhe shtëpin’ e Stefanajt; veç këtyreve nukë di ndë pagëzova ndonjë tiatërë.
17 Sepse Krishti nukë më dërgoj të pagëzonj, po që të ungjillëzonj; jo me dituri fiale, që të mos dalë i kotë kryqi i Krishtit.
18 Sepse fiala e kryqit është marrësi mb’ ata që janë të humburë, po mbë ne që jemi të shpëtuarë është fuqi Perëndie.
19 Sepse është shkruarë: “Do të humbas diturinë e të diturëvet, edhe do të heth poshtë mëndëjen’ e të mënçëmvet”
20 Ku ësht’ i dituri? Ku është shkronjësi? Ku është kërkimtari i kësaj jete? Nukë marrosi Perëndia diturin’ e kësaj jete?
21 Sepse bota si nukë njohu Perëndinë me diturin’ e Perëndisë, i pëlqeu Perëndisë me marrësin’ e të leçiturit të shpëtonjë ata që besonjënë.
22 Sepse edhe Judhenjtë kërkonjënë shenjë, edhe Grekëtë kërkonjënë dituri;
23 Po neve leçismë Krishtin’ e kryqëzuarë, që është skandhali mbë Judhenjt, e marrësi mbë Grekët.
24 Po mb’ ata që janë të thërriturë, Judhenj e Grekë, Krishti është fuqi Perëndie e dituri Perëndie.
25 Sepse marrësia e Perëndisë është më e diturë se e njerëzet; edhe dobësira e Perëndisë është më e fortë se e njerëzet.
26 Sepse e shihni të thërrituritë tuaj, o vëllezër, se nukë jeni shumë të diturë pas mishit, jo shumë të fuqishim, jo shumë të fisëm.
27 Po Perëndia sgjodhi të marrat’ e botësë, që të turpëronjë të dituritë; edhe Perëndia sgjodhi të dobëtat’ e botësë, që të turpëronjë të fortatë.
28 Edhe Perëndia sgjodhi të pafisëmet’ e botësë edhe ato që shahenë, edhe ato që nukë janë, që të prishnjë ato që janë.
29 Që të mos mburretë çdo mish përpara ati.
30 Edhe ju jeni nga ay mbë Jisu Krishtinë, i cili u bë mbë ne dituri nga Perëndia, drejtëri edhe shënjtërim edhe shpërblim;
31 Sikundrë që është shkruarë: “Ay që mburretë, le të mburretë mbë Zotinë”.