Dy dëshmitarët
1 Pastaj më dhanë një shkop matës që ngjante me një skeptër dhe më thanë: «Ngrihu e mat tempullin e Perëndisë dhe altarin e numëro ata që adhurojnë atje. 2 Oborrin e jashtëm të tempullit lëre mënjanë e mos e mat, sepse u është dhënë kombeve që do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj. 3 Gjatë atyre një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditëve do të dërgoj dy dëshmitarët e mi të veshur me rroba zie për të profetizuar.
4 Këta janë dy ullinjtë dhe dy shandanët që qëndrojnë para Zotit të tokës. 5 Nëse dikush dëshiron t'u bëjë keq, nga goja e tyre do të dalë zjarr që do t'i përpijë armiqtë e tyre. Kështu do të vritet ai që dëshiron t'u bëjë keq. 6 Ata kanë pushtet për të mbyllur qiellin, që të mos bjerë asnjë pikë shi gjatë ditëve kur ata do të profetizojnë. Kanë edhe pushtet t'i kthejnë ujërat në gjak dhe ta godasin tokën me epidemi sa herë të duan.
7 Kur të kenë mbaruar së dëshmuari, bisha që ngjitet prej humnerës do të bëjë luftë me ta, do t'i mundë e do t'i vrasë. 8 Kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili në mënyrë simbolike quhet Sodomë dhe Egjipt, qyteti ku u kryqëzua Zoti i tyre.
9 Njerëzit nga të gjithë popujt, fiset, gjuhët e kombet do t'i shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë dhe nuk do të lejojnë t'i varrosin. 10 Banorët e tokës do të gëzohen për ta, do të festojnë e do t'i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit, sepse dy profetët i kishin munduar. 11 Por, pas tri ditë e gjysmë shpirti i jetës erdhi nga Perëndia dhe hyri tek ata. Dy dëshmitarët u ngritën në këmbë dhe ata që i shikonin i zuri një frikë e madhe.
12 Atëherë dëgjuan një zë të fortë nga qielli që u tha: “Ngjituni këtu lart!”. Ata u ngjitën në qiell mbi një re dhe armiqtë e tyre i panë. 13 Në atë çast ra një tërmet i madh dhe u shkatërrua një e dhjeta e qytetit. Nga tërmeti u vranë shtatë mijë njerëz, ndërsa të tjerëve u hyri frika dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit».
14 Mjerimi i dytë shkoi. Ja ku po vjen me shpejtësi mjerimi i tretë.
Trumbeta e shtatë
15 I ra trumbetës engjëlli i shtatë. Atëherë në qiell u dëgjuan zëra të lartë që thoshin:
«Mbretërimi i botës i përket Zotit tonë
dhe Krishtit të tij,
ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve».
16 Njëzet e katër pleqtë që qëndronin të ulur nëpër frone para Perëndisë, ranë me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë 17 kështu:
«Të falënderojmë, o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm,
që je e që ishe ,
sepse e more në dorë fuqinë tënde të madhe
dhe mbretëron.
18 Kombet u zemëruan,
por ja ku erdhi zemërimi yt!
Erdhi koha për të gjykuar të vdekurit,
për t'u dhënë shpërblimin shërbëtorëve të tu,
profetëve, të shenjtëve, atyre që e druajnë emrin tënd,
të vegjëlve e të mëdhenjve
dhe për të shkatërruar ata që shkatërrojnë tokën».
19 Pastaj u hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe atje u duk arka e besëlidhjes së tij. Atëherë shpërthyen vetëtima, zëra, bubullima, tërmet dhe një breshër i fortë.
1 Edhe m’u dha një kallam që gjante posi shkop; edhe ëngjëlli rrinte e më thoshte:
“Ngreu, edhe mat tempullin’ e Perëndisë, edhe therorenë, edhe ata që falenë nd’atë.
2 Po avllinë që është përjashta tempullit lere jashtë, edhe mos e mat, sepse u dha mbë kombet; edhe qyteten’ e shënjtëruarë do t’e shkelënë dyzet e dy muaj.
3 Edhe do t’u ap dy martirëvet mi, edhe do të profitepsënë një milë e dy qint e gjashtë-dhietë dit, veshurë me thasë.
4 Këta janë të dy drurët’ e ullirit, edhe dy kandiletë që rrinë përpara Perëndisë dheut.
5 Edhe ndë dashtë ndonjë t’u bënjë dëm atyreve, del ziarr nga goja e atyreve, edhe ha arëmiqt’ e atyreve; edhe ndë dashtë ndonjë t’u bënjë dëm atyreve, kështu duhetë të vritet’ ay.
6 Këta kanë pushtet të mbyllënë qiellinë, që të mos bierë shi ndë dit të profitisë atyreve; edhe kanë pushtet mbi ujërat t’i këthenjënë mbë gjak, edhe t’i bienë dheut me çdo farë plage, sa herë të duanë.
7 Edhe kur të mbaronjënë martirin’ e tyre, bisha që del nga avyssi do të bënjë luftë me ata, edhe do t’i muntnjë, edhe do t’i vrasë.
8 Edhe kufomat’ e atyreve do të dergjenë mbi rrugën’ e qytetesë madhe, që kluhetë shpirtërisht Sodhomë edhe Egjyptë, atie ku u kryqëzua edhe Zoti ynë.
9 Edhe do të shohënë shumë vetë nga gjithë llauzërat’ e nga farat e nga gluhërat’ e nga kombetë kufomat’ e atyreve tri dit e gjysëm, edhe nukë do të lanë kufomat e atyreve të vihenë ndër varre.
10 Edhe ata që rrinë mbi dhet do të gëzonenë për ata, edhe do të gasmonenë, edhe do t’i dërgonjënë dhurëti njëri tiatrit, sepse këta të dy profitërë munduan’ ata që rrinë mbi dhet.”
11 Edhe pas këtyre tri dit e gjysëm hyri mb’ ata frymë jete nga Perëndia, edhe qëndruanë mbë këmbët të tyre, edhe i mori frik’ e madhe ata që i shihninë.
12 Edhe dëgjuanë një zë të math nga qielli që u thoshte atyre: “Hipni këtu.” Edhe hipnë mbë qiellt ndë ret; edhe arëmiqt’ e atyreve i panë.
13 Edhe nd’atë orë u bë një tërmet i math, edhe e dhietta e qytetesë ra, edhe u vranë ndë tërmet shtatë milë emëra njerëzish, edhe të tierët’ i mori frika, edhe i dhanë lavdi Perëndisë qiellit.
14 E dyta mjer shkoj; ja te po vien shpejte e treta mjer.
15 Edhe i shtatti ëngjëll i ra trumbetësë, edhe u bënë zëra të mëdha ndë qiell që thoshinë: “Mbëretëriat’ e botës’ u bënë të Zotit tënë, edhe të Krishtit ati, edhe do të mbëretëronjë ndë jetët të jetëvet.”
16 Edhe të njëzet e katrë pleqtë që rrininë mbë fronet të tyre përpara Perëndisë, ranë me faqe përdhe, edhe iu falnë Perëndisë,
17 Tuke thënë: “Falemi ndersë teje, o Zot Perëndia Gjithëpushtetësi, ay që ësht’ edhe që ishte (edhe që vien); sepse more fuqinë tënde të madhenë, edhe mbëretërove;
18 Edhe kombet’ u zemëruanë, edhe erdhi zemërata jote, edhe koha e të vdekuret, që të gjukonenë, edhe t’u apç pagënë shërbëtorëvet tu profitërvet, edhe shënjtorëvet, edhe atyreve që i kanë frikë emërit tënt, të vogjilet e të mëdhenjet, edhe të prishç ata që prishnjënë dhenë.
19 Edhe u hap tempulli i Perëndisë ndë qiell, edhe u duk arka e dhiatës’ ati ndë tempull t’ ati; edhe u bënë vetëtima e zëra e bumbullima e tërmet e breshër i math.