Hyrja
1 Përderisa shumë veta kanë marrë përsipër të rrëfejnë ngjarjet që janë përmbushur ndër ne, 2 siç na i kanë përçuar ata që i panë me sytë e tyre dhe që qenë shërbëtorë të fjalës që nga fillimi, 3 edhe mua, meqë kam ndjekur me kujdes nga afër gjithçka që nga fillimi, më është dukur gjë e mirë të t'i shkruaj me radhë, i përndritshëm Teofil, 4 me qëllim që të njohësh palëkundshmërinë e mësimeve që ke marrë.
Paralajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzorit
5 Në ditët kur Herodi ishte mbreti i Judesë, një prift me emrin Zakari, nga kasta e Abiut, kishte për grua njërën prej bijave nga fisi i Aronit. Ajo quhej Elizabetë. 6 Që të dy ishin të drejtë para Perëndisë dhe jetonin pa të metë, sipas të gjitha ligjeve e urdhërimeve të Zotit. 7 Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte shterpë e të dy ishin të shkuar në moshë.
8 Ndërsa Zakaria po kryente shërbesën e tij priftërore, para Perëndisë, kur ishte radha e kastës së tij, 9 sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hynte në shenjtëroren e Zotit për të djegur temjanin. 10 Ndërsa digjej temjani, tërë populli lutej përjashta. 11 Zakarisë iu shfaq engjëlli i Zotit, i cili rrinte në të djathtë të altarit të temjanit. 12 Kur e pa, Zakaria u trondit dhe e pushtoi frika. 13 Por engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Zakari, se lutja jote është dëgjuar dhe Elizabeta, gruaja jote, do të të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Gjon. 14 Do të gëzohesh e do të ngazëllehesh dhe shumë veta do t'i gëzohen lindjes së tij. 15 Ai do të jetë i madh para Zotit dhe nuk do të pijë verë e as pije dehëse. Do të jetë i mbushur me Shpirtin e shenjtë që në bark të nënës. 16 Shumë bij të Izraelit do t'i kthejë te Zoti, Perëndia i tyre. 17 Do të vijë përpara Zotit me shpirtin dhe fuqinë e Elisë, për t'i kthyer zemrat e etërve drejt bijve dhe kryeneçët në urtinë e të drejtëve, për t'i bërë gati Zotit një popull të përgatitur». 18 Zakaria i tha engjëllit: «Si do ta marr vesh këtë gjë? Se unë jam i vjetër dhe gruaja ime e moshuar». 19 Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli, që rri në praninë e Perëndisë, dhe jam dërguar për të folur me ty e për të të dhënë këtë lajm të mirë. 20 Ja, ti do të mbetesh memec e nuk do të mund të flasësh deri ditën kur do të ndodhin këto gjëra, se nuk u ke besuar fjalëve të mia, që do të përmbushen kur t'u vijë koha».
21 Populli priste Zakarinë e ishte i habitur për vonesën e tij në tempull. 22 Por kur doli, ai nuk mundi t'u fliste dhe ata e kuptuan se kishte parë një vegim në tempull. U bënte shenja e nuk fliste dot. 23 Kur u mbushën ditët e shërbesës së tij, Zakaria u kthye në shtëpi. 24 Pas këtyre ditëve, Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë dhe për pesë muaj rrinte fshehur e thoshte: 25 «Kështu bëri për mua Zoti në ditët kur hodhi sytë mbi mua, për të më hequr turpin para njerëzve».
Paralajmërimi i lindjes së Jezuit
26 Në muajin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë me emrin Nazaret, 27 te një virgjëreshë që ishte e fejuar me një burrë që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit. Virgjëresha quhej Mari. 28 Engjëlli shkoi tek ajo e i tha: «Gëzohu, hirplotë, Zoti është me ty ». 29 Ajo u trondit nga këto fjalë dhe mendonte për domethënien e kësaj përshëndetjeje. 30 Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. 31 Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë e do t'ia vësh emrin Jezu. 32 Ai do të jetë i madh e do të quhet Bir i të Tejlartit dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përgjithmonë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim». 34 Por Maria i tha engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, se unë nuk njoh burrë?». 35 Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e të Tejlartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë. 36 Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t'i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë. 37 Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur». 38 Atëherë Maria tha: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj.
Maria te Elizabeta
39 Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. 41 Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në bark. Elizabeta u mbush me Shpirtin e shenjtë, 42 thirri me zë të lartë e tha: «E bekuar je ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! 43 Nga më vjen kjo dhuratë, që nëna e Zotit të vijë tek unë? 44 Ja, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja kërceu nga gëzimi në barkun tim. 45 Lum ajo që ka besuar, se do të përmbushet çfarë i qe thënë prej Zotit!». 46 Maria tha:
«Gjithë qenia ime e madhëron Zotin
47 dhe shpirti im ngazëllehet
për Perëndinë, shpëtimtarin tim,
48 sepse ai hodhi sytë
mbi përulësinë e shërbëtores së vet
dhe, ja, të gjitha breznitë
do të më quajnë të lume.
49 Gjëra të mëdha
ka bërë për mua i fuqishmi.
I shenjtë është emri i tij.
50 Mëshira e tij zgjat nga
breznia në brezni
për ata që e druajnë.
51 Bëri vepra të fuqishme me krahun e tij,
hodhi poshtë ata që mburreshin
me mendimet e zemrës së tyre,
52 rrëzoi të fuqishmit nga froni
dhe lartësoi të përulurit.
53 Të uriturit
i mbushi me të mira,
ndërsa të pasurit
i nisi duarzbrazët.
54 E ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet,
duke sjellë ndër mend mëshirën,
55 siç u kishte thënë etërve tanë,
Abrahamit,
dhe pasardhësve të tij përgjithmonë».
56 Maria ndenji rreth tre muaj me Elizabetën, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.
Lindja e Gjon Pagëzorit
57 Elizabetës i erdhi koha për të lindur dhe lindi djalë. 58 Fqinjët dhe farefisi i saj dëgjuan se Zoti tregoi mëshirë të madhe për Elizabetën dhe gëzoheshin bashkë me të. 59 Ditën e tetë erdhën për të rrethprerë fëmijën e donin t'i vinin emrin Zakari, sipas emrit të të atit. 60 Por e ëma tha: «Jo, do të quhet Gjon». 61 Ata i thanë: «Askush nga të afërmit tuaj nuk quhet me këtë emër». 62 Atëherë e pyetën të atin me shenja se ç'emër donte t'i vinte. 63 Ai kërkoi një dërrasë, mbi të cilën shkroi: «Gjon është emri i tij». Të gjithë u mrekulluan. 64 Përnjëherë Zakarisë iu hap goja e iu zgjidh gjuha dhe filloi të fliste duke bekuar Perëndinë. 65 Të gjithë banorët aty pranë i zuri frika dhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto gjëra. 66 Ata që i dëgjuan këto gjëra i mbajtën në zemër e thanë: «Ç'do të bëhet vallë ky djalë?». Dhe dora e Zotit ishte me të.
Profecia e Zakarisë
67 Zakaria, ati i tij, u mbush me Shpirtin e shenjtë e profetizoi kështu:
68 «Bekuar qoftë Zoti,
Perëndia i Izraelit,
se erdhi dhe shpengoi popullin e tij.
69 Ai ngriti për ne bririn e shpëtimit
në shtëpinë e Davidit,
shërbëtorit të vet,
70 siç e kishte thënë
me gojën e profetëve të tij të shenjtë
që prej shekujsh;
71 shpëtim nga armiqtë tanë
dhe nga dora e të gjithëve atyre
që na urrejnë,
72 për të treguar mëshirë me etërit tanë
e për t'u kujtuar
për besëlidhjen e tij të shenjtë;
73 për betimin që i bëri Abrahamit,
atit tonë,
për të na lejuar
74 që, pasi të na çlironte
nga duart e armiqve tanë,
t'i shërbenim pa frikë,
75 në shenjtëri e në drejtësi para tij
për të gjitha ditët e jetës sonë.
76 Dhe ti, foshnjë,
do të quhesh profet i të Tejlartit,
se do të ecësh përpara Zotit
për të përgatitur udhët e tij,
77 për t'i dhënë popullit të tij
njohjen e shpëtimit
me anë të faljes së mëkateve,
78 falë dhembshurisë së mëshirshme
të Perëndisë tonë,
me të cilën
do të na vijë së larti agimi,
79 që shndrit mbi ata që rrinë
në errësirë
e në hijen e vdekjes
dhe për të drejtuar
hapat tanë
në udhën e paqes».
80 Fëmija rritej, forcohej shpirtërisht e rrinte shkretëtirave gjer në ditën kur do t'i dëftohej Izraelit.
1 Passi vunë dorë shumë vetë të dëftenjënë me taks për ato punët, që janë vërtetuarë mbë ne,
2 Sikundrë na i kanë lënë ata, që i panë me sy ndë krye të herësë, edhe u bënë shërbëtorët’ e fialësë,
3 E pashë me udhë edhe unë, që i rashë prapa të gjithave një për një ndë krye të herësë, që të të shkruaj me radhë për këto , o i pushteçim Theofil,
4 Që të njohç të vërtetuarët’ e atyre punëve që u mësove.
5 Ndë dit të Irodhit, mbëretit Judhesë, ishte një prift, që ia thoshin’ emërinë Zahari, prej efimerisë Aviajt; edhe gruaja e ati ishte prej së bijash Aaronit, edhe ia qjuanin emërin’ Elisavetë.
6 Edhe këta të dy ishinë të drejtë përpara Perëndisë, tuke ecurë pa ndyrësi ndër gjith’ urdhërimet e drejtërimet të Zotit.
7 Edhe ata nukë kishinë dialë, sepse Elisaveta ishte shterpë, edhe të dy ishinë të lashtë ndë dit të tyre.
8 Edhe ay kur ishte tuke bërë punët’ e priftërisë përpara Perëndisë ndë taksit të efimerisë ti,
9 Pas zakonit të punësë priftërisë, i ra shorta të tymosnjë me kënjem, kur hyri ndë tempullë të Zotit.
10 Edhe gjithë shumica e llauzit ishte tuke falurë përjashta ndë kohë të tymosurit me kënjem.
11 Edhe iu duk ëngjëll’ i Zotit ndenjurë mb’ anë të diathtë të theroresë kënjemit.
12 Edhe Zaharia kur pa, u droth, edhe e mori frika.
13 Po ëngjëlli i tha: “Mos u frikëso, Zahari; sepse lutëja jote u ndigjua, edhe gruaja jote Elisaveta do të të piellë dialë, edhe do t’ia qjuanjç emërinë Joan.
14 Edhe do të jetë mbë tyj gëzim e gas; edhe shumë vetë do të gëzonenë për lindëjen’ e ati.
15 Sepse do të jet’ i math përpara Zotit, edhe nukë do të pijë verë e siqera, edhe do të mblushetë me Frymë të Shënjtëruarë që nga barku i s’ëmësë.
16 Edhe ka për të kthyerë shumë vetë nga të bijt’ e Israilit mbë Zonë, Perëndin’ e tyre.
17 Edhe ay do të vinjë përpara ati me frym’ e me fuqi të Iliut, për të kthyerë zemërat’ e atrëvet mbë djemt, edhe të pandigjuarshimitë nd’ urtësit të drejtëvet, për të bërë gati një llaus të ndrequrë për Zonë.”
18 Edhe Zaharia i tha ëngjëllit: “Qysh do t’e marr vesh këtë punë ; sepse unë jam plak, edhe gruaja ime ësht’ e lashtë ndë dit të saja.”
19 Edhe ëngjëlli u përgjeq e i tha: “Unë jam Gavriili që rri përpara Perëndisë; edhe u dërguashë që të flas tyj, edhe të t’ap zërin’e mirë për këto punë .
20 Edhe na te nukë do të bënjç zë, edhe do të mos munç të flaç, gjer mb’atë ditë që të bënenë këto; sepse nuk’ u zure besë fialëvet të mia, të cilatë do të mbushenë ndë kohët të tyre.
21 Edhe llauzi po priste Zaharinë, edhe çuditeshinë përse mënonte ndë tempullë.
22 Edhe kur dolli, nukë munte t’u fliste atyre; edhe e kupëtuanë, se çoç iu fanit ndë tempullë; edhe ay u bënte atyre me shenjë, edhe mbeti shurdh.
23 Edhe si u mblushnë ditt’ e shërbesës’ ati, vate ndë shtëpit të ti.
24 Edhe pas këtyre dite Elisaveta, gruaja e ati u mbars; edhe e fshihte vetëhenë pesë muaj, tuke thënë, se:
25 “Kështu bëri Zoti mbë mua ndër këto dit, që vuri re të heqë të përqeshuritë prej meje ndërmest të njerëzet.”
26 Edhe mbë të gjashttinë muaj, ëngjëlli Gavriil u dërgua prej Perëndisë ndë qytet të Galilesë, që e kishte emërinë Nazaret,
27 Te një vërgjëreshë, që ish vluarë me një burrë, që qjuhej Josif, prej shtëpisë së Dhavidhit; edhe vërgjëresha e kishte emërinë Mariamë.
28 Edhe ëngjëlli kur hyri tek ajo, tha: “Gëzonu, o e gëzuarë; Zoti është bashkë me tyj; e bekuarë je ti ndërmest të gravet.”
29 Edhe ajo kur pa, u trazua për fialën’ e ati; edhe mendonej ç’do të jetë këta të përshëndeturë.
30 Edhe ëngjëlli i tha: “Mos u frikëso, Mariamë; sepse gjete hir përanë. Perëndisë.
31 Edhe na te do të mbarsesh ndë bark, edhe do të piellç dialë, edhe do t’ia qjuanjç emërinë Jisu.
32 Kyj do të jet’ i math, edhe do të qjuhet’ i Biri të Lartit; edhe Zoti, Perëndia, do t’i apë fron’ e Dhavidhit, atit ati.
33 Edhe do të mbëretëronjë ndë shtëpi të Jakovit për gjithë jetënë, edhe mbëretëria e ati nukë do të ketë të mbaruarë.
34 Edhe Mariama i tha ëngjëllit: “Qysh do të jetë këjo punë, sepse unë s’njoh burrë?”
35 Edhe ëngjëlli u përgjeq e i tha: “Frym’ e Shënjtëruarë do të vinjë mbi tyj, edhe fuqi’ e të Lartit do të të hiesonjë; përandaj edhe ajo gjë e shënjtëruarë që len prej teje do të qjuhetë Birë Perëndie.”
36 Edhe na Elisaveta, fisi yt, edhe ajo u mbars me bir ndë pleqëri të saj; edhe kyj muaj ësht’ i gjashtti asaj që qjuhetë shterpë.
37 Sepse s’është punë që s’munt të bënetë përanë Perëndisë.
38 Edhe Mariama tha: “Na shërbëtoreja e Zotit; u bëftë mbë mua pas fialësë sate.”
Edhe ëngjëlli iku prej asaj.
39 Edhe nd’ato dit Mariama u ngrit, e vate me nxitim ndë malësi, ndë një qytet të Judhësë.
40 Edhe hyri ndë shtëpit të Zaharisë, edhe përshëndeti Elisavetënë.
41 Edhe Elisaveta kur dëgjoj të përshëndeturit’ e Marisë, foshnjeja këceu ndë barkut t’asaj; edhe Elisaveta u mblush me Frymë të Shënjtëruarë.
42 Edhe bërtiti me zë të math, e tha: “E bekuarë je ti ndërmest të gravet, edhe e bekuarë është pem’ e barkut tënt.
43 Edhe nga më gjau këjo punë , të vinj’ e ëm’ e Zotit tim tek unë?
44 Sepse na posa erdhi zëri i të përshëndeturit tënt ndë veshët’ e mi, foshnjeja këceu me gëzim ndë barkut tim.
45 Edhe lum ajo që të besonjë; sepse do të mblushenë tek ajo ç’janë folë nga Zoti.”
46 Edhe Mariama tha:
47 “Shpirti im madhëron Zonë, Edhe fryma ime u gëzua mbë Perëndinë, shpëtimtarinë tim;
48 Sepse shtyri sytë mbë të përungjurit’ e shërbëtoresë ti; sepse na që tashti e paskëtaj gjithë brezatë do të më lumëronjënë;
49 Sepse i Forti bëri punë të mëdha tek unë, edhe emëri i ati është i shënjtëruarë;
50 Edhe përdëllim’ i ati është breza pas brezash mb’ata që i kanë frikë.
51 Bëri pushtet me krahën’ e ti; përndau madhështorëtë ndë mendim të zenëravet atyre.
52 Sbriti fuqitarë prej fronesh, edhe ngriti njerës të përunjurë.
53 Të uriturit i mblushi së mirash, edhe të pasurit i dërgoj jashtë sbrazëtë.
54 I ndihu Israilit, shërbëtorit ti, kur pruri ndër mënt përdëllimn’ e ti ,
55 Sikundrë foli mb’ atëritë tanë, mb’ Avraaminë, edhe mbë farën’ e ati, për gjithë jetënë.
56 Edhe Mariama mbeti bashkë me atë afro tre muaj; pastaj u kthye ndë shtëpit të saj.
57 Edhe Elisavetës’ iu mblush koha për të piellë; edhe polli dialë.
58 Edhe fëqinjt’ e fisi i asaj ndigjuanë, se Zoti madhëroj përdëllimin’ e ti tek ajo; edhe gëzoneshinë bashkë me atë.
59 Edhe ndë të tettënë ditë erdhë të rrethpresënë dialënë; edhe e qjuatinë Zahari, mb’emërit t’et.
60 Po e ëma u përgjeq e tha: “Jo, po do të qjuhetë Joan.”
61 Edhe ata i than’ asaj, se: “Nuk’ është ndonjë ndë fist tënt, që të qjuhetë me këtë emërë.”
62 Edhe bëninë me shenjë te i ati ati, ç’do që të qjuhet’ ay.
63 Edhe ay kërkoj një dërrasë shkronje, edhe shkroj, tuke thënë: “Emër’ i ati ësht’ Joan.”
64 Edhe të gjith’ u çuditnë. Edhe përnjëherë goj’ e ati edhe gjjuh’ e ati u hap; edhe fliste tuke bekuarë Perëndinë.
65 Edhe u erdhi frikë gjith’ atyreve që rrijnë rreth ati. Edhe të gjitha këto fialë fliteshinë ndëpër gjithë malësin’ e Judhesë.
66 Edhe gjith’ ata që ndigjuanë i vunë këto punë ndë zemërat të tyre, tuke thënë: “Vallë ç’do të jetë kyj dialë?” Edhe dor’ e Perëndisë ishte bashkë me atë.
67 Edhe Zaharia, i ati, u mblush me Frymë të Shënjtëruarë; edhe profitepsi, tuke thënë:
68 Qoftë bekuarë Zoti, Perëndia i Israilit, sepse vuri re, edhe bëri shpërblim mbë llausn’ e ti,
69 Edhe ngriti bri shpëtimi mbë ne ndë shtëpit të Dhavidhit, shërbëtorit ti,
70 Sikundrë foli me anë të gojësë shënjtorëvet ti profitëvet të jetësë; —
71 Shpëtim prej armiqet tanë, edhe prej dorësë gjith’ atyreve që na kanë mëri;
72 Për të bërë përdëllimn’ e ti tek atëritë tanë, edhe për të përmëndurë dhiatën’ e ti të shënjtëruarënë;
73 Pas besë që iu betua Avraamit, atit tanë,
74 Se do të na apë të shpëtojmë prej dorës’ armiqet tanë, edhe t’i shërbejmë pa frikë,
75 Me shënjtëri e me drejtëri përpara ati gjithë ditt’ [e jetësë tonë].
76 — Edhe ti, o dialë, do të qjuhesh profit i të Lartit; sepse do të shkonjç përpara faqesë Zotit, për të bërë gati udhët’ e ati,
77 Për të dhënë mënt shpëtimi llauzit ati, me ndëjesën’ e fajevet atyre,
78 Me anët të përdëllimit thellë Perëndisë tënë, që na vuri re të lindurit’ e diellit prej së larti, për të ndritur’ ata që rrinë nd’ errësirë e ndë hie të vdekëjesë, që të bënjë këmbëtë tona të ecënjënë drejtë nd’ udhë të paqtimit.”
80 Edhe çuni rritej e forconej ndë frymë, edhe ishte ndë shkretëtirat gjer mb’ atë ditë që do të dëftenej te Israili.