Hyrja ngadhënjimtare në Jerusalem
(Mk 11.1-11Lk 19.28-38Gjn 12.12-19)1 Kur iu afruan Jerusalemit dhe erdhën në Betfagë, në malin e Ullinjve, Jezui dërgoi dy dishepuj përpara 2 e u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe menjëherë do të gjeni të lidhur një gomaricë e një kërriç. Zgjidhini e sillini tek unë. 3 Nëse ju thotë gjë njeri, i thoni: “Zoti ka nevojë për ta e do t'jua kthejë menjëherë”». 4 Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit:
5 i thoni bijës së Sionit:
ja, po vjen te ti mbreti yt,
plot butësi, hipur mbi një gomaricë
e një kërriç, të voglin e gomaricës.
6 Dishepujt shkuan e vepruan siç i urdhëroi Jezui. 7 Sollën gomaricën me kërriçin, u vunë përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi to. 8 Shumë veta nga turma shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë prisnin degët e pemëve dhe i shtronin në rrugë. 9 Turmat që ecnin përpara Jezuit dhe ato pas tij, thërrisnin:
«Hosana birit të Davidit,
bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit,
Hosana në lartësitë e qiejve!».
10 Kur Jezui hyri në Jerusalem, u vu në lëvizje mbarë qyteti. Njerëzit pyesnin: «Kush është ky?». 11 Dhe turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu nga Nazareti i Galilesë».
Pastrimi i tempullit
(Mk 11.15-19Lk 19.45-48Gjn 2.13-22)12 Jezui hyri në tempull dhe dëboi që andej të gjithë ata që shisnin e blinin. Përmbysi tezgat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave. 13 Dhe u tha: «Është shkruar:
shtëpia ime
do të quhet shtëpi lutjeje,
por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
14 Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbrit e të çalët dhe ai i shëronte. 15 Por kryepriftërinjtë e shkruesit, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u zemëruan 16 e i thanë: «A e dëgjon çfarë thonë këta?». Jezui u tha: «Po. A nuk e keni lexuar ndonjëherë: nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi ». 17 Pastaj ai u largua e shkoi jashtë qytetit, në Betani, ku kaloi natën.
Mallkimi i fikut
(Mk 11.12-14, Mk 20-24)18 Në mëngjes herët, ndërsa po kthehej në qytet, Jezuin e mori uria. 19 Ai pa një fik ndanë rrugës, iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve. Atëherë i tha fikut: «Mos dhënç më kurrë fryt!». Dhe fiku u tha në çast. 20 Kur dishepujt e panë këtë gjë, u çuditën dhe pyetën: «Si u tha kaq shpejt fiku?». 21 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim e të mos ngurronit, do të bënit jo vetëm çfarë i bëra unë fikut, por do t'i thoshit këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe kjo do të ndodhte. 22 Çfarëdo që të kërkoni me besim përmes lutjes, do ta merrni».
Pushteti i Jezuit
(Mk 11.27-33Lk 20.1-8)23 Jezui kishte hyrë në tempull e po mësonte njerëzit kur kryepriftërinjtë e pleqtë shkuan tek ai dhe e pyetën: «Me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». 24 Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju. Nëse më përgjigjeni, atëherë edhe unë do t'ju tregoj me ç'pushtet i bëj këto gjëra. 25 Prej nga vinte pagëzimi i Gjonit? Prej qiellit apo prej njerëzve?». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. 26 Po të themi “prej njerëzve”, kemi frikë nga turma, se të gjithë e mbajnë Gjonin për profet». 27 Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra».
Dy djemtë
28 «Më thoni, si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Shkoi tek i pari e i tha: “Bir, shko e puno në vresht sot”. 29 Ai iu përgjigj: “Nuk dua”. Por më vonë u pendua e shkoi. 30 Shkoi te djali tjetër e i tha të njëjtën gjë. Ai iu përgjigj: “Po, imzot”, por nuk shkoi. 31 Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?».
Ata iu përgjigjën: «I pari». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: tagrambledhësit e laviret do të shkojnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë. 32 Gjoni erdhi te ju në udhën e drejtësisë e ju nuk i besuat, por tagrambledhësit e laviret i besuan. Ndërsa ju, edhe pasi e patë këtë gjë, nuk ndërruat mendje e nuk besuat».
Vreshtit dhe vreshtarët
(Mk 12.1-12Lk 20.9-19)33 «Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: i zoti i një shtëpie mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve dhe u largua në një vend të huaj. 34 Kur afroi koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët që të merrnin pjesën e tij të prodhimit. 35 Por vreshtarët i kapën shërbëtorët dhe njërin e rrahën, tjetrin e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë. 36 U dërgoi edhe shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, por vreshtarët bënë të njëjtën gjë me ta. 37 Pastaj dërgoi të birin duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt”. 38 Por kur panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim e t'i marrim trashëgiminë”. 39 Atëherë e kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. 40 Kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?». 41 Ata i thanë: «Do t'i vrasë pa mëshirë vreshtarët e këqij dhe vreshtin do t'ua japë vreshtarëve të tjerë që do t'ia japin të vjelat në kohën e duhur». 42 Jezui u tha: «A nuk keni lexuar kurrë në Shkrime:
guri që ndërtuesit e hodhën tej,
u bë guri i qoshes.
Kjo është vepra e Zotit
dhe është e mrekullueshme në sytë tanë ».
43 Prandaj po ju them: «Mbretëria e Perëndisë do t'ju hiqet juve e do t'i jepet një kombi që do të japë fryte në të. 44 Kushdo që bie mbi këtë gur do të copëtohet dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta thërrmojë».
45 Kur kryepriftërinjtë e farisenjtë i dëgjuan shëmbëlltyrat e Jezuit, e kuptuan se po fliste për ta 46 dhe donin ta kapnin, por kishin frikë nga turma që e mbante Jezuin për profet.
1 Edhe kur u afruanë ndë Jerusalim, edhe erthnë ndë Vithfagji ndaj malit ullinjvet, atëhere Jisuj dërgoj dy nxënësë, tuke u thënë atyre:
2 “Shkoni mb’ atë fshat që është përkundruell juve; edhe përnjëherë do të gjeni një gomare lidhurë, edhe një pulisht bashkë me atë; sgjidhini e m’i bini.
3 Edhe ndë u thëntë gjë juve ndonjë njeri , i thoni, se Zoti ka nevojë për atë; edhe përnjëherë do t’i dërgonjë ata.”
4 Edhe gjithë këjo u bë, që të mbushetë ç’është thënë nga profiti, që thotë:
5 “Thoni së bijësë Sionësë: Ja mbëreti yt tek po të vien i butë, edhe hipurë mbi gomare, edhe mbi pulisht bir shtëse.”
6 Edhe nxënësitë si vanë, edhe bënë sikundrë i urdhëroj ata Jisuj, prunë gomaren. edhe pulishtinë;
7 Edhe vunë mbi ata rrobet’ e tyre edhe e hipnë atë sipër atyre.
8 Edhe më e shum’ e gjëndëjesë shtruanë rrobet’ e tyre mb’ udhë; edhe të tierë këputninë dega drush, e i shtroninë mb’ udhë.
9 Edhe gjëndëja që shkoninë përpara edhe ata që i vininë prapa bërtitninë, tuke thënë: “Hosanna mbë të birin’e Dhavidhit; i bekuar’ësht’ay që vien mb’emërit Zotit; Hosanna mbë të lartatë.”
10 Edhe ay kur hyri ndë Jerusalim, u tunt gjithë qyteti tuke thënë: Cili është kyj?
11 Edhe gjëndëja thoshinë: Kyj është Jisuj, profiti, që është nga Nazareti i Galilesë.
12 Edhe Jisuj hyri ndë hieroret të Perëndisë, edhe nxori jashtë gjith’ ata që shisnin’ e blininë ndë hieroret, edhe përmbysi truvezat’e truvezarëvet, edhe fronet’ e aryre që shisninë pëllumbatë.
13 Edhe u thot’ atyre: “Është shkruarë “Shtëpia ime do të qjuhetë shtëpi lutëje”; edhe ju e bët’ atë “shpellë viedhësish”.
14 Edhe i erthnë përanë të verbur’ e çala ndë hieroret; edhe i shëroj ata.
15 Po kryepriftërit’ edhe shkronjësitë kur panë çudiratë që bëri, edhe çunatë tuke bërtiturë ndë hieroret, e tuke thënë: “Hosanna mbë të birin’e Dhavidhit”, u zemëruanë, edhe i than’ ati:
16 “Dëgjon se ç’thonë këta?” Edhe Jisuj u thot’ atyre: “Po; kurrë s’keni kënduarë: “Se nga goj’e foshnjavet edhe nga goj’ e atyre që pinë sisë bëre gati lavdim?”
17 Edhe si i la ata, dolli jashtë qytetit ndë Vithani, edhe shkoj natën’ atie.
18 Edhe ndë mëngjes kur u këthye ndë qytet, i erdhi uri.
19 Edhe kur pa një dru fiku mb’ udhë, erdhi mb’ atë, po nukë gjeti gjë mb’ atë, veç gjethe vetëmë, edhe i thotë: “Mos u bëftë më pemë prej teje për gjithë jetënë.” Edhe druj’ e fikut përnjëherë u tha.
20 Edhe nxënësitë kur panë, u çuditnë, e thanë: “Qysh u tha druj’ e fikut përnjëherë!”
21 Edhe Jisuj u përgjeq e u tha atyre: “Me të vërtetë po u them juve, ndë paçi besë, edhe të mos jeni me dy mëndëje, jo vetëmë këtë të drusë fikut keni për të bërë, po edhe këti mali ndë i thënçi: Ngreu edhe bierë ndë det, do të bënetë.
22 Edhe gjithë sa të lypni ndë lutjet, tuke pasurë besë, do t’i merrni.”
23 Edhe kur erdhi ndë hieroret, i erthnë përan’ ati, atie ku mësonte, kryepriftërit’ edhe pleqt’ e llauzit, e thoshinë: “Me çfarë pushteti bën këto? Edhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?”
24 Edhe Jisuj u përgjeq e u tha atyre: “Do t’u pyes edhe unë juve një fialë, që ndë ma thënçi, edhe unë do t’u them juve me çfarë pushteti bënj këto.
25 Pagëzimi Joannit nga ishte? Nga qielli, a nga njerëzitë?” Edhe ata mendoneshinë me vetëhen’ e tyre, tuke thënë: “Ndë thënçim: Nga qielli, do të na thotë: Përse nuk’i mbesuatë pra?
26 Edhe ndë thënçim: Nga njerëzitë, kemi frikë prej gjëndëjesë; sepse të gjithë e kanë Joanninë për profit.”
27 Edhe iu përgjeqnë Jisujt, e i thanë: “Nuk e dimë.” Edhe ay u tha atyre: “As unë s’u them juve me çfarë pushteti bënj këto.
28 Edhe qysh u duketë juve? Një njeri kishte dy bij; edhe erdhi tek i pari e i tha: Bir, shko sot e puno ndë vështë tim.
29 Edhe ay u përgjeq e tha: Nukë dua; po pastaj u pendua, edhe vate.
30 Edhe erdhi tek i dyti, e i tha po ashtu; edhe ay u përgjeq e tha: Unë vete Zot; edhe nukë vate.
31 Cili nga këta të dy bëri dashurimin’ e t’et?” I thonë: “I pari.” Jisuj u thot’ atyre: “Me të vërtetë po u them juve, se kumerqarët’ edhe kurvatë venë më përpara se ju ndë mbëretërit të Perëndisë.
32 Sepse Joanni erdhi te ju ndë udhë drejtërie, edhe nuk’ i mbesuatë; po kumerqarët’ e kurvat’ i mbesuanë; edhe ju si patë, nuk’ u penduatë pastaj, që t’i besoni.
33 Dëgjoni një tiatërë paravoli: Një njeri ishte zot shtëpie, i cili mbolli një vështë, edhe e thuri me garth, edhe rëmoj mb’ atë një tirë, edhe ndërtoj një pirk; edhe e dha atë ndër bujq, edhe iku ndë dhe të huajë.
34 Edhe kur u afërua koh’ e pemëvet, dërgoj shërbëtorët’ e ti te bujqitë, që të marrënë pemët’ e ati.
35 Edhe bujqitë zunë shërbëtorët’ e ati, e njërin’ e rrahnë, e tietrin’ e vranë, e tietrinë e vranë me gurë.
36 Përsëri dërgoj të tierë shërbëtorë, më tepërë se të parëtë, po ashtu ua bënë edhe atyre.
37 Edhe pastaj dërgoj të birrë tek ata, tuke thënë se: “Tim birit do t’i kenë turp.”
38 Po bujqitë kur panë të birinë, thanë njëri tiatrit: “Kyj është trashëgimtari; ejani ta vrasëmë, edhe të mbajëmë trashëgimin’ e ati.”
39 Edhe si e zunë, e nxuarnë jashtë vështit, edhe e vranë.
40 Kur të vinjë pra i zoti vështit, ç’do t’u bënjë atyre bujqve?
41 I thonë: “Keq e më keq do t’i prishnjë, edhe vështinë do t’ua apë të tierë bujqve, të cilëtë do t’ia apënë pemëtë ndë kohë t’atyre.”
42 Jisuj u thot’ atyre: “Kurrë s’keni kënduarë ndë shkronjat: “Atë gur që s’e pëlqyen’ ata që ndërtonjënë, kyj u bë për krye cepi; nga Zoti u bë këjo, edhe ësht’ e çudiçime ndë syt tanë?”
43 Përandaj po u them juve, se mbëretëri’ e Perëndisë do të merretë nga ju, edhe do të epetë mbë një komp që bën pemët’e asaj.
44 Edhe ay që të bierë mbi këtë gur, do të copëtonetë; edhe mbi atë që të bierë, do ta dërrmonjë.
45 Edhe kryepriftërit’ edhe Farisejtë kur dëgjuanë paravoliat’ e ati, e kupëtuanë, se thotë për ata.
46 Edhe kërkoninë ta zënë, po patnë frikë gjëndëjenë, sepse e kishinë si profit.