Hyrja ngadhënjimtare në Jerusalem
(Mt 21.1-11Lk 19.28-40Gjn 12.12-19)
1 Kur iu afruan Jerusalemit, pranë Betfagës e Betanisë, afër malit të Ullinjve, Jezui dërgoi dy prej dishepujve 2 e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e sapo të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç mbi të cilin nuk ka hipur ende askush. Zgjidheni e silleni! 3 Nëse dikush ju thotë: “Ç'po bëni?”, i thoni: “Zoti ka nevojë për të e do t'jua kthejë përsëri”». 4 Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, përjashta në rrugë, dhe e zgjidhën. 5 Disa njerëz që po rrinin aty u thanë: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». 6 Dy dishepujt u përgjigjën siç u kishte thënë Jezui dhe ata i lejuan. 7 Pastaj e sollën kërriçin te Jezui, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. 8 Shumë veta shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë shtruan degë të këputura nëpër fusha. 9 Ata që ecnin përpara tij dhe ata pas tij, thërrisnin:
«Hosana! Bekuar qoftë ai,
që vjen në emër të Zotit!
10 Bekuar qoftë mbretëria që vjen,
mbretëria e Davidit, atit tonë!
Hosana në lartësitë e qiejve!».
11 Jezui hyri në Jerusalem e shkoi në tempull. Ai vështroi gjithçka rreth e rrotull dhe meqenëse tashmë ishte vonë, doli për të shkuar në Betani bashkë me të dymbëdhjetët.
Mallkimi i fikut
(Mt 21.18-19)
12 Të nesërmen, pasi u kthyen nga Betania, Jezuin e mori uria. 13 Nga larg pa një fik që kishte gjethe e shkoi të shihte nëse do të gjente ndonjë fryt. Kur iu afrua, nuk gjeti asgjë përveç gjetheve, se nuk ishte koha e fiqve. 14 Atëherë i tha fikut: «Mos ngrëntë njeri kurrë fryt prej teje!». Dhe dishepujt e dëgjuan.
Pastrimi i tempullit
(Mt 21.12-17Lk 19.45-48Gjn 2.13-22)
15 Kur arritën në Jerusalem, Jezui hyri në tempull e nisi të dëbonte ata që shisnin e blinin aty. Pastaj përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe tryezat e tregtarëve të pëllumbave 16 e s'lejonte njeri të mbartte sende nëpër tempull. 17 Jezui i mësonte e u thoshte: «A nuk është shkruar:
shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje
për të gjitha kombet.
Por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
18 Kryepriftërinjtë e shkruesit dëgjuan për këtë dhe kërkonin sesi ta vrisnin. Në të vërtetë e kishin frikë, sepse tërë turma mahnitej me mësimin e tij.
19 Kur ra muzgu, ata dolën nga qyteti.
Fiku i tharë
(Mt 21.20-22)
20 Në mëngjes, ndërsa po kalonin andej, panë fikun të tharë që në rrënjë. 21 Pjetri u kujtua e i tha Jezuit: «Mësues, shiko! Fiku që mallkove është tharë». 22 Jezui u tha: «Kini besim në Perëndinë! 23 Me të vërtetë po ju them se nëse dikush i thotë këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe nuk ka dyshime në zemër, por beson se ajo që thotë do të ndodhë, kështu do të bëhet. 24 Prandaj po ju them se çfarëdo që të kërkoni në lutje, besoni se do ta merrni e kështu do të bëhet. 25-26 Dhe kur ngriheni për t'u lutur, nëse keni diçka kundër dikujt, faleni atë, që edhe Ati juaj që është në qiell t'jua falë paudhësitë tuaja ».
Pushteti i Jezuit
(Mt 21.23-27Lk 20.1-8)
27 Kur erdhën përsëri në Jerusalem, Jezui po ecte në tempull dhe kryepriftërinjtë, shkruesit e pleqtë iu afruan 28 e i thanë: «Me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet që t'i bësh këto gjëra?». 29 Jezui u tha: «Unë do t'ju bëj vetëm një pyetje. Përgjigjmuni e do t'ju tregoj me ç'pushtet i bëj këto gjëra. 30 Pagëzimi i Gjonit, vinte prej qiellit apo prej njerëzve? Përgjigjmuni!». 31 Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. 32 Po sikur të themi “prej njerëzve”». Por kishin frikë nga turma, se të gjithë e mbanin Gjonin për profet të vërtetë. 33 Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra».
1 Edhe kur afronenë ndë Jerusalim, ndë Vithfagji edhe ndë Vithani, te Mali Ullinjet, dërgoj dy nga nxënësit’e ti.
2 Edhe u thot’ atyre: “Shkoni mb’atë fshat që është kundruell jush; edhe shpejt posa të ryni mb’ atë, do të gjeni një pulisht lidhurë, që s’i ka hipurë asndonjë prej njerëzish; sgjidheni edhe e bini.
3 Edhe ndë u thëntë juve ndonjë: Ç’bëni kështu? Thoni, se Zoti ka nevolë për atë; edhe shpejt do ta dërgojë këtu.
4 Edhe ata vanë, edhe gjetnë pulishtinë lidhurë te dera jashtë ndërmest dy udhësh; edhe e sgjidhënë.
5 Edhe disa nga ata që ishinë ndenjur’ atie u thoshinë atyre: “Ç’bëni ashtu që sgjithni pulishtinë?”
6 Edhe ata u than’ atyre sikundrë i pat porositurë Jisuj; edhe ata i lanë.
7 Edhe prunë pulishtinë te Jisuj, edhe vunë rrobet’ e tyre mbi atë; edhe ay i hipi.
8 Edhe shumë vetë shtruanë rrobet’e tyre mb’ udhë; edhe të tierë këputninë dega drush, e i shtroninë mb’ udhë.
9 Edhe ata që shkoninë përpara, e ata që vininë pas bërtisninë, tuke thënë: “Hosanna! I bekuar’ ësht’ ay që vien mb’emërit të Zotit!
10 E bekuar’ është mbëretëria që vien [mb’emërit të Zotit], atit tënë Davidhit; Hosanna mbë të lartat!”
11 Edhe Jisuj hyri ndë Jerusalim, edhe ndë hieroret; edhe si vuri re përqark të gjitha, po pasi ishte tani koha vonë, dolli ndë Vithani bashkë me të dy-mbë-dhietët.
12 Edhe mbë të nesërmet, si duallnë nga Vithania, i erdhi uri.
13 Edhe kur pa një dru fiku për së largu që kish gjethe, erdhi të gjejë ndonjë gjë mb’atë; edhe si erdhi mb’atë, s’gjeti gjë, veç gjethe; sepse s’ish kohë fiqsh.
14 Edhe [Jisuj] u përgjeq e i tha drurit fikut : “Asndonjë mos ngrëntë më pemë prej teje për gjithë jetënë.” Edhe nxënësit’ e ati dëgjoninë.
15 Edhe vinë ndë Jerusalim; edhe Jisuj, si hyri ndë hieroret, zuri të kërrejë ata që shisninë e blininë ndë hieroret; edhe rrëzoj truvezat’ e truvezaret, edhe fronet’ e atyreve që shisninë pëllumbatë.
16 Edhe nukë linte asndonjë të bierë enë ndëpër hieroret.
17 Edhe mësonte, tuke u thën’ atyre: “Nuk’ është shkruarë, “Se shtëpia ime do të kluhetë shtëpi lutëje mbë gjithë kombet?” Po ju e bëtë “Shpellë kursarësh.” –
18 Edhe shkronjësit’ e kryepriftëritë dëgjuanë, edhe kërkoninë qysh ta prishjënë; sepse e druanin’ atë, se gjithë gjëndëja çuditej për mësimin’ e ati.
19 Edhe kur u ngrys, dilte jashtë qytetit.
20 Edhe ndë mëngjes tuke shkuar’ ata aty drejti, panë drun’ e fikut tharë që nga rrënja.
21 Edhe Pietri si u kujtua tha: “Ravvi, shih, druj’ e fikut që mallëkove, u tha.”
22 Edhe Jisuj u përgjeq, e u tha atyre: “Kini besë mbë Perëndinë.
23 Sepse me të vërtetë po u thom juve, se kush t’i thotë këti mali: Ngreu, edhe hidhu ndë det, edhe të mos jetë me dy mëndëje ndë zemërë të ti, po të besojë se sa thotë bënenë, do të bënenë mb’ atë ç’të thotë.
24 Përandaj po u thom juve: Gjithë sa të lypni tuke falurë, besoni se i merrni, edhe do t’u bënenë juve.
25 Edhe kur të rrini të faleni, ndëleni, ndë paçi gjë kundrë ndonjërit, që edhe Ati juaj që është ndë qiejet t’u ndëlejë juve faletë tuaja.
26 Po ndë mos ua ndëlefshi ju, as Ati juaj që është ndë qiejet nukë do të ndëlejë fajetë tuaja.”
27 Pasandaj vinë përsëri ndë Jerusalim; edhe ay tuke ecurë ndë hieroret, vinë tek ay kryepriftërit’ edhe shkronjësit’ edhe pleqtë, e i thonë:
28 “Me çfarë pushteti bën këto? Edhe cili ta ka dhënë këtë pushtet të bëjsh këto?”
29 Edhe Jisuj u përgjeq, e u tha atyre: “Edhe unë do t’u pyes juve një fialë; edhe m’u përgjeqni, edhe atëhere do t’u them juve, me çfarë pushteti bëj këto.
30 Pagëzimi Joannit prej qielli ishte, a prej njerëzish? M’u përgjiqni.”
31 Edhe ata mendoneshinë me vetëhen’ e tyre, tuke thënë: Ndë thënçim: Prej qielli, do të thotë: Përse pra s’i besuatë?
32 Po ndë thënçim: Prej njerëzish, druaninë llausnë, sepse të gjith’ e kishinë Joanninë, se është profit me të vërtetë.
33 Edhe ata u përgjeqnë e i thanë Jisujt: “Nukë dimë.” Edhe Jisuj u përgjeq e u tha atyre: “As unë s’u thom juve me çfarë pushteti bëj këto.”