Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mt 14.13-21Mk 6.30-44Lk 9.10-17)1 Pak këtyre, Jezui shkoi në bregun tjetër të liqenit të Galilesë së Tiberiadës. 2 Një turmë e madhe i shkonte pas, sepse shihnin shenjat që bënte për të sëmurët. 3 Atëherë Jezui u ngjit në mal e atje u ul me dishepujt. 4 Po afrohej Pashka, festa e judenjve.
5 Kur hodhi sytë dhe pa se një turmë e madhe po shkonte drejt tij, Jezui i tha Filipit: «Ku mund të blejmë bukë që të hanë gjithë këta njerëz?». 6 Këtë e tha për të vënë në provë Filipin, pasi ai vetë e dinte se çfarë do të bënte. 7 Filipi iu përgjigj: «As dyqind denarë bukë nuk do të mjaftonin që të hante secili nga një copëz». 8 Njëri prej dishepujve, Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, tha: 9 «Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi e dy peshq, por çfarë janë këto për kaq njerëz?». 10 Jezui tha: «U thoni njerëzve të ulen!». Në atë vend kishte shumë bar. Atëherë ata u ulën. Numri i tyre arrinte rreth pesë mijë burra.
11 Pastaj Jezui mori bukën dhe, si falënderoi Perëndinë, ua ndau atyre që ishin ulur. U ndau edhe peshq, aq sa deshën. 12 Kur u ngopën, Jezui u tha dishepujve: «Mblidhini copat që kanë tepruar, që të mos shkojë dëm asgjë». 13 Kështu i mblodhën të gjitha dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat, që u kishin tepruar atyre, që kishin ngrënë prej pesë bukëve të elbit. 14 Njerëzit, kur panë shenjën që bëri, thanë: «Ky është me të vërtetë profeti që duhet të vijë në botë!». 15 Jezui, duke e ditur se kishin ndër mend të vinin ta merrnin me forcë për ta bërë mbret, u largua sërish për në mal fill i vetëm.
Ecja mbi ujë
(Mt 14.22-27Mk 6.45-52)16 Në muzg dishepujt zbritën në liqen, 17 hipën në varkë e po shkonin drejt bregut tjetër të liqenit, për në Kafarnaum. Tashmë ishte errur, por Jezui nuk kishte mbërritur ende tek ata. 18 Liqeni po trazohej nga era e fortë që frynte. 19 Pasi kishin lundruar rreth tri a katër milje, panë Jezuin që po ecte mbi liqen duke iu afruar varkës e u frikësuan. 20 Ai u tha: «Jam unë. Mos kini frikë!». 21 Ata deshën ta merrnin në varkë, por menjëherë varka arriti në bregun ku po shkonin.
Buka e jetës
22 Të nesërmen, turma që kishte qëndruar në bregun tjetër të liqenit, pa se atje nuk kishte veçse një varkë. Ata e dinin se Jezui nuk kishte hipur në varkë bashkë me dishepujt, porse dishepujt ishin nisur vetëm. 23 Varka të tjera erdhën nga Tiberiada afër atij vendi ku kishin ngrënë bukën pasi Zoti kishte thënë lutjen e falënderimit. 24 Njerëzit, kur panë se Jezui e dishepujt nuk ishin atje, hipën edhe ata nëpër varka e shkuan në Kafarnaum për ta kërkuar.
25 Kur e gjetën në bregun tjetër të liqenit, i thanë: «Mësues, kur erdhe këtu?». 26 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se ju nuk më kërkoni pse patë shenja, por sepse hëngrët prej bukëve e u ngopët. 27 Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetën e amshuar, të cilin do t'jua japë Biri i njeriut, sepse atij ia dha të drejtën Perëndia, Ati». 28 Atëherë ata i thanë: «Çfarë duhet të bëjmë që të kryejmë veprat e Perëndisë?». 29 Jezui u përgjigj: «Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai dërgoi!». 30 Ata i thanë: «Çfarë shenje mund të bësh që ta shohim e të të besojmë? Çfarë vepre mund të bësh? 31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, sikurse është shkruar: u dha për të ngrënë bukë prej qiellit ». 32 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im ju jep bukën e vërtetë prej qiellit, 33 sepse buka e Perëndisë është ai që zbret prej qiellit e i jep jetë botës».
34 Atëherë ata i thanë: «Zot, na e jep përherë këtë bukë!». 35 Jezui u tha: «Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më uri dhe kush beson në mua nuk do të ketë më kurrë etje. 36 Por ju thashë se më keni parë e megjithatë nuk besoni. 37 Të gjithë ata që më jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë nuk do ta hedh kurrë jashtë, 38 sepse nuk kam zbritur prej qiellit për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi. 39 Vullneti i atij që më dërgoi është të mos humbas asnjë nga ata që më dha, por t'i ngjall në ditën e fundit. 40 Vullneti i Atit tim është që të gjithë ata që shikojnë Birin e besojnë në të, të kenë jetë të amshuar dhe unë do t'i ngjall në ditën e fundit».
41 Atëherë judenjtë filluan të murmuritnin kundër Jezuit, se kishte thënë: «Unë jam buka që zbriti prej qiellit». 42 Ata thoshin: «A nuk është ky Jezui, biri i Jozefit, të cilit ia njohim të atin e të ëmën? Si na thënka tani “unë kam zbritur prej qiellit”?». 43 Jezui u përgjigj: «Mos murmurisni me njëri-tjetrin! 44 Askush nuk mund të vijë tek unë nëse nuk e tërheq Ati që më dërgoi e unë ta ngjall në ditën e fundit. 45 Është shkruar te profetët: të gjithë do të mësojnë prej Perëndisë. Kushdo që dëgjon Atin dhe mëson prej tij, vjen tek unë. 46 Kjo nuk do të thotë se ndokush e ka parë Atin. Vetëm ai që është pranë Perëndisë e ka parë Atin. 47 Me të vërtetë po ju them: ai që beson ka jetën e amshuar.
48 Unë jam buka e jetës. 49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. 50 Por kjo është buka që zbret prej qiellit. Kush ha prej saj nuk vdes kurrë. 51 Unë jam buka e gjallë që zbret prej qiellit. Kush ha nga kjo bukë do të jetojë në amshim. Buka që do të jap unë është mishi im që e jap për jetën e botës».
52 Atëherë judenjtë filluan të grinden me njëri-tjetrin e thoshin: «Si mundet ky të na japë mishin e vet për të ngrënë?». 53 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nëse nuk hani mishin e Birit të njeriut e nuk pini gjakun e tij, nuk keni jetë. 54 Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të amshuar dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, 55 sepse mishi im është ushqim i vërtetë e gjaku im pije e vërtetë. 56 Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet në mua e unë në të.
57 Ashtu si Ati i gjallë më dërgoi e unë jetoj nëpërmjet tij, kështu edhe kush më ha mua do të jetojë nëpërmjet meje. 58 Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo si mana që hëngrën etërit tuaj e vdiqën. Kush ha këtë bukë do të jetojë në amshim».
59 Jezui i tha këto në sinagogë kur mësonte njerëzit në Kafarnaum.
Fjalët e jetës së amshuar
60 Shumë nga dishepujt e tij kur dëgjuan këto, thanë: «Fjala e tij është shumë e ashpër. Kush mund ta dëgjojë?». 61 Jezui, duke e ditur se dishepujt po murmuritnin për këto, u tha: «Kjo u bëka pengesë për ju? 62 Po kur ta shikoni Birin e njeriut të ngjitet atje ku ishte më parë? 63 Shpirti jep jetë, ndërsa dobësia njerëzore nuk sjellin asnjë dobi. Fjalët që ju thashë janë shpirt e jetë. 64 Por ka disa nga ju që nuk besojnë». Në të vërtetë Jezui e dinte që në fillim cilët ishin ata që nuk besonin e kush ishte ai që do ta tradhtonte. 65 Dhe u tha: «Prandaj ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë prej Atit».
66 Që atëherë shumë nga dishepujt e tij u tërhoqën e nuk u shoqëruan më me të.
67 Atëherë Jezui u tha të dymbëdhjetëve: «Mos doni të ikni edhe ju?». 68 Simon Pjetri iu përgjigj: «Zot, te kush të shkojmë? Ti i ke fjalët e jetës së amshuar. 69 Ne kemi besuar dhe e dimë se ti je i shenjti i Perëndisë ».
70 Jezui u tha: «A nuk ju zgjodha unë ju, të dymbëdhjetët? Megjithatë, njëri prej jush është djall». 71 Këtë e tha për Judën e Simon Iskariotit, sepse ky do ta tradhtonte ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët.
1 Pastaj Jisuj shkoj përtej detit të Galilesë, Tiveriadhësë.
2 Edhe shumë gjëndëje i vanë pas, sepse shihninë çudirat’ e ati që bënte mbi të sëmurët.
3 Edhe Jisuj hipi ndë malt, edhe rrinte atie bashkë me nxënësit’ e ti.
4 Edhe ishte afërë pashka, e kremteja e Judhenjet.
5 Jisuj kur shtyri sytë pra, edhe pa se po vinte shumë gjëndëje tek ay, i thotë Filippit: “Nga do të blemë bukë, që të hanë këta?”
6 (Edhe thoshte këtë, që ta provonjë, sepse ay e dinte se ç’do të bënte).
7 Filippi iu përgjeq: “Dy qint dhinarë bukë nuk’ u dalën’ atyre, që të marrë nga një çikë gjithësecili nga ata.”
8 Andhreu i vëllaj i Simon Pietrit, një nga nxënësit’ e ati, i thotë:
9 “Këtu është një çun i vogëlë, që ka pesë bukë të elpta, edhe dy pishqe, po ç’janë këto për kaqë vetë ?”
10 Edhe Jisuj tha: “Thojuni njerëzet të rrinë përdhe.” Edhe ishte shumë bar nd’ atë vënt. Ndenjnë pra burratë përdhe sinja pesë mijë vetë me numërë.
11 Edhe Jisuj mori bukëtë, edhe si u fal ndersë, ua ndau nxënëset, edhe nxënësitë ua dhanë atyreve që kishinë ndenjurë përdhe; kështu edhe prej pishqesh sa deshnë.
12 Edhe si u nginjnë, u thotë nxënëset ti: “Mbëlithni copatë që kanë tepruarë, që të mos humbasë gjë.”
13 I mbëlothnë pra, edhe mbushnë dy-mbë-dhietë kosha me copa nga pesë bukët’ e elpta që tepruanë prej atyreve që kishinë ngrënë.
14 Njerëzitë pra, kur panë atë çudi që bëri Jisuj, thoshinë: se: “Me të vërtetë kyj është ay profiti që ka për t’ ardhurë ndë botët.”
15 Jisuj pra si e kupëtoj se doninë të vinë, e ta rrëmbenjënë, që ta bënjënë mbëret, iku përsëri ndë malt ay vetëmë.
16 Edhe si u ngrys, nxënësit’ e ati sbritnë ndë det.
17 Edhe hynë ndë lundrët, edhe shkuanë përtej detit ndë Kapernaum. Edhe ndashti ishte bërë errëtë, edhe Jisuj s’kishte ardhurë tek ata.
18 Edhe deti po ngrihej, sepse frynte er’ e madhe.
19 Passi vozitnë pra sinja njëzet e pesë a tridhietë stadhe, shohënë Jisunë tuke ecurë mbi det, edhe tuke ardhur’ afërë lundrësë; edhe u frikësuanë.
20 Po ay u thot’ atyre: “Unë jam, mos u frikësoni.”
21 Deshnë pra ta marrënë ndë lundrët; edhe përnjëherë lundra u gjënt mb’atë dhe që shkoninë.
22 Mbë të nesëmet gjëndëja që kishte ndenjurë përtej detit, kur panë se s’ishte atie tiatërë lundrëzë, veç një që hipnë nxënësit’ e ati, edhe se nukë hyri Jisuj ndë lundrëzët bashkë me nxënësit’ e ti, po vetëmë nxënësit’ e ati shkuanë
23 (Edhe të tiera lundrëza erthnë nga Tiveriadha afër’ ati vëndi ku hëngrrë bukënë, passi u fal ndersë Zoti).
24 Gjëndëja pra kur’ pa, se Jisuj nuk’ është atie, as nxënësit’ e ati, hipnë edhe ata ndëpër lundrat, edhe erthnë ndë Kapernaum tuke kërkuarë Jisunë.
25 Edhe si e gjetnë përtej detit, i thanë:
26 “Ravvi, kur erdhe këtu?” Jisuj u përgjeq atyre e tha: “Me të vërtetë, me të vërtetë po u them juve, më kërkoni, jo sepse patë çudira, po sepse hëngrëtë nga bukëtë edhe u nginjtë.
27 Mos punoni për ushqiminë që prishetë, po për ushqiminë që mbet ndë jetë të pasosurë, të cilinë do t’u apë juve i bir’ i njeriut; sepse këtë vulosi Ati, Perëndia.”
28 I thanë pra: “Ç’të bëjmë, që të punojmë punërat’ e Perëndisë?”
29 Jisuj u përgjeq e u tha atyre: “Këjo është pun’ e Perëndisë, t’i besoni ati që ka dërguar’ ay.”
30 I thanë pra: “Ç’shenjë bën pra ti, që të shohëmë, e të besojmë tyj? Ç’punon?
31 Atëritë tanë hëngrrë mannënë ndë shkretëtirët, sikundrë është shkruarë: “Bukë nga qielli u dha atyre të hanë.”
32 Jisuj pra u tha atyre: “Me të vërtetë, me të vërtetë po u them juve, Mojsiu nuk’ u dha juve bukënë nga qielli; po im Atë u ep juve bukën’ e vërtetë nga qielli.
33 Sepse buk’ e Perëndisë ësht’ ay që sbret nga qielli, edhe që i ep jetë botësë.”
34 I thanë pra: “Zot, epna përherë këtë bukë.”
35 Edhe Jisuj u tha atyre: “Unë jam buk’ e jetësë, ay që vien tek unë, nukë do të ketë uri, edhe ay që më beson, nukë do të ketë et kurrë.
36 Po u thashë juve, se edhe më patë, edhe nukë besoni.
37 Gjithë ç’më ep Ati, do të vinjë tek unë; edhe atë që të vinjë tek unë, nukë do ta nxier jashtë;
38 Sespe kam sbriturë nga qielli, jo për të bërë dashuriminë tim, po dashirimin’ e ati që më ka dërguarë.
39 Edhe kyj është dashurimi Atit që më ka dërguarë, gjithë ç’më ka dhënë, të mos humbas gjë prej ati, po ta ngjall ndë ditë të pastajme.
40 Edhe kyj është dashurimi ati që më ka dërguarë, kushdo që të shohë Birinë edhe t’i besonjë, të ketë jetë të pasosurë; edhe unë do ta ngjall ndë ditë të pastajme.”
41 Judhenjtë pra murmurisninë për atë, se tha: “Unë jam buka që sbrita nga qielli.”
42 Edhe thoshinë: “Nuk’ është kyj Jisuj, i biri Josifit, të cilit neve njohëmë t’anë, edhe t’ëmënë; qysh thotë pra kyj, se: Kam sbriturë nga qielli?”
43 Jisuj pra u përgjeq e u tha atyre: “Mos murmurisni ndër mest tuaj.
44 Asndonjë s’munt të vinjë tek unë, ndë mos e heqtë Ati që më ka dërguarë; edhe unë do ta ngjall ndë ditë të pastajme.
45 Është shkruarë ndë profitërit: “Edhe të gjithë do të jenë të mësuarë nga Perëndia.” Kushdo pra që ka dëgjuarë prej Atit, edhe është mësuarë, vien tek unë.
46 Jo se ka parë ndonjë Atinë, veç ay që është nga Perëndia; kyj ka parë Atinë.
47 Me të vërtetë, me të vërtetë po u them juve: Ay që më beson ka jetë të pasosurë.
48 Unë jam buk’ e jetësë.
49 Atëritë tuaj hëngrrë mannënë ndë shtretëtirët, edhe vdiqnë.
50 Këjo është buka që sbret nga qielli, që kush të hajë prej asaj, të mos vdesë.
51 Unë jam buk’ e gjallë që sbriti nga qielli. Ndë ngrëntë njeri prej kësaj buke, do të rronjë për gjithë jetënë. Edhe buka që do t’ap unë, është mishi im, të cilinë unë do ta ap për jetën’ e botësë.”
52 Judhenjtë pra haheshinë njëri me jatrinë, tuke thënë: “Qysh munt të na apë kyj të hamë mishin’ e ati ?”
53 Jisuj u tha pra atyre: “Me të vërtetë, me të vërtetë po u them juve. Ndë mos ngrënçi mishin’ e të Birit njeriut, edhe ndë mos pifshi gjakun’ e ati, s’keni jetë ndë vetëhenë tuaj.
54 Ay që ha mishinë tim, edhe pi gjakunë tim, ka jetë të pasosurë, edhe unë do ta ngjall ndë ditë të pastajme.
55 Sepse mishi im është me të vërtetë të ngrënë, edhe gjaku im është me të vërtetë të pirë.
56 Ay që ha mishinë tim, edhe pi gjakunë tim mbet tek unë, edhe unë tek ay.
57 Sikundrë më dërgoj ay Ati që rron, edhe unë rronj për Atinë, kështu edhe ay që të më hajë, do të rronjë edhe ay për mua.
58 Këjo është buka që sbriti nga qielli; jo sikundrë atëritë tuaj hëngrrë mannënë, edhe vdiqnë; ay që ha këtë bukë, do të rronjë për gjithë jetënë.”
59 Këto tha ndë sinagogjit tuke mësuarë ndë Kapernaum.
60 Shumë vetë pra nga nxënësit’ e ati, kur dëgjuanë, thanë: “Këjo fialë ësht’ e ashpërë; cili munt ta dëgjonjë?”
61 Edhe Jisuj si e kupëtoj ndë vetëhet, se nxënësit’ e ti po murmurisnjënë për këtë fialë, u tha atyre: “Këjo u skandhalis juve?
62 Ç’do të thoni pra, ndë qoftë se shihni të Birin’ e njeriut tuke hipurë atie ku ishte përpara?
63 Fryma ësht’ ajo që ep jetë; mishi nukë vëjen asgjë; këto fialë që u flas unë juve, janë frymë, edhe janë jetë.
64 Po janë ca prej jush që nukë besonjënë.” Sepse Jisuj e dinte që përpara, cilëtë jan’ ata që s’besonjënë, edhe cili ësht’ ay që do ta trathtonte.
65 Edhe thoshte: “Përandaj u thashë juve, se asndonjë s’munt të vinjë tek unë, ndë qoftë se s’i është dhënë prej tim eti.”
66 Që mb’ atë herë pra shumë vetë nga nxënësit’ e ati u këthyenë prapa, edhe nuk’ ecninë më bashkë me atë.
67 Jisuj pra u tha të dy-mbë-dhietëvet:
68 “Mos doni të ikëni edhe ju?” Simon Pietri iu përgjeq pra: “Zot, te cili do të vemi? Ti ke fialë jete të pasosurë.
69 Edhe neve kemi besuarë, edhe e kemi njohurë, se ti je Krishti, i Bir’ i Perëndisë (gjallë).
70 Jisuj iu përgjeq atyre:
71 “Nuk’ u sgjodha unë juve të dy-mbë-dhietëtë? Edhe një prej jush është diallë.”
72 Edhe thoshte për Judhë Iskariotinë, të birin’ e Simonit; i cili ishte një prej të dy-mbë-dhietëvet, sepse kyj e kishte për të trathtuar’ atë.