Pali në Maqedoni e Greqi
1 Pasi mbaroi rrëmuja, Pali mblodhi dishepujt, u dha zemër, u përshëndet me ta dhe u nis për në Maqedoni. 2 Ai kaloi nëpër ato krahina, u dha zemër me shumë fjalë e pastaj shkoi në Greqi. 3 Atje qëndroi tre muaj.
Kur po bëhej gati për të shkuar në Siri, judenjtë i ngritën një kurth, prandaj vendosi të kthehej duke kaluar nga Maqedonia. 4 Me të ishin Sopatri, biri i Pirros nga Berea, Aristarku e Sekundi nga Selaniku, Gaji nga Derba, Timoteu si edhe Tikiku e Trofimi nga Azia . 5 Ata shkuan përpara dhe na pritën në Troadë, 6 ndërsa ne, pas ditëve të festës së Bukëve të ndorme, lundruam nga Filipia dhe për pesë ditë i arritëm në Troadë, ku ndenjëm shtatë ditë.
Pali për herë të fundit në Troadë
7 Të dielën , ndërsa ishim mbledhur për thyerjen e bukës, Pali po u fliste atyre dhe, meqë do të nisej të nesërmen, e zgjati fjalën deri në mesnatë. 8 Dhoma e sipërme ku ishim mbledhur, ishte shumë e ndriçuar. 9 Ndërsa Pali vazhdonte të fliste, një djalosh me emrin Eutik, ishte ulur në dritare, ku e zuri një gjumë i thellë. Ai ra nga kati i tretë dhe e gjetën të vdekur. 10 Atëherë Pali zbriti poshtë, u përkul mbi djaloshin, e mori në krahë e tha: «Mos u shqetësoni, se nuk ka vdekur». 11 Pastaj u ngjit lart, theu bukën dhe hëngri prej saj. Dhe, pasi u foli deri në agim, u nis. 12 Ata e çuan djaloshin shëndoshë e mirë në shtëpi dhe kjo i ngushëlloi shumë.
Udhëtimi nga Troada në Milet
13 Ne u nisëm më përpara për të hipur në anije dhe lundruam për në Asos, ku duhej të merrnim Palin, sepse ai vetë kishte vendosur që të shkonte atje më këmbë. 14 Kur u takuam në Asos, e morëm Palin me vete dhe shkuam në Mitilenë. 15 Të nesërmen, lundruam prej aty dhe arritëm përballë Kiosit. Ditën tjetër arritëm në Samos dhe të nesërmen mbërritëm në Milet. 16 Pali kishte vendosur ta shmangnim Efesin gjatë lundrimit, që të mos humbiste kohë në Azi. Kishte shumë dëshirë që, po të ishte e mundur, të ishte në Jerusalem ditën e Rrëshajëve.
Pali u flet pleqve të kishës së Efesit
17 Nga Mileti Pali u çoi fjalë pleqve të kishës në Efes që ta takonin. 18 Kur erdhën ata, Pali u tha: «Ju e dini sesi kam jetuar me ju gjatë gjithë kohës që nga dita e parë që shkela në Azi, 19 duke i shërbyer Zotit me shumë përulësi e lot, nëpër sprovat që hoqa për shkak të sulmeve të judenjve. 20 Ju e dini se nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar e ju kam mësuar hapur e nëpër shtëpitë tuaja gjithçka që ishte e dobishme për ju. 21 Unë u kam predikuar si judenjve, edhe helenëve që të pendohen para Perëndisë e të besojnë në Zotin tonë Jezu. 22 Dhe tani, i shtyrë nga Shpirti, po shkoj në Jerusalem, pa e ditur se çfarë do të më ndodhë atje. 23 Shpirti i shenjtë më ka dëshmuar në çdo qytet se më presin prangat dhe vuajtjet. 24 Megjithatë, për mua nuk ka rëndësi jeta ime, por rëndësi ka të përfundoj vrapimin që kam nisur dhe shërbesën që kam marrë nga Zoti Jezu për të dëshmuar ungjillin e hirit të Perëndisë. 25 Unë kam ardhur te ju dhe ju predikova për mbretërinë e Perëndisë, por tani unë e di se asnjëri prej jush nuk do të më shohë më. 26 Prandaj sot po ju them se unë nuk kam faj nëse ndonjëri nga ju humbet, 27 sepse unë nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar gjithçka në lidhje me vullnetin e Perëndisë për ju. 28 Ruajeni veten tuaj dhe tërë grigjën, mbi të cilën Shpirti i shenjtë ju ka vënë mbikëqyrës , që të kujdeseni për kishën e Perëndisë, të cilën ai e bleu me gjakun e vet.
29 E di se, pasi të jem larguar, do të hyjnë mes jush ujq grabitqarë që nuk do ta kursejnë grigjën. 30 Madje edhe prej jush do të dalin njerëz që do t'ju mësojnë gjëra të gënjeshtërta për t'i tërhequr dishepujt pas vetes. 31 Prandaj, rrini zgjuar e kujtohuni se secilin e kam mësuar pareshtur, me lot, ditë e natë, për tre vjet.
32 E tani po ju lë në dorë të Perëndisë dhe në fjalën e hirit të tij. Perëndia e ka fuqinë t'ju rrisë në besim e t'ju japë trashëgiminë bashkë me të gjithë të shenjtëruarit. 33 Unë nuk i kam kërkuar ndokujt as argjend, as ar e as rroba. 34 Ju e dini vetë se kam punuar me duart e mia për të mbajtur veten dhe ata që ishin me mua. 35 Me të gjitha këto që kam bërë, ju kam dhënë shembullin se edhe ju duhet të punoni kaq shumë për të ndihmuar ata që janë në nevojë e të kujtoni fjalët e Zotit Jezu, i cili ka thënë: “Më i lum është ai që jep, se ai që merr”».
36 Pasi tha këto fjalë, ai ra në gjunjë bashkë me të gjithë ata dhe u lut. 37 Të gjithë shpërthyen në lot. Ata e përqafuan Palin dhe e puthën, 38 duke ndier dhimbje, sidomos për atë që kishte thënë se nuk do ta shihnin më.
Pastaj e përcollën deri tek anija.
1 Edhe passi pushoj trubullimi, Pavli thërriti nxënësit’ e u përshëndet me ata, edhe dolli të vejë ndë Maqedhoni.
2 Edhe si shkoj ndëpër ato anë, e i ngushulloj me shumë fialë, erdhi ndë Greqi.
3 Edhe atie bëri tre muaj. Edhe Judhejtë si bënë këshillë të keqe kundrë ati, kur ishte për të lundruarë për Syri, ay e vuri ndër mënt të këthenetë ndëpër Maqedhoni.
4 Edhe i vate prapa gjer ndë Asi Sopatri Verieasi; edhe nga Thessallonikasit’ Aristarhu edhe Sekundi, edhe Gaiu nga Dherva, edhe Timotheu; edhe nga Asianëtë Tyhiku edhe Trofimi.
5 Këta vanë më përpara, edhe na prisninë ndë Troadhë.
6 Edhe neve lundruam nga Filippetë pas ditvet së pabrumievet, edhe për pesë dit erthmë tek ata ndë Troadhë, edhe ndenjëm atie shtatë dit.
7 Edhe ditën’ e parë të javësë, kur ishinë mbëledhurë (nxënësitë) për të thyerë bukënë, Pavli kuvëndonte me ata, sepse kishte për të ikurë mbë të nesërmet; edhe e sgjati fialënë gjer ndë mesnatë.
8 Edhe ndë dhomë të sipërme, atie ku ishinë mbëledhurë, ishinë mjaft qiri ndezurë.
9 Edhe një dialosh që qjuhej Eftyh, tuke ndenjurë mbi parathirt, e mori një gjum’ i rëndë, kur po kuvëndonte Pavli më tepërë, edhe ay si e zuri gjumi, ra poshtë prej patësë tretë, edhe e ngritnë të vdekurë.
10 Edhe Pavli si sbriti, ra mbi atë, edhe e mori ndë krah e tha: “Mos trubullohi; sepse shpirti ati është nd’ atë.”
11 Edhe si hipi e theu bukë e hëngri, e foli mjaft gjer mbë të sbardhurit të dritësë, pastaj dolli jashtë.
12 Edhe prunë dialinë të gjallë, edhe u ngushulluanë fort tepërë.
13 Edhe neve vamë përpara ndë lundrë, edhe lundruamë për Assë, edhe ateje do të merrnimë Pavlinë; sepse kështu kishte porositurë, sepse ay vetë donte të vejë këmbë.
14 Edhe si u poq me ne nd’ Assë, e muarm e erthmë ndë Mitylinë.
15 Edhe që andej lundruam, edhe mbë të nesërmet erthmë kundruell Hiosë; edhe ditënë tietërë harritëm ndë Samë; edhe si mbetmë ndë Trogjylli, mbë të nesërmet erthmë ndë Militë.
16 Sepse Pavli e par me udhë të lundronjë ndëpër anë të Efesësë, sepse nukë donte të humbasë kohë ndë Asi; sepse nxitonte, ndë qoftë se munte, ditën’ e Pentikostisë të gjëndetë ndë Jerusalim.
17 Edhe dërgoj prej Militësë ndë Efesë, e thirri pleqt’ e qishësë.
18 Edhe kur erthnë tek ay, u tha atyre: “Ju e dini që ditën’ e parë që dolla ndë Asi, se qysh e shkova gjithë kohënë bashkë me ju,
19 Tuke i shërbyerë Zotit me gjithë zëmërën e përungjurë, e me shumë lot e të ngara që më gjanë për këshillet e liga të Judhenjet.
20 Edhe se qysh nukë fsheha gjë nga ato që ishinë për të mirënë tuaj, po ua dëfteva juve, e u mësova juve ndër sy të botës’ e ndëpër shtëpiat,
21 Tuke dhënë martiri mbë Judhenj e mbë Grekë për pendiminë mbë Perëndinë, edhe për besënë mbë Zotinë tënë Jisu Krishtinë.
22 Edhe tashi ja unë te po vete ndë Jerusalim lidhurë ndë shpirt, pa mos diturë ç’punëra do të më gjanjën atie.
23 Përveç kësaj se Frym’ e Shënjtëruarë bën martiri mbë çdo qytet, tuke thënë se: “Po më presënë të lidhura e shtrëngime.
24 Po s’kam kujdes as për ndonjë nga këto , as jetënë time s’e çëmonj mbë vetëhet time kaqë shumë , po më tepërë dua të mbaronj udhënë time me gëzim, edhe atë punë që mora nga Zoti Jisu, të ap martiri për ungjillin’ e hirit Perëndisë.
25 Edhe tashi ja unë tek e di se ju të gjithë, ndë mest të cilëvet shkova tuke leçiturë mbëretërin’ e Perëndisë, s’keni për të parë më faqenë time.
26 Përandaj u kam juve martiri sot mbë këtë ditë, se unë jam i qëruarë nga gjaku i të gjithëve.
27 Sepse unë nuk’ u shtëmënga të mos u dëftenj juve gjith’ ëndën’ e Perëndisë.
28 Kini kujdes pra për vetëhenë tuaj, edhe për gjithë tufënë, mbë të cilënë Frym’ e Shënjtëruar’ u vuri juve episkopë, që të kullotni qishën’ e Perëndisë, të cilën’ ay e fitoj me gjakun’ e ti .
29 Sepse un’ e di këtë, se pas të ikurit tim kanë për të hyrë ndër ju ujq të këqij, pa kursyerë tufënë.
30 Edhe prej jush vetë do të ngrihenë njerës tuke folurë punë të shtrëmbëra, që të heqënë nxënësitë pas vetëhesë tyre.
31 Përandaj rrini squarë, e kujtohi se tre viet s’pushova nat’ e ditë tuke mësuarë me lot gjithë-secilinë.
32 Edhe tashi, o vëllezër, u lë juve te Perëndia, edhe te fial’ e hirit ati, i cili munt t’u ndërtonjë juve e t’u apë trashëgim ndër mest gjith’ atyreve që janë të shënjtëruarë.
33 Nukë dëshërova prej ndonjërit argjënt a ar a rrobe.
34 Edhe ju vetë e dini, se këto duart’ e mia kanë punuarë për nevojat’ e mia, edhe për ata që ishinë bashkë me mua.
35 Gjithë punërat ua dëfteva juve, se kështu tuke munduarë duhetë të ndihni të pafuqishëmitë, edhe të kujtoni fialët’ e Zotit Jisu, se ay vetë tha: “Më mirë është të apç se të marrç”.
36 Edhe si tha këto, u unjq mbë gjunj, e u fal bashkë me ata të gjithë.
37 Edhe ata të gjithë qjanë mjaft, edhe ranë mbë qafë të Pavlit, edhe e puthninë.
38 Edhe hidhëroneshinë fort për atë fialë që kishte thënë,
39 Se s’kanë për të parë më faqen’ e ati. Edhe e përcillninë ndë lundrët.