Fjalimi i Stefanit
1 Atëherë kryeprifti e pyeti Stefanin: «A janë të vërteta këto gjëra?».
2 Stefani tha: «Vëllezër dhe etër, më dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abrahamit kur ky ishte në Mesopotami, para se të banonte në Haran, 3 e i tha: dil nga toka jote e nga fisi yt dhe shko në tokën që unë do të të tregoj. 4 Atëherë ai doli nga toka e kaldenjve dhe banoi në Haran. Pasi i vdiq i ati, Perëndia e shpërnguli që andej dhe e solli në këtë tokë, ku tani banoni ju. 5 Atje nuk i dha në trashëgimi asnjë këmbë tokë, por i premtoi se do t'ia jepte në pronë atij e pasardhësve të tij, edhe pse Abrahami nuk kishte ende fëmijë. 6 Perëndia i tha se pasardhësit e tij do të jetonin si të huaj në dhe të huaj e atje do t'i skllavëronin e do t'i keqtrajtonin për katërqind vjet. 7 Por unë do ta gjykoj kombin të cilit ata do t'i shërbejnë, tha Perëndia, e pastaj ata do të dalin prej andej e do të më adhurojnë në këtë vend.
8 Pastaj bëri me Abrahamin besëlidhjen e rrethprerjes. Kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu ditën e tetë. Isakut i lindi Jakobi e Jakobit dymbëdhjetë patriarkët. 9 Patriarkët e kishin smirë Jozefin dhe e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të. 10 Ai e çliroi nga të gjitha vuajtjet dhe i dha hir e urti përballë faraonit, mbretit të Egjiptit, që e caktoi Jozefin epror të Egjiptit e të gjithë shtëpisë së vet.
11 Pastaj, në të gjithë Egjiptin e Kanaanin ra një zi buke. Mjerimi ishte aq i madh saqë etërit tanë nuk gjenin asgjë për të ngrënë. 12 Por kur Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dërgoi në fillim atje etërit tanë. 13 Herën e dytë, Jozefi u dha të njohur vëllezërve të vet dhe kështu faraoni u njoh me familjen e Jozefit.
14 Atëherë Jozefi dërgoi dikë që të thërriste atin e tij, Jakobin, e të gjithë farefisin, që ishin shtatëdhjetë e pesë veta. 15 Kështu Jakobi shkoi në Egjipt. Ai dhe etërit tanë vdiqën, 16 dhe trupat e tyre i sollën në Shekem, ku u varrosën në varrin që Abrahami ua kishte blerë me një shumë argjendi bijve të Hemorit në Shekem.
17 Ndërsa po afrohej koha e përmbushjes së premtimit që Perëndia i kishte dhënë Abrahamit, populli ynë u rrit e u shumua në Egjipt, 18 derisa në Egjipt u bë mbret dikush tjetër që nuk e njihte Jozefin. 19 Ai u soll dinakërisht me kombin tonë e i detyroi etërit tanë t'i braktisnin fëmijët në mëshirë të fatit, që të mos mbeteshin gjallë.
20 Në këtë kohë lindi Moisiu, i cili ishte i bukur në sytë e Perëndisë. Ai u rrit në shtëpinë e të atit për tre muaj 21 dhe kur e braktisën, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si të ishte biri i vet. 22 Kështu Moisiu u edukua me tërë dijen e egjiptianëve dhe ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra. 23 Kur mbushi dyzet vjeç, i lindi në zemër dëshira të shkonte të shihte vëllezërit e vet, bijtë e Izraelit. 24 Aty pa dikë të cilit po i bënin padrejtësi. Ai e mbrojti të shtypurin dhe mori shpagim duke vrarë egjiptianin. 25 Moisiu mendonte se vëllezërit e vet do ta kuptonin se Perëndia po i shpëtonte me anë të tij, por ata nuk e kuptuan. 26 Të nesërmen shkoi te disa izraelitë që po grindeshin e u përpoq t'i pajtonte duke u thënë: “Burra, ju jeni vëllezër. Pse i bëni padrejtësi njëri-tjetrit?”. 27 Por ai që po i bënte padrejtësi tjetrit, e shtyu Moisiun e i tha: kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? 28 A do të më vrasësh edhe mua, sikurse vrave dje egjiptianin? 29 Kur dëgjoi këtë, Moisiu u largua e jetoi si i huaj në dheun e Midianit, ku i lindën dy bij.
30 Pasi kaluan dyzet vjet, Moisiut iu shfaq një engjëll në shkretëtirën e malit të Sinait, në flakën e një shkurreje që po digjej. 31 Kur e pa, Moisiu u çudit me këtë pamje. Ndërsa po afrohej për të parë më mirë, zëri i Zotit tha: 32 unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit, Isakut e Jakobit. Moisiu filloi të dridhej e nuk guxonte të shikonte. 33 Atëherë Zoti i tha: zbathi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë. 34 E kam parë mirë dhunën që i bëhet popullit tim në Egjipt, e kam dëgjuar rënkimin e tyre dhe kam zbritur për t'i çliruar. Tani eja të të dërgoj në Egjipt.
35 Ky ishte i njëjti Moisi që ata nuk e kishin pranuar kur i thanë: kush të caktoi ty prijës e gjykatës? Tani Perëndia e dërgoi atë si prijës dhe si shpengues përmes engjëllit që iu shfaq në shkurre. 36 Ky i nxori nga Egjipti dhe bëri mrekulli e shenja në tokën e Egjiptit, në detin e Kuq e në shkretëtirë për dyzet vjet. 37 Moisiu është ai që u tha izraelitëve: Perëndia do të nxjerrë nga vëllezërit tuaj një profet si unë. 38 Kur populli ishte mbledhur në shkretëtirë, i njëjti Moisi u bë ndërmjetësi mes engjëllit që i fliste në malin e Sinait dhe etërve tanë. Ai i mori fjalët e jetës për të na i dhënë neve. 39 Etërit tanë nuk deshën t'i bindeshin atij, madje iu shmangën e me zemrat e tyre u kthyen në Egjipt. 40 Ata i thanë Aronit: na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë gjë ç'u bë me të. 41 Po ato ditë ata bënë një viç si idhull, i kushtuan një fli e u kënaqën me veprat e duarve të tyre.
42 Por Perëndia u largua prej tyre e i la të adhurojnë yjet e qiellit, siç është shkruar në librin e Profetëve:
a më kushtove kafshë të therura
dhe flijime,
dyzet vjet në shkretëtirë,
o shtëpia e Izraelit?
43 Ju morët me vete tendën e Molokut
dhe yllin e perëndisë suaj Refan,
shëmbëllimet që i bëtë vetë për t'i adhuruar,
prandaj do t'ju shpërngul përtej Babilonisë.
44 Në shkretëtirë etërit tanë kishin tendën e dëshmisë, sikurse Perëndia e kishte udhëzuar Moisiun kur i foli dhe e urdhëroi ta bënte sipas gjedhes që kishte parë. 45 Etërit tanë e morën në dorëzim tendën dhe bashkë me Jozuehun e mbartën me vete kur pushtuan tokën e kombeve, të cilët Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë. Tenda mbeti aty deri në kohën e Davidit, 46 i cili gjeti hir para Perëndisë dhe kërkoi që të gjente një vendbanim për Perëndinë e Jakobit. 47 Por ishte Solomoni ai që ia ndërtoi shtëpinë Perëndisë.
48 Megjithatë, i tejlarti Perëndi nuk banon në shtëpi të bëra nga duart e njerëzve, sikurse thotë profeti:
49 qielli është froni im
e toka është shtroja e këmbëve të mia.
Çfarë shtëpie do të më ndërtoni,
thotë Zoti,
ose cili është vendi
ku do të gjej prehje?
50 A nuk i ka bërë dora ime
të gjitha këto gjëra?
51 Popull kryeneç, me zemër e veshë që nuk e dëgjojnë Perëndinë , edhe ju, sikurse etërit tuaj, vazhdoni t'i kundërviheni Shpirtit të shenjtë. 52 Cilin prej profetëve nuk përndoqën etërit tuaj? Ata vranë paralajmëruesit e ardhjes së të Drejtit, ndërsa tani ju jeni bërë tradhtarët dhe vrasësit e tij. 53 Ju jeni ata që morën ligjin, sikurse urdhëruan engjëjt, por nuk e zbatuat».
Vrasja e Stefanit
54 Kur dëgjuan këto gjëra, ata u zemëruan e kërcëlluan dhëmbët kundër Stefanit. 55 Por Stefani, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ngriti sytë drejt qiellit dhe pa lavdinë e Perëndisë e Jezuin që qëndronte në të djathtën e Perëndisë. 56 Atëherë tha: «Ja, po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë!». 57 Por ata mbyllën veshët dhe me një britmë të madhe u lëshuan kundër tij. 58 Pastaj e zvarritën jashtë qytetit dhe e goditën me gurë.
Dëshmitarët i vendosën rrobat te këmbët e një të riu që quhej Saul.
59 Ndërsa e godisnin me gurë, Stefani lutej: «O Zot Jezu, pranoje shpirtin tim!». 60 Pastaj ra në gjunjë dhe thirri me zë të lartë: «O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat». Pasi tha këto, vdiq.
1 Atëhere kryeprifti tha: “Vallë me të vërtetë janë këto punëra kështu?”
2 Edhe ay tha: “O burra vëllezër edhe atërë, pa dëgjoni: Perëndia i lavdisë iu duk atit tënë Avraamit, kur ishte ndë Mesopotami, para se të vinjë e të rrijë ndë Harran,
3 Edhe i tha: “Dil nga dheu yt, edhe nga fisi yt, edhe eja mb’ atë dhe që do të dëftenj tyj.”
4 Atëhere ay dolli nga dheu i Halldhevet, e vate e ndenji ndë Harran. Edhe që andej, pas vdekëjesë t’et, e pru ndë këtë dhe që rrini ju tashi.
5 Edhe nuk’ i dha trashëgim nd’ atë dhe as një çapë këmbe; po iu zotua se do t’ia apë ndën urdhër ati, edhe farës’ ati pas ati, ndonëse ay s’kishte bir.
6 Edhe Perëndia foli kështu, se: “Far’ e ati do të vejë të rrijë ndë dhe të huaj, edhe do ta skllavosën’ atë, edhe do ta marrënë me të keq katër qint viet.
7 Edhe atë komp, tek i cili do të jenë skllevër, do ta gjykonj unë”, tha Perëndia; “edhe pastaj do të dalënë edhe do të më lusnjënë ndë këtë vënt.”
8 Edhe i dha ati dhiatën’ e rrethpresëjesë; edhe kështu i lindi Isaaku, edhe e rrethpreu mbë të tettënë ditë; edhe Isaakut i lindi Jakovi, edhe Jakovit i lintnë të dy-mbë-dhietë kryeatëritë.
9 Edhe kryeatëritë, passi kishinë smir Josifnë, e shitnë nd’Egjypt; por Perëndia ishte bashkë me atë,
10 Edhe e shpëtoj nga gjithë shtrëngimet’ e ati, edhe i dha hir e dituri përpara Faraojt, mbëretit Egjyptit, i cili e vu atë të parë përmbi Egjyptinë, edhe përmbi gjithë shtëpin’ e ti.
11 Edhe u bë një zi mbë gjithë dhen’ e Egjyptit edhe Hanaanit, edhe një shtrëngim i math; edhe atëritë tanë nukë gjininë ç’të haninë.
12 Po Jakovi kur dëgjoj se kishte grur nd’Egjypt, dërgoj herën’ e parë atëritë tanë.
13 Edhe herën’ e dytë Josifi u njoh te të vëllezërit’ e ti, edhe fara e Josifit iu çfaq Faraojt.
14 Edhe Josifi dërgoj e thërriti tan’ e ti Jakovinë, edhe gjithë njerëzin’ e ti, që ishinë shtatëdhiet’ e pesë shpirtë.
15 Edhe Jakovi sbriti nd’Egjypt, edhe vdiq atie ay edhe atëritë tanë.
16 Edhe u prunë ndë Shyhem edhe u vunë nd’ atë varr që pat blerë Avraami me çëmim argjëndi prej të bijvet Emmorit t’et Shyhemit.
17 Po kur u afërua koha e të zotuarit që i pat bërë be Perëndia Avraamit, u shtua llauzi edhe u shumua nd’Egjypt;
18 Gjersa u ngrit një tiatër mbëret, i cili nukë njihte Josifnë.
19 Kyj ngrehu lak kundrë kombit tënë, edhe u dha kaqë shtrëngim atërvet tanë, sa i bëri të hedhënë teje foshnjet’ e atyreve, që të mos u ngjalletë fara.
20 Ndë këtë kohë lindi Mojsiu, edhe ishte i bukur’ i Perëndisë, i cili u ushqye tre muaj ndë shtëpit t’et.
21 Edhe kur u hoth teje , e bija e Faraojt e mori atë, edhe e ushqeu për bir të saj.
22 Edhe Mojsiu u mësua ndë gjithë diturit të Egjyptianëvet, edhe ishte i fortë ndë fialë e ndë punëra.
23 Edhe kur ishte tuke mbushurë dyzet viet, i erdhi ndë zëmërë t’ati të vejë të shohë vëllezërit’ e ti, të bijt’ e Israilit.
24 Edhe kur pa një që po i bënej keq, i dolli për zot, edhe vrau Egjyptianinë, e mori shpagim për atë që mundonej.
25 Sepse kujtonte se të vëllezërit’ e ti do të kupëtoninë se Perëndia u ep atyre shpëtim me anë të dorës’ ati; po ata nuk’ e kupëtuanë.
26 Edhe ndë ditët të nesërme u duk mb’ ata kur po ziheshinë, edhe i nguti ndë paqtim, tuke thënë: “O burra, ju jeni vëllezër; përse i bëni keq njëri tiatrit?”
27 Po ay që i bënte keq të afërmit e shtyti, edhe tha: “Cili të vuri të parë edhe gjyqtar mbi ne?
28 Mos do të më vraç ti sikundrë vrave die atë Egjyptianinë?”
29 Atëhere Mojsiu iku për këtë fialë, e ndenji si i huaj ndë dhe të Madhiamit, atie ku i lintnë dy bij.
30 Edhe passi u mbushnë dyzet viet, iu duk ndë shkretëtirët të malit Sina ënjgjëll’ i Zotit ndë flakët të ziarrit ferrësë.
31 Edhe Mojsiu kur pa, u çudit për këtë të parë; edhe ay kur po afronej që të vështronjë, erdhi zër’ i Zotit tek ay:
32 “Unë jam Perëndia i atërvet tu, Perëndia i Avraamit, edhe Perëndia i Isaakut, edhe Perëndia i Jakovit.”
33 Edhe Mojsiu u trëmp, e s’kuxonte të vështronjë. Atëhere Zoti i tha: “Sgjith shollëzat’ e këmbëvet tua, sepse ay vënt, që ke ndenjurë, është dheu i shënjtëruarë.”
34 “Vura re e pashë të hequritë keq të llauzit që është ndë Egjypt, edhe dëgjova psherëtimën’ e atyre, edhe sbrita t’i shpëtonj; edhe ndashti eja, se do të dërgonj tyj nd’ Egjypt.”
35 Këtë Mojsinë që mohuanë, tuke thënë: “Cili të vuri të parë edhe gjyqtar?”, këtë Perëndia e dërgoj të parë edhe shpërblimtar me anë të dorës’ ëngjëllit që iu duk ndë ferrët.
36 Kyj i nxori ata, passi bëri çudira e shenje ndë dhe të Egjyptit, edhe ndë Det të Kuq, edhe ndë shkretëtirët dyzet viet.
37 Kyj ësht’ ay Mojsiu që u tha të bijvet Israilit, se: “Zoti Perëndia juaj do t’u ngrerë juve një Profit prej vëllezëret tuaj posi mua; ati t’i dëgjoni”.
38 Kyj ësht’ ay që qe ndë përmbëledhëjet ndë shkretërirët bashkë me ëngjëllinë që fliste me atë ndë mal të Sinait, edhe me atëritë tanë, i cili priti fialë të gjalla, për të dhënë neve.
39 Atëritë tanë nukë deshnë t’i dëgjonjënë, po e hothnë poshtë, edhe u këthyenë me zëmërat’ e tyre nd’Egjypt,
40 Edhe i thanë Aaronit: “Bëna perëndira, që të ecënjënë përpara nesh; sepse kyj Mojsiu, që na nxori nga dheu i Egjyptit, nukë dimë se ç’i gjau”.
41 Edhe bënë një viç nd’ ato dit, edhe i prunë kurban idhullit, edhe gëzoneshinë për punët’ e duarvet tyre.
42 Përandaj Perëndia u këthye edhe i la t’i lutenë ushtërisë qiellit, sikundrë është shkruarë ndë vivli të profitërvet: “Mos më keni prurë të therura edhe kurbane dyzet viet ndë shkretërirët, o shëpi’ e Israilit?
43 Po muartë lart tendën’ e Mollohut, edhe yllin’ e perëndisë tuaj Remfan, figurevet që bëtë pët t’u lutur atyreve; përandaj do t’u ngre e do t’u heth juve përtej Vavillonësë”.
44 Tend’ e martirisë ishte ndër atërit tanë ndë shkretëtirët, sikundrë porositi ay që fliste me Mojsinë ta bënjë pas figuresë që kishte parë.
45 Edhe atëritë tanë e muarnë me vetëhe, edhe e prunë bashkë me Jisunë ndë dhet që pushtuanë nga kombetë, të cilëtë Perëndia i nxori jashtë prej faqes’ atërëvet tënë, gjer ndë dit të Dhavidhit;
46 I cili gjeti hir përpara Perëndisë, edhe lypi të gjenjë të ndenjurë për Perëndin’ e Jakovit.
47 Edhe Sollomoni i ndërtoj një shtëpi.
48 Po i Larti nukë rri ndër tempuj që bënenë me dorë, sikundrë thotë profiti:
49 “Qielli është froni im, edhe dheu është ndënëkëmbëje e këmbëvet mia; çfarë shtëpie do të ndërtoni për mua?” thotë Zoti, “A cili është ay vëndi i të prëjturit tim?
50 A nuk’ i ka bërë dora ime të gjitha këto?”
51 “O krerë të pakëthyerë edhe të parrethprerë ndë zëmërë e ndë veshë, ju përherë i rrini kundrë Frymësë Shënjtëruarë; sikundrë atëritë tuaj, kështu edhe ju.
52 Cilinë nga profitëritë nukë ndoqnë atëritë tuaj? Po edhe vranë ata që dhanë zë që përpara për t’ardhurit’ e të Drejtit, të cilit ju ndashti u bëtë trathtorë edhe gjaktorë;
53 Që muartë nomnë prej porosiash ëngjëjsh, edhe nuk’ e ruajttë.”
54 Edhe ata kur dëgjoninë këto, u priste ndëpër zëmërat të tyre, edhe kërcëllininë dhëmbëtë kundrë ati.
55 Po ay, që ishte plot me Frymë të Shënjtëruarë, shtyri sytë ndë qiell, e pa lavdin’ e Perëndisë, edhe Jisunë ndenjurë prej së diathtësë Perëndisë.
56 Edhe tha: “Ja te po shoh qiejetë hapurë, edhe të birr’ e njeriut ndenjurë prej së diathtësë Perëndisë.”
57 Atëhere ata bërtitnë me zë të math, e zunë veshët’ e tyre, edhe u sulnë të gjithë bashkë mbi atë.
58 Edhe e nxuarnë jashtë qytetit, edhe i shtininë me gurë. Edhe martirëtë lanë rrobet’ e tyre përanë këmbëvet një dialoshi që qjuhej Savllë.
59 Edhe i shtininë me gurë Stefanit, që lutej e thoshte: “O Zoti Jisu, prit shpirtinë tim.”
60 Edhe u unjq mbë gjunj e thërriti me zë të math: “O Zot, mos ua zërë këtë atyre për faj”; edhe posa tha këtë fjeti.