Numri i të vulosurve
1 Pastaj pashë katër engjëj që qëndronin në katër cepat e tokës. Ata mbanin katër erërat e tokës, në mënyrë që të mos frynte erë mbi tokë, mbi det apo mbi ndonjë pemë. 2 Pashë edhe një engjëll tjetër, që ngjitej andej nga lind dielli dhe kishte vulën e Perëndisë së gjallë. Ai thirri me zë të fortë katër engjëjt, të cilëve u ishte dhënë pushteti të dëmtojnë tokën dhe detin 3 e u tha: «Mos e dëmtoni as tokën, as detin e as pemët, derisa të vulosim në ballë shërbëtorët e Perëndisë tonë».
4 Dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga gjithë fiset e bijve të Izraelit.
5 Dymbëdhjetë mijë të vulosur nga fisi i Judës; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Rubenit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Gadit; 6 dymbëdhjetë mijë nga fisi i Asherit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Neftalimit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Manaseut; 7 dymbëdhjetë mijë nga fisi i Simeonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Levit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Isaharit; 8 dymbëdhjetë mijë nga fisi i Zabulonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Jozefit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Benjaminit.
Nga çdo komb
9 Pastaj pashë një turmë të madhe nga çdo komb, fis, popull e gjuhë, që askush nuk mund ta numëronte. Turma qëndronte para fronit e para Qengjit, veshur në të bardha e me palma në duar. 10 Njerëzit e turmës thërrisnin me zë të lartë:
«Shpëtimi vjen nga Perëndia ynë
që rri ulur në fron dhe nga Qengji».
11 Të gjithë engjëjt qëndronin përreth fronit, pleqve dhe katër gjallesave. Pastaj ranë përmbys para fronit me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë 12 kështu:
«Amen!
Bekimi, lavdia,
urtia, falënderimi,
nderi, fuqia e pushteti
janë të Perëndisë tonë,
në shekuj të shekujve.
Amen!».
13 Atëherë një nga pleqtë më pyeti: «Kush janë këta të veshur me rroba të bardha? Nga kanë ardhur?». 14 Unë iu përgjigja: «Imzot, ti e di». Ai më tha:
«Këta janë ata
që kanë ardhur
nga përndjekja e madhe.
Ata i kanë larë rrobat
dhe i kanë zbardhur ato
me gjakun e Qengjit.
15 Prandaj qëndrojnë
para fronit të Perëndisë
e i shërbejnë ditë e natë
në tempullin e tij.
Ai që rri në fron
do të banojë përherë mes tyre.
16 Nuk do të kenë më
as uri,
as etje
e as dielli,
as i nxehti
nuk do t'i djegë më.
17 Qengji që rri në mes të fronit
do të jetë bariu i tyre
dhe do t'i drejtojë
për te burimet e ujërave të jetës
dhe Perëndia do të fshijë çdo lot
nga sytë e tyre».
1 Edhe pastaj pashë katrë ëngjëj që rrininë mbë të katrë cepat’ e dheut, edhe mbaninë të katrë erërat’ e dheut, që të mos frynte erë mbë dhet, as mbë det, as mbë çdo dru.
2 Edhe pashë një tiatrë ëngjëll që hipte nga të lindurit’ e diellit, e kishte vulën’ e Perëndisë gjallë; edhe u thërriti me zë të math atyre të katrë ëngjëjet, të cilëvet u dha t’u bënjënë dëm dheut edhe detit.
3 E thoshte: “Mos i bëni dëm dheut, as detit, as drurëvet, gjersa të vulosëmë shërbëtorët’ e Perëndisë tënë ndë ballt t’atyreve.”
4 Edhe dëgjova numërin’ e atyreve që u vulosnë: një qint e dyzet e katrë milë prej çdo fare të bijvet Israilit.
5 Prej farësë Judhësë, dy-mbë-dhietë milë të vulosurë; prej farësë Ruvinit, dy-mbë-dhietë milë të vulosurë; prej farësë Gadhit, dy-mbë-dhietë milë të vulosurë;
6 Prej farës’ Asirit, dy-mbë-dhietë milë të vulosurë; prej farësë Nefthalimit, dy-mbë-dhietë milë të vulosurë; prej farësë Manassiut, dy-mbë-dhietë milë të vulosurë;
7 Prej farësë Simeonit, dy-mbë-dhietë milë të vulosurë; prej farësë Leviut dy-mbë-dhietë milë të vulosurë; prej farësë Issaharit, dy-mbë-dhietë milë të vulosurë;
8 Prej farësë Zavullonit, dy-mbë-dhietë milë të vulosurë; prej farësë Josifit, dy-mbë-dhietë milë të vulosurë; prej farësë Veniaminit, dy-mbë-dhietë milë të vulosurë.
9 Pastaj pashë, edhe ja shumë gjëndëje, që asndonjë s’munt ta numëronte, prej çdo kombi e farash e llauzesh e gluhërash, që rrininë përpara fronit edhe përpara Qëngjit, veshurë me stolia të bardha, edhe mbaninë finiqe ndër duar të tyre.
10 Edhe thërrisninë me zë të math, e thoshinë: “Shpëtimiështë mbë Perëndisë tënë që është ndenjurë mbë front edhe mbë Qëngjinë.”
11 Edhe gjith’ ëngjëjtë rrininë përqark fronit edhe pleqvet edhe të katrë shtësëvet, edhe ranë përmbys përpara fronit, e iu falnë Perëndisë,
12 Tuke thënë: “Amin; bekimi e lavdia e dituria e të faluritë ndersë e nderi e fuqia e forca qoftë mbë Perëndinë tënë ndë jetët të jetëvet. Amin.”
13 Edhe u përgjeq një nga pleqtë, e më tha: “Cilëtë janë këta që janë veshurë me stolia të bardha, edhe nga erthnë?”
14 Edhe i thash’ ati: “Zot, ti e di.” Edhe më tha: “Këta jan’ ata që vinjënë prej shtrëngimit math; edhe lanë stoliat’ e tyre, edhe sbarthnë stoliat’ e tyre me gjakun’ e Qëngjit.
15 Përandaj janë përpara fronit Perëndisë, edhe e lusënë dit e natë ndë tempullt t’ati; edhe ay që është ndenjurë mbë front ka për të ndenjurë ndër ata.
16 Nukë do të kenë më uri, as nukë do të kenë më et, as do të bierë dielli mbi ata, as çdo farë vape;
17 Sepse Qëngji që është ndërmest të fronit do t’i ruanjë e do t’u heqë udhën’ atyreve ndë krone ujërash të gjalla; edhe Perëndia do të fshinjë çdo lot nga syt’ e atyreve.”